Shumë nga ju mund të keni lexuar një vepër të Ismail Kadaresë dhe të keni vrarë mendjen se ç'do të thotë fjala "nënkresë". Shkrimtari ynë i shquar e krijoi këtë fjalë për të zëvendësuar fjalën turke "jastëk". Është e udhës një veprim i tillë? Në faqet muzikore të fajtori.com në internet mund të lexoni disa nga tekstet e këngëve të postuara nga vetë dëgjuesit. Në këngën e kënduar nga Rovena Dilo "Për një çast më ndali zemra", Sonila Kuqo nga Nju Jorku në pamundësi për të kuptuar fjalët e këngës shkruan: "Mbi në mbres të ndjeva frymën, ku je ti" në vend që të shkruante: "Mbi nënkresë të ndjeva frymën, ku je ti". Mund ta përfytyroni se sa herë duhet ta kthente këngën në atë strofë Sonila dhe prap të mos e kuptonte përmbajtjen e një fjale të këgës fituese të Festivalit Kenga Magjike 2001.
Në korrik gjëndesha për vizitë në Shqipëri dhe Kosovë. Në kanalin televiziv shtetëror TVSH më kujtohet të kemë shikuar një dokumentar për ato ç'farë folësi i quante "rrokaqiejt" ose "qiej-gërvishtësit" e Nju Jorkut. Sigurisht, menjëherë e kuptova se bëhej fjalë për gradaçelat. Jam i mendimit se edhe bashkë-kombësja jonë Sonia Kuqo i quan ndërtesat e larta të Manhatenit gradaçela (fjalë italiane).
A bën mirë Z. Kadare ose dikush tjetër që shqipëron dhe pastron shqipen e sotme? Për ti dhënë një përgjigje të drejtë kësaj pyetje duhet të pyesim gjithashtu nëse bëri mirë që shqipëroi Naim Frashëri?
Dritare, hapësirë dhe gjithësi janë vetëm disa nga fjalët e Naimit. Ka edhe "hekurudhë", ndërtesë, banesë etj. Por prap pjesa dërrmuese për faj të mosdijes dhe moskokëçarjes përdorin fjalë si "penxhere"(turqisht), "godinë"(rusisht), apo "kozmos" (greqisht). Na pëlqen fjala "planet" se sa "rruzull", "jeshil" se sa "i gjelbërt" ose i "blertë". Më e keqja është se kemi të bëjmë me fjalë të përdorimit të përditshëm.
Edhe gjuha e njësuar parapëlqen të përdorë fjalë të huaja se sa fjalë më përdorim të kufizuar dialektik. Sipas kësaj mendësie më mirë të themi "tigan" (greqisht) se sa "fërtere" ose "ftere". Më mirë "gradaçelë", "pallat" e "apartament" se sa "rrokaqiell", "ndërtesë" dhe "banesë" siç përdoren në Kosovën "e prapambetur"!
Si studiues i historise nuk e kuptoj se pse ishim aq me fat që të ruanim gjuhën tonë Iliro-Pellasge. Sot kjo gjuhë është më e rrezikuar se kurrë. Shtypi dhe mediat shqiptare po kryejnë një masakër të vërtetë ndaj gjuhës shqipe. Edhe ne, populli, jemi shumë moskokëçarës. Është detyra jonë që jo vetëm të mbrojmë gjuhën por edhe ta pastrojmë atë.
Pra, mallkue njai bir Shqyptari,
qi këtë gjuhë të Perëndis',
trashigim, që na la i Pari,
trashigim s'ia len ai fmis;
edhe atij iu thaftë, po, goja,
që përbuzë këtë gjuhë hyjnore;
qi n'gjuhë t'huej, kur s'asht nevoja,
flet e t'veten e lèn mbas dore. (Fishta, Gjuha Shqype)
Krijoni Kontakt