gsh
--------
SERENATAT KORÇARE
Rasti i Mis Korçës 1942 është një serenatë e madhe me vete që ndihet në shumë serenata të kënduara pas këtij viti. Zonjusha SH misi i '42 më pas u kthye në mister
Serenata korçare, historia e krijimit të grupit "Lira"
---------------------------------------------------
Donika Anxhaku
Zenel Anxhaku
Tole Adhamoi përmend gjithë shokët e tij të paharuar të këngës të korit karakteristik "Lira" Gaqo Jorganxhi, Ilo Mosko, Raqi Treska, Raqi Floriri, Maqo Frashëri, Niko Cavali, Llambi Ziko, Koli Kondakçiu, Andon Bitri, Teli Mele…
Uji vërtitet, guri rrotullohet
Ditën dhe natën mulliri punon.
Ushton kënga e mullirit nëpër dhomë dhe përhapet tej. Jam lindur në vitin 1913 në qytetin e Korçës. Baba im ishte me profesion murator. Ishim tre vëllezër dhe një motër. Them ishim se njëri, Vangjeli u vra që i ri. U nis për në luftë partizan kundër fashizmit dhe nuk u kthye më… Mua që në vitin 1928 shoku im Vaskë Xherahu më foli për korin "Lira": Jemi të gjithë zanatçinj dhe bij zanatçinjsh- më tha Vaska këndojmë pas punës… Vajta dhe aty filloi një jetë e re për mua, bota e madhe e këngës dhe e serenatës. Unë bëra edhe dy vjet liceun francez në Korçë dhe isha një çikë më i shkolluar se shokët e tjerë, por në drejtimin tonë artistik ishin personalitete të tilla si Kristo Konua, Mihal Cikua etj me nivel të lartë kulturor. Me këngën e tyre të mrekullueshme ata ju kushtuan popullit të tyre dhe sidomos të varfërve. Me këta njerëz të paharuar të korit "Lira" ne kemi kënduar këngë të tilla si "Kënga e mullirit", "Dua më shumë Shqipërinë" në "Drenovares", "O moj korçare…" dhe dhjetra serenata. Ishim 12 në fillim të punës sonë, tani kam mbetur vetëm unë o Zot. Më duket se edhe unë më shumë jam nën tokë sesa mbi tokë. Por ata jetojnë nëpërmjet këngës. A mund të vdesë Gaqo Jorganxhiu, Vaskë Xherahu, Kosta Osmanlliu, Mihal Ciko etj. Jo, natyrisht jo. Me duart që i dridhen Tole Adhami hap manjetofonin dhe nëpër dhomë dhe nga dritarja e hapur ushton kënga e famshme:
Dua mëngjeset e majit
Kur këndon bilbili i bukur
Kur fryn erëza e malit
Dhe qarku është i skuqur.
Dhe lulet e fushës
Në mëngjes kur
janë plot me vesë
Doçkat e bardha të çupës
Që vetë me mall ti presë
Por nga gjithë këto më parë
Dua më shumë Shqipërinë
Dua ti vejë puna mbarë
Dhe përjetë të ketë lirinë…
… Kënga mbaron dhe në sytë e Tole Adhamit shket një pikë lot si një ortek i vogël dhimbjeje të kujtimeve. Ah, ajo kënga… Edhe pas vdekjes dua ta dëgjoi. Manjetofoni në këngë vazhdon me këngën e Mullirit:
Dielli vëritet, bota rrotullohet
Mbi jetën tonë koha po kalon…
Pa dëgjo… ky është zëri i Gaqos, ky është zëri i Vaskës, ky është zëri i Kolit…
…Uji vërtitet, guri rrotullohet
Ditën dhe natën mulliri punon…
Tole Adhami është një nga gurët e themelit të grupit "Lira". Por ç'është dhe si u formua ky grup i famshëm që u bë i dëgjuar dhe i paharruar edhe për interpretimin madhor të serenatave të Korçës, të shpirtit lirik të qytetit të tyre të dashur? Ja ç'na thotë tani udhëheqësi artistik i këtij grupi Jorgaq Nano: - Faktor kryesor që i dha impuls lindjes së grupit të këngëve karakteristike "Lira" është ardhja e bandës "Vatra" nga Amerika në Korçë me drejtuesin e saj zotin Thoma Nasi. Me impulset e bandës "Vatra" u formua në Korçë shoqëria e Arteve të Bukura dhe midis degëve të shumta kjo shoqëeri krijoi edhe grupin koral të burrave nën drejtimin e të palodhurit dhe të apasionuarit të këngës korçare, zotit Ilo Mosko. Aktiviteti i grupit "Lira" nuk është ndërprerë për asnjë cast. Gjatë gjithë jetës së tij janë të pallogaritshem shfaqjet e shumta që ky grup ka dhënë. Vlen të përmendim edhe koncertin që ky grup ka dhënë për të ndihmuar poetin Lasgush Poradeci, i cili atë vit ishte shtruar në sanatoriumin e Gracit në Austri. Ky koncert u dha më 28 shkurt të vitit 1929 ku kishte të ftuar edhe nga Tirana dhe midis të tjerave edhe princeshat. Me grupin "Lira" kanë punuar personalitete të paharruara në Korçë si përshembull arbëreshi Paskuale Anibali e më tej Mihal Ciko, Gaqo Avrazi etj. Vlen për të përmendur mbajtjen gjallë të këtij grupi, prej drejtuesit të apasionuar Kostaq Osmanlliu i cili e drejtoi këtë grup në vitet 1945-1978, Kostaq Osmanlliu punoi dhe e pasuroi traditën dhe të serenatës korçare… … Në një nga lagjet karakteristike të Korçës është edhe shtëpia e Kostaq Osmanlliut njërit prej këngëtarëve më të vjetër të Korçës. Kostaqi tani nuk jeton më. E bija e tij pianistja Ina Osmanlliu na nxjerr një album të mrekullueshëm. Kostaqi është një nga të parët që mblodhi këngët karakteristike. Ishte një natyrë fisnike dhe njerëzit e donin dhe e respektonin.
Kori në fillim u quajt grupi i këngëve karakteristike dhe më vonë kori i pleqve. Dhe vërtetë, ata që kënduan më bukur serenatat, më me madhështi dhe më me fisniëkri ishte kori i pleqve.
Si ka mundësi që serenatat i këndoi më vonë më bukur ky kor? A thua se ky kor ruante mirë thesaret e viteve tridhjetë dhe i shpërndau në ardhmëri fuqinë kozmike të këtyre këngëve të dashurisë? A thua se ata e kuptuan se serenatat lindën në një kohë të caktuar dhe do të zhdukeshin në një kohë të caktuar? Do të zhdukeshin, por si ata përrenjtë me burimin tek zemrat do të përfundonin në detin e përjetësisë të artit të madh dhe dashurisë së madhe? Ata pleq shtatëdhjetë vjeçarë tetëdhjetë vjeçarë që vinin çdo pasdite për në pallatin e kulturës ju ngjanin më së shumti atyre pleqve trojanë që ishin vënë në rradhë në Iliadën e Homerit për të parë si ekspertë bukurinë e Helenës së Trojës. Dhe këta pleq korçarë vinin çdo pasdite për të parë bukurinë e dhjetra Helenave që ju kënduan serenatë, bukurinë e zmerave dhe i bënë ato të pavdekshme. … Shumë prej atyre njerëzve, djemve që ngritën serenatat tani prehen në varrezat e qytetit. Por shpirti i tyre nuk ka vdekur dhe nuk do të vdesë kurrë. Se shpirti nuk vdes, aq më shumë ky shpirt i madh fisnik dhe njerëzor që buroi dhe shpërtheu nëpër serenatat. Serenatat janë një trashëgimi dashurie dhe mirësie që na lanë prindërit gjyshërit dhe stërgjyshërit. Eshtë një trashëgimi që na ka lënë Korça jonë, kjo nënë e dhimbshur dhe e mirë, kjo flladitëse shpirtërash të lirë që gjithmonë artin e ka parë si një smerald të pazëvendësueshëm të zemrave. Natyrisht që serenatat nuk mund të futen në muze. Ato nuk janë thjesht relike. Ato sjellin një rigjenerim të vazhdueshëm, ato janë një katraris shpirtëror, një ballafaqim i asaj që është më e bukura, më e mira, më fisnikja. Nëse sot mjaft këngëtarë të mrekullueshëm dhe të talentuar korçarë si Mihallaq Andrea, Afërdita Zonja, Eli Fara, Lindita Theodhori etj këndojnë serenata kjo jo rthjehst për një nderim për të kaluarën dhe traditën. Ne kemi nevojë për serenatat. Kemi nevojë për atë ajër të pastër që fryn nga maja e shpirtërave të së kaluarës që vjen nga zemra e madhe e Korçës, nga shpirti fisnik i qytetit. Dhe na vjen të nrgemë një kryesereatë për Korçën tonë, për Shqipërinë, për çdo shqiptar që i bëjmë të kujtojë atë këngën e paharruar të viteve tridhjetë:
Kur ika lashë Shqipërinë
Kur lashë prapa Korçën
Ato male, atë lëndinë
Ku humbet njerëzia mendjen.
… Pashë Morenë dhe Italinë
Shëtita Francën dhe
Gjermaninë
Barita tërë Bullgarinë
Barita fushëne Rusisë
Të Rumelisë, të Serbisë
Pashë malet e Helvetisë
Por s'paska si të Shqipërisë.
Po. Ne jemi të dashuruar me këtë qytet. E duam atë dhe do ti thurim serenata…Meqë janë shpirti i këtij q yteti serenatat janë këngë të shenjtëruara, psallme të dashurisë së brezave në faltoren e madhe të zemrës njerëzore. Por serenatat korçare duke qenë njëherësh romantike dhe realiste nuk dinë të fshehin "mëkatin". Por këto "mëkate" nuk sulmohen me fjalë të vrazhda që të lënë shenja plumbi në kujtesë. Jo, ato "qëllojnë" me pambuk duke pranuar se të gjithë njerëzit janë mëkatarë. Një ironi e lehtë si një avull e dalë nga parajsa futet si pakuptuar në purgatorin njerëzor e deri në perandorinë e të vdekurve. Madje këto këngë serenata të "mëkatit" japin një dekor preçiz me interjerë të tyre, madje edhe em emrat e personazheve.
Në dyqan e Tasit karshi Mitropolisë
Mblidhen djemtë e Skolisë
nga sevda e dashurisë
Bëmë moj zonjë dhëndërë
Se jam djalë i ëmbël…
Në këto rreshta jepet një kolorit korçar në dinamik. Po dale: më tej vjen një këngë e çuditshme "Të mori Pali:
Të mori Pali, të shpuri në Rrëmbec
Surat karajane kokë kastravec
Jam, jam e mirë dhe në s'jam e mirë
Jam për veten time…
Kjo këngë këndohet sot nëpër dasma, sepse serenatat përveç se janë të bukura ato kanë edhe natyrën që mësohen lehtë që nga të vegjëlsit deri tek të mëdhenjtë.Ne sot e këndojmë këngën e Tasit apo të Palit por pak kush shtron pyetjen: Se kush ka qenë ky Tasi që ka pasur dyqanin karshi Mitropolisë. Po Pali kush ishte që morri atë çupë "me këpucë vidello, me baltë Pojani" që i thërriste dajos "mbamë dajo mbamë, se më merr shejtani".
Por ama skena erotike del açik në serenatë dhe jepet e plotë:
Nëpër vërkët të gardhit
fshehurazi
Ti moj nuse e Tasit bënje
dashuri
Nëpër vërkë të kyçit fshehurazi
Ti moj nuse e tasit bënje dashuri…
Çdo të thoshte bota? Si do ti binte filli kësaj aventure që këngëtari e "studion" me shaka që nga vërka e gardhit? Kush ishte kjo mëkatare që në vend të skuqet dhe të marr vrapin shpall sfidën ndaj gjithë qytetit dhe si rrjedhojë ndaj gjithë botës:
Jam jam e mirë, dhe në
s'jam e mirë
Jam për veten time…
Një buzëqeshje e lehtë i përshkon këto këngë dhe madje edhe një mëshirë e padukshme kur dramat marrin përmasat që i kalojnë qytetit: Eshtë shumë larg që nga Fieri
Dashurinë që ta kesh
Eshtë shumë larg që nga Fieri
Për në Shkodër që të vesh…
… lamtumirë o moj e dashur
Lamtumirë unë të lë
Eshtë shumë larg që nga Fieri
Për në Korçë që të vesh…
Këtu mëshira bashkohet edhe me një mister, me një "sekret" që këngëtari nuk e jep. Përmend qytete por këtu heshtet për emrat e njerëzve. Diçka tepër aventurore do të ketë ndodhur, madje dhe me tragjizëm. Po pse për emrat këtu heshtet? Mos vallë kemi të bëjmë këtu me Mis Korçën 1942, një personazh real që i donte aq shumë serenatat dhe u dashurua pas një serenate dhe së fundi përfundoi në një qytet tjetër.
Ndoshta… Rasti i Mis Korçës 1942 është një serenatë e madhe me vete që ndihet në shumë serenata të kënduara pas këtij viti. Por a është ajo një "mëkatare"? Jo, jo. Ajo është një shenjtore e dashurisë. Dhe të gjithë duan të dinë rrugën e shenjtorëve…
… Pranvera si një vajzë rebele e ç'burgosur kishte dalë fushave, ishte rritur dhe fustani nuk e nxinte më, kishte shpërthyer nëpër gonxhe dhe nëpër lule. Në kinema "Majestik" shpallej atë mbrëmje "Mis Korça 1942". Komentatori Italian përmendi emrin e saj: Zonjusha Sh… Salla brohoriti… O Zot… Sa lule, puthje dhe duartrokitje u derdhën mbi të. Por ajo nuk lëvizi. Ajo qëndronte si një shtyllë mermeri e një teatri antik. Jo, zemra nuk i gëzonte. Kishte hyrë në atë garë marramendëse pa dëshirën e saj… dhe ja, po merrte kurorën e Mis Korçës 1942. vajzat e tjera qanin se nuk kishin fituar. Ajo qante thellë në zemrën e saj. "Dëgjoni kishte thënë së fundi ai. E ke lexuar vjershën e Hajnes "Asra". Pra, unë jam si ata të fisit Asra që vdesin kur dashurojnë". Komentatori Italian kërkoi që ajo të thoshte diçka. Ndërsa në sytë e saj nuk kishte gëzim, as shpresë, as dëshirë për jetë. Hodhi syë nga ballkohet ku dukej nata e mrekullueshme e pranverës qëndisur me mijëra xixëllonja dhe ju kujtua serenata e parë.
Një ditë ti do të ikësh
do të ikësh larg
Dhe mua zemrën
do ma marrësh pas…
Zonjusha Sh.. juve patjetër duhet të thoni nja dy-tre fjalë, patjetër duhet të thoni.Salla ra në një heshtje të thellë, torturonjëse. Ajo bëri dy-tre hapa përpara. Dhe hapat e saj ishin të rëndë dhe funebër, jo sikur të merrte kurorën e Misit por sikur po shkonte drejt vdekjes. Në qiell nga ballkoni lart ajo pa se u këput një yll. Eshtë ai- tha ajo me zë të lartë.
Salla mbeti pezull nga një zjarrmi torturonjëse. O Zot, mos u çmend nga gëzimi kjo çupa e botës?
Eshtë ai, është ai… Kush pra- ndërhyri komentatori Italian kësaj radhe me një zë të paduruar dhe të egërsuar, pothuajse brutal. Salla priste përgjigjen. A thua të gjitha yjet do të këputen sot në zemrën e saj? Eshtë Ai. Ai ishte prej fisit Asra që vdesin kur dashurojnë. Dhe ajo përmendi me të fortë emrin e tij, emri i një shegerti të varfër që tanimë nuk jetonte. Salla shtangu. Ajo tha përsëri emrin e tij dhe iku me vrap dhe pastaj u dëgjua kërkëllitja e metaltë e derës së madhe të "Majestikut".
Moj vajzë e arratisur ku rend kështu? A mund të gjendet ylli i këputur?
… Të nesërmen Mis Korça hipi në një llandon apo në një kamion dhe nuk u pa më në qytetin e saj. Dhe mbeti aq e bukur sa dhe misterioze ajo natë pranverë e vitit 1942. Zonjusha SH… nuk jeton më, por shumëkush nga të moshuarit në Korçë e përkujtojnë si një mall të valë, dhe përshpërit: Ndoshta ishte nga ata të fisit Asra që vdesin kur dashurojnë. Ndoshta, por serenata ka mbetur për këtë shenjtore të dashurisë… A ka këtu mëkat? Aspak…
Unë do të iki, do iki larg
Por zemrën ti do të ma
marrësh pas…
A keni qenë ndonjëherë për Pashkët në Korçë? A keni parë se si marrin zjarrin me qirinjtë në kishë dhe pastaj e shpërndajnë këtë zjarr hyjnor shtëpi më shtëpi dhe zemër më zemër duke thënë:
- Krishti u ngjall…
Dhe serenatat pra duket se shpërndajnë këtë zjarr të shenjtëruar. Në një intervistë me këngëtaren e mirënjohur Afërdita Zonja ajo na tha: Këngët e serenatës ose "serenata korçare janë pjesë e qytetit të Korçës dhe të korçarit. Nuk duket se është e vështirë të jepni saktësisht një përgjigje: I lindi qyteti këto këngë apo bashkë me to u ndërtua vetë qyteti?
Kjo është një pyetje retorike që ndoshta nuk kërkon përgjigje por që ka në vetvete një të vërtetë të madhe: Korça është shkrirë në këto këngë, merr frymë nëpër vargjet e serenatave jeton dhe dashuron, fisnikëron me to brezat e saj.
Po për serenatat kemi intervistuar edhe Artistin e Popullit Gaqo Çako. E pyetëm: Kemi dëgjuar se serenatat korçare ishin shkolla juaj e parë artistike. A qëndron kjo pandehmë?
Korça u bë për mua me të vërtetë akademia e parë e Arteve të Bukura. Në rininë time të parë mbaj mend serenatat e paharrueshme korçare kur me grupe shokësh vinim me kitarë pranë dritareve të vajzave që preferonim dhe ju këndonim atyre këngë dashurie.
Çfarë poezie? Çfarë harmonie, çfarë miseri fshihej në ato netë. Ishin netë me të vërtetë të bardha të një rinie të pakthyeshme dhe pa lamtumirë.
Serenatat zgjasnin nga ora dhjetë deri në tre pas mesnate me këngë dashurie nga më të ndryshmet dhe nga më të çuditshmet. Secili kishte vajzën e vet. Këngët e dashurisë ishin konkrete dhe organizoheshin në periudhën e verës…
Netë të bardha: Sa shumë i shkojnë Korçës këto netë të bardha…
Ishtë një ikonë e mrekullueshme e Onufrit "Shën Mërija me Krishtin e vogël në krahë". Ç'buzëqeshje e mrekullueshme lexohet në fytyrën e Shën Mërisë? Çfarë buzëqeshje? A nuk flet ajo për dashurinë hyjnore por edhe njerëzore? Ai nuk flet për gëzimin e papërsëritshëm që të sjell fëmija?
E pra vajza korçare dhe djali i dashuruar shkonin në kishë në Mitropoli apo në Shën Gjergj dhe aty shikonin ikonat e pavdekshme. Shën Mëria me Krishtin në krah është dashuria e dashurive, është kënga e këngëve, është serenata e serenatave.
Ne mendojmë se kjo frymë hyjnore ikonat duket dhe ndihet edhe nëpër sereneatat, te këto këngë të dashurisë së shenjtëruar. A nuk ndihet në këngë përveç trokitjes së përvëluar të dashurisë, edhe pritja e fëmijës së parë, edhe belbëzimi i perëndishëm i foshnjës, edhe ngrohtësia në vatrat familjare, edhe bërja e kryqit para bukës dhe bekimi i madh i prindërve. Dhe të gjitha këto përmblidhen në atë buzëqeshjen e Shën Mërisë, në atë buzëqeshje nismëtare të natyrës dhe të jetës, në atë shpërthim të parë kozmik të botës moderne. Dhe kjo buzëqeshje e Shën Mërisë është e përhapur si një bekim i ëmbël nëpër serenatat korçare që pa frikë mund ti quajmë ikona me tinguj. Ndaj edhe tingëllon natyrshëm ai vargu madhështor që duket se ka zbritur direct nga Olimpi:
Perëndeshë e bukurisë ti je…
E tillë është Afërdita e shtëpive korçare e thjeshtë, e ulur mbi avlimend ose mbi gjergjef, e pastërt si pika e vesës e dalë nga shkuma e detit të qelibartë të serenatave… Dhe si dritë të përjetshme ka atë buzëqeshje, buzëqeshjen e Shën Mërisë me Krishtin.
Këngë-Ikona dhe Ikona-këngë…
Në vend të epilogut
Serenatat kanë natyrisht një karakter romantik. Ato zakonisht këndohen nën dritën e praruar të hënës dhe fjalët më të zakonshme për to janë "Bilbil", "hënë", "trëndafil". Ato janë kryefjala e serenatave. Por krahas karakterit romantik, siç thamë ato fshehin në vetvete diku në thellësi një karakter të spikatur realist. Se… kujdes.. Mund të vesh të bësh një serenatë dhe mund të bijesh pa dashur në një dërrasë të kalbur, të papërshtatshme. Të mos harrojmë për asnjë cast se Korça në vitet tridhjetë ishte e ndarë në tre lagje të mëdha në Varosh, Katavarosh dhe lagjen përtej lumit.
Martesat bëheshin brenda "sërës tënde" dhe jo të dilje jashtë kësaj "sëre". Po të veproje ndryshe ose do të bëheshe gazi I botës ose do të ndodhte ndonjë tragjedi si midis Montekëve dhe Kapuletëve.
Ndaj ai që vinte në mbrëmje bashkë me dy-tre shokë ose vetëm e kishte studiuar mirë vajzën e tij në të gjitha drejtimet.
Serenata ishte me objekt, e adresuar, vetëm pas viteve pesëdhjetë serenata u bë pa objekt të caktuar. Madje në këngë I këndohej hollësisht bukurisë shpirtërore dhe fizike të vajzës të cilës mentohej ti fitohej zemra. Ndaj këngët janë me fjalë të zgjedura, fisnike, të zhveshura nga çdo fjalë banale, nga çdo shprehje e rëndomtë. Jo thjesht se në këngët e serenatës përdoren shpesh fjalët "Mbretëreshë e Zemrës", "o mbreti im" "mbretëreshë e mbretëruar" etj por më tepër për faktin se në thellësi të tyre ato kanë një qëllim tejet fisnik ndaj femrës, me fjalët më të zgjedhura të zemrës, me një temp të spikatur kalorsjak, ato, serenatat, dallohen për një shpirt mretëroir, madhështor, sipëror.
Serenatat janë e kundërta e këngëve të mejhaneve dhe të klubeve, ku qejflinjtë me gotën e hedhur njëra pas tjetrës nuk dinë ti kontrollojnë fjalët dhe shpërthejnë në këngë.
Serenatat kanë fjalë të pastra zemre dhe shpirti. Fjalët e tyre kanë vezullimin e yjeve dhe të buzëqeshjeve, freskinë e pikave të vesës dhe mrekullinë e flladit parajsor të pranverës.
Shpirti I tyre mbretëror duket që në misionin, që në objektin dhe në qëllimin e tyre dhe deri në mjetet dhe në arsenalin e përdorur.
Mbretëresha e Zemrës duhet të jetë e denjë për një mbret. Edhe sjelljet edhe fjalët duhet të jenë mbretërore. Madje edhe në qoftë se nuk e arrin objektin tënd duhet të largohesh si një mbret dhe kujtimin e saj ta ruash të shenjtë, si një vajzë të fronësuar përjetësisht në zemrën tënde. Ndaj serenatat na duken kaq të bukura dhe të afërta, edhe sot në një prag shekulli të ri, të një epoke të re. Ato janë Titaniku ynë "i mbytur" nga kujtimet, janë brilantet e gjyshërve të zhytur në thellësitë e tingujve. Ndaj kur i këndojmë na drithërohen zemrat dhe na fisnikërohet dhe zbukurohet shpirti.
Sepse gjithkush e
ka një dritare
Nga e mban kokën prapa
përjetë
Një siluetë del, zhduket
dhe shuhet fare
Dhe prapë shfaqet si një
margaritar në det
Lum ne për margaritarë
të tillë mbretërorë…
------------gaz shqiptare---------
Krijoni Kontakt