Shqiptar
Registered User
(7/10/00 7:45:13 am)
--------------------------------------------------------------------------------
Prof. As. Dr. Petrit Kotrri
Në mars të vitit 1994, me rastin e qëndrimit tim studimor në Austri, munda të hulumtoj trashëgiminë gjuhësore të Norbert Joklit në repartin e dorëshkrimeve të Bibliotekës Kombëtare të Vjenës. Midis të tjerash, u njoha edhe me letërkëmbimin e albanologut të shquar me indoeuropianistë, ballkanologë, albanologë dhe studiues shqiptarë. Nga letërkëmbimi i Joklit me Gazullin arrita të njihem me 12 letra, të cilat i fotokopjova. 11 letra janë të shkruara nga Gazulli (njëra prej të cilave gjermanisht) dhe 1 letër nga Jokli për Gazullin (me shkrim dore). Në të vërtetë, dihet se letërkëmbimi i tyre arrin në 30 letra dërguar njëri-tjetrit.
Letërkëmbimi i Joklit me Gazullin ka qenë mjaft i pasur dhe paraqet rëndësi të veçantë për albanologjinë. Për këtë letërkëmbim, kam kumtuar në qershor të vitit 1995, në Seminarin e Dytë Ndërkombëtar "Shkodra në Shekuj", kumtesë e cila u botua para pak kohësh në vëllimin II të përmbledhjes së seminarit të lartpërmendur, si botim i Muzeut Historik të Shkodrës. Po ashtu, letërkëmbimin e Joklit me Gazullin e kam trajtuar edhe në kapitullin V të disertacionit tim, me titull "Norbert Jokl und seine Studien zur albanischen Sprache" (Innsbruck, 1995), në faqet 123-125. Në fund të punimit ë disertacionit kam bashkangjitur edhe letrat e lartpermendura, krahas të tjerave dhe disa dokumente nga postulati i Joklit.
Letrat e Gazullit për Joklin, që paraqiten sot për botim, i quaj të rëndësishme për historinë e albanologjisë, sepse ato na ndihmojnë jo vetëm për të ndriçuar më tej personalitetin e Joklit dhe Gazullit, por edhe sepse shërbejnë si një burim i vlefshëm informacioni për studiuesit, veçanërisht për leksikologët dhe etimologët. Letrat dëshmojnë për lidhjet miqësore dhe shkencore të Joklit dhe Gazullit për punën që bënin secili për hartimin e fjalorëve, Gazulli për Fjalorin e fjalëve të rrala dhe Jokli për hartimin e një fjalori etimologjik për shqipen. Gazulli i dërgonte Joklit për konsultim listat e fjalëve të mbledhura dhe ky i fundit i shqyrtonte dhe i dërgonte mendimet e tij, por njëkohsisht i shfrytëzonte ato për hulumtimin e metejshëm në studimet e tij për shqipen.
Në letren e datës 21. VII. 1932, Gazulli i shkruante Joklit, midis të tjerash, se "...këtu pritet me padurim fjalori i Juej qi ka me kenë si gur themeli për nji giuhë t'arsueme". Se sa i kënaqur ishte Gazulli për miqësinë që kishte me Joklin dhe sa besim kishte ai tek ky albanolog i shquar, duket edhe nga letra që i dërgonte më 2.VII. 1934, ku i shkruante: "Si do qi ta bajë Perendija, jam faret i kënaqun qi fjalët e mbeledhuna ranë n'dorë të nji auktoritetit botnuer sikuerse jeni Ju, i Përshndritshmi Z. Profesor. Tui Ju urue jetë e shëndet, të bindun se nuk dijmë m'u çmue sa meritoni, me shpresë të plotë sa miqesija e jonë s ka m'u kputë me kaq por ka me vazhdue ndë këtë jetë e nd'atë tjetrën, pse tui kjenë Zot Dija vetë, ne qi kërkojmë Dijen kjo natyrisht te Perendija do të na çojë".
Shkodër, më 17 dhjetor 1999.
1
Nikoll Gazulli, meshtar
Famullitar i Riollit
Te Nush Çoba - Serreq (Adresa e letërdërguesit. shën. i Phoenix)
ndë Shkodër
Zotnij Profesor,
Letrën t'Uej e mora me kohë, d.m.th. me 28-XI-; por mue letra me gjet të smuetë, prandaj nuk muejta me u përgjegje përpara.
Asht vështirë me i mbëledhë mbë nji letër sendet qi kishe me dashtë me Ju shkrue e me Ju pëvetë.
Gëzohem qi po e njofim njeni - tjetrin; por Ju e dini mirë se un me atë artikull mbi vepre të Buzukut s'qita gjâ në dritë pse libri ishte kenë fotografue, jo me njoftë prej Kard. Ehrle, tash qeshi edhe vetë sa mirë u rrejt A.V. Prendushi e ma botoj atë shkrim të vogëlth.
Zotnij Profesor, Ju keni arësye për fjalën: meteh: me e nxjerrë prej meteho; po Ju diftoj, se un nuk e kam ndie këtu ndë Riolle këtë fjalë veç ndë këtë trajtë; metefe; prandaj s'jam i sigurtë se gjindet nji fjalë; meteh, ose metef; qe arësyeja: më 12, dhetuer 1928, kur ishe Famullitar ndë Jueshë afër Shkodret, mue mu dogj qela me gjith ç pata ashtu u' shkrij edhe mundi i sa vjtevet; që pata mbëledhë fjalë e edhe shum gojdhanë përmbi fise shqiptare të verit.
Nji ftillk tehi: ich schneide: kam pëvete por nuk mund e ka gjetë deri mbe sod; me gjith këta, në mos u gjetët mundet qi ka kenë, sikurse e mendoni për bukurij Z. e Juej; janë plot fjalë qi na kanë hupe që për shembull: asht nji lagje afër Kryeziut ndë Mirditë qi i thonë: Perrez; banorët më diftojshin se aj emen difton: Mëriz. Prap ndë Merditë asht nji e thanëme: hiqja bricën asajë pune: qi don me thanë mos me ja mbajtë ma uzdajën ndoj sendit; mirë po fjala: bricë: ç'don me thanë? Tuj pëvetë marr vesh se, motit, fjala: bricë: don me thanë si ajo germanishte: Flinte; gurshkrepës, gurgac, gurzjarm; nji dishmij se shum fjalë shqipe kanë hupë, do të tjera janë ruejtë ndë do të shprehuna e lypet imtij me ju kujtue.
Z. Profesor, mua për vedi më mungon gatimi për këto studime...
Mbasi m'u dogjenë shkrimet prap jam vue me mbëledhë fjalë të rralla qi më duket se nuk janë të shkrueme ndokund; fjalori i Tasit asht shum i mirë, porse don përdorue "cum grano salis" pse, po xamë ndë fq.85 fjalën: edafos: ndë vend se me e përkëthye me fjalën: truell: gabimisht qet fjalën: shuall; ndë fq.155, ven si fjalë shqipe: shor; qi dihet se s'asht tjetër veç: signor, e, scior, i venedikasvet. I mungon infiniti i ftillqevet qi asht me randësij, pse p.x.fq, 204, ftillku: ndrys: s'dihet a asht: me ndryse, me ndrytë?
Zotnij, me ndimë të Zotit kam me Jau dërgue fjalët qi kam mbëledhë e qi janë të rralla, vetun kësi shtegut s'po mundem me Ju rreshtue gja mbassi po jam i pamuejshëm; vetuem U lutem edhe Jue me ma ba ndoj ndimë, sidomos me ndoj të Përkohëshme qi merret me këso sendesh e, me ndoj libër ose fjaluer me illustracjone pse ka me më vyejtë për me gjetë domethanien e fjalësë ndë nji giuhë tjetër; sidomos nd'emna barnash ose barishtash. Fjalët qi kam nuk janë fort shum, por me gjith këta s'dij a kanë me Ju vyejtë gja; me gjith këta sa ma parë të mundem kam me i rreshtue, si të mundem, e me Jau dërgue, tuj diftue vendin se ku i kam gjetë, pse me folë të drejtën un tjetër dishmij ma të fortë s'mundem me qitë; në kjoftë se un e kam marrë vesht keq domethanien e njaj fjalës, njaj qi don mund ta gjejnë prap nd'atë vend ku e gjeta vetë, por me më qortue mue.
Tuj Ju urue me gjith zemër Kërshndellat e bardha e nji motmot të rij me jetë e me shëndet, jes;
Me nderime të veçanta
i Z. së Juej
N. Gazulli. M.
Fam.
Riollë, më 14-XII-30.
2
Nikoll Gazulli, meshtar.
Famullitar i Riollit
Te Nush Çoba - Serreq
Shkodër
Z. Profesor,
Si mbas fjalës së dhanëme po nisi me Ju dërgue fjalët e rralla qi keni dishërue.
Kësi shtegut po Ju dërgoj gërmat A - B, ; ma von kam me Ju nisë edhe të tjerat; s'mund me Jau nisë të gjitha për nji herë pse i kam të shkapërderdhuna ndër letra; mandej Z. e juej të keni mirësin me më diftue a jeni të kënaqun qi të Jau nisi kështu a por lypeni ndryshej me Jua que; ka nji herë janë fjalë qi asht vështirë me ndeshe të dyten herë mbe to; tuj kenë giuha nën sundim të popullit e jo ndë dorë të dijshmëvet merret me mend qi populli e ndryshon jo në katund por edhe prej nji nierit në nji tjetër.
Jes me shumë nderime
i Z. së Juej N. Gazulli
Riollë më 30-XII-30
3
D. Nikoll Gazulli
te Nush Çoba - Serreq
Shkodër
Z. Profesor,
Jam i lumtun me Jua nisë kësi shtegut me këtë letër gërmat C, Ç, D, DH, E, F, të fjalëvet të rralla qi shumica, besoj s'janë shkrue ndë kurrnji libër.
Kam marrë letrën e Z. së Juej e falem nderës shum për libër qi më keni dërgue; ishte shum i bukur, por mjerisht me landë pak; kam mendue se mue kishte me m'u lypë edhe nji fjaluer germanisht si aj qi asht ndë giuhë franseze d.m.th. Larouse; aty kishe me gjetë shum sende qi i përkasinë mekanikës etr, qi me vyjnë me caktue domethanien e fjalëve shqipe; thaçë, germanisht, pse un këtë giuhë e marr vesht bukur mirë, mbassi kam ndejë nd'Innsbruck nja tre semestra. (vj. 1917-8-9, ndë kallnduer vojta në Romë).
U lutem shum për bibliothekë mos me na lanë mangut, në kjoftë se nuk Ju bjen tepër randë (pse me U randue s'due asnji fije), pse mue m'asht djegë edhe shka pata; këtu mandej e dini mirë qi nuk asht si nd'Austriaj qi m'i gjetë libra për përdorim, pa i ble, mandej me i ble lypenë të holla qi te un s'gjindenë mbassi mit ma shpuenë kuleten: rrënoj me nji popull të mirë fort, por qi nuk i del m'u ngij me buk kollomoqe......
Kam ba nji mijë flije me ble nje këtë makinë me shkrue.
U lutem shum me më diftue a po u bienë në dorë këto shkrime, pse kam ruejtë nji kopje ndë kjoftë se humbinë këto qi po nisi.
T'ishim njoftë ma përpara shum mirë kishte kenë, pse mue m'u dogjenë sa shkrime e, sidomos fjalë të rralla qi vetëm prej skamit s'muejta me i botue; kishe gatue landën e nji fjalorit, por... kjoftë ba vullnesa e Zotit.
Kam ndie se afër Kninit (Dalmacje) asht sbelue një qytet ilir; ma giatë nuk dij; ndoshta Z. e Juej, ndë rasë se gjindenë shkrime skeni ma e lanë pa u interesue; nji fitim i madh do t'ishte për dije të giuhësisë m'u dijtë ilirishtja e vjetër, àshtu edhe për historij, pse s'kishinë me folë ma me "giasa", por me sigurij.
Kur do qi ta botoni fjalorin e Juej, qi besoj s'ka me vonue shum vjet, kam me kenë i gëzuem me pasë nji kopje për kujtim të Z. së Juej.
U lutem me pasë mirësin me më diftue, ndër këto mbishkrime të venetve e, të Mesapve, mbi të cillat shkruenë nja disa german me randësij, a ka gja shqip ndër to? Un kam këndue diç ndë fletoren o ma mirë të përkohshmen "Agimi" qi delte ndë Shkodër, por s'më mbushet mendja se ato spjegime të dhanuna janë qi mjaftojnë.
U falem ndersë edhe nji herë për libër të dërguem; e jes:
me nderime të plota
N. Gazulli, meshtar.
Riollë, më 3-II-31
4
D. Nikoll Gazulli.
Fam. Riollit
Te Nush Çoba - Serreq - Shkodër
Zotnij Profesor,
Me gëzim të vërtetë po Jau nisi fjalët e rralla, prej faqes 13, deri në fq. 31.
Germa K asht e fillueme e jo e kryeme; s'kishe m'u kursye me Jau dërgue të gjitha për nji herë porse i kam të shpërndamë aty këtu ndë nji Notes, ku gjindenë mbrendë "oves et boves"... prandaj Ju lutem mos me u mërzitë, pse sa ma parë qi të ma lejojnë zyret e mia s'kam m'u kursye me i rreshtue, e, me Jau nisë.
Ju falem nderës për librin e dytë qi më keni dërgue; besoj qi të dy kanë me më vyejtë për me caktue emna; mbas do kohe qi të baj hetime kam me Jau dërgue nji mbëledhje ndë vedi.
Tuj Ju urue jetë e shëndet, jes si përherë,
I Z. së Juej
N. Gazulli M.
Riollë, më 26-II-31.
Krijoni Kontakt