Kryetari i Bashkisë, Edi Rama shpall zyrtarisht konkursin ndërkombëtar për planin rregullues të qendrës së Tiranës
Rama fton 300 arkitektë për qendrën e Tiranës
Ftesë në studiot e Libeskindit, Pianos, Della Prados e Kurosavës. Për fituesin e konkursit, 40 mijë euro shpërblim
nga Aleksandra Bogdani - 28 Maj, 2003
TIRANË- Bulevardi “Dëshmorët e Kombit”, blloku i ministrive, zonat përreth Muzeut Kombëtar dhe Pallatit të Kulturës por edhe lulishtja përballë selisë së Partisë Demokratike do të përfshihen në planin rregullues të qendrës së Tiranës, për të cilin priten interesime të arkitektëve më në zë në botë. Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Edi Rama ka hapur zyrtarisht dje, në një konferencë për shtyp, konkursin ndërkombëtar për planin rregullues të qendrës së kryeqytetit shqiptar. Së bashku me zv/ambasadoren e Gjermanisë, Sabina Bloch, kryebashkiaku Rama ka shpallur konkursin, duke bërë të ditur se janë lëshuar njoftimet e para nëpërmjet internetit. “Duke filluar që nga mbrëmë, së bashku me ekspertët gjermanë me të cilët kemi punuar intensivisht për disa muaj, kemi lëshuar nëpërmjet internetit njoftimet e para”,-tha para gazetarëve, Rama. Kryetari i Bashkisë shtoi se stafi i tij do të intensifikojë të gjitha kontaktet e nevojshme me studiot e arkitekturës më në zë në botë, për të siguruar kështu interesimin e nevojshëm për konkursin ndërkombëtar.
Konkurruesit
Njoftimet e para për shpalljen e konkursit ndërkombëtar kanë mbërritur në studiot e arkitektëve më në zë të botës. Renzo Piano, Santiago Della Prados, Kisho Kurosava, madje edhe fituesi i konkursit për rindërtimin e Kullave Binjake, Daniel Libeskind janë të “zgjedhurit” e Ramës për planin rregullues të qendrës së Tiranës. Por pjesëmarrja e tyre në këtë konkurs ende nuk është konfirmuar. “Lidhur me shpalljen e konkursit janë vënë në dijeni studio që radhiten në rangun më të lartë të arkitekturës dhe planifikimit urban, në nivelin europian dhe botëror”,-tha Rama. Por nuk janë vetëm këto studio që janë ftuar të marrin pjesë në konkursin ambicioz të Bashkisë së Tiranës. Stafi i kësaj bashkie ka njoftuar rreth 300 studio arkitekture nga e gjithë bota, të cilat janë ftuar të marrin pjesë për rregullimin e qendrës së kryeqytetit. Por numri 1 i Tiranës, Rama shtoi se arkitektët shqiptarë jo vetëm që nuk janë të përjashtuar nga konkursi ndërkombëtar por janë të ftuar të ballafaqojnë aftësitë e tyre, përballë konkurrentëve të tjerë, që pritet të interesohen për këtë plan.
Bashkëpunimi
Për të përgatitur këtë konkurs, Bashkia e Tiranës ka impenjuar njerëzit e Departamentit të Urbanistikës, të cilët së bashku me ekspertët gjermanë kanë krijuar një bazë të nevojshme të dhënash, mbi të cilat do të punojnë studiot që do të përzgjidhen. “Një konkurs i përmasave të tilla varet shumë nga besueshmëria e porositësit”,-tha gjatë konferencës për shtyp Edi Rama. Por ai shtoi se nuk ka qenë e rastit dhe as vetëm çështje financimi këmbëngulja për bashkëpunim me qeverinë gjermane dhe GTZ-në. Konkursi për rregullimin e qendrës së Tiranës organizohet nga qeveria shqiptare dhe Bashkia e Tiranës por financohet nga qeveria gjermane, gjë që i jep konkursit besueshmërinë e nevojshme dhe rëndësinë e mjaftueshme. Ndërsa ekspertët gjermanë kanë punuar së bashku me specialistët e Departamentit të Urbanistikës, për të siguruar kështu të dhënat e nevojshme mbi të cilat do të punojnë fituesit e këtij konkursi.
Konkursi
Pala gjermane ka sugjeruar që konkurrimi të bëhet në dy faza. Faza e parë e konkursit ndërkombëtar sapo ka filluar dhe pritet të mbarojë në çastin kur Bashkia e Tiranës do të grumbullojë të gjitha dosjet e studiove të arkitekturës, të interesuara për këtë projekt. Ndërsa një komision parapërzgjedhës do të seleksionojë tre studio, të cilat do të marrin pjesë në fazën e dytë të konkursit. Ndërsa gjatë fazës së dytë, tre studiot e përzgjedhura do të hartojnë një plan konceptual brenda 21 ditësh. Krybashkiaku Rama shtoi dje se për të përzgjedhur projektin më të mirë do të ngrihet një juri ndërkombëtare, e kryesuar nga kryeministri Fatos Nano.
Falë financimit të qeverisë gjermane, fituesi i çmimit të parë do të shpërblehet me 40 mijë euro, ndërsa ai i çmimit të dytë me 15 mijë euro. Më pas, plani konceptual do të kthehet në një studim të mirëfilltë urbanistik dhe do të shndërrohet në një maket, që do t’i kalojë KRRTRSH-së për miratim. Ekspertët kanë parashikuar që studimi për qendrën e Tiranës do të zgjasë rreth 3 muaj, pasi fituesi i konkursit ndërkombëtar ka lidhur kontratën me Bashkinë e Tiranës. Kryetari i Bashkisë ka sqaruar se qeveria gjermane do ta financojë projektin deri në çastin e shpalljes së fituesit. Më pas i takon qeverisë shqiptare të “paguajë” për rregullimin e qendrës së Tiranës.
MBËSHTETJA
Bloch: Jemi krenarë për bashkëpunimin
TIRANË- “Pala gjermane është shumë e gëzuar dhe krenare që mund të bashkëpunojë për një projekt kaq të rëndësishëm dhe me kaq pretendime për Tiranën”. Kështu u shpreh dje, në krah të Edi Ramës, zv/ambasadorja e Gjermanisë në vendin tonë, Sabina Bloch. Ajo shtoi se nga ky konkurs ndërkombëtar do të mundësohet fytyra e re e Tiranës, e cila do të jetë e ardhmja e kryeqytetit shqiptar. Zv/ambasadorja Bloch konfirmoi edhe një herë, me prezencën e saj, bashkëpunimin e frytshëm mes qeverisë gjermane, që ka marrë përsipër financimin e konkursit ndërkombëtar për rregullimin e qendrës së Tiranës, dhe Bashkisë së Tiranës, që në këtë rast është porositësi. Financimi i palës gjermane ka mundësuar të shpërblejë me një çmim prej 40 mijë dollarësh fituesin e vendit të parë të konkursit dhe me 15 mijë dollarë fituesin e vendit të dytë. Ndërkohë, gjatë konferencës së djeshme për shtyp u bë e ditur se pala gjermane i ka sugjeruar asaj shqiptare procedurat që do të ndiqen për zhvillimin e dy fazave të konkursit ndërkombëtar.
(marrë nga Gazeta Shekulli)
--------------------------------------------
Unë mendoj se Edi Rama në rradhë të parë duhet të ishte konsultuar me SH.A.SH. (shoqata e Arkitektëve Shqiptarë) para se të merrte vendimin për të hapur ktë konkurs. Duhet që të përcaktohen kriteret e stilit Arkitekturikë sesi do të bëhet plani i ri. Çfarë është me shumë rëndësi për mendimin tim është ruajtja e vlerave Arkitektonike Shqiptare, por të përkthyera në moderne, sipas kohës së sotçme. Nuk ka rëndësi se kush bën planin, por shumë rëndësi ka që kryeqteti Shqiptarë të ket si themel Arkitekturë të Stilit Shqiptarë.
Krijoni Kontakt