Skandal në marrëdhëniet mes qeverisë Nano dhe BE

Nano ka shpallur Prieben "non gratta"

Pas një paralajmërimi të ashpër të Kryekomisionerit Kris Paten, për këtë skandal, stafit të kryeministrit shqiptar i është dashur të fajësojë ministren Ermelinda Meksi për këtë skandal dhe të premtojë zëvendësimin e saj me Paskal Milon ose Ledio Biankon

Ministri i jashtëm i Shqipërisë Kastriot Islami, është ndeshur me një dosje të vështirë gjatë udhëtimit në Bruksel, që ka të bëjë me shpalljen si "persona non gratta" të Drejtorit të BE për Ballkanin, Reinhardt Priebe, prej qeverisë shqiptare në vjeshtën e vitit të kaluar. Zoti Priebe i cili ka kryesuar disa herë rresht delegacionin e BE, në kuadrin e verifikimit të plotësimit të kushteve që BE i ka vënë Shqipërisë për mbylljen e negociatave, është shpallur person i padëshirueshëm nga qeveria shqiptare, pas vizitës së tij në muajin nëntor të vitit të kaluar. E porositur prej kryeministrit Fatos Nano, ministrja e Integrimit Ermelinda Meksi i ka dërguar një letër të ashpër ambasadorit Salzman në muajin dhjetor të vitit të kaluar, ku e cilëson zotin Priebe, të padëshirueshëm dhe të papërgjegjshëm për deklaratat e tij se Shqipëria ka ngecur në vend me reformat. Ambasadori Salzman e ka dërguar paralajmërimin e Shqipërisë në Bruksel ku ka plasur dhe skandali. Kryekomisioneri Paten i ka dërguar një letër të ashpër zotit Nano, ku i bën të qartë se qëndrimet e zotit Priebe, përfaqësojnë qëndrimet e BE dhe se në to nuk ka asgjë personale. Situata është tensionuar dhe kryeministri është përpjekur të dalë nga loja, duke fajësuar Ministren Ermelinda Meksi për këtë skandal. Kështu stafi i ngushtë i kryeministrit Nano kanë marrë takim me përfaqësinë e BE në Tiranë dhe disa ambasadorë të tjerë për të shpjeguar se zonja Meksi ka vepruar me kokë të saj. Biles një nga këshilltarët më të rëndësishëm të zotit Nano u ka shpjeguar në konfidencë se zoti Nano është duke shkarkuar zonjën Meksi, por është i shtrënguar ta mbajë ende në detyrë për shkak të konjukuturës politike brenda PS.

Sipas stafit të zotit Nano kandidatë për të zëvendësuar zonjën Meksi pas skandalit me Prieben, ishte Paskal Milo, ose Ledio Bianko, ky i fundit një ish nëpunës i OSBE, në Tiranë dhe pedagog i Juridikut. Tensioni nuk është ulur dhe dosja është transportuar në Bruksel. Gjatë vizitës së fundit të zotit Nano në Bruksel ai është përpjekur t'i shpjegohet zotit Prodi për skandalin dhe e ka siguruar atë se ai do të caktojë dy njerëz të afërt të tij "të ndjekin matricën e reformave" duke shmangur zonjën Meksi. Ai ka cituar konkretisht zotin Ylli Manjani dhe zotin Shano si persona teknikë që do të merren me këtë çështje. Por kjo nuk ka ndikuar aspak në opinionin e zotit Prodi, i cili, i hutuar nga shpjegimet e hollësishme, i ka thënë se ai njeh vetëm një person përgjegjës në Shqipëri që është kryeministri Fatos Nano.

Gjatë vizitës së djeshme të Islamit në Bruksel, kjo çështje ka qarkulluar në tryezat e bisedimeve si bekgraund i marrëdhënieve Shqipëri-BE. Mësohet se zoti Islami i ka kërkuar zotit Patten të mbyllë negociatat me Shqipërinë brenda këtij viti me qëllim që t'i japë prestigj politik Shqipërisë për të ndikuar në Kosovë. Zoti Paten e ka kundërshtuar prerë duke i theksuar se çështja e negociatave është çështje e raporteve dypalëshe Shqipëri-BE dhe nuk ka të bëjë fare as me rregullimin e prestigjit politik të Shqipërisë, as me rritjen e autoritetit të qeverisë shqiptare. Duke i bërë të qartë se negociatat nuk do të mbyllen këtë vit edhe pse ky ishte një afat kohor normal, drejtuesit e BE në Bruksel, kanë përcjellë Ministrin e Jashtëm shqiptar, me dyshimin se pala shqiptare vazhdon t'i humbasë durimin Bashkimit Evroipian rreth kushteve që duhet të plotësojë për të mbyllur procesin e negociatave dhe për t'i çelur rrugën anëtarësimit në BE.