PESË NOCIONE PËR NJË NGJARJE DHE FARSA E KUVENDIT
PESË PIKËÇUDITËSE
-Dje kundër UNMIK- ut e sot për UNMIK- un; Ku mbetën ata kritikusit e ashpër të UNMIK-ut? Pse e ngritën zërin në ditën e ngjarjeve, ndërsa e zbutën fjalorin pas ngjarjeve?
-Pse Mbledhja e Kuvendit të Kosovës, e mbajtur më 25 mars 2004, ishte farsë e mbledhjes së Kuvendit të Krahinës Socialiste Autonome të Kosovës, të mbajtur më 13 mars 1981”; Pse ata që i dënuan atëherë demonstratat studentore të marsit 1981, tash u “distancuan” edhe nga ngjarjet e marsit 2004?
- A do ta mbulojë kryekuvendari nesër me pëlhurë edhe pavarësinë, siç i mbuloi muralet, për të cilat ishte zotuar ndryshe?
Shkruan Akademik Rexhep Qosja
Besoni a mos besoni lexues: deri sot kur po i shkruaj këta rreshta, për daljen e qytetarëve të revoltuar në rrugë dhe në sheshet e qyteteve të Kosovës më 17 e 18 mars janë përdorur këto pesë nocione – protestë, revoltë, demonstratë, trazirë dhe kryengritje. I kanë përdorur njerëz të politikës, institucione administrative, parti politike, gazetarë, të ashtuquajtur analistë, intelektualë dhe i kanë botuar gazeta e i kanë emetuar radio e televizione. A do të përdoren edhe farë nocionesh të tjera në ditët që vijnë për emërtimin dhe vlerësimin e tyre politik nuk mund ta di, por mund të them: edhe këto të përdorurat deri sot janë të mjaftueshme për të krijuar pështjellime në kokat e qytetarëve të zakonshëm për ato që kanë ngjarë në Kosovë më 17 e 18 mars.
Në Fjalorin e Shqipes së Sotme, nocionet e përmendura shpjegohen kështu:
Protestë: shprehje e mospajtimit me diçka në mënyrë të prerë.
Demonstratë: manifestim i masave poullore nëpër rrugë e sheshe për të shprehur haptas një kërkesë politike, ekonomike a shoqërore, për të kundërshtuar diçka.
Revoltë: kundërshtim që shpërthen me zemërim e me dhunë kundër institucioneve të rendit në fuqi; kryengritje.
Trazirë: lëvizje e paorganizuar e masave a e një grupi të veçantë njerëzish, që bëhet për të shprehur pakënaqësinë ndaj regjimit në fuqi; turbullirë politike.
Kryengritje: luftë e armatosur e masave popullore për t’u çliruar nga zgjedha e huaj a për të përmbysur regjimet shtypëse.
Në qoftë se në institucionet politike dhe administrative të Kosovës; në qoftë se në Kuvendin e Kosovës; në qoftë se në partitë politike të Kosovës përdoren nocione kaq të ndryshme për t’i “kualifikuar” ngjarjet e 17 dhe 18 marsit, shtrohet pyetja: si do të mund t’i vlerësojnë saktë e drejtë ato ngjarje? Në qoftë se në institucionet politike dhe administrative të Kosovës; në qoftë se në Kuvendin e Kosovës; në qoftë se në partitë politike të Kosovës përdoren nocione kaq të ndryshme për t’i “kualifikuar“ ngjarjet e 17 e 18 marsit, shtrohet pyetja: a mund të ndërtojnë qëndrim të drejtë ndaj tyre?
Dhe, në qoftë se në institucionet politike dhe administrative të Kosovës; në qoftë se në Kuvendin e Kosovës; në qofë se në partitë politike të Kosovës përdoren pesë nocione të ndryshme për të njëjtën ngjarje, shtrohet pyetja: si mund të ndërtohet politikë e njësuar në Kosovë, përmbajtje e së cilës duhet të jetë jo vetëm çështja e Kosovës, por edhe problemet e shumta të jetës së qytetarëve të Kosovës?!
DIFERENCIMI
Më 25 mars Kuvendi i Kosovës mbajti mbledhje, nuk e di të rregullt a të jashtëzakonshme, në të cilën u bë vlerësimi i protestës së 17 e 18 marsit dhe i ndikimit të saj në zhvillimet në Kosovë e në politikën e faktorit ndërkombëtar ndaj Kosovës. Mbledhja u mbajt një ditë pasi në Prishtinë ishin përfaqësuesi i lartë për Politikë të Jashtme e Siguri i Bashkimit Evropian, Havier Solana dhe komisari për Politikë të Jashtme i Bashkimit Evropian, Kristofer Paten. Mbledhja e Kuvendit të Kosovës, e mbajtur me këtë 25 mars 2004, megjithë ndryshimet në kohë, në rrethanat politike e në fatin e Kosovës, ma përkujtoi mbledhjen e Kuvendit të Krahinës Autonome Socialiste të Kosovës, të mbajtur më 13 mars 1981, ashtu siç fjalët e përfaqësuesve të lartë të Bashkimit Evropian mbi ngjarjet e tanishme në Kosovë, megjithë ndryshime në bindjet politike e në qëndrimet e tyre në përgjithësi ndaj Kosovës, m’i përkujtuan fjalët e përfaqësuesve të lartë të ish- Jugosllavisë për ngjarjet e atëhershme në Kosovë. Si atëherë përfaqësuesit e lartë të ish- Jugosllavisë, që kishte sovranitet mbi Kosovën, edhe përfaqësuesit e lartë të Bashkimit Evroian, që kanë sovranitet mbi Kosovën, kërkuan prej përfaqësuesve të institucioneve administrative të Kosovës që të dënojnë: atëherë- demonstratat, në të cilat kërkohej që Kosovës t’i njihej statusi i republikës, kurse tani- protestat, në të cilat krahas kërkesës për përshpejtimin e përcaktimit të statusit përfundimtar të Kosovës, u bënë, mjerisht, edhe veprime dhune dhe u dogjën shtëpi e kisha të serbëve e shtëpi të romëve në Vushtrri. Si atëherë, edhe tani kërkesat e autoriteteve të qendrave me sovranitet mbi Kosovën, u dëgjuan dhe u zbatuan vëmendshëm nga Kuvendi i Kosovës. Si atëherë, edhe tani diskutues i parë në mbledhjen e Kuvendit ishte kryetari i Kuvendit ose, si po quhet në medie, kryekuvendari. Si atëherë edhe tani, kryekuvendari e filloi diskutimin me fjalën, që hyn ndër fjalët shpesh të përdorura në politikën tonë: distancohem, distancohem nga ngjarjet. . . ! Si atëherë edhe tani në diskutim morën pjesë shumë deputetë, prej më të riut, njëzet e sa vjeçar, deri te më i vjetri tetëdhjetë e katër vjeçar! Si atëherë, edhe tani diskutuan deputetë të të dy gjinive, kurse gjinia femërore u tregua më burrërore se ajo mashkullore. Është për të mos u harruar se në këtë mbledhje të Kuvendit të Kosovës u diferencuan edhe disa intelektualë që atëherë, më 1981, ishin diferencuar me themel në të ashtuquajturat kolektive ku punonin!
Dhe, kështu, Kuvendi i Kosovës, pas 23 vjetësh, u gjet përsëri në një situatë të ngjashme politike e morale si para 23 vjetësh. Historia, ka thënë një filozof (që ishte) më i lavdishëm pas vdekjes sesa për të gjallë, mund të përsëritet, dhe kur përsëritet ajo përsëritet në trajtën e farsës.
Por, mbledhja e Kuvendit të Kosovës, e mbajtur tani, kishte një dallim thelbësor nga mbledhja e Kuvendit të Krahinës Autonome Socialiste, të mbajtur atëherë. Në mbledhjen e tanishme, megjithatë, kishte kush të mbronte dinjitetin e Kosovës. Dhe, këta ishin ish- pjesëtarët e UÇK- së dhe ish- të burgosurit politikë ndaj të cilëve më 1981 bëhej i ashtuquajturi diferencim. Edhe këta, natyrisht, dënuan aktet e dhunës, por nuk lejuan që në të njëjtin thes të futen aktet e dhunës dhe kërkesat e drejta në protesta. Edhe këta, natyrisht, dënuan dhunën, por nuk lejuan që të humbet rruga e filluar pikërisht në demonstratat e rinisë studentore e shkollore më 1981.
DJE KUNDËR UNMIK- UT E SOT PËR UNMIK- UN
Ka kohë që institucionet e Kosovës me të drejtë kërkojnë prej bashkësisë ndërkombëtare, prej OKB- së, prej SHBA- ve dhe prej Bashkimit Evropian që t’u jipen më shumë kompetenca, në të vërtetë që t’u jipen kompetencat që edhe më tej i mban UNMIK- u. Por, këto kërkesa kohë pas kohe ishin aq të zëshme, të përshkuara prej kritikash aq të forta ndaj administratës së UNMIK- ut, sa që nuk mund të mos krijohej përshtypja se misioni i OKB- së në Kosovë ishte shpallur plotësisht i padëshiruar! Kryetarë e anëtarë të institucioneve administrative, deputetë, drejtues të disa partive sikur bënin gara kush do ta rëndojë më shumë UNMIK- un e gjorë! Dhe, kjo retorikë kritike, shpesh e veshur me kiç- patriotizëm, zgjati madje edhe ditën e parë e të dytë të trazirave. Në një bisedë televizive, të emetuar në RTK, ndoshta ditën e dytë të trazirave, në të cilën merrnin pjesë tre deputetë dhe dy ndërkombëtarë- njëri nga zyra amerikane e tjetri nga zyra angleze, ndërkombëtarët u kritikuan aq fort (nga deputeti i LDK- së dhe i AAK-së) saqë mospajtimin e shprehnin jo vetëm me fjalë, po edhe me gjeste e shikime të hidhura. Nuk mund të mos e them se duke e dëgjuar atë bisedë televizive kam ndjerë keqardhje për dy mysafirët, të dy nga vendet që kanë bërë aq shumë, në një çast aq vendimtar historik, për popullin shqiptar të Kosovës, të cilët pa patos e retorikë po me argumente, paraqitnin qëndrimet dhe mbronin rëndësinë e pranisë ndërkombëtare në Kosovë. Po, kjo s’i shpëtoi ndërkombëtarët nga turri mohues i dy deputetëve tanë! Ç’ti bësh? Të gjitha janë të vdekshme- thoshte Gëte- vetëm marrëzira, është e përjetshme! Ajo nuk zgjedh njeriun, nuk zgjedh vendin dhe nuk zgjedh kohën!
Tani, pas 17 e 18 marsit, përnjëherë, kritikat dërrmuese ndaj UNMIK- ut pushuan! Përfaqësuesit e institucioneve vendore, prijësit e partive, deputetët, gazetarët e të ashtuquajturit analistët, i ndërruan fjalët për UNMIK- un e shkretë! Tani nuk dëgjohen duke thënë se ata të UNMIK- ut rrinë në Kosovë për shkak të kuzhinës e të vajzave të Kosovës; as duke thënë se ata të UNMIK- ut do të donin të rrinin në Kosovë dyqind vjet, por ne nuk do t’i lëmë; as duke thënë se ata të UNMIK- ut do të donin që Kosova të jetë koloni e tyre; as duke thënë se UNMIK- u duhet të mbledhë plaçkat e të largohet sa më parë prej Kosovës! Jo. Tani e kanë ndërruar gjuhën! Tani të njëjtit flasin për bashkëpunim me UNMIK- un; për partneritet me UNMIK- un; për koordinim politik dhe aksional me UNMIK- un; për ridefinim të bashkëpunimit me UNMIK- un; e për njohje të tjera të pranisë së UNMIK- ut në Kosovë pa caktuar kohën sa mund të zgjasë kjo prani. Të krijohet përshtypja se më në fund kanë filluar të besojnë se UNMIK- u dhe KFOR- i janë tërësi e pranisë ende të domosdoshme të bashkësisë ndërkombëtare në Kosovë. E kuptueshme. Në kafenetë e Ballkanit ende ka shumë pianecë që kanë shumë qejf t’i fikin dritat e kur fiken dritat në kafenetë e Ballkanit bëhet rrëmujë e madhe! E ne e kemi pësuar pse kur fikeshin dritat në kafenetë ballkanike gjithmonë kemi qenë të vetmuar- pa miq!
FATI TRAGJIK I PIKTURAVE NË KUVEND
Më në fund pikturat- përfaqësuese të realizmit socialist në Kuvendin e Kosovës u mbuluan: u mbuluan me suva, me ngjyrë a me pëlhurë, nuk e di me çka, por u mbuluan. I mbuloi ai, i cili, ditën kur i zbuloi, Harri Holkerit që i quajti të papranueshme si njëetnike për vendin në të cilin janë vënë, dhe kritikëve, që i quajtën artistikisht të pavlefshme, iu përgjigj i kapardisur siç mund të jenë të kapardisura gjithmonë kokat e vogla: “Institucionet e Kosovës nuk janë të gatshme ta fshijnë historinë shqiptare në Kosovë dhe nuk jemi të gatshëm të bëjmë inzhiniering me kulturën e traditën tonë, e cila është pranuar edhe ndërkombëtarisht”! I mbuloi me suva, me ngjyrë a me pëlhurë, pa e ditur deputetët e tjerë të Kuvendit të Kosovës! Ata, më në fund, nuk e ditën as kur u zgjodhën, as kush i zgjodhi, as si u zgjodhën! I mbuloi pas 17 e 18 marsit! I mbuloi kur e pa se me mbulimin e tyre mund ta ndihmojë veten: të mbetet edhe ndonjë ditë në kiç-karrigen e re në të cilën kur ulet- humbet! Dhe, kështu, për të shpëtuar veten në kiç- karrigen e re, në të cilën humbet, e fshiu”historinë shqiptare në Kosovë”! Dhe, kështu, për të shpëtuar veten në kiç-karrigen e re në të cilën humbet bëri “inzhiniering me kulturën e traditën tonë”! Dhe, kështu, për të shpëtuar veten në kiç- karrigen e re, në të cilën humbet ulur e në këmbë, e bëri “ edhe ndërkombëtarisht të papranuar traditën tonë”! E shkreta traditë- si u mbrojt dhe prej kujt u mbrojt?
Nuk është për shqetësim pse ky njeri i mbuloi pikturat e pavlefshme që nuk do të duhej të viheshin në Kuvend. Për shqetësim është pse njerëz si ky, që brenda një kohe aq të shkurtër i kërcejnë vetes në gojë dhe bëjnë atë që më përpara thoshin se nuk do ta bënin për të gjallë, mund të gjenden në krye të institucioneve të Kosovës.
Kush mund t’i sigurojë qytetarët e Kosovës se një njeri i tillë, për të shpëtuar veten në kiç- karrigen në të cilën humbet kur ulet, nuk do të mbulonte nesër me suva, me pëlhurë a me ngjyrë të zezë edhe pavarësinë e Kosovës!?
ÇKA THANË PËR KOSOVËN ANALISTË TË HUAJ NË TIRANË
Si mësohet nga Ditari i KTV- së, analistë të huaj, në një diskutim në Institutin për Medie në Tiranë, thanë: në qoftë se statusi i Kosovës nuk zgjidhet (përcaktohet) për 3 vjet, atëherë do të bëhet luftë. Lajmi më brengosi shumë dhe më brengosi për disa arsye: e para, më brengosi për shkak se nuk do të doja të përjetojmë edhe një luftë; çdo brezi i del boll, madje i bëhet tepër, një luftë; e dyta, më brengosi aq shumë për shkak se analistë të huaj, bashkë me analistë tanë, ndër të cilët e vërejta edhe njërin nga Prishtina, nuk e quajtën të nevojshme të na thonë se mes kujt do të bëhej ajo luftë pas 3 vjetësh: mes shqiptarëve, në njërën anë, e serbëve, në anën tjetër; a mes shqiptarëve, në njërën anë e ndërkombëtarëve, në anën tjetër; a mes shqiptarëve e ndërkombëtarëve, në njërën anë, e serbëve, në anën tjetër; a mes shqiptarëve e ndërkombëtarëve, në njërën anë, e serbëve e malaziasve, në anën tjetër; a mes serbëve e ndërkombëtarëve, në njërën anë e shqiptarëve, në anën tjetër; a mes serbëve, malaziasve e ndërkombëtarëve, në njërën anë e shqiptarëve, nga Kosova, Shqipëria, Maqedonia e Mali i Zi, në anën tjetër; a mes Kosovës e Shqipërisë, në njërën anë, e Serbisë e Malit të Zi, në anën tjetër. E kështu me radhë!
Brengosja ime për shkak të luftës së paralajmëruar pas 3 vjetësh u shumëfishua, ndërkaq, kur njëri nga analistët e huaj e citoi deklaratën kërcënuese të të ashtuquajturit president i Kosovës, i cili në të ua çoi këtë porosi ndërkombëtarëve: do të bëhet luftë në qoftë se “nuk njihet edhe formalisht pavarësia e Kosovës”!
Mendova, tepër, tepër i brengosur: ai që djemve të Kosovës ua fal të gjitha” mëkatet”, por jo edhe” mëkatin” pse kanë marrë pjesë në luftën çlirimtare më 1998-1999, që e bëri Ushtria Çlirimtare e Kosovës, ai po e filloi luftën pas 3 vjetësh, ai do të bëjë kërdinë! Kuku, nënë!
Krijoni Kontakt