"Marsela u vetëvra për parajsën"
Dëshmia e shoqes: 17-vjeçarja Dëshmitare e Jehovait
--------------------------------------------------------------------------------
Irma Hoxha
LUSHNJE
Zbardhet e vërteta e vetëvrasjes, dy ditë më parë, të 17-vjeçares nga fshati Karbunarë i rrethit të Lushnjës. Në letrën e lamtumirës, shkruar vetëm pak minuta para vrasjes, Marsela Binjaku ka shpjeguar arsyet e largimit të saj nga kjo botë (policia publikoi vetëm fjalët e lamtumirës adresuar prindërve). 17-vjeçarja e ka qëlluar veten me çifte, pasi donte të shkonte e pastër dhe sa më shpejt afër Zotit. Ky fakt pohohet në një intervistë për Gazetën edhe nga shoqja e ngushtë e viktimës, Rudina. Kjo e fundit tregon se Marsela filloi të ndryshonte që para disa muajve, kur ajo u shpall dëshmitare e Jehovait. Ndërkohë, dje të afërmit e kanë përcjellë në banesën e fundit Marsela Binjakun.
Marsela ishte shoqja juaj e ngushtë. Çfarë problemesh kishte që arriti deri në vetëvrasje?
E vërteta është se Marsela nuk kishte probleme. Ajo nuk konfliktohej kurrë, as me prindërit e saj dhe as me shoqërinë që e rrethonte. Unë e njihja prej shumë vitesh, pasi e kisha shoqe dhe e them me bindje se Marsela ishte një vajzë shumë e sjellshme, punëtore dhe e virtytshme. Mund të them se kohët e fundit ndryshoi diçka tek jeta e saj dhe këtu zë fill shkaku i vetëvrasjes. Por unë këtë nuk do ta quaja problem të Marselës, është thjesht çështje e keqkuptimit të besimit.
Për çfarë bëhet fjalë konkretisht dhe cili ishte tek ajo ndryshimi që i kushtoi jetën?
Ndryshimi tek Marsela filloi që para disa muajve, kur ajo iu përkushtua me zell besimit ndaj Zotit dhe u shpall dëshmitare e Jehovait. Në fakt ishte një kurs rrobaqepësie, që lidhi shoqen time me dëshmitarët e Jehovait. Meqë Marsela ishte vetëm me tetë klasë shkollë, prindërit e saj menduan ta dërgonin në një kurs rrobaqepësie në Lushnjë.
Kur e filloi kursin Marsela?
Në tetor të vitit 2003. Ajo e bënte kursin pranë selisë së dëshmitarëve të Jehovait, ndaj edhe u lidh shumë fort me ta. Në kohën kur filloi të merrte mësime fetare dhe të predikonte Marsela nisi të ndryshonte. Ajo u bë më e heshtur dhe filloi të largohej nga shoqëria, ndërkohë që nuk linte rast të fliste me pasion për Jehovain.
Çfarë ju bëri më shumë përshtypje nga ndryshimi i shpejtë i 17-vjeçares?
Të them të drejtën shumë herë nuk e kuptoja, pasi fliste në mënyrë të çuditshme, sikur kjo botë nuk i interesonte më dhe mezi priste të shkonte në botën tjetër. Herë pas here Marsela shprehej se ishte e kotë të jetoje në këtë botë dhe se njerëzit duhet t'i përkushtohen jetës së qiellit. Ajo që më ka bërë përshtypje më tepër ishte një numër i çuditshëm, të cilin ma thoshte kur fliste për Jehovain. Nuk e mbaj mend mirë, por më duket se ishte 68000.
Të shpjegoi se çfarë nënkuptonte ky numër?
Marsela më thoshte se ky ishte numri që përkonte me numrin e dëshmitarëve të Jehovait që do të shkonin në krah të Zotit, pas vdekjes në parajsë.
Ju mendoni se Marsela ishte e mërzitur nga kjo jetë, ndaj edhe u vetëvra?
Jo. Marsela nuk ishte e mërzitur nga jeta. Ajo gjente kënaqësi kudo që rrinte, por besonte në atë që e përkryera ishte pranë Zotit. Ajo donte të shkonte pranë tij sa më shpejt, madje nuk donte të përlyhej me mëkate. Marsela donte të shkonte tek Zoti me zemër të pastër dhe pa lënduar askënd. Këtë ajo e ka shpjeguar qartë në letrën që la para se të qëllonte veten me çiften e babait.
Dje përcjellja në banesën e fundit e 17-vjeçares së vetëvrarë
Lot e dhimbje në familjen Binjaku në Karbunarë të Lushnës. Pas vetëvrasjes së Marselës, të afërm, miq, bashkëfshatarë, shokë dhe shoqe kanë ngushëlluar prindërit e 17-vjeçares, e cila qëlloi veten me çiften e t'et. Paraditen e djeshme ngushëllimet mbanin të fortë Haxhirenë, nënën e vajzës, e cila përmes lotëve dhe vajit thoshte se Marsela qe një vajzë përsëmbari dhe se kurrë nuk i kishte sjellë probleme. I tronditur nga dhimbja, babai i Marselës mundohej t'u jepte zemër dy motrave më të mëdha të saj, si dhe djalit të tij të vetëm. Në orën 11.00, qindra njerëz kanë përcjellë në banesën e fundit vajzën që jetën e saj ia fali Zotit. Në lamtumirën e fundit kanë marrë pjesë dhe shoqe, të cilat kishin mbaruar me Marselën kursin e rrobaqepësisë. Ëndrrat e Marsela Binjakut u prenë në mes, duke kërkuar parajsën që kjo jetë nuk ta ofron dot. Trupi i 17-vjeçares është vendosur në varrezat e fshatit Karbunarë.
Banorët e Karbunarës: Marsela ishte një vajzë shembull për të gjithë
Vetëvrasja e Marsela Binjakut ka habitur jo vetëm familjarët e saj, por tërë banorët e fshatit Karbunarë të Lushnjës. Edhe prindërit edhe bashkëfshatarët pohojnë se Marsela ishte një vajzë e urtë, punëtore e sjellshme. Që nuk dinte kurrë të kundërshtonte dhe që kujtdo i rrezatonte mirësi e respekt. Me pak fjalë, për karbunarasit vajza e vogël e familjes Binjaku ishte shembulli i së mirës. 17-vjeçarja ishte një vajzë e paprekur nga opinioni. Gjithçka do të ngelej enigmë rreth vetëvrasjes së saj, nëse adoleshentja nuk do të linte një letër ku shpjegoi qartë arsyet e largimit të saj nga kjo botë e mbushur me vese e ligësi. Madje, as prindërit e Marselës nuk kishin kuptuar asgjë për atë se çfarë po ndodhte me vajzën e tyre, pas lidhjes shpirtërore me Zotin.
Eshtë e kotë të jetosh në këtë botë, njerëzit duhet t'i përkushtohen jetës së qiellit.
Jam e bindur se sa më shpejt dhe më e pastër të shkosh te Zoti, aq më pranë Tij je.
Ju dua shumë të gjithëve, jeni shumë të mirë. Më falni për këtë shqetësim që po ju sjell.
Lamtumirë
Komentet tuaja si besimtare
Krijoni Kontakt