Close
Duke shfaqur rezultatin -19 deri 0 prej 2
  1. #1
    Shpirt Shqiptari Maska e Albo
    Anëtarësuar
    16-04-2002
    Vendndodhja
    Philadelphia
    Postime
    30,782
    Postimet në Bllog
    18

    Realiteti i frikshëm: Mbyllen shkollat për fëmijët shqiptarë, hapen kampe për refugjatët afrikanë

    ‘E ardhmja është e zymtë’: Emigracioni përgjysmon nxënësit në qarkun e Kukësit

    Bashkitë e qarkut të Kukësit kanë kyçur dhjetra shkolla dhe kanë humbur mijëra nxënës si pasojë e emigrimit të vazhdueshëm, që i ka zbrazur zonat rurale duke krijuar fshatra të shkretuar.

    Nga Bashkim Shala

    Emri:  Qendra-e-qytetit-te-Kukesit.jpg

Shikime: 22

Madhësia:  52.4 KB
    Qendra e qytetit të Kukësit. Foto: Bashkim Shala.

    Në Letaj të Hasit, në kufi mes Kosovës dhe Shqipërisë, drejtori i shkollës 9-vjeçare të fshatit, Gëzim Koka thotë me dëshpërim se gjashtë nxënës të tjerë u larguan me familjet e tyre në emigrim këtë vit.

    Dikur e mbushur me qindra fëmijë, sot shkolla e fshatit Letaj ka vetëm 79 nxënës dhe humbet çdo vit nxënës të rinj prej emigracionit. Mësuesi i vjetër në profesion thotë se prej kohësh klasat fillore bëjnë mësim me orë kolektive, ndërsa numri në rënie i regjistrimeve nuk premton ndonjë ndryshim në të ardhmen.

    “E ardhmja është e zymtë. Nuk mund të bëjmë dot një skuadër futbolli për të luajtur,” thotë me dëshpërim Koka.

    Kjo zonë njihet për emigracionion e lartë drejt Anglisë, por vitet e fundit, ata që nuk kanë mundur të kalojnë detin që ndan ishullin Britanik me Europën, kanë qëndruar në Francë, Gjermani apo edhe në Hungari.

    Situata në Letaj, një fshat i minuar gjatë Luftës së Kosovës, nuk është e izoluar.

    Të dhënat e siguruara përmes kërkesave për të drejtë informimi tregojnë se në të gjithë qarkun e Kukësit, 48 shkolla u mbyllën në dekadën e fundit, ndërsa numri i nxënësve është thuajse përgjysmuar.

    Rënie drastike

    Emri:  DSC_7820.jpg

Shikime: 21

Madhësia:  51.6 KB
    Pamje e fshtatit Shishtavec | Foto nga : Irena Shabani

    Goditjen më të rëndë për shkak të emigracionit në këtë qark duket se e ka Njësia Administrative e Shishtavecit në bashkinë e Kukësit. Këtu emigracioni drejt vendeve të Bashkimit Europian apo edhe më tej në Britani, u lehtësua pas shpalljes së zonës si minoritet bullgar në vitin 2017. Prej këtej, qindra banorë u pajisën me pasaporta bullgare dhe e patën më të lehtë lëvizjen dhe punësimin në Perëndim.

    Rënia demografike pasqyrohet qartë edhe nga numri i lindjeve në shtatë fshatrat e kësaj njësie me 4716 banorë të regjistruar.

    “Përgjatë viteve 2019-2023 në shtatë fshatrat e kësaj njësie janë regjistruar vetëm 11 lindje,” thotë Qerim Disha, punonjës i zyrës së gjendjes civile në Shishtavec.

    Disha thotë se lindjet në fshat zënë vetëm 5% të numrit të lindjeve të regjistruara nga banorët e këtyre fshatrave jashtë vendit. “Në të njëjtën periudhë janë regjistruar 205 lindje jashtë shtetit nga banorë të këtyre fshatrave,” thotë ai.

    Disha tregon se numri i lindjeve pësoi rënie drastike në vitin 2019, kur nuk u regjistrua asnjë e tillë brenda vendit.

    Për pasojë, në këtë Njësi Administrative ka një renie drastike të numrit të nxënësve.

    Në bazë të të dhënave të Zyrës Arsimore Kukës, rezulton se trendi i rënies së numrit të nxënësve në Shishtavec ka filluar pas vitit 2014, për të pësuar rënien më të madhe në vitin 2023.

    Në vitin 2005 në shkollën e Shishtavecit numëroheshin 176 nxënës të arsimit 9-vjeçar dhe 140 nxënës të arsimit të mesëm, ndërsa në vitin 2014 janë regjistruar 96 nxënës të arsimit 9 vjeçar dhe 117 të arsimit të mesëm.

    Në vitin 2023 në shkollën e Shishtavecit numërohen vetëm 23 nxënës të arsimit 9-vjeçar dhe 68 nxënës të shollës së mesme, sipas përgjigjes së Zyrës Arsimore Kukës.

    Psikologu Nebi Shyti nuk ka shumë shpresë se të larguarit nga Shishtaveci do të kthehen një ditë, ndërsa thotë se komuniteti është i plakur masivisht.

    “Shumica e familjeve këtu në Shishtavec janë nga dy banorë në shtëpi, të moshës diku rreth 50 vjeç e lart, ku shumica janë në të 60-at. Pra kanë mbetur krejt nga dy,” thotë ai duke iu referuar çifteve të të moshuarve që gjenden ende në fshat.

    Shyti tregon se një numër i madh i të rinjve që u larguan nga fshati në moshë të re, nuk kanë as nostalgji dhe as lidhje me vendlindjen, ndërsa janë martuar e kanë krijuar familje jashtë vendit.

    Por për veteranin e arsimit të zonës, studiuesin dhe shkrimtarin nga Shishtaveci, Zejnullah Bala, shkaktar i boshatisjes së kësaj zone nuk është vetëm varfëria, por edhe mundësia për marrjen e një pasaporte bullgare.

    “Mediat kanë paraqitur varfërinë, por në fakt varfëria ka qenë njëra nga arsyet. Një arsye tjetër që media nuk e ka zbuluar apo nuk e ka thënë për boshatisjen e zonës së Shishtavecit, ku tashmë në ketë fshat kanë mbetur vetëm pleqtë, është mundësia për marrjen e një pasaporte të një vendi anëtar të Bashkimit Europian siç është Bullgaria me të cilën mund të udhëtosh edhe në Angli dhe mund të punësohesh më lehtë në vendet Perëndimore”, thotë ai.

    Bala jeton prej vitesh vetëm me bashkëshorten, ndërsa djemtë i ka në Britani. Ai thotë se të dy ishin me arsim të lartë, por në Shqipëri nuk gjetën punë.

    “Unë vetë nuk jam fare i kënaqur se kam mbetur vetë i dyti vetëm në shtëpi, unë me gruan, çfarë të bëjmë ne. Hiç nuk kam kënaqësi,” thotë Zejnullah Bala.

    Emigrimi kultivohet në shkollë

    Emri:  Shkolla-Havzi-Nela-ne-Kollovoz-eshte-mbyllur-per-shkak-te-numrit-te-vogel-te-nxenesve-Bashkimi-.jpg

Shikime: 22

Madhësia:  95.4 KB
    Shkolla “Havzi Nela” në Kollovoz është mbyllur për shkak të numrit të ulët të nxënësve. Foto: Bashkim Shala.

    Ndonëse vuan rënien më të madhe të numrit të fëmijëve, Shishtaveci nuk është i vetmi. Emigracioni ka prekur edhe njësitë e tjera administrative, por edhe vetë qytetin e Kukësit.

    Të dhënat e marra nga Zyrat Arsimore në Kukës, Tropojë e Has tregojnë se numri i nxënësve dhe vetë numri i shkollave është në tkurrje të vazhdueshme.

    Sipas këtyre të dhënave, dhjetë vjet më parë në shkollat e qarkut kishin 18 mijë nxënës, por në vitin 2023 numri i fëmijëve në shkolla 9-vjeçare dhe në gjimnaze ka rënë 10 mijë. Rënien më të madhe ndër të tre bashkitë e ka ajo e Kukësit, që ka humbur gati gjysmën e fëmijëve.

    “Në vitin 2014 numri i nxënësve të arsimit 9 vjeçar ka qenë 7996 nxënës dhe 2733 nxënës të shkollave të mesme. Ndërsa në vitin 2023 numërohen 5037 nxënës të shkollave 9-vjeçare dhe 1543 nxënës të shkollave të mesme”, thuhet në njoftimin e Zyrës Arsimore të Kukësit.

    Ish-drejtues lokalë thonë se emigracioni është ai që ka ndikuar më shumë në rënien e numrit të banorëve të zonës dhe po ashtu edhe të nxënësve.

    “Në Njësinë administrative të Bushtricës mund të thuhet se 95% e familjeve janë të prekura nga fenomeni i emigracionit. Përfundimisht vetëm ato që s'kanë djem të moshës mbi 20 vjeç nuk janë prekë. Të tjerët janë prekur të gjithë,” thotë Ramazan Tota, banor i fshatit, ish-administrator i Njësisë Administrative të Bushtricës në Bashkinë e Kukësit.

    Mynir Sula, drejtor i Shkollës së Mesme të Bashkuar të Bushtricës i tha BIRN se emigracioni është një ide që kultivohet që në shkollë. Ai thotë se të paktën deri në vitin 2017, ky ishte një refren që dëgjohej rëndom, ku fëmijët planifikonin të largoheshin sapo të mbaronin shkollën e mesme.

    “Ndoshta edhe sot ka mendime të tilla, por është frenuar, është frenuar goxha dhe sikur po i japin një rëndësi shkollës,” thotë Sula.

    Mësuesi bën një diferencë gjinore mes atyre që planifikojnë të arsimohen më tej dhe atyre që ikin sapo mbyllin gjimnazin. Ai thotë se vajzat janë për të përkushtuara në mësime, ndërsa djemtë në shumicë planifikojnë largimin.

    Situata i ka rënduar banorët e mbetur të zonës. Ata e shohin ndarjen e familjeve prej emigracionit si një plagë dhe situatë dëshpëruese.

    ”Unë si prind dua familjen. Pra, kurrë nuk e kam dashur dhe nuk e kemi menduar që fëmija do të na largohen. Dhe të merr malli për fëminë. Sado, ndoshta edhe me pak të ardhura, ndoshta edhe me një ekonomi sido që të jetë, më e lodhshme të jetë, dëshira është vetëm të kesh familjen”, thotë Ramadan Drazhi, banor i Njësisë Administrative të Bushtricës, njëherësh edhe përgjegjës i Zyrës Postare Bushtricë.

    Burri thotë se ai dhe bashkëshortja prej vitesh jetojnë vetëm. Ata kanë më shumë mundësi ekonomike dhe jetojnë një jetë normale, por në mungesë të fëmijëve asgjë nuk i kënaq.

    “Jetoj normal, por nuk më hyn në sy asgjë. Emigrimi e ka goditë shumë shoqërinë shqiptare duke shpërbërë familjen,” thotë Drazhi.

    Ndërkohë, aktivisti i shoqërisë civile në Kukës Lavdrim Shehu ngre shqetësimin se përtej emigracionit masiv që ka prekur këtë zonë, të rinjtë kanë rënë viktimë e modeleve të këqija duke u përfshirë në veprimtari të paligjshme.

    “Ka patur një nxitje të vazhdueshme këtë periudhën e fundit nga modele jo pozitive, ku të rinj të veçantë kanë shkuar dhe janë përballur, apo kanë përfituar nga sisteme të caktuara në Angli duke u marrë me aktivitet kriminal dhe duke vënë para e pasuri”, thotë Shehu.

    Ai thotë se është shqetësuese që ky lloj emigracioni është pranuar nga shoqëria, pasi sipas Shehut prindërit e dinë shumë mirë se me çfarë pune merret fëmija dhe e kanë toleruar këtë. “Ky është një shqetësim në aspektet sociologjike të zhvillimit të një shoqërie,” përfundon Shehu.

    BIRN

  2. #2
    Shpirt Shqiptari Maska e Albo
    Anëtarësuar
    16-04-2002
    Vendndodhja
    Philadelphia
    Postime
    30,782
    Postimet në Bllog
    18

    Për: Realiteti i frikshëm: Mbyllen shkollat për fëmijët shqiptarë, hapen kampe për refugjatët afrika

    Rënie e pandalshme: Emigrimi kyç dhjetëra shkolla në qarkun e Shkodrës

    Në qarkun e Shkodrës, 19 shkolla publike janë mbyllur në 5 vitet e fundit, ndërsa dhjetëra të tjera janë kthyer në shkolla me klasa kolektive si pasojë e emigrimit – një proces që i dëmton fëmijët vështirëson punën për mësuesit.

    Nga Emi Kalaja

    Emri:  shkolla-obot-1.jpg

Shikime: 16

Madhësia:  75.9 KB
    Oborri i shkollës 9-vjeçare në fshatin Obot është mbuluar nga ferrat. Foto: Emi Kalaja.

    Oborri i shkollës 9-vjeçare në fshatin Obot të Shkodrës është mbuluar nga ferrat prej kohësh, ndërsa një dry i ndryshkur nga mospërdorimi mban mbyllur portat e saj. Vetëm pak kilometra larg qytetit të Shkodrës, shkolla ka 5 vite që është mbyllur dhe aty nuk ka më asnjë nxënës, pasi nuk ka mbetur asnjë fëmijë në këtë fshat.

    Kryeplaku i fshatit, Gregor Pemaj, përlotet kur e pyesin për shkollën dhe fëmijët e munguar në fshat.

    “Nuk ka më lindje në fshat, vetëm ndonjë ceremoni mortore. Turp të themi se jemi të lumtur, pasi do vijnë familjarët nga jashtë për t'i bërë nderimet e fundit dhe fshati për një kohë gjallërohet disi,” i tha ai BIRN-it.

    Oboti është një fshat i njësisë administrative Ana e Malit në Shkodër – një zonë e njohur për shtypshkronjën e parë dhe portin. Por gjatë viteve të fundit, fshati është gërryer nga shpopullimi dhe emigrimi.

    Pemaj kujton se jo shumë kohë më parë në kishë mblidheshin rreth 400 vetë, kurse tani nuk ka mbetur thuajse asnjëri.

    “Do të doja të shihja edhe njëherë rrugën e mbushur me djem dhe nuse, shkollën plot me nxënës, kishën që mbushej me 400 njerëz. Kam shpresë ta shoh edhe një herë,”, thotë me nostalgji ai.

    Të dhënat e siguruara nga BIRN nga zyra vendore e arsimit parauniversitar në qarkun e Shkodrës tregojnë se vetëm në 5 vitet e fundit janë mbyllur 16 shkolla publike, ndërsa 3 të tjera kanë zero nxënës, edhe pse nuk janë mbyllur formalisht.

    Për aktivistë të shoqërisë civile, kjo është shenjë e problemeve të thella që i kanë shtyrë njerëzit drejt largimit.

    Kolindo Vjerdha, aktivisti i “Qëndresës Qytetare” në Shkodër thotë se rënia e numrit të nxënësve është e pandalshme dhe pasojat e saj ndjehen në të gjithë sistemin.

    “Arsimi në përgjithësi, por sidomos ai parauniversitar, po përballet me fenomenin e shpopullimit masiv. Në 4 vitet e fundit, bankat e shkollës i mungojnë 56,000 nxënës, gjë që ka sjellë edhe 2000 mësues më pak në sistem. Vetëm në Bashkinë Shkodër, ka 712 nxënës më pak në bankat e shkollës këtë vit, një tregues i rënies graduale të numrit të nxënësve dhe boshatisjes së shkollave”, thotë Vjerdha.

    Kushte të mjerueshme

    Mimoza Rexhvelaj, mësuese me klasa kolektive në shkollën 9-vjeçare “Linaj” në Malësinë e Madhe që nga 2015, tregon se për të shkuar në shkollë duhet të sakrifikojë shumë.

    Ajo udhëton çdo ditë dhe për të mbërritur në shkollë duhet të ndërrojë tre autobusë, Grizhë-Vrakë, Vrakë-Gruemirë, Gruemirë-Linaj. Madje për disa kohë ajo rrugën e ka bërë në këmbë, sepse nuk kishte rrugë makinash dhe kushtet ishin tepër të ështira.

    Megjithatë, Rexhvelaj thotë se deri shtatë vite më parë mësimi zhvillohej normalisht dhe profesioni i mësueses i jepte asaj kënaqësi.

    Mësuesja fajëson pjesërisht mungesën e rrugës dhe infrastrukturës për largimet dhe rënien e numrit të nxënësve vit pas viti. Sot shkolla ka 15 nxënës dhe dy klasa kolektive. Rexhvelaj thotë gjithashtu se mësimi në këto kushte është i vështirë dhe mezi menaxhohet ngarkesa dhe procesi mësimor.

    Kushtet e shkollës tregojnë sipas Rexhvelajt edhe arsyet për braktisjen masive. Ajo thotë se në një kohë kur arsimimi po digjitalizohet, shkolla e saj nuk ka energji elektrike dhe as salla me kompjuter apo kushte minimale për mësimdhënie në vitin 2024.

    Kjo ia vështirëson asaj punën, pasi i duhet shpesh të punojë në orë shtesë në salla interneti për të realizuar objektivat që kërkohen. Por për nxënësit, Rexhvelaj thotë se situata është “dyfish më e vështirë”.

    Kolindo Vjerdha, aktivisti i “Qëndresës Qytetare” thotë se mungesa e infrastrukturës është një ndër arsyet për braktisjen masive të këtyre zonave. “Për të mos folur pastaj për shkollat në Qarkun Shkodër, pa investime në infrastrukturë, pa ngrohje dhe digjitalizim të procesit mësimor, ku akoma mesatarja është një kompjuter për 20 nxënës,” thotë ai.

    Sipas tij, kjo situatë që ka sjellë edhe braktisjen masive, po ndikon thellë në sistem duke dëmtuar rëndë arsimimin e fëmijëve.

    “Mjafton të masim efektivitetin dhe produktivitetin e nxënëve në shkollat shqiptare duke analizuar rezultatet e PISA-s, ku rezulton se 73.2% e nxënësve janë ngelës në lexim, pra thënë ndryshe analfabetë funksionalë, nxënës që lexojnë, por nuk arrijnë të kuptojnë atë që lexojnë, po ashtu 67% e nxënësve janë ngelës në shkencë dhe 74% e nxënësve janë ngelës në matematikë. Këto tregues dëshmojnë për cilësinë reale të arsimimit në shkollat shqiptare,” thotë Vjerdha.

    Ai vlerëson gjithashtu se pasojat janë sociale dhe ekonomike. Qindra mësues humbasin vendin e punës dhe dhjetra fshatra në të cilat shkolla shërben si qendër komunitare e humbasin atë si pikë referimi.

    Dhjetra shkolla të mbyllura

    Zyra Arsimore Rajonale, e cila u zhvendos në Lezhë me reformën e disa viteve më parë, i tha BIRN në një përgjigje zyrtare se dhjetra shkolla ishin mbyllur në pesë vitet e fundit, ndërsa në dhjetra të tjera mësimi bëhej në klasa kolektive.

    “Në bashkinë e Shkodrës janë 37 shkolla të arsimit parauniversitar brenda ZVAP Shkodër, që zhvillojnë mësim me klasa kolektive. Në pesë vitet e fundit, brenda territorit ku ushtron veprimtarinë ZVAP Shkodër, janë mbyllur 6 shkolla publike dhe 4 private,” thuhet në përgjigje zyrtare.

    Në Vaun e Dejës, 15 shkolla zhvillojnë mësim në klasa kolektive, ndërsa edhe pse nuk ka shkolla që janë mbyllur, tre prej tyre kanë regjistruar 0 nxënës dhe konsiderohen jofunksionale.

    Zonat më të prekura nga shpopullimi dhe mbyllja e shkollave janë Puka dhe Fushë-Arrëzi, ku ka 31 shkolla që zhvillojnë mësim në klasa kolektive dhe janë mbyllur 10 shkolla në pesë vitet e fundit.

    Por edhe pse të dhënat janë për 5 vitet e fundit, historia e mbylljes së shkollave ka një dekadë që ka filluar. Vetëm në zonën e Dukagjinit, BIRN mësoi se vitet e fundit janë mbyllur 3 shkolla: Shkolla Lekaj, Shkolla Lotaj dhe Shkolla Nënmavriq dhe nxënësit e këtyre shkollave u duhet tani të ecin shumë kilometra në terren të vështirë për të zhvilluar mësim në tre shkolla të bashkuara.

    Për zëdhënësin e Kishës Katolike në Shkodër, Dom Mark Pashkja, situata është alarmante. Ai thotë se fenomenin e shpopullimit dhe pasojat e saj i përjeton çdo ditë në famullitë e Beltojës, Ashtës dhe Kosmacit.

    “Po ju sjell rastin e Beltojës, pasi mbaj statistikat konkrete. Ky fshat ka 273 shtëpi, nga të cilat vetëm 50 janë të banueshme, pjesa dërmuese janë të moshuar. Nga këto 50 familje, vetëm 10 prej tyre kanë fëmijë në moshë shkolle, ndërsa në shtator kam informacion të sigurt se edhe 3 familje nga këto do të lëvizin jashtë,” tregon Dom Mark Pashkja për BIRN.

    Ai thotë se shkollat në këto zona të shpopulluara janë praktikisht të mbyllura, funksionojnë vetëm për të mos hedhur mësuesit në rrugë.

    Kleriku mendon gjithashtu se edhe aty ku kanë mbetur pak fëmijë, mësimi në klasa kolektive më shumë po i dëmton nxënësit.

    “Klasat kolektive ndikojnë edhe në aspektin social dhe psikologjik, pasi po bashkojnë një nxënës 10-vjeçar me një 14-vjeçar dhe ka pabarazi. Ata nuk arrijnë të shijojnë as orën e edukatës fizike dhe të tjera si këto. Gjithçka është shumë e sforcuar dhe po dëmton brezin e ardhshëm në mënyrë të parikuperueshme,” përfundoi kleriku.

    BIRN

Tema të Ngjashme

  1. Përgjigje: 68
    Postimi i Fundit: 20-05-2024, 13:19
  2. Përgjigje: 0
    Postimi i Fundit: 25-03-2024, 16:23
  3. Përgjigje: 2
    Postimi i Fundit: 15-12-2023, 10:41
  4. Shpërthen gazetarja/ Mbyllën njërin sy për kanabisin, i hapën të dy për integrimin
    Nga Duke_Of_Arberia në forumin Tema e shtypit të ditës
    Përgjigje: 2
    Postimi i Fundit: 06-02-2018, 23:41
  5. Kishat mbyllen, Xhamit hapen... islami pushton Francen
    Nga x_njeri në forumin Komuniteti musliman
    Përgjigje: 11
    Postimi i Fundit: 14-10-2011, 12:47

Fjalët Kyçe për Temën

Regullat e Postimit

  • Ju nuk mund të hapni tema të reja.
  • Ju nuk mund të postoni në tema.
  • Ju nuk mund të bashkëngjitni skedarë.
  • Ju nuk mund të ndryshoni postimet tuaja.
  •