Vetëqëllohet me një plumb në kokë. Policia: “Vetëvrasja pas një gjendjeje të rënduar psiqike dhe nën efektin e alkoolit”
Tropojë, vetëvritet shefi i policisë bashkiake
Bashkim Shala
Perlat Mustafaj kishte punuar dy vjet më parë si oficer i policisë së rendit në komisariatin e Bajram Currit
BAJRAM CURRI- Vret veten shefi i policisë bashkiake të Bajram Currit Perlat Mustafaj. Burime të policisë së komisariatit të Bajram Currit thanë për gazetën se ngjarja ka ndodhur pak para mesnatës të së mërkurës. Perlat Mustafaj, 30 vjeç, shef i policisë bashkiake në këtë qytet është vetëvrarë në një nga dhomat e apartamentit tij, që ndodhet në katin e katërt të një pallati në qytetin e Bajram Currit. Sipas policisë që shkoi në vendngjarje, Mustafa i ka dhënë fund jetës me një plumb pistolete në kokë. Policia tha se në bazë të hetimeve të para rezulton se 30-vjeçari i ka dhënë fund jetës pas një gjendjeje të rënduar psiqike dhe nën efektin e alkoolit.
Ngjarja
Ka qënë ora 23:30 e së mërkurës kur 30-vjeçari ka ndërmarrë aktin tragjik ndaj vetes. Nga hetimet e para të policies, të cilat janë plotësuar dhe me pyetjet e dëshmitarëve, (pjesëtarë të familjes së viktimës), ka rezultuar se Mustafaj e ka kryer aktin e vetëvrasjes në befasi të plotë dhe në prani të pjesëtarëve të familjes. Sipas familjarëve, fillimisht ai ka tentuar të hidhej nga ballkoni i pallatit, por është bllokuar nga të afërmit e tij që ndodheshin në shtëpi. I vendosur për t’i dhënë fund jetës, Mustafaj ka zgjedhur më pas vetëvrasjen me pistoletën e tij që e mbante me leje. Në një nga dhomat e apartamentit ai ka shkrehur një plumb pistolete në kokë, i cili i ka marrë menjëherë jetën 30-vjeçarit. Mësohet se viktima është dërguar në spital nga të afërmit e tij, por një veprim i tillë ka qenë i pavlerë.
Policia
Uniformat blu që kanë shkuar në vendngjarje kanë bllokuar si provë materiale pistoletën me të cilën Perlat Mustafaj i dha fund jetës si dhe gëzhojën e plumbit. Burime të policisë thanë për gazetën se shefi i policisë bashkiake, para se të ndërmerrte aktin e vetëflijimit, ka qënë me një grup shokësh në një nga lokalet e qytetit, ku dhe ka konsumuar alkol. Drejtues të policisë vendore në Tropojë sqarojnë se viktima me detyrë oficer, para dy vjetësh kishte punuar në policinë e rendit në komisariatin e Bajram Currit. Ai ishte larguar nga policia e rendit me dëshirën e tij. Gjatë kohës që kryente detyrën e oficerit të rendi, Mustafaj nuk kishte pasur konflikte me persona të ndryshëm për shkak të detyrës apo për arsye personale. Po ashtu thanë burimet edhe gjatë kohës që drejtonte policinë bashkiake, Mustafaj nuk ka pasur probleme apo konflikte të mprehta. Policia po punon për zbardhjen e plotë të rrethanave që e çuan në këtë vdekje tragjike 30-vjeçarin Mustafaj.
18/06/2004
Krijoni Kontakt