Fakte historike zbardhin dorëzimin e divizionit shqiptar në 1913 te grekët dhe marrëveshjen me trashëgimtarin e fronit, princin Konstandin
Përpjekjet e dështuara të Ismail Qemalit për t'i dhënë Shqipërisë qytetin e Janinës
Përparim Rexhepi
Beteja për qytetin e Janinës, gjatë Luftës së Parë Ballkanike (1912-1913), për shqiptarët paraqet një interes të veçantë, pasi në strukturat e Garnizonit të Janinës kishte një numër të madh të luftëtarëve shqiptarë, një divizion me redifë (rezervistë) kryesisht nga krahinat e Jugut të Shqipërisë, si dhe vullnetarë të tjerë shqiptarë. Si e tillë, ajo e meriton për t’u njohur e për t’u studiuar në kuadrin e rolit dhe kontributit të faktorit shqiptar.
Kush ishin letrat dhe telegramet, që Ismail Qemali ju dërgonte krerëve të ushtarëve shqiptarë, që ishin instaluar në kështjellën e Janinës për ta mbrojtur atë nga forcat greke? Përse drejtuesi i qeverisë së Vlorës kërkonte me çdo kusht që përpara Konferencës së Londrës, Janina të mbahej nga shqiptarët, qoftë edhe nën flamurin grek? Nga cilat krahina ishin luftëtarët që përbënin Korpusin shqiptar në luftën e Janinës? Si u zhvillua beteja për qytetin, që ishte planifikuar nga qeveria e Vlorës për t´u bërë kryeqytet i Shqipërisë së Jugut dhe përse Esat Pashë Janina vendosi t´ia dorëzonte grekëve qytetin? Për fakte të hollësishme për këtë ngjarje gati të harruar nga historianët, bëhet fjalë në shkrimin e mëposhtëm…
Divizionet shqiptare në Luftën e Parë Ballkanike
Gjatë Luftës së Parë Ballkanike, tetor 1912-prill 1913, Garnizoni i Shkodrës në veri dhe ai i Janinës në jug u evidentuan si dy bastionet më të forta të qëndresës. Ndryshe nga njësitë e tjera të ushtrisë osmane në Trakë, Kosovë, Sanxhak, Maqedoni, Shqipëri, Epir dhe Thesali, të cilat që në fillim të Luftës së Parë Ballkanike pësuan disfata të rënda, në Shkodër dhe Janinë rezistenca e garnizoneve të sipërpërmendura vazhdoi nga një muaj sa ishte planifikuar në gjashtë muaj (Janinë) dhe shtatë muaj (Shkodër), madje në kushtet e rrethimit të plotë nga forcat e armikut. Në historiografinë ushtarake ballkanike, operacionet për mbrojtjen e Shkodrës dhe të Janinës vlerësohen në shkallën më të lartë, e sidomos mbrojtja e qytetit të Shkodrës, garnizoni i të cilit doli nga rrethimi me dinjitet, me flamujt luftarakë, armatimin dhe në rregull të plotë, saqë kundërshtarët e tyre ishin të detyruar t’i nderonin kur kalonin para tyre. Ndonëse jo e nivelit të mbrojtjes së Shkodrës, edhe operacioni për mbrojtjen e Janinës ka vlerat e veta të padiskutueshme, edhe për faktin se gati gjysma efektivit të Garnizonit përbëhej nga luftëtarët shqiptarë. Është e nevojshme që kjo betejë e madhe të zbardhet, sepse në qoftë se për qëndresën e Garnizonit të Shkodrës kundër sulmeve të forcave të mëdha të ushtrive serbo-malazeze është bërë diçka, ndonëse jo në përmasat që duhet, për evidentimin e kontributit të divizionit shqiptar në mbrojtjen e Janinës (13 tetor 1912-6 mars 1913) nuk është shkruar asgjë.
Përpjekjet e qeverisë së Vlorës për të marrë Janinën
Shtabi Madhor turk, në strukturën e planizimit luftarak, të miratuar në fillim të vitit 1912, që parashikonte masat kryesore në një konflikt të mundshëm me shtetet ballkanike, detyrën për të mbrojtur pjesën perëndimore të Rumelisë, ku përfshiheshin territoret shqiptare, ia kishte caktuar Armatës së Dytë, me qendër në Selanik. Kjo Armatë përbëhej nga tre korpuse: Korpusi 3-të, me qendër në Selanik, Korpusi i 6-të, me qendër në Manastir dhe Korpusi i 7-të, me qendër në Shkup, si dhe tri divizione autonome me nizamë (22 K në Kozanë, 23 K në Janinë dhe 24 K në Shkodër), të cilët në rast lufte ktheheshin në korpuse, pasi kompletoheshin me nga një divizion me redifë shqiptarë. Fati i ardhshëm i qytetit të Janinës ishte me një rëndësi të madhe jo vetëm për perandorinë osmane, por edhe për dy vendet kryesore pretenduese, Shqipërinë dhe Greqinë. Greqia dëshironte ta pushtonte sa më shpejt “zemrën e Epirit”, ndërsa dihet se ky qytet, ku kishte patur selinë e pushtetit të tij, Ali Pashë Tepelena, pretendohej nga qeveria e Ismail Qemalit, si kryeqendra administrative e viseve jugore të shtetit të porsashpallur të pavarur shqiptar. Sipas vlerësimit të Ismail Qemalit, po të binte Janina, bashkë me të do t’i shkëputeshin shtetit të saposhpallur shqiptar territore shumë të gjera të tij në jug. Por, ndryshe nga qyteti i Shkodrës, për të cilën në mënyrë konstante ekzistonte interesimi agresiv i Austro-Hungarisë për të mos u aneksuar nga Mali i Zi apo Serbia, përkrahja nga ndonjë fuqi e madhe europiane që Janina t’i përkiste Shqipërisë së pavarur, ishte shumë e zbehtë. Për këto arsye, në kushtet e situatës së ndërlikuar të Luftës së Parë Ballkanike, Plaku i Vlorës shpresonte që Korpusi i Janinës, ku kishte një numër të madh të luftëtarëve shqiptarë, të rezistonte sa më gjatë, duke krijuar kushte për një zgjidhje optimale të fatit të qytetit. Në këtë kontekst, qeveria e Vlorës vendosi një komunikim të vazhdueshëm me komandën e Korpusit të Janinës për ta ndihmuar me ç’të mundej për forcimin e gjithanshëm të mbrojtjes. Në morinë e korrespondencës, tërheq vëmendjen telegrami i drejtuar, më 20 dhjetor 1912, nga Ismail Qemali, komandantit të Korpusit të Janinës, në të cilin, ndër të tjera, thuhej: ”Mbrojtja dhe disiplina e armatës së Janinës do të thotë t’u vihet një pritë aspiratave greke, që duan të na shtypin e prandaj presim të na thoni se si duhet të përpiqemi e ç’kërkesa e komunikime duhet të bëjmë”. Por, edhe Komanda e Korpusit të Janinës ishte e interesuar për bashkëpunimin me qeverinë e Vlorës, pasi siç u theksua, një numër i madh i efektivit përbëhej nga luftëtarët shqiptarë. Ky interesim u kthye në shqetësim, kur pas shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë, më 28 nëntor 1912, disa luftëtarë shqiptarë, që luftonin në frontin e Janinës, nisën të dezertonin për të shkuar pranë familjeve të tyre. Shkaqet kryesore ishin opinionet e përhapura nga armiku se “çështjen e kufijve të Shqipërisë e kishin në dorë Fuqitë e Mëdha, prandaj ishte e kotë të luftohej e të derdhej gjak” dhe masakrat e pashembullta të kryera ndaj banorëve shqiptarë nga forcat e ushtrisë serbe dhe greke që kishin avancuar në territoret e Shqipërisë së Jugut. E shqetësuar nga një fenomen i tillë me pasoja fatale për qëndresën e organizuar, Komanda e Korpusit të Janinës iu drejtua për ndihmë qeverisë së Vlorës që të ndërhynte për ta ndaluar e penguar largimin nga fronti të luftëtarëve shqiptarë. Ismail Qemali, duke i ofruar ndihmën e Qeverisë së tij, në të njëjtën kohë, kërkoi nga komanda e Korpusit në Janinë (ashtu si edhe të Korpusit në Shkodër) që të ngrinin flamurin shqiptar, krahas atij turk, gjë që do t’i motivonte më shumë forcat shqiptare. Megjithëse ky propozim, për arsye të ndryshme, nuk u mor parasysh, nga komandat respektive turke, duke iu përgjigjur kërkesës së komandantit të Korpusit të Janinës, Këshilli i Ministrave në Vlorë, më 29 janar 1913, mori zyrtarisht vendimin që “Të mbrohet me çdo kusht Janina” dhe u dërgoi një thirrje gjithë krahinave të vendit, me anën e së cilës kërkonte që “ushtarët shqiptarë, të arratisur nga fronti i Janinës, të ktheheshin menjëherë në repartet e tyre, për mbrojtjen e interesave të Atdheut. Për shqiptarët, thuhet në këtë thirrje, është një detyrë fort e madhe të mbrohet dhe të mbahet Janina. Megjithëse ushtarët shqiptarë luftojnë nën flamurin otoman, prapë se prapë këta duhet ta dinë këtë detyre dhe ta njohin dobinë që ka Janina për Atdheun e tyre”.
Kush ishte Korpusi që mbronte Janinën
Korpusi i Janinës përbëhej nga një divizion me redifë shqiptarë, forca mustafëz (territoriale shqiptare), vullnetarë vendas, forcat e Divizionit 23 me nizamë, reparte xheniere etj. Divizioni me redifë shqiptarë përbëhej nga 3 regjimente këmbësorie: regjimenti i Janinës, me batalionet e Janinës, Margëllëçit, Filatit dhe Ajdonatit; regjimenti i Vlorës, me batalionet e Vlorës, Mallakastrës, Fierit dhe Tepelenës; regjimenti i Gjirokastrës, me batalionet e Gjirokastrës, Delvinës, Përmetit dhe Leskovikut; gjithashtu, në Janinë ishin vendosur edhe batalioni i Skraparit, një batalion i Bilishtit, si një numër vullnetarësh nga banorët shqiptarë vendas. Divizioni 23 me nizamë përbëhej nga tre regjimente këmbësorie, një regjiment artilerie dhe forca të tjera. Duhet patur parasysh se Greqia, në prag të fillimit të Luftës së Parë Ballkanike, ishte një shtet i vogël, me një popullsi me më pak se 2 milionë banorë dhe me një sipërfaqe të kufizuar; territoret e shtetit të pavarur grek shtriheshin në Peloponez, në një pjesë të Thesalisë, në Beoti, Atikë etj. Kreta ishte njësi administrative më vete, nën protektoratin e Fuqive të Mëdha evropiane të kohës. Epiri, Maqedonia e Egjeut, Traka dhe ishujt Jonianë ishin nën juridiksionin e Turqisë. Kufiri i vjetër turko-grek në veri e verilindje të Greqisë, në vilajetin e Janinës, në këtë periudhë, fillonte në perëndim të Prevezës e vazhdonte në verilindje, duke përfunduar në Larisa.
Përbërja e forcave greke
Forcat tokësore të ushtrisë greke, në prag të fillimit të konfliktit me Turqinë, në tetor 1912, kishin një efektiv prej rreth 113 mijë vetësh, të ndarë në 4 divizione këmbësorie (1,2,3,4), forcat e zgjedhura “Evzon” (7 batalione), forca të artilerisë etj. E kaluara më e afërt e ushtrisë greke nuk shkëlqente, përkundrazi: në ndeshjen e vitit 1897, me forcat turke, ajo kishte pësuar një humbje të rëndë dhe vetëm ndërhyrja energjike e aleatëve të saj të mëdhenj europianë e shpëtoi atë nga shpartallimi i plotë. Në këto luftime, për merita të veçanta Hasan Riza Pasha (më vonë komandant i Korpusit të Shkodrës, dhe Esad Pashë Toptani, zëvëndës i tij) u graduan: i pari nga nënkolonel në kolonel, kurse i dyti nga kolonel në gjeneral-brigade. Duke nxjerrë mësime nga kjo disfatë, krerët e lartë ushtarakë grekë iu drejtuan për ndihmë Francës, e cila dha një kontribut të veçantë për modernizmin dhe menaxhimin e ushtrisë greke jo vetëm në periudhën para fillimit të Luftës së Parë Ballkanike, por edhe gjatë zhvillimit të saj… Ndërkohë, armata e Epirit kishte filluar luftimet kundër garnizoneve turke dhe, më 2 nëntor, pushoi Prevezën, më 11 dhjetor Sarandën etj. Përfundimisht, pas pushtimit të Artës, Prevezës, Pargës etj., më 13 dhjetor, 1912, trupat greke iu afruan Janinës. Luftime të ashpra vazhduan gjatë 14-15-16 dhjetorit, rreth rajonit të mbrojtjes së Korpusit të Janinës në lartësitë e Luzetës dhe Agia Nicoloas, të cilat, më në fund, ranë në duar të grekëve. Por më 19 janar 1913, nëpërmjet një kundërgoditje të suksesshme, trupat turko-shqiptare rimorën Luzetën, por nuk e mbajtën dot gjatë pasi, më 21 janar 1913, grekët e pushtuan përsëri. Deri më fillim të marsit 1913, midis trupave greke dhe forcave të Korpusit të Janinës, nuk pati veprime të shënuara luftarake. Por, çuditërisht, për dy ditë luftime, më 4-5 mars, mbrojtja e fuqishme dhe e fortifikuar e korpusit të Janinës, u thye lehtë nga trupat greke, të cilat e detyruan kundërshtarin, që të kapitullonte.
Rrethimi i Janinës nga luftëtarët grekë
…Arsyeja kryesore pse trupat greke kishin ndalur para Janinës ishte se ato kishin përpara një sistem modern të rajoneve e pikëmbështetjeve të fortifikuara, të vendosura në mënyrë rrethore, në lartësitë dominuese, që kontrollonin kalimet për në qytetin e Janinës. Natyra, përgjithësisht malore e rajonit në jug, juglindje e jugperëndim të Janinës, me lartësitë e Bizanit, Manolisës, Agi Nicoloas, Doroutis, Katsicsës, Megas, Mikro-Gardioku, Sadovica etj., i jepte një forcë të veçantë këtij fortifikimi, duke bërë atë shumë të vështirë për t’u pushtuar. Veç forcave të këmbësorisë, në këtë sistem mbrojtjeje ishin vendosur 21 bateri artilerie të kalibrave të ndryshëm, me 128 topa (nga të cilët 72 topa ishin të kalibrit 90 mm, 16 –120 mm, 2 -150 mm dhe 25 topa -75 mm), si dhe 12 mitralozë, të cilët, së bashku me armët e tjera të këmbësorisë, me kryqëzimin e zjarrit të tyre, mbulonin të gjithë terrenin e veprimeve luftarake, e sidomos shtigjet malore, të cilat lejonin kalimin në shpinë të rëndimit të luftimit të Korpusit të Janinës. Zemra e këtij sistemi mbrojtjeje të fortifikuar ishte Bizani, 10 km në juglindje të Janinës, në lartësitë me të njëjtin emër. Bizani ishte pika më e rëndësishme e gjithë sistemit të pikëmbështetjeve të fortifikuara përreth Janinës. Ajo ishte ideuar e ndërtuar nga Marshalli gjerman, Von Der Goldz, për të kontrolluar zonën përreth, por sidomos rrugën Janinë-Prevezë. Dy kodrat, ku ishin vendosur rajonet dhe pikëmbështetjet në Bizani, përbëheshin nga terrene të ashpra shkëmbore, një tipar i veçantë që e detyroi Von der Goltsin dhe oficerët e tij të adoptonin një plan special për fortifikimin dhe për vendosjen e baterive të artilerisë. Përpara pikëmbëshetjeve dhe transheve të vijës së parë në Bizani, në distancën e mbrojtjes së afërt nga sulmet e këmbësorisë armike, ishin vendosur telat me gjemba si dhe nga minat. Të gjitha këto punime ishin bërë para luftës, duke e kthyer Bizanin në një fortesë, të vështirë për t’u pushtuar…
Ditët e fundit të luftimeve (4-5 mars 1913)
Konkretisht, forcat shqiptaro-turke, në jug, juglindje dhe jugperëndim të Janinës, në këtë kohë, ishin vendosur: Në Bizani- batalionet redif të Ajdonatit, Delvinës dhe Gjirokastrës, si dhe regjimentet 67 e 69 me nizamë; në Manolasu - bat.redif i Ajdonatit; në Agia Nicolaos- bat. redif i Përmetit dhe b3 R68K; në Kotorts-bat redif i Janinës dhe ai i Mallakastrës; në Kondinius- bat. redif i Leskovikut; Dirack-bat. redif i Fierit; në Sadovicë-bat.redif i Margëllëçit. Plani grek i operacionit për të pushtuar Janinën ishte i bazuar mbi një mashtrim të vjetër, i cili është i njohur në historinë e luftrave. Thelbi i këtij mashtrimi konsistonte në krijimin e një force të madhe fleksibël, këmbësorie dhe artilerie, në qendër të rendimit luftarak grek, e kamufluar mirë, e cila do të manovronte nga e majta ose e djathta, për të dhënë goditjen vendimtare, në varësi të situatës dhe të lëvizjeve të forcave të kundërshtarit. Pikëmbështetja e fuqishme e Bizanit u përpoq mjaft gjatë ditës që të pengonte avancimin e trupave greke, duke goditur me zjarr artilerie Manolissën, Agios Nicolaos dhe Douroti, por më kot. Në këto kushte, trupat turko-shqiptare në pikëmbështetjet e sipërpërmendura, përveç Bizanit, të rrezikuara të binin në rrethim të plotë, u detyruan të tërhiqen drejt Janinës. Për çudi, asnjë veprim energjik dhe asnjë kundërsulm nuk u ndërmor nga komanda e Korpusit. Dukej sikur ajo ishte pajtuar me idenë e kapitullimit… Pikërisht, në këtë moment, Esad Pasha mblodhi oficerët e shtabit të tij, të cilëve u parashtroi propozimin e vet për të dorëzuar Janinën dhe për të vënë në dijeni për këtë gjë komandën e lartë të trupave greke, si dhe Princin Trashëgimtar të fronit, Konstandin...
Kapitullimi
Kapitullimi kaq i shpejtë i Garnizonit të fuqishëm të Janinës, (për dy ditë, 4-5 mars 1913) ka shtyrë ndonjë autor të aludojë për ekzistencën e një marrëveshjeje të fshehtë ndërmjet komandantit të Korpusit, Esat Pashë Janinës me komandën greke. Se sa e saktë mund të jetë kjo akuzë, nuk mund të thuhet ndonjë gjë me siguri. Trupat shqiptare dhe turke, sipas kësaj marrrëveshjeje, fillimisht lanë armatimin, municionin dhe pajisjet e tjera në transhe dhe nisën të grumbullohen në vendin e caktuar për robërit e luftës. Por, papritur, nga Komanda greke erdhi urdhri që trupat e zënë rob të Korpusit të Janinës të riktheheshin në pozicionet e tyre, të merrnin armatimin personal dhe të rreshtuar, me oficerët në krye, të parakalonin në Serviana, para tribunës së fitimtarëve grekë. Trupat e redifëve, të mustafëzëve shqiptarë, si dhe të nizamëve turq, porsa mbaronin parakalimin para tribunës së ngritur nga grekët në Serviana, ishin të detyruar që të hidhnin pushkët menjëherë në tokë. Sipas një gazetareje franceze, dëshmitare okulare, kjo ishte një pamje shumë e trishtuar për fundin e një prej garnizoneve që rezistuan më me këmbëngulje në Luftën e Parë Ballkanike. Janina ishte pushtuar nga trupat perandorake osmane më 1430. Por, pas afro 500 vjetësh, fati i saj në dukje do të diskutohej midis ushtrisë otomane dhe asaj greke, por, në të vërtetë, nuk ishte kështu. Janina do të diskutohej midis dy fqinjëve të vjetër, shqiptarëve dhe grekëve. Duket se profecia e Plakut të Vlorës kishte qenë e saktë. Me rënien e Janinës së Ali Pashë Tepelenës në duar të grekëve, Shqipërisë së Jugut iu shkëput pothuajse e gjithë Çamëria, së bashku me territore të tjera.
Krijoni Kontakt