Disa shkencëtarë kanë nxjerrë një teori të re për origjinën e jetës në Tokë, e cila pritet të shkaktojë shumë debat.
Kjo teori ndryshon rrënjësisht nga perceptimi i deritanishëm për evolimin e jetës në planetin tonë, dhe nëse është e vërtetë hedh dritë mbi mundësinë e jetës edhe në planete të tjera Shkencëtarët i kanë botuar të dhënat e kësaj teze të re në revistën britanike, 'Transaksione Filozofike B'.
Për më shumë se 70 vjet shpjegimi më i pranueshëm për origjinën e jetës në tokë ka qenë ajo që njihet si 'teoria e supës organike'; me fjalë të tjera, baza e jetës në planetin tonë është krijuar nga reaksionet kimike në detet që lagnin tokën rreth 4 miliardë vjet më parë.
Teoria e re
Mirëpo, njëri nga shkencëtarët që mbështesin tezën e re për origjinën e jetës, Profesor Bill Martin nga Universiteti i Dyseldorfit, thotë se jeta e ka zanafillën në fundin e errët dhe me temperatura shumë të ulëta të oqeanit. Ai thotë se këtu u krijuan shkëmbijntë e parë të sulfurit të hekurit nën ndikimin e ujërave termalë, të pasura me minerale, që depërtonin përmes të çarave në koren e tokës. Prof. Martin thotë se aspekti themelor ku teoria e re dallohet nga mënyra e deritanishme e të menduarit për këtë çështje është se ata marrin si bazë "qelizat jo-organike që përbajnë sulfur hekuri".
"Këto qeliza jo-organike krijojnë elementët e para të jetës, përmes përqëndrimeve të mëdha," thotë ai.
"Modele të tjera duket se kanë filluar nga një oqean i mbushur me molekula që në një farë mënyre në një moment dhe vend të caktuar u përqëndruan," thotë prof. Martin duke shpjeguar tezën e tij. Teza e re për origjinën e jetës në tokë hedh idenë se qelizat e para u formuan kur mineralet që depërtonin përmes të çarave në koren e tokës nga fundi i oqeanit, kapeshin si në kurth nga molekulat e përqëndruara të sulfurit të hekurit, duke hyrë në reaksione kimike zinxhir.
Profesor Martin dhe shkencëtarët e tjerë që mbështesin këtë teori thonë se ky është një proces që, teorikisht, mund të ndodhë në çdo planet shkëmbor që ka ujë.
Krijoni Kontakt