Si formohen fjalë të reja? Përvoja na tregon, se ndryshimet shoqërore dhe kulturore, risitë teknike dhe ndikimi nga bota e jashtme janë me rëndësi të madhe për formimin e fjalëve të reja në një gjuhë moderne. Dhe ky formim bëhet normalisht në mënyrë spontane. Një person ose grup me një pozitë të fortë fillon të përdorë një fjalë, fjala përhapet përmes mediave dhe pas pak ajo inkuadrohet në fjalorin e përbashkët të kësaj gjuhe.
Mirëpo, një pjesë e mirë e gjuhës letrare shqipe u formua përmes përpjekjeve sistematike. Në revistën "Albania" që u botua nga Faik Konica në vitet 1897-1909 u paraqiten rregullisht artikuj "Për themelin e një gjuhës letrerishtës shqip". Ne do të trajtojmë këtu disa prej këtyre artikujve gjuhësorë me qëllim të analizojmë në cfarë mase këto inovacione ishin me sukses, me fjalë tjera nëse rezultatet e këtyre përpjekjeve ishin me vlerë të qëndrueshme.
Rasti i Faik Konicës, intelektual i dorës së parë në kohën e Rilindjes, është shembulli më flagrant (përvec ai i Gjergj Fishtës) i censurimit, mohimit, të mos themi asgjësimit kulturor të një prej figurave më të ndritura në historinë e kulturës shqipe. Ai në Shqipërinë socialiste u trajtua si person jo-ekzistues dhe kryevepra e tij, revista "Albania", u mohua për 50 vite në radhë. Urrejtja e qarqeve sunduese të Shqipërisë ndaj Faik Konicës mori përmasa paranoide. Kjo urrejtje, ky mohim, me të vërtetë shkaktoi një dëmë të madhe; pikëpamjet e intelektualëve shqiptarë rreth zhvillimit të kulturës shqiptare u shtrëmbëruan, sepse e vërteta, se "Albania" kishte luajtur një rol vendimtar në jetën kulturore shqiptare gjatë fazës së dytë të Rilindjes kombëtare, u la në heshtje, dhe kush guxoi të shkruante pozitivisht për Konicën dhe veprat e tij do të bënte vetëvrasje politike dhe shoqërore!
Para shumë vitesh, në sajë të kujdesit të Ramadan Osmanit, arësimtar nga Presheva me banim në Suedi, mora në fotokopje një pjesë të mirë të vëllimeve të revistës "Albania", dhe shumë herë gjatë viteve i kam shfletuar edhe lexuar. Kjo revistë është një burim i pashtërshëm për të gjithë ata që duan të mësojnë dicka për kulturën shqiptare.
Kam ndërmend të ju prezantoj dicka nga shkrimet që u botuan në revistën "Albania" në lidhje me fjalorin shqip dhe formimin e fjalëve të reja. Që në vitin 1897 (A.97) revista merr në shqyrtim këtë temë me rëndësi dhe shkruan fillimisht (Kam bërë disa modifikime ortografike në përputhje me drejtshkrimin e sotëm):
"Gjuha shqip sot për sot s'është mjaft e gdhendur, ka nevojë për shumë fjalë; gjithë shqipëtarët po përpiqen të shtojnë thesarin e gjuhës me një zell që kemi detyrë ta lëvdojmë. Po zelli s'është mjaft; për të prerë fjalë të ra duhen mbajtur dhe ca rregulla filologjie. S'ka gjë më të shëmtuar dhe më pak të drejtë se të lëshohen fjalët në shqipen si janë në gjuhërat ngaha u-muarën; duken si të huaja midis të tjerave fjalë shqip. Duhet tu hedhim kripën e gjuhës tonë, ti veshim dhe ti ndërtojmë, shkurt ti shqipojmë; pastaj të themi se me të vërtet gjuha tone fitoi fjalë të ra."
Konica pastaj merr disa shembuj nga greqishtja dhe latinishtja për të vënë në dukje se si duhet të përshtaten fjalët nga këto gjuhë klasike kur ato do të inkuadrohen në gjuhën shqipe.
Në fund të artikullit Konica propozon disa fjalë të reja për të shtuar fjalorin e shqipes:
LUMTONJ - "rendre heureux" - unë jap lumturi, gëzim
SHKENCË-A - "science" -
SHKENCETAR - "njeri që përpiqet me shkencën"
METHUDHË-A - "méthode"
SHOKOLOGJI - "sociologie"
KRYEPUNË - "chef-d'oevre" - kryevepër
HUATOR-I - borxhli
FARESONJ - "anéantir" - asgjësoj
FIQAL "officier"
GJIMTAR - "inventeur"
SHTIM-I nga fjala shtonj
I,E VEREJSHIM-E - gjë që është për të vënë re
SHTET-I - ¨"état"
SHTETISTIKË - "statistique"
ANSUJE-A - "île" - ishull
FATKËRKIMTAR - "aventurier"
MIAFTONJ - "satisfaire"
PEGERIM - "profanation"
PRALLËTOR - "romanicer" - autori i romanëve
DESHTEMIM - "testament"
FESHTYR - "difficile" - vështirë
KRESHPENDENCË-A - "correspondence"
Prej këtyre 22 fjalëve, 5 janë të inkuadruar në të njëjtën formë në gjuhën e sotme shqipe, 4 të tjera kanë pësuar disa modifikime.
Nëqoftëse një vazhdim i këtij studimi motivohet nga interesimi i lexuesve do të përpiqem të ju ofroj në të ardhmen shembuj të rinj të veprimtarisë së Konicës për pasurimin e gjuhës shqipe.
Krijoni Kontakt