Close
Duke shfaqur rezultatin -19 deri 0 prej 4
  1. #1
    Administratore Maska e Fiori
    Anëtarësuar
    27-03-2002
    Vendndodhja
    USA
    Postime
    3,016

    Zhvillimi I Gjuhësisë Në Insbruk Të Austrisë

    Shqiptar
    Registered User
    (7/10/00 9:14:02 am)
    --------------------------------------------------------------------------------
    Dr. Petrit Kotrri


    Albanologjia si një drejtim i veçantë kërkimor


    Duke pasqyruar zhvillimet e gjuhësisë në një universitet perëndimor, me tradita të hershme dhe të shquara, siç është ai i Insbrukut të Austrisë, aq më tepër aty ku albanologjia, nga vitet '60 e deri më sot, përmes punës përkushtuese e pasionante të indoevropianistit dhe albanologut të njohur, Hermann M.Ölberg-ut, ka shënuar një nga fushat e rëndësishme të kërkimit shkencor, synoj të paraqes para lexuesit zhvillimin e gjuhësisë në Insbruk, më konkretisht në Institutin e Gjuhësisë që vepron atje, me rrugën, konceptet dhe metodat evropiane të traditës dhe të bashkëkohësisë. Për këtë qëllim jam mbështetur veçanërisht në literaturën e posaçme që ka të bëjë me objektin në fjalë, si dhe në njohjen time të drejtpërdrejtë me arritjet dhe zhvillimin e Institutit të Gjuhësisë të Universitetit të Insbrukut, gjatë kohës së studimeve të mia për doktoratë.

    Po e nisim me një vështrim historik:


    I. Historia e gjuhësisë në Universitetin e Insbrukut (Innsbruck-ut).

    Gjuhësia në Insbruk ka një traditë të pasur që fillon në shekullin e kaluar, që kur Karl Schenkl, Ordinarius për filologjinë klasike që prej vitit 1858, dha mësim për të parën herë "Elemente të sanskritishtes", në semestrin e dimrit 1861-1862. Meqënëse, më 1863 ai u emërua në Grac, vendin e tij si Ordinarius për filologjinë klasike në Insbruk e zuri Bernard Jülg (1825-1886), që u interesua për sanskritishten. Ky është cilësuar si një studiues poliglot i gjuhës dhe si më kryesori i traditës gjuhësore të Insbrukut, meqënëse kontribuoi ndjeshëm në zhvillimin e mëtejshëm të degës së gjuhësisë, përmes studimeve dhe kërkimeve të tij origjinale. Jülg-u kishte studiuar në Heidelberg (1844) dhe Berlin (1845-1847) filologji klasike, gjuhësi të përgjithshme dhe gjuhët aziatike. Kishte fituar gradën e doktoratës në Fakultetin Filozofik të Kiel-it, kishte qenë për shumë vite mësues liceu dhe më 1851 ishte thirrur në Universitetin e Lemberg-ut, ku qe emëruar "Profesor i jashtëm" i filologjisë klasike. Dy vjet më pas shkoi në Insbruk dhe më 23 tetor 1863 u emërua "Profesor i shquar" (Ordinarius) i filologjisë klasike në Universitetin e Insbrukut. Gjatë kohës së qëndrimit të tij në Berlin, Jülg-u i ishte kushtuar në mënyrë të veçantë studimit të gjuhëve të tilla, si: sanskritisht, japonisht, tibetisht, kineze, turqisht dhe armenisht. Ai botoi i pari tekstet kalmykishe (mongole) dhe në bazë të përkthimit të Ungjillit në këtë gjuhë, krijoi për herë të parë në vitin 1847 një Gramatikë të mongolishtes. Në Insbruk dha ligjërata për sanskritishten dhe leksione mbi "Natyrën dhe ndarjen e gjuhëve", duke marrë parasysh veçanërisht rrënjën e gjuhës indoevropiane, bashkë me një vështrim mbi gjuhët e botës. Ai ka përpunuar gjithashtu "Literaturën dhe Gramatikën, Leksikun dhe koleksionet e fjalëve të të gjitha gjuhëve të botës" të Johann Severin Vater-it, vëllim që është botuar më 1847 (ribotuar në Grac më 1970).

    Nxënës i tij, që u interesua për gjuhësi, ishte Fridrich Stolz, i cili kishte studiuar në Lajpcig dhe Grac dhe më 1879 ishte habilituar në Insbruk për filologji klasike. Në vitin 1887, pas vdekjes së Jülg-ut, Stolz-i u bë pasardhës në detyrën e tij. Me emërimin e këtij të fundit në këtë pozicion, gjuhësia shkëputet prej filologjisë klasike, sepse, pas kërkesës që iu bë atëherë Fakultetit përkatës, dega e Stolz-it u quajt "Vergleichende Sprachwissenschaft" (Gjuhësi krahasuese). Pra, gjuhësia në Insbruk lindi nga filologjia klasike. Fridrich Stolz veproi deri në vitin 1911. Emri i tij u bë i njohur, para së gjithash, përmes veprës së tij "Gramatikë historike e gjuhës latine".

    Para se të vijohet më tej me habilitimin e parë gjuhësor më Insbruk, mund të japim shkurtimisht, në mënyrë të përzgjedhur, gjithnjë nga fillimet e traditës, disa lëndë që përfshiheshin në programin e leksioneve. Kështu, Karl Schenkl, përveç ligjëratave mbi sanskritishten, dha mësim edhe këto lëndë: "Sintaksa e greqishtes", "Morfologjia krahasuese e greqishtes dhe latinishtes", "Sintaksa e latinishtes" etj.

    Bernard Jülg dha mësim "Fushat kryesore të sintaksës greke", "Enciklopedia dhe metodologjia e filologjisë" etj. Fridrich Stolz, përveç vazhdimit të kursit të sanskritishtes, ligjëroi edhe në këto disiplina: "Gramatikë historiko-krahasuese e latinishtes", "Hyrje në Gramatikën historike të latinishtes", "Historia e zhvillimit të kërkimit gjuhësor indoevropian", "Fonetika dhe morfologjia e latinishtes", "Gramatika historiko-krahasuese e greqishtes", "Sintaksa krahasuese e greqishtes dhe latinishtes", "Mbi prejardhjen dhe përhapjen e popujve indoevropianë", "Vokalizmi i gjuhëve indoevropiane" etj.

    Habilitimi i parë gjuhësor në Insbruk u bë nga Alois Walde në vitin 1896. Ai kishte qenë më përpara profesor në Giesen. Më 1912 zuri vendin e Stolz-it dhe qëndroi deri më 1922 në Insbruk, derisa mori një ftesë për një vend të ri pune si profesor në Königsberg. Walde (Valde) kishte qenë nxënës i Stloz-iz dhe më 5 mars 1894 kishte përfunduar studimet e doktoratës me disertacionin me temë "Ndërtimi i kohës së ardhme në lituanisht". Gjithashtu, kishte marrë një formim të thelluar shkencor në Leipzig në vitin akademik 1893-1894, ku veçanërisht kishte marrë pjesë në orët e ushtrimeve gjuhësore të Karl Brugmann-it dhe August Leskien-s. Ligjëratat e tyre mbi fushën gjuhësore balto-sllave, siç del nga dokumentat, i kishte ndjekur me interesim të veçantë. Në Insbruk, Walde, krahas sanskritishtes, ligjëroi gjithashtu mbi "Gramatikën krahasuese të latinishtes dhe greqishtes". Në vitin 1920 dha leksione edhe në lëndën "Hyrje në sllavishten e vjetër kishtare", më 1921-1922 zhvilloi "Hyrje në historinë e gramatikës, në problemet kryesore të gjuhësisë indoevropiane dhe në konceptet bazë të shqyrtimit gjuhësor", ndërsa më 1922 "Etimologjia latine dhe studimi i fjalës".

    Veprat e Waldes "Fjalori etimologjik i latinishtes" dhe "Fjalori krahasues i gjuhëve indoevropiane" (me përkujdesje të Julius Pokorny-t) përfshihen, sipas dijetarëve të këtyre fushave, në veprat standard të indoevropianistikës. Pas Waldes, dega mësimore mbeti 6 vjet si "në harresë", pa pasur një personalitet të spikatur, deri më 1928, kur nga Freiburgu u thirr Hermann Ammann për t'u bërë President i Institutit të Gjuhësisë, personalitet i fuqishëm ky, që me integritetin absolut dhe marrëdhëniet e lidhjet shkencore e njerëzore që vendosi, e fuqizoi dhe e udhëhoqi Institutin deri në vdekjen e tij në vitin 1956. Në fund të shekullit të kaluar dhe në fillim të këtij shekulli deri më 1908, në Insbruk kontribuan edhe Leopold von Schröder dhe Wilhelm Cartellieri, që përballuan shkencën e indologjisë, trashëgimia e së cilës "Koleksioni i indishtes" i kaloi më pas Institutit të sotëm të Gjuhësisë.

    Hermann Ammann-i, si fushë të tij të kërkimit shkencor, krahas indoevropianistikës dhe filologjisë klasike, kishte edhe gjuhësinë e përgjithshme. Nga kjo fushë ka shkruar veprën teorike gjuhësore "Die menschliche Rede" (Bisedë njerëzore), një vepër kjo mjaft e njohur për nga vlera edhe sot në rrethet e studiuesve. Nga programi i leksioneve që ka ligjëruar, mund të përmendim, midis të tjerash, këto lëndë: "Gramatikë krahasuese e greqishtes, latinishtes dhe gjermanishtes", "Elemente të gjuhësisë", "Hyrje në çështjet kryesore të gjuhësisë" (për filologët e vjetër dhe të rinj), "Sintaksa krahasuese e greqishtes, italishtes dhe gjermanishtes", "Fonetikë krahasuese", "Teoria e gjuhës" etj.

    Në vitin 1951, në Insbruk u bë habilitimi i Johann Knobloch-it, i cili më 1957 zuri vendin e Hermann Ammann-it në funksionin e drejtuesit të Institutit të Gjuhësisë. Knobloch (Knobloh), që është cilësuar si një njohës i shkëlqyer i gjuhëve të Kaukazit dhe gjuhës së ciganëve, punoi në Insbruk deri më 1963, derisa atë vit mori një ftesë nga Universiteti i Bonn-it të Gjermanisë për t'u emëruar si Profesor në Institutin e Gjuhësisë atje. Knobloch mbahet edhe si themeluesi i Institutit të Gjuhësisë Krahasuese në Greifswald në vitin 1955. Ndërsa në Insbruk, ai u bë themeluesi i "Innsbrucker Beiträge zur Kulturwissenschaft" (Kontribute të Insbrukut për kulturë) dhe një nxitës i fuqishëm për zhvillimin e Institutit.

    Vendin e Knobloch-it në Insbruk e zuri Wolfgang P. Schmidt, më 1964, që erdhi nga Tübingen-i, por që mori menjëherë një ftesë për një vend të ri pune si Profesor në Göttingen. Që prej vitit 1965 Wolfgang Meid u bë President i Institutit të Gjuhësisë në Insbruk, duke e drejtuar atë në një periudhë kohore mjaft të gjatë, deri para pak muajve, sa doli në pension. Ai konsiderohet ndër keltologët më të njohur në rrethet e studiuesve dhe dijetarëve të kësaj fushe. Vendin e Meid-it në funksionin e drejtuesit të Institutit e ka zënë tani Manfred Kienpoitner, i cili përkujdeset në Institut për fushën e gjuhësisë së përgjithshme dhe zbatuese.

    Në mënyrë të ngjashme, sikurse ka lindur gjuhësia krahasuese nga filologjia klasike, ka lindur edhe sllavistika nga gjuhësia krahasuese, meqënëse deri në krijimin e një dege mësimore të sllavishtes në vitin 1970, kurset e gjuhës sllave dhe veprimtaritë mësimore të sllavishtes prej pedagogëve të ngarkuar, mbaheshin në kuadrin e gjuhësisë krahasuese.

    Prej tre Asistentëve të parë, në Institutin e Gjuhësisë të Insbrukut mundën të habilitoheshin dy prej tyre: Hans Schmeja më 1986 (duke e kaluar habilitimin e tij nga Graci në Insbruk) për "Indoevropianistikë" dhe Hermann M. Ölberg për "Gjuhësi" më 1972 (sikurse quhet dega apo fusha e përgjithshme që prej urdhëresës së ligjit federal austriak mbi drejtimin e studimeve të shkencave humane). Të dy këto u emëruan më pas "ausserordentlichen Professoren" (Profesorë të jashtëm) dhe drejtues të degëve brenda Institutit të Gjuhësisë. Prej mbrojtjeve të doktoratave janë cilësuar veçanërisht me vlerë të spikatur disertacioni i Ulrike Roider-it në vitin 1977, me një botim të tekstit të irishtes së vjetër dhe ai i Peter Anreiter-it në vitin 1980, me një punim të gjerë për fonetikën historike të tokarishtes. Të dy këto punojnë prej vitesh në Institut, ky i fundit me cilësinë e Zëvendëspresidentit të Institutit dhe me titullin "ausserordentlicher Professor" (Profesor i jashtëm), të marrë para pak kohësh.

    Instituti ndahet në degë për Indoevropianistikë, Gjuhësi e përgjithshme dhe zbatuese.


    II. Fushat kryesore të mësimdhënies dhe të kërkimit shkencor.



    Gjuhësi indoevropiane

    Kjo fushë formon rrethin e traditës në veprimtarinë mësimore dhe kërkimore të Institutit të Gjuhësisë në Insbruk. Indoevropianistika ka të bëjë me rreth 20 gjuhë të mëdha dhe grupe gjuhësh. Ajo studion lidhjet (marrëdhëniet, raportet) e prejardhjes dhe të afërsisë së këtyre gjuhëve, që janë të afërta gjenetikisht me njëra-tjetrën, domethënë, rrjedhin prej një gjuhe "nënë" të përbashkët, të ashtuquajturës gjuhë bazë indoevropiane, e cila nuk është e trashëguar si e tillë, porse mund të ndërtohet nga ngjashmëria e gjuhëve bija. Detyra e indoevropianistikës është, nga njëra anë, trajtimi filologjik, gramatikor dhe historiko-gjuhësor i këtyre gjuhëve të veçanta indoevropiane, në anën tjetër, rindërtimi i vetë indoevropianishtes. Si degë mësimore-shkencore, indoevropianistika konsiderohet si një degë "elite", që ndiqet nga pak studentë të përzgjedhur dhe që nuk mund të matet me normat e një dege tjetër me pjesëmarrje të gjërë të studentëve.

  2. #2
    Administratore Maska e Fiori
    Anëtarësuar
    27-03-2002
    Vendndodhja
    USA
    Postime
    3,016
    Albanologjia si një drejtim i veçantë kërkimor

    Brenda kërkimit gjuhësor indoevropian, në Insbruk ka disa fusha të rëndësishme që kanë marrë me kohë përkujdesjen e një trajtimi të veçantë. Disa prej gjuhëve indoevropiane apo grupe gjuhësh kanë përparësinë e gjuhëtarëve të veçantë dhe përkujdesjen e pak specialistëve. Një rast i tillë special dhe i veçantë është trajtimi që i bëhet gjuhës sonë, shqipes, për të cilën që nga vitet '60 e deri më sot, siç e përmendëm në fillim, përkujdeset Prof. Dr. Hermann M.Ölberg, që ka bërë punime të shumta nga kjo fushë. Indoevropianist i njohur, filozof i gjuhës, esperantist, onomastolog, etimolog, historian i gjuhës dhe albanolog, ky burrë i shquar, njohës i shkëlqyer i gjuhëve të huaja, të vjetra, klasike dhe moderne, ka përfshirë prej kohësh në rrethin e gjerë të interesave të tij akademike, të mësimit dhe kërkimit shkencor, edhe albanologjinë. Duke u marrë me gjuhët e vjetra të Evropës, Ölbergu iu përkushtua që herët studimit të shqipes, e cila edhe sot shihet me interes të madh nga ana indoevropiane, pasi, sipas studiuesve, bëhet fjalë për ekzistencën te kjo gjuhë të një shtrese të vjetër gjuhësore ballkanike, që gjithashtu ka rrezatuar edhe në gjuhë të tjera të Ballkanit. Deri me vdekjen e Norbert Joklit (1942), Austria, e më konkretisht Vjena, siç dihet, ishte qendra e studimeve albanologjike dhe në këtë drejtim edhe për studimet mbi gjuhën shqipe. Pas Luftës II Botërore, Vjena nuk e kishte më shkëlqimin e mëparshëm, sepse qendra e këtyre studimeve, për kushtet dhe rrethanat e reja që u krijuan, u zhvendos në Tiranë dhe padyshim një rol mjaft të rëndësishëm për konsolidimin e këtyre studimeve ka luajtur një nga shkencëtarët më të shquar shqiptarë, Eqrem Çabej.

    Interesimi i Ölberg-ut për shqipen filloi në vitet '50, gjatë formimit të tij në fushën e indoevropianistikës. Një rol nxitës për këtë, luajti mësuesi i tij, Hermann Ammann, i cili në vitet e para të Pasluftës i orientonte studentët në fushën e shqipes, në kuadrin e krahasimit indoevropian, ku një student shqiptar, me emrin Ethem Fazliu nga Shkupi, luante atëherë një rol të rëndësishëm në orët e ushtrimeve dhe të seminareve. Një nxitje e re ishte më pas për Ölberg-un në vitin 1963, kur për herë të parë u takua me E.Çabejn dhe A.Kostallarin në Kongresin VII të Toponomastikës në Amsterdam të Holandës. Që atëherë Ölberg-u vijoi me studimin autodidakt të shqipes dhe në vitin 1972 paraqiti në Institut punimin e tij të habilitimit me titull "Untersuchungen zum indogermanischen Wortschatz des Albanischen und zur diachronen Phonologie auf Grund des Vokalsystems" (Hulumtime për leksikun indoevropian të shqipes dhe fonologjinë diakronike në bazë të sistemit tingullor), që përbën një kontribut të shquar në studimin e shqipes në planin e zhvillimit historik të saj. Me nxitjen e tij, u bë e mundur që Instituti i Gjuhësisë së Insbrukut nëpërmjet lidhjeve me Universitetin e Tiranës, të krijonte një bibliotekë albanologjike, e cila në pikëpamje gjuhësore është aq e pasur, saqë mjaft individë apo institucione të ndryshme i drejtohen asaj për realizimin e planeve të tyre të punës në fushën albanologjike. Në punimet e Ölberg-ut për shqipen, fushat më me interes për të janë etimologjia, historia e gjuhës, fonetika historike dhe historia e gjuhësisë. Nga punimet e tij për shqipen, mund të përmendim disa prej tyre, si: "Fragen der albanischen Sprachgeschichte. Grundsätzliches zur Nasalierung" (1972) (Çështje të historisë së gjuhës shqipe. Parimisht për hundorësinë); "Einige Überlegungen zur Laryngaltheorie. An Hand des Albanischen" (1972) (Disa mendime për teorinë laringale. Në bazë të shqipes); "Griechisch-albanische Sprachbeziehungen I : Untersuchungen zum altgriechischen Wortgut im Albanischen" (1972) (Lidhjet gjuhësore midis greqishtes dhe shqipes I : Hulumtime për leksikun e greqishtes së vjetër në shqipe); "Zwei oder drei Gutturalreihen? Vom Albanischen aus gesehen" (1976) (Dy apo tri radhë guturalesh? Vështruar prej shqipes); "Einige Überlegungen zur Autochthonie der Albaner auf der Balkanhalbinsel" (1977) (Disa mendime mbi autoktoninë e shqiptarëve në Gadishullin e Ballkanit); "Kontributi i gjuhësisë për çështjen e atdheut ballkanik të shqiptarëve" (1982); "Die Entwicklung eines Paradigmas. Zu Entstehung der Albanologie" (1982) (Zhvillimi i një paradigme. Për lindjen e albanologjisë) etj.

    Si indoevropianist, Ölberg-ut i ka interesuar rindërtimi i shqipes së vjetër që nga koha antike dhe këtë ai është përpjekur ta bëjë me anën e analizës së huazimeve të greqishtes së vjetër dhe të latinishtes që kanë depërtuar në gjuhën shqipe. Në mënyrë të veçantë, është marrë me raportet fonetike të shqipes së vjetër. Ai mbështet në këtë drejtim E. Çabejn, që ka vënë në dukje mjaft dukuri gramatikore, si dhe mjaft veçori nga fusha e leksikut, që shërbejnë për shtresimin diakronik të fondit të huazuar latin në shqipe. Të gjitha këto, sipas Ölberg-ut, kontribuojnë për të konstatuar faktin që shqiptarët kanë pasur kontakte të forta me romakët dhe prandaj duhet të kenë qenë pa asnjë dyshim shumë herët në trevat e trojeve të sotme. Ai pohon tezën e Çabejt që shqiptarët janë banorë të hershëm autoktonë në trojet e tyre, që bregdeti banohej që herët prej tyre, të paktën prej epokës greko-romake. Për të përforcuar këtë tezë, ai sjell dëshmi nga huazimet e greqishtes së vjetër dhe të latinishtes në shqipe, duke theksuar edhe faktin se të parat i përkasin një shtrese më të vjetër. Ölberg-u i përmbahet gjithashtu tezës së vazhdimësisë së shqipes nga ilirishtja dhe shqiptarët i quan vazhdues të fiseve ilire.

    Zhvillimi i albanologjisë si një drejtim i veçantë kërkimor në Insbruk, siç shihet pra, lidhet me emrin e Hermann M.Ölberg-ut, që jo vetëm personalisht u interesua dhe kontribuoi në studimin e shqipes në kuadrin e studimeve indoevropiane, por edhe institucionalizoi hapjen e kursit të shqipes që nga viti 1972 e në vazhdimësi, gjithnjë në kuadrin e veprimtarive mësimore dhe shkencore të Institutit të Gjuhësisë të Insbrukut. Ai është gjithashtu edhe frymëzuesi dhe organizatori i Kolokuiumit Ndërkombëtar Albanologjik të vitit 1972, që u zhvillua në Insbruk, me rastin e 30-vjetorit të vdekjes së Norbert Joklit. Në këtë tubim të rëndësishëm shkencor, që është quajtur me të drejtë një "Kongres shkencor", u mblodhën për herë të parë studiues shqiptarë dhe albanologë të huaj nga lindja dhe perëndimi, në një vend neutral, siç është Austria. Ölberg-u është njëkohësisht edhe botuesi i punimeve të këtij tubimi, në një vëllim voluminoz prej rreth 800 faqesh* , që përbën një nga botimet më autoritare albanologjike të botuara jashtë vendit tonë.


    Një fushë tjetër speciale në Insbruk është keltishtja, e cila në Evropën Qendrore ka përkujdesjen e pak specialistëve. Gjuhët kelte konsiderohen se i përkasin gjuhëve më të vështira brenda indoevropianishtes dhe marrja me to cilësohet si një punë shumë e mundimshme. Kjo fushë kërkimore në Insbruk ka gjetur përkujdesjen e Wolfgang Meid-it, i cili përmes studimeve të tij prej vitesh ka fituar emrin e një keltologu të njohur. Prej tij janë bërë studime mbi bazat indoevropiane të sistemit foljor të keltishtes, si dhe botime me koment të teksteve të irishtes së vjetër. Një botim të tillë teksti, siç e përmendëm në fillim, paraqiti gjithashtu dizertacioni i Ulrike Roider. Një disertacion mbi emrat e kafshëve në irisht ka bërë edhe Patricia Kelly nga Irlanda.

    Wolfgang Meid (Volfgang Maid) ka zbatuar në Institut projekte kërkimore me afat të gjatë, që i takojnë gjuhëve gjermane, në mënyrë të veçantë gotishtes dhe gjermanishtes. Ai është bashkautor dhe, pas vdekjes së Hans Krahes, që e ka pasur profesor kur ishte student, mbikëqyrësi i vetëm i koleksionit shumëvëllimësh të Göschen-it, me titull "Gjuhësia gjermane" (Germanische Sprachwissenschaft). Gjithashtu, ai është autor i një prej metodave të reja të studimeve zbatuese mbi bazat indoevropiane të sistemit foljor të gjermanishtes.

    Nga fusha e keltologjisë mund të përmenden disa nga punimet e viteve të fundit që janë bërë në Institut. Kështu, Wolfgang Meid ka bërë këto studime: "Aspekte der germanischen und keltischen Religion im Zeugnis der Sprache" (1991) (Aspekte të besimit (religjionit) gjerman dhe kelt në dëshminë e gjuhës); "Die erste Botorrita-Inschrift. Interpretation eines keltiberischen Sprachdenkmals" (1993) (Mbishkrimi i parë i Botorrites. Interpretimi i një permendoreje gjuhësore kelto-iberike); "Kleinere keltiberische Sprachdenkmäler" (1996) (Monumente të vogla gjuhësore kelto-iberike) etj. Ndërsa Peter Anreiter ka kontribuar kohët e fundit me punimin "Keltische Ortsnamen in Nordtirol" (1996) (Toponimet kelte në Tirolin e Veriut), që përbën njëkohësisht një ndihmesë me vlerë nga fusha e onomastikës. Meid dhe Anreiter kanë botuar gjithashtu më 1996 edhe vëllimin me materialet e Kolokuiumit me temë "Die größeren altkeltischen Sprachdenkmäler" (Monumentet e mëdha gjuhësore të keltishtes së vjetër), që u zhvillua në Insbruk, në vitin 1993.

    Nga fusha e indoevropianistikës nuk mund të lihen pa u përmendur edhe dy punimet e W. Meid "Archäologie und Sprachwissenschaft. Kritisches zu neueren Hypothesen der Ausbreitung der Indogermanen" (1989) (Arkeologjia dhe gjuhësia. Kritikë për hipotezat më të reja të shtrirjes së indoevropianëve) dhe "Das Problem von indogermanisch /b/" (1989) (Problemi i fonemës indoevropiane /b/), si dhe punimi i Hans Schmejes "Iterpretationen aus dem Rigveda" (1987) (Interpretime nga Rigveda).


    Një fushë tjetër kërkimore në Institutin e Gjuhësisë të Insbrukut ka qenë dhe është Onomastika, që kur Hermann Ammann dhe Karl Finsterwalder dhanë mësim në vitet e para të Pasluftës mbi lidhjet gjuhësore pararomake të hapësirës së Alpeve. Në vitin 1949, Josef Zehrer mbrojti disertacionin me temë "Toponimet pararomake në Vorarlberg", ndërsa më 1962 Hermann Ölberg-u mbrojti dizertacionin mbi "Pasurinë e toponimeve në Tirolin Verior në periudhën pararomake", që është një punim i gjerë dhe me vlerë, ku jepen për të parën herë reflekset gjuhësore të kohës së shtresimit më të vjetër. Publikime të shumta prej këtij autori nga kjo fushë u botuan që prej atëhere e në vijim. Kështu, mund të përmendim, midis të tjerash, : "Die Erforschung der vorrömischen Sprachen Tirols auf Grund der Toponomastik" (1966) (Studimi i gjuhëve pararomake të Tirolit në bazë të toponomastikës); "Zu den ältesten Namen in Wiesing" (1971) (Për emrat më të vjetër në Wiesing); "Die sprachliche Schichtung des Alpenraumes seit frühgeschichtlicher Zeit" (1983) (Shtresimi gjuhësor i hapësirës së Alpeve që prej kohës së historisë së hershme); "Einige interessante Namen im Westen von Innsbruck" (198 (Disa emra interesante në perëndim të Insbrukut); "Karl Finsterwalders wissenschaftliches Wirken seit 1972. Bibliographie" (1976) (Ndikimi shkencor i Karl Finsterwalder-it që prej vitit 1972. Bibliografi) etj.

    Çelësi për studimin e gjuhëve të veçanta apo grupeve të gjuhëve që përbëjnë fusha të rëndësishme dhe të veçanta të kërkimit indoevropian, në hulumtimin e të cilave, siç u vu në dukje, kanë merita një radhë studiuesish të Institutit, si: H. Ölberg, W. Meid, P. Anreiter, H. Schmeja etj., konsiderohet rindërtimi i gjuhës bazë indoevropiane nga ngjashmëritë e gjuhëve të veçanta. Deri në deshifrimin e teksteve të hetitishtes përmes Hrozny-t, në vitin 1915, modeli i gjuhës bazë indoevropiane u bazua kryesisht në sistemin morfologjik të indo-iranishtes së vjetër dhe greqishtes. Edhe sot kërkimi, në pjesën dërrmuese, është i ngulitur në këtë drejtim, pa lënë mënjanë hetitishten e dëshmuar edhe më herët, që në shumë pika, sipas studiuesve, largohet prej gjuhëve "klasike" indoevropiane. Indoevropianistika në Insbruk është përpjekur që ta përdorë hetitishten më fort në rindërtimin gjuhësor, çka pohohet nga studiuesit e atjeshëm, se ka sjellë si pasojë një rishikim të rëndësishëm të vështrimit mbi gjuhën bazë indoevropiane.

    Gjuhësia e përgjithshme dhe zbatuese

    Fusha shumë e gjerë e gjuhësisë së përgjithshme dhe zbatuese, që ka njohur veçanërisht një zhvillim të rëndësishëm në dekadat e fundit, në Institutin e Gjuhësisë të Insbrukut është përfaqësuar përmes drejtimeve të ndryshme kërkimore dhe realizimit të projekteve të veçanta. Edhe me këtë fushë është e lidhur tradita e zhvillimit të gjuhësisë në Insbruk, sepse Hermann Ammann-i, themeluesi i Institutit, ka qenë Profesori dhe titullari i parë i kësaj dege mësimore, që i ka krijuar Institutit njohje përmes shkrimeve të tij nga teoria dhe filozofia e gjuhës. Tradita kaloi më pas te Johann Knobloch, i cili, midis të tjerash, është botuesi i një Fjalori të Gjuhësisë dhe, për më tepër, është interesuar në Insbruk dhe më pas në Bonn për çështjet e normimit gjuhësor dhe të reformës së drejtshkrimit të gjermanishtes. (Kjo reformë, siç është bërë tani e njohur, që më 1 korrik 1996 është ligjëruar, pas nënshkrimit të bërë në Vjenë nga përfaqësues politikë të shteteve gjermanishtfolëse dhe vendeve të tjera të interesuara në lidhje me një sqarim të përbashkët për rregullimin e ri të drejtshkrimit të gjermanishtes)*.

    Këtu duhet të përmendet veçanërisht një fushë e gjuhësisë së përgjithshme dhe zbatuese, e quajtur "Plansprachen" (Gjuhët e planifikuara), domethënë, normimi i gjuhëve për qëllime të marrëveshjeve ndërkombëtare. Në lidhje me këtë, në Insbruk u krijua një lektorat pas Luftës II Botërore. Në fillim atë e drejtonte Dr. Leo Blaas dhe pas vdekjes së tij në vitin 1952, i kaloi Hermann Ölberg-ut. Që prej atëhere janë trajtuar çështjet e gjuhëve të planifikuara, historia dhe ndërtimi i tyre, dhe, sipas kërkesave të paraqitura, janë mbajtur gjithashtu kurse praktike për to (Esperanto, Interlingua). Trajtimi shkencor i këtij rrethi temash përkujdeset vetëm në pak universitete, në mënyrë të vazhdueshme që prej Luftës II Botërore në Insbruk, që prej viteve '80-të edhe në Vjenë.

    Në kuadrin e projekteve kërkimore është realizuar edhe ai i llojit sociolinguistik, kushtuar problemit të kontaktit gjuhësor, domethënë, llojit dhe mënyrës se si janë realizuar kontaktet intensive të dy apo më shumë gjuhëve në zonat kufitare gjuhësore apo në zona të përziera, sikurse është rasti në Tirolin e Jugut, ku kontaktojnë gjermanishtja me italishten.


    Një fushë tjetër e gjuhësisë, për të cilën është përkujdesur W. Meid ka qenë "Gjuhësia e tekstit" dhe "Pragmatika", ku për këtë të fundit në vitet '80 Manfred Kienpointner ka përgatitur një punim disertacioni mbi figurat e argumentimit. Siç e përmendëm edhe më parë, Kienpointner sot është drejtues i Institutit dhe titullar i fushës së gjuhësisë së përgjithshme dhe zbatuese. Nga kjo fushë kërkimore, mund të përmendim një prej punimeve të tij, që ka lidhje edhe me çështjet metodike të shkencave humane dhe që titullohet "Zur Rhetorik in den Fachsprachen" (1992) (Për retorikën në gjuhët e specialiteteve (profesioneve)). Në kuadrin e këtyre çështjeve metodike është shkruar punimi me shumë interes i Peter Anreiterit "Konstruktion und Rekonstruktion. Zu einigen methodischen Problemen der historisch-vergleichenden Sprachwissenschaft" (1992) (Ndërtimi dhe rindërtimi. Mbi disa probleme metodike të gjuhësisë historiko-krahasuese).

    Në fushën e gjuhësisë së përgjithshme kontribuon edhe Barbara Stefan, e cila përkujdeset në mënyrë të veçantë për lëndën mësimore "Hyrje në gjuhësi". Gjithashtu në kuadrin e Institutit japin ndihmesën e tyre në veprimtaritë e ndryshme mësimore dhe veçanërisht nëpërmjet përfshirjes në projektet kërkimore-shkencore edhe studiuesit e rinj të Institutit, si: Marialuise Haslinger, Peter Gusenbauer, etj.

    Në fushën e gjuhësisë zbatuese ekziston një lidhje e ngushtë që prej vitesh me klinikën për çrregullimet e të folurit dhe të dëgjuarit. Në këtë klinikë ka një aparat për analizën gjuhësore të tingujve, me ndihmën e të cilit realizohen hulumtimet fonetike. Kjo është një pjesë e rëndësishme e formimit të studentëve të të gjitha filologjive, si edhe e përkthyesve. Në këtë fushë ka kontribuar mjaft H. Ölberg-u. Në vitin 1976, si rezultat i bashkëpunimit, u botua nga Kunigunde Müller dhe Hermann Ölberg libri mësimor "Hyrje në analizën e tingujve të gjuhës".

    III Bashkëpunimi shkencor brenda e jashtë Austrisë


    Instituti i Gjuhësisë në Insbruk ka lidhje e bashkëpunim intensiv me institutet homologe të universiteteve të tjera austriake, para së gjithash në kuadrin e të ashtuquajturit "Program gjuhësor austriak" dhe me një numër të madh institucionesh jashtë Austrisë, sikurse me studiues dhe shkencëtarë të shumtë. Në mënyrë të veçantë Instituti i mban lidhjet, i fuqizon dhe i shtrin më tej nëpërmjet veprimtarisë së tij të pasur botuese, ku një rëndësi të veçantë i kushton bashkëpunimit më institutet e specializuara. Seritë që botohen në Insbruk, si: "Innsbrucker Beiträge zur Kulturwissenschaft" dhe "Innsbrucker Beiträge zur Sprachwissenschaft" kanë fituar njohje të gjerë në Evropë dhe më tej. Këtë e dëshmojnë edhe shkëmbimet e këtyre serive që realizohen me një numër shumë të madh të bibliotekave jashtë Austrisë. Në kuadrin e revistave të Institutit duhet përmendur edhe "Mitteilungen aus dem Institut für Sprachwissenschaft der Universität Innsbruck" (= MISIN Reports).

    Instituti ka shërbyer edhe si seli pune e dy shoqatave shkencore, siç është Shoqata gjuhësore e Insbrukut dhe Shoqata për përkujdesjen e shkencave humane, që kanë luajtur një rol mjaft aktiv për zhvillimin e gjuhësisë në Insbruk, nëpërmjet nxitjes së botimeve dhe ndihmesës dhe bashkëpunimit për organizimin e veprimtarive të shumta shkencore që janë zhvilluar në Institut.

    Ndër veprimtaritë shkencore, të zhvilluara 2-3 vitet e fundit në Insbruk, mund të përmendim Kongresin e 10-të të Shoqatës indoevropiane, që i zhvilloi punimet nga data 22-28 shtator 1996 dhe që kishte si bosht trajtimi gjuhën dhe kulturën e indoevropianëve dhe "Kongresin e 25-të të Punës së gjuhëtarëve austriakë", që u zhvillua në tetor të vitit 1997.

    Nuk duhet lënë pa përmendur, se, në të gjithë veprimtarinë e Insbrukut, një rol aktiv luan edhe Sekretarja e këtij institucioni, Dr. Elisabeth Maithofer, e cila me përkushtimin e saj të përditshëm kontribuon në mbarëvajtjen e punëve. Anëtarët e Institutit ndjehen shumë krenarë për standartin e zhvillimit të institucionit të tyre, dëshirojnë ta ruajnë si të tillë dhe ta çojnë edhe më tej. Me to bashkohet edhe dëshira jonë, sepse me zhvillimin e gjuhësisë atje, ne shpresojmë që edhe albanologjia do të vazhdojë të zhvillohet edhe më tej, si deri tani, si një degë e veçantë kërkimore dhe me interes të veçantë për gjuhësinë e sotme krahasuese indoevropiane.

  3. #3
    Administratore Maska e Fiori
    Anëtarësuar
    27-03-2002
    Vendndodhja
    USA
    Postime
    3,016
    Literatura e shfrytëzuar:

    1. Meid, W. - Ölberg, H. - Schmeja, H.: Sprachwissenschaft in Innsbruck.

    -në "Innsbrucker Beiträge zur Kulturwissenschaft", Sonderheft 50, Innsbruck 1982, f. 9-18 (Njoftim nga W. Meid).

    2. Veröffentlichungen der Universität Innsbruck, 143, Forschungen zur Innsbrucker Universitätsgeschichte. - Unter Mitwirkung von Hermann M. Ölberg herausgegeben und eingeleitet von Gerhard Oberkofler, Innsbruck 1984.

    Shënim i Redaksisë:

    Autori i këtij shkrimi është pedagog i historisë së gjuhës shqipe në Departamentin e Gjuhësisë të Universitetit të Shkodrës "Luigj Gurakuqi". Ka përfunduar studimet e doktoratës në Institutin e Gjuhësisë të Universitetit të Insbrukut, në janar 1996, me disertacionin me temë "Norbert Jokl und seine Studien zur albanischen Sprache" ("Norbert Jokli dhe studimet e tij për shqipen" - 289 faqe), dhe ka marrë gradën akademike "Doktor i filozofisë". Udhëheqësi shkencor i tij ka qenë Prof.Dr. Hermann M. Ölberg.

    * Akten des Internationalen Albanologischen Kolloquiums Innsbruck 1972, zum Gredächtnis an Norbert Jokl. - Innsbrucker Beiträge zur Kulturwissenschaft, Sonderheft 41, Herausgegeben von Hermann M. Ölberg, Innsbruck, 1977.

    * Die Rechtschreibreform. Eine Zusammenfassung von Dr. Klaus Helfer. - në "Das neue deutsche Wörterbuch fûr Schule und Beruf" (Mit allen Regeln der neuen Rechtschreibreform), München, 1997, f. VIII.




    Phoenix 09 - Artikulli 06
    www.dardania.com/phoenix/...art06.html

    © Phoenix - Bashkimi Katolik i Publicistëve Shqiptarë
    Riprodhimi dhe shpërndarja vetëm me lejen e redaksisë.
    www.dardania.com/phoenix

  4. #4
    Shpirt i Lirë
    Anëtarësuar
    15-04-2002
    Postime
    898

    Mbi studimin e albanologjise

    nje rol e ndikim ka dhe Universitetii Grazit, ne te cilin ne fakt jane diplomuar shume shqiptare te njohur nder ta dhe Çabej.

    Univesiteti i Grazi e me konkretisht Instituti i Historise e ai i Etnografise, kane zhvilluar e po zhvillojne projekte me epiqender Shqiperine, tradita shqiptare dhe kryesisht vemendja tani eshte eperqendruar me shume ne familjen Ballkanase, ku nje rol ka dhe ajo shqiptare.
    Por dhe ne Vjene Shqiperia nuk eshte lene ne hije.

    Tjeter qender e albanologjise ne hapesiren gjermanofolese eshte dhe Instituti i Albanologjise ne München, Gjermani.

    Çudia ime, mqs merrem pak me kete subjekt, qendron ne faktin se mungon ne vete shtetin tone amtar, nje institut i tille, kurse ne Prishtine ekziston Instituti i Albanologjise, i cili per shume vite ka qene i sukseshem ne punen e tij, pervec periudhes se bllokimit te tij nga Serbia. Por tashme, pas luftes ne Kosove (1999) ky institut duket se ka rigjetur rrugen e tij te veprimtarive dhe projekteve e po kerkon bashkepunetor nga mbare bota, ku rol i vihet dhe vete Shqiperise per projekte bashkepunimi.

Tema të Ngjashme

  1. Kryeqyteti i Austrisë, Vjena (Wien)
    Nga strange në forumin Albumi fotografik
    Përgjigje: 9
    Postimi i Fundit: 22-06-2009, 07:40
  2. Papulias: Shqetësim zhvillimi i Epirit
    Nga Gunnar në forumin Tema e shtypit të ditës
    Përgjigje: 81
    Postimi i Fundit: 10-03-2008, 17:05
  3. Përgjigje: 1
    Postimi i Fundit: 24-11-2005, 18:36
  4. Fatmir Velaj
    Nga liliella në forumin Arti shqiptar
    Përgjigje: 15
    Postimi i Fundit: 07-11-2005, 19:45
  5. Zhvillimi historik i diftongjeve të shqipes
    Nga Fiori në forumin Gjuha shqipe
    Përgjigje: 0
    Postimi i Fundit: 23-04-2002, 00:29

Regullat e Postimit

  • Ju nuk mund të hapni tema të reja.
  • Ju nuk mund të postoni në tema.
  • Ju nuk mund të bashkëngjitni skedarë.
  • Ju nuk mund të ndryshoni postimet tuaja.
  •