Gjergj Buxhuku - 21/05/2004
Plani grek për celularin e Kosovës
Skema e suksesshme e kapjes së ekonomisë shqiptare nga kapitali grek në fillim të viteve 90 dhe në vazhdim ka treguar se mund të përdoret me të njëjtin efikasitet edhe në Kosovë
Shumë pak në Shqipëri janë në dijeni të faktit se në procesin e licensimit të operatorit të dytë celular në Kosovë janë përfshirë edhe dy kompani të ashtuquajtura shqiptare. Themi të ashtuquajtura sepse të gjithë në Shqipëri, i madh dhe i vogël, e dinë se AMC dhe Vodafon janë të regjistruara si subjekte shqiptare, por në fakt kanë lidhje të pastra varësie aksionere nga mëmat e tyre greke. Nëse do të ishte ndryshe, pa dyshim që mediat tona do të buçisnin me të drejtë nga pjesëmarrja e biznesit shqiptar në marrjen e një të drejte të rëndësishme tregtare siç është celulari. Por, si për të treguar se gjithë kjo histori nuk vjen erë të mirë, vetëm heshtet nga këto kompani që nuk lënë rast pa humbur për të reklamuar deri në marrje kredie për qejfin e tyre. Mbase një plan i përgatitur mirë nga aleanca e vjetër dhe e re greko-serbe nuk është i interesuar për të bërë me dije opinionin e ndjeshëm publik kosovar nga pjesëmarrja e kapitalit grek në mënyrë të tërthortë në privatizimet strategjike. Sa për planin që do të përdoret, nuk asnjë problem. Ai është i përpunuar me kohë. Rasti i kapjes së ekonomisë shqiptare dhe sidomos të telefonisë celulare nga oligarkia greke është i gatshëm dhe i testuar për suksesin e tij të jashtëzakonshëm. Kuptohet në favor të grekëve dhe në dëm të shqiptarëve. Plani grek për kapjen e celularit të Kosovës ka mbi të gjitha ngarkesë të fuqishme politike dhe gjeostrategjike.
Beteja moderne për Kosovën ndërmjet shqiptarëve dhe serbëve do të vendoset praktikisht në fushën ekonomike. Dhe kjo do të thotë se epërsitë politike aktuale të shqiptarëve janë kusht i nevojshëm, por jo i mjaftueshëm për të fituar betejën shekullore. Serbia nga ana e saj e ka të qartë se në mënyrë të drejtpërdrejtë kapitali serb e ka të pamundur të futet në Kosovë, duke parë ngarkesën e jashtëzakonshme negative psikologjike të popullsisë shqiptare kundër tyre. Për këtë qëllim ka filluar të aktivizohet futja në Kosovë nëpërmjet të tretëve, ku një rol të rëndësishëm ka rrjeti greko-shqiptar. Skema e suksesshme e kapjes së ekonomisë shqiptare nga kapitali grek në fillim të viteve 90 dhe në vazhdim ka treguar se mund të përdoret me të njëjtin efikasitet edhe në Kosovë. Greqia nga ana e saj është absolutisht e interesuar të fusë nën hegjemoninë e saj ekonomike dhe politike gjithë Ballkanin pa përjashtim.
Në rastin e Shqipërisë ishin fillimisht përfaqësuesit e minoritetit grek që u stimuluan me kapital financiar dhe ekskluzivitete tregtare nga Greqia dhe duke shfrytëzuar anarkinë, varfërinë dhe mungesën e eksperiencës shqiptare kapën hap pas hapi të gjithë sektorët jetikë ekonomikë të Shqipërise. Rritja e fuqisë ekonomike të tyre natyrshëm bëri që ata të krijonin rrjetin e bashkëpunëtorëve dhe ortakëve të tyre shqiptarë, duke kontrolluar aktualisht përveç monopoleve në degë strategjike të ekonomisë edhe pjesë të mëdha të politikës dhe medias vendase. Pa diskutim të tilla do të jenë pasojat edhe për Kosovën nëse përsëritet çka ka ndodhur në Shqipëri. Skema, njerëzit dhe lidhjet e mësipërme kanë filluar të aktivizohen në Kosovë, duke shërbyer si kanale të mirëfillta për pompimin e kapitalit serbo-grek. Emisarë greko-shqiptarë, që në fillimet e çlirimit të Kosovës nga trupat serbe dhe sidomos kohët e fundit, janë aktive në biznesin kosovar. Me skemë standarde pushtimi të pastër, duke filluar nga degë jo të rëndësishme kryesisht të sektorit tregtar, interesi i tyre ka filluar të përqendrohet në sektorët strategjikë të ekonomisë kosovare.
Rasti i fundit i pjesëmarrjes së AMC/Cosmotea dhe Vodafon -Albania/Panafon në tenderin ndërkombëtar për licensën e dytë celulare flet qartë për sa më sipër. Kapitali financiar serbo -grek, që është paracaktuar të përdoret për kapjen e ekonomisë kosovare, në një masë të madhe u përket njerëzve të Milosheviçit, depozituar në bankat qipriote ose greke dhe është akumuluar gjatë periudhës së pushtetit të tij. Për sa u përket kompanive greko-shqiptare të celularit vihen në dispozicion të planit kapitale jashtëzakonisht të mëdha nga fitimet prej pothuaj 1 miliard eurosh që janë akumuluar nga grabitja e pamëshirshme që u është bërë dhe u bëhet çdo ditë qytetarëve shqiptarë. Në planin e tyre do të shfrytëzohet në një masë të madhe edhe korrupsioni dhe interesat politike të përfaqësuesve të vendeve të caktuara në administratën e UNMIK-ut. Tashmë ata janë plotësisht të përgatitur për të marrë pjesë në privatizimet strategjike kosovare. Ngjarja më e freskët, megjithëse e dështuar, ishte përpjekja për të marrë me anë të të tretëve licensën ekskluzive të organizimit të transportit ajror kosovar.
Pra, me një goditje të mirorganizuar nëse për kapjen e ekonomisë të Shqipërisë u përdorën kryesisht elementë të minoritetit grek, në Kosovë po përdoren subjekte tregtare greke të regjistruara në Shqipëri si subjekte shqiptare. Kolona e pestë greke kësaj radhe në Kosovë mundohet të shfrytëzojë maskimin me simbolet kuqezi të fasadës së saj për të anashkaluar kundërshtimin e pakompromis që kosovarët kanë ndaj grekëve. Kundërshtim që i ka rrënjët në aleancat me rrënjë historike greko-serbe, që në masë të madhe janë shkarkuar ndaj shqiptarëve në shekuj. Opinioni publik është jashtëzakonisht i rëndësishëm në marrjen e vendimeve politike. Sepse dihet që në thelb leja e hyrjes në tregjet strategjike ekonomike është vetëm vendim politik. Me përjashtim të Shqipërisë, këtë rregull e di dhe e zbaton gjithë bota. Ne po vuajmë pasojat e dritëshkurtësisë sonë. Urojmë dhe shpresojmë që Kosova të ketë mësuar nga gabimi ynë!
marrë nga biznesi.com
Jemi të sigurtë që shqiptarët në Kosovë nuk bëjnë gabime të tilla dhe grekët nuk kanë shansa të fitojnë në këtë tender.
Krijoni Kontakt