Close
Duke shfaqur rezultatin -19 deri 0 prej 3
  1. #1
    Shpirt Shqiptari Maska e Albo
    Anëtarësuar
    16-04-2002
    Vendndodhja
    Philadelphia
    Postime
    30,760
    Postimet në Bllog
    18

    Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko, nën hetim nga SPAK për mashtrime me kreditë

    Skema e ‘mashtrimit’ me kreditë çon guvernatorin Sejko në SPAK

    Prokuroria e Tiranës vlerëson se guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko duhet të hetohet për “shpërdorim detyre” nga SPAK, pasi dyshohet se mori masa të vonuara dhe të papërshtatshme për të frenuar skemën e dyshuar të mashtrimit ndaj mijëra qytetarëve nga shoqëria e mikrokredive MCA.

    Nga Ola Xama

    Emri:  gent-Sejko-1536x1220.jpg

Shikime: 23

Madhësia:  32.3 KB
    Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko. Foto: LSA.

    Në vitin 2016, Kristo Puleshi nuk e mori seriozisht kërkesën e zyrës Albanian Debt Collection Agency, ADCA, për të paguar një detyrim prej 58 mijë lekësh. Në shkresën që zyra ligjore i nisi për llogari të institucionit Micro Credit Albania, MCA, ai njoftohej se rezultonte dorëzanës i një kredie të marrë nga shoku i tij i fëmijërisë me vlerë 30 mijë lekë – kredi e cila ishte gati dyfishuar dhe pretendohej se nuk ishte shlyer asnjëherë.

    Në një kallëzim të mëvonshëm në Prokurori, Puleshi tha se i injoroi shkresat, mesazhet dhe telefonatat për gjashtë vjet me radhë, pasi nuk kishte lidhje me kredinë dhe atësia në njoftime nuk përkonte me emrin e babait të tij.

    Por në tetor 2022, ai mori një mesazh që nuk mund ta injoronte: apartamenti i tij në rrugën « Myslym Shyri » në Tiranë, ku banonte me bashkëshorten dhe dy fëmijët, ishte vendosur nën sekuestro.

    Dokumentet e një hetimi të kryer nga Prokuroria e Tiranës, të cilat BIRN i disponon, tregojnë se Puleshi dhe miku i tij i fëmijërisë u përpoqën që të hetonin vetë se çfarë kishte ndodhur dhe pasi nuk gjetën zgjidhje, iu drejtuan me një kallëzim organit të akuzës në kryeqytet.

    Përpara hetuesve, ata deklaruan se nuk kanë marrë ndonjëherë kredi dhe se procedurat përmbarimore ishin kryer në shkelje të ligjeve. Një akt ekspertimi i kaligrafisë në kontratën e kredisë doli gjithashtu në përfundimin se firmat e tyre ishin falsifikuar.

    Kristo Puleshi raportohet se është vetëm një nga mijëra viktimat e një skeme të dyshuar abuzimi me mikrokreditë që vazhdon prej të paktën 9 vitesh në Shqipëri. Një hetim administrativ i kryer nga Ministria e Drejtësisë në vitin 2020 zbuloi se rreth 17 mijë individë ishin dëmtuar me penalitete të padrejta, sekuestrim pronash si dhe shkelje të procedurave përmbarimore.

    Sipas raportit të Ministrisë së Drejtësisë, në skemën e mbledhjes së detyrimeve ishte përfshirë shoqëria Micro Credit Albania si dhe një grup zyrash private të përmbarimit, noterë dhe shoqëri të tjera të lidhura me të.

    Ndërkohë, një hetim i kryer nga Prokuroria e Tiranës vlerëson se përgjegjësitë mund të shtrihen deri te Banka e Shqipërisë dhe guvernatori i saj, Gent Sejko.

    Përmes një vendimi të 17 prillit, Prokuroria e Tiranës shpalli moskompetencën dhe i kërkoi Prokurorisë së Posaçme, SPAK, që të kryente hetime të mëtejshme ndaj guvernatorit të Bankës së Shqipërisë për veprën e “shpërdorimit të detyrës” dhe shoqërisë MCA veprat e mashtrimit, fshehjes së të ardhurave dhe pastrimit të produkteve të veprës penale.

    “Veprimtaria e MCA shpk rezulton që në mënyrë të vazhdueshme ka penalizuar interesat e ligjshme të individëve kredimarrës, e cila ka qenë në bashkëpunim me përmbaruesit gjyqësorë si dhe lindin dyshime se mund të ketë pasur bashkëpunim edhe me punonjës të Bankës së Shqipërisë,” thuhet në vendim e shpalljes së moskompetencës.

    E pyetur nga BIRN për referimin e guvernatorit Sejko në SPAK, Banka e Shqipërisë tha përmes një zëdhënësi se nuk kishte marrë asnjë njoftim zyrtar.

    “Nëse do të kemi komunikim zyrtar prej çdo organi procedimi penal, Banka e Shqipërisë do të jetë në dispozicion për të dhënë sqarimet dhe informacionet e duhura,” tha BSH.

    Shoqëria “Micro Credit Albania” i mohoi akuzat për mashtrimin dhe penalizimin e kredimarrësve, ndërsa këmbënguli se e kishte bazuar aktivitetin e saj në ligjshmërinë e përcaktuar në akte, kontrata dhe vendime gjyqësore.

    “Nuk ka dhe nuk mund të ketë përgjegjësi penale kur ekziston vendimi i gjykatës ; subjekti që vendimi i gjykatës e konsideron ‘kreditor të një detyrimi' nuk mashtron duke u shfaqur si ‘kreditor', sepse një titull të tillë ia jep vendimi i gjykatës, ndërsa subjekti që vendimi i gjykatës e certifikon si ‘debitor' nuk mund të marrë pozitën e ‘një viktime të veprës penale' sado kallëzime të nënshkruajë/ depozitojë në Prokurori,” pretendoi MCA. [Lexo përgjigjen e plotë]

    Biznesi i kredive të këqija

    Emri:  Fajde-2.jpg

Shikime: 16

Madhësia:  38.3 KB
    Një sasi parash në cash. Foto: Pixabay.

    Micro Credit Albania u themelua në maj të vitit 2014 nga ortakja e vetme, Elda Ibro, një kontabiliste në profesion, dhe u licensua më pas nga Banka e Shqipërisë për kryerjen e aktivitetit të mikrokredisë. MCA operoi më pas edhe në tregun e blerjes dhe ekzekutimit të kredive me probleme nga institucione të tjera bankare dhe jobankare.

    Pas ankesave të shumta të qytetarëve, Departamenti i Mbikëqyrjes në Bankën e Shqipërisë nisi në korrik të vitit 2020 një ekzaminim tematik për shoqërinë MCA, ku të katër elementët e vlerësimit dolën në nivelin më të lartë të rrezikshmërisë të klasifikuar në kategorinë 4.

    Sipas raportit të Departamentit të Mbikëqyrjes, subjekti MCA operonte në bashkëpunim me shoqërinë e licensuar në fushën e kredisë, Final, zyrën ligjore ADCA dhe shërbimet përmbarimore ZIG, Flash dhe Star.

    Grupi i inspektorëve gjeti gjithashtu se në 5 vite të operimit, MCA nuk kishte depozituar asnjëherë pasqyra financiare të audituara, ndërsa dy shoqëri auditimi ndërkombëtare kishin refuzuar të jepnin opinion. Deri në korrik të vitit 2020, MCA kishte blerë 85 milionë euro kredi të pashlyera nga dhjetë institucione të ndryshme banka dhe jo banka, duke paguar vetëm 2-3% të vlerës së tyre dhe më pas kosto e blerjes është rritur në 10 dhe 20% vitet në vijim.

    Sipas raportit, MCA kishte paguar rreth 5.2 milionë euro për portofolin e kredive prej 85 milionë euro dhe kishte rikuperuar nga kredimarrësit rreth 10.7 milionë euro, duke siguruar një fitim operativ dy herë më të lartë.

    Grupi i inspektorëve gjeti gjithashtu se MCA ndoqi një strategji të mbledhjes së plotë të detyrimeve, pa ofruar zbritje, ndërsa vendosi për paketat e ristrukturimit të kredive të këqija « norma penaliteti shumë të larta 2% në ditë ose 730% në vit».

    Hetimet e kryera nga Prokuroria e Tiranës dhe një hetim administrativ i Ministrisë së Drejtësisë hedhin edhe më tej dritë mbi natyrën e biznesit që ndiqte MCA, përmes shtrëngimit të kushteve për të dhënë kredi. Pasi blinte kreditë e këqija deri në 10% të vlerës së tyre, MCA kërkonte kthimin në masën 100%, duke vendosur edhe penalitete, kamata dhe tarifa përmbarimore. Të gjendur ngushtë, kreditorëve që u ishin bllokuar pronat, detyroheshin të firmosnin kontrata kredie me norma interesi deri në 25%.

    Pas gjetjeve të Departamentit të Mbikëqyrjes në vitin 2020, Banka e Shqipërisë ndryshoi rregulloren “Për kredinë konsumatore dhe hipotekore”, duke përcaktuar që masa e penaliteteve të mos kalonte 30% të detyrimit kontraktor. Por edhe pas këtij vendimi dhe rekomandimeve të lëna për shoqërinë MCA, shkeljet vazhduan.

    Dyshimet për rolin e guvernatorit

    Emri:  20210730_195001_300721_5_01-1_R7eE0wy.jpg

Shikime: 15

Madhësia:  36.9 KB
    Një punonjës policie duke hapur derën e Prokurorisë së Posaçme, SPAK. Foto: LSA

    Më 29 dhjetor 2022, guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko vendosi të pezullojë licensën e subjektit financiar jo-bankë ‘Micro Credit Albania' për kredidhënien, por i lejoi asaj që të vazhdonte aktivitetin e mbledhjes së detyrimeve për portofolet e kredive të blera.

    Megjithatë, Prokuroria e Tiranës vlerëson se ky vendim ishte jo vetëm i vonuar, por edhe papërshtatshëm në raport me shkeljet e konstatuara.

    Hetimi ngre gjithashtu dyshime se masa e pezullimit u parapri nga një korrespondencë mes shoqërisë MCA dhe Bankës së Shqipërisë. Më 14 dhjetor 2022, ortaku i subjektit Micro Credit Albania i është drejtuar Guvernatorit të Bankës së Shqipërisë me një mesazh elektronik, ku parashtrohen përpjekjet e kryera për realizimin e rekomandimeve, si dhe kërkohet që të merren në konsideratë masa alternative, të tilla që të mos bllokojnë tërësisht aktivitetin e subjektit.

    “Masa e marrë nuk është në raport me shkeljet e konstatura nga vetë specialistët e Bankës së Shqipërisë dhe shkeljet e kryera në mënyrë të përsëritur janë të një karakteri tepër të rëndë. Vazhdimësia e aktivitetit të këtij institucioni financiar me problematika dhe shkelje të përsëritura është me pasoja tepër të mëdha financiare në dëm të qytetarëve,“ thuhet në vendimin e Prokurorisë së Tiranës.

    Prokuroria vlerëson gjithashtu se edhe pse ishte e njohur prej dy vitesh me problematikat e shkaktuara nga MCA, Banka e Shqipërisë nuk kishte marrë më parë asnjë hap konkret për të frenuar dhe monitoruar blerjen e kredive tek subjektet e tjera.

    E pyetur në Prokurori, një punonjëse e Bankës së Shqipërisë e justifikoi tolerimin në pezullimin e fundit të MCA me rrezikun e pasojave. Sipas dokumentit, ajo deklaroi se nuk mund të merrej një masë radikale, pasi rrezikonin që subjekti të ndërpriste deklarimin në regjistrin e kredive, në kohën që “kishte ende 20 mijë kontrata kredie në administrim“.

    Gjithsesi, Prokuroria e Tiranës vlerëson se Banka e Shqipërisë nuk disponon të dhëna të sakta se sa është numri i kredive të blera nga MCA dhe se veprimtaria e kësaj të fundit ishte pothuajse jashtë monitorimit. Ajo ka ngritur gjithashtu dyshime se shoqëria e mikrokredive u favorizua që në fazat e para të licensimit në vitet 2015-2016.

    Banka e Shqipërisë miratoi në mars të vitit 2016 një rregullore që mundësonte shitjen e kredive të këqija të bankave, por sipas hetimit, MCA dyshohet se e kryente më përpara këtë aktivitet. Në maj të vitit 2016, ajo u pajis me një licensë të re, çka sipas Prokurorisë ngre dyshime se infrastruktura ligjore u përshtat “në funksion të aktivitetit të kësaj shoqërie“.

    Punonjësit e Bankës Qendrore pretenduan para prokurorëve se ndryshimi i rregullores u bazua në “Planin e masave për kreditë me probleme“, i hartuar nga një Grupi ndërinstitucional i koordinuar nga Ministria e Zhvillimit Ekonomik, Turizmit, Tregtisë dhe Sipërmarrjes, i ngritur me urdhër të Kryeministrit në qershor të vitit 2015.

    Bazuar mbi këto të dhëna, Prokuroria e Tiranës vlerësoi se rezulton e nevojshme “të hetohen zyrtarë të lartë si guvernatori i Bankës së Shqipërisë për veprën penale shpërdorimi i detyrës“, kompetencë kjo e Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar.

    Për shoqërinë MCA me administratore Elda Ibro, Prokuroria vlerëson se nevojiten hetime për veprat penale të mashtrimit, fshehjes së të ardhurave dhe pastrimit të produkteve të veprës penale, të dyshuara këto si të kryera në kuadër të grupit të strukturuar kriminal.

    I pyetur nga BIRN nëse i kishte marrë apo vlerësuar aktet e dërguara nga Prokuroria e Tiranës, SPAK tha përmes një zëdhënëseje se „nuk ka asnjë përgjigje apo koment për të komunikuar“.

    Rrjeti i mikrokredive

    Dokumente të siguruara nga BIRN nga Ministria e Drejtësisë, Banka e Shqipërisë dhe Prokuroria e Tiranës tregojnë se skema e dyshuar kishte në qendër pronaren e MCA, Elda Ibro dhe bashkëshortin e saj, Olsi Ibro që drejtonte studion ligjore, ADCA.

    Gjithashtu, Micro Credit Albania ndërvepronte me institucioni jo-bankar Final dhe zyrat përmbarimore Zig, Flash dhe Star me pronarë një grup personash të lidhur me njëri-tjetrin.

    Pas pezullimit të licencës në dhënien e kredive, MCA ka nisur të punojë në një tjetër drejtim, atë marrjes së pronave të patundshme të debitorëve. Prokuroria konstaton se disa përmbarues kanë dhënë vulën me qira pranë shoqërisë MCA, ndërsa kjo e fundit ka kontraktuar ekspertë vlerësues për të ulur vlerën e pasurive.

    Prokuroria ka administruar dy shkresa të nisura guvernatorit Sejko nga ministri i Drejtësisë dhe Dhoma e Përmbaruesve Gjyqësorë Privatë për ta vënë në dijeni me çfarë po ndodhte, por Banka Qëndrore i ka trajtuar këto probleme si të natyrës juridike -civile dhe pse të njëjtat gjetje ishin konstatuar nga inspektimet e bëra nga vetë Banka e Shqipërisë, thotë prokuroria.

    “Konstatime për dyshime të veprimtarisë së paligjshme, Bankës së Shqipërisë i kanë shkuar dhe nga banka të nivelit të dytë, materiale që administrohen në këtë fshikull hetimor,“ thuhet në relacion.

    Prokuroria ka konstatuar dhe një numër përmbaruesish privatë që kanë shkelur rregullat dhe kanë bashkëpunuar me subjektin MCA, ndërsa ka konstatuar se veprimtaria e monitorimit të shërbimit përmbarimor nga Ministria e Drejtësisë nuk është disiplinuar. Sipas hetimit, nuk disponohen kopje të urdhrave të ekzekutimit, konfirmime për pagesën e tarifës si dhe nuk është ndërmarrë asnjë iniciativë për të bashkërenduar punën me organet tatimore.

    Shoqëria MCA i tha BIRN në përgjigjen me shkrim se gjatë 9 viteve të aktivitetit të saj nuk ka marrë në posedim asnjë pasuri apo send të paluajtshëm të debitorëve, por pretendoi se ishte përfshirë pa vullnetin e saj “në një luftë të brendshme brenda llojit“ mes përmbaruesve që e kishin dëmtuar atë.

    „..në çdo rast, debitorit nuk i tjetërsohen pasuritë e patundshme sepse asnjë debitor nuk është nxjerrë nga shtëpia e tij, por i ndalohet nëpërmjet vënies së sekuestros konservative që ta shesë dhe t'i shmanget shlyerjes së detyrimit,“ tha MCA.

    Pavarësisht falsifikimit të firmës dhe kallëzimit në Prokurori, njëri prej viktimave deklaroi në Prokurori se vazhdoi të përndiqej për vite me radhë për kredinë që nuk e kishte marrë asnjëherë.

    “Edhe sot që kanë kaluar 17 vjet nga koha e marrjes… nga përmbaruesi vijnë mesazhe në telefonin tim me tekst; Detyrimi juaj i kredisë ende nuk është shlyer,“ dëshmoi ai.

    Miliona euro në llogaritë e Ibros

    Prokuroria e Tiranës dyshon se pronarja e shoqërisë MCA është larguar jashtë Shqipërisë, por një pjesë e fitimeve të saj ndodhen në Shqipëri. Pas verifikimeve të kryera ka rezultuar se Elda Ibro zotëronte likujditete banke në vlerën e 1.1 milionë eurove dhe 224 milionë lekëve [2.2 miilion euro] në një bankë të nivelit të dytë. Në një bankë tjetër të nivelit të dytë, ajo zotëronte llogari me vlerë 60 milionë lekë, të cilat ia kishte kaluar pronarit të kompanive përmbarimore të angazhuar në mbledhjen e kredive të këqija.
    Sipas Prokurorisë së Tiranës, vlera të tilla janë shumë herë më të mëdha sesa dividenti prej 141.6 milionë lekësh [1.4 milion euro] që kjo shoqëri kishte shpërndarë si fitim. Nisur nga këto mospërputhje, hetuesit e Tiranës thonë se i kanë kërkuar Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve që të kryejnë një kontroll të thelluar për shoqërinë MCA – në mënyrë që të kenë mundësi që të bëjnë një analizë mes të ardhurave dhe shpenzimeve të saj.

    BIRN

  2. #2
    Shpirt Shqiptari Maska e Albo
    Anëtarësuar
    16-04-2002
    Vendndodhja
    Philadelphia
    Postime
    30,760
    Postimet në Bllog
    18

    Për: Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko, nën hetim nga SPAK për mashtrime me kreditë

    Sejko i shmanget përgjegjësisë për skemën e mashtrimit me mikrokreditë

    Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko, pretendoi të martën se kishte marrë të gjitha masat që i lejonte ligji në rastin e shoqërisë financiare MCA - të përfshirë në një skemë të dyshuar të mashtrimit ndaj mijëra qytetarëve, ndërsa prokuroria po e heton për “shpërdorim detyre”, pasi dyshohet se mori masa të vonuara dhe të papërshtatshme.

    Nga Blerina Gjoka

    Emri:  PHOTO-2024-05-21-15-03-08.jpg

Shikime: 1

Madhësia:  33.1 KB
    Guvernatori Gent Sejko në Kuvend | Foto: LSA

    Guvernatori Gent Sejko u thirr në një seancë dëgjimore në Komisionin parlamentar për Ekonominë dhe Financat me kërkesë të deputetëve të opozitës, ku mohoi përgjegjësitë e tij për skandalin e mikrokredive.

    Një hetim administrativ i kryer nga Ministria e Drejtësisë në vitin 2020, zbuloi se rreth 17 mijë individë ishin dëmtuar me penalitete të padrejta, sekuestrim pronash si dhe shkelje të procedurave përmbarimore dhe se në skemën e mbledhjes së detyrimeve ishte përfshirë shoqëria ‘Micro Credit Albania' si dhe një grup zyrash private të përmbarimit, noterë dhe shoqëri të tjera të lidhura me të.

    Ndërkohë, një hetim i kryer nga Prokuroria e Tiranës vlerësoi se përgjegjësitë mund të shtrihen deri te Banka e Shqipërisë dhe guvernatori i saj për masa të vonuara ose të papërshtatshme për të frenuar këtë skemë.

    Sejko iu referua disa herë Ministrisë së Drejtësisë dhe sistemit të përmbarimit apo gjykatave, si aktorë të përfshirë në procesin e mbledhjes së detyrimeve për kreditë e këqija, madje edhe prokurorisë se nuk i kishte informacion për dyshimet për “mashtrimin financiar”.

    Guvernatori pretendoi se kishte marrë masa të njëpasnjëshme me synim mbrojtjen e konsumatorit që nga konstatimi i problematikës, por se ajo që po ndodhte me klientët ishte jashtë kompetencave të tij.

    Sipas tij, BSH kishte bërë ekspertizën dhe kishte konstatuar probleme me risk të lartë tek shoqëria Micro Credit Albania (MCA) në vitin 2020, dhe ishin marrë masa rregullatore, si detyrimi i penaliteteve të mos ishte më i madh se 30 për qind e shumës së marrë si kredi.

    Por, ai pranoi MCA nuk i kishte zbatuar masat e lëna dhe BSH dy vite më pas kishte vendosur pezullimin e liçencës.

    “Mos më kërkoni mua llogari për përmbarimin e gjyqësorin”, tha ai, duke shtuar se klientët janë cenuar nga procedurat përmbarimore.

    Sejko tha se masat e tij kishin qenë rregullatore, madje dhe ekstraligjore, siç ishte rasti i masës për kufizimin e penalitetit me 30%, për të cilën iu kërkoi deputetëve që ta sanksiononin në ligj.

    I pyetur se pse nuk kishte ndërmarrë menjëherë masën e revokimit të liçencës, ai tha se “niveli i 4 i rriskut nuk nënkupton revokim të menjëhershëm të liçencës, por plan masash” dhe se kjo gjë do të dëmtonte konsumatorin.

    “Ne vendosëm pezullim të liçencës dhe të mos blinte portofole të reja dhe vumë re që kishte devijanca”, tha Sejko, ndërsa shtoi se kjo masë u mor që të mos i linin klientët në “dorën e përmbaruesve”.

    “Problemi nuk shuhej me revokim të liçencës”, sugjeroi ai.

    Sejko pranoi se situata po ekzaminohet dhe në shoqërinë “Final”, e cila sipas tij duket se ka të njëjtën problematikë, por edhe në këtë shoqëri ashtu si në rastin e MCA klientët ishin tashmë në fazën përmbarimore.

    Ndërsa deputetët e mazhorancës bënë pyetje për të adresuar zgjidhjet ligjore ose për të kuptuar problematikën, deputetë nga opozita e vunë Sejkon përballë akuzave për moskryerjen e detyrës së tij për menaxhimin e situatës.

    Deputeti Agron Shehaj e akuzoi Sejkon se kishte lejuar MCA të vepronte në paligjshmëri duke bërë që të krijoheshin kushtet për një mashtrim financiar në nivele të larta.

    “Në të njëjtin subjekt ju keni përqendruar veprimtarinë e mikrokredisë, blerjen e kredive të këqija, dhe aty pastaj kanë futur dhe përmbaruesin dhe kjo ka krijuar kushtet që të ndodhë ky mashtrim financiar që ka kapur peng 100 mijë qytetarë shqiptarë sot”, iu drejtua ai Sejkos.

    Shehaj e pyeti guvernatorin se pse ai nuk revokoi liçencën menjëherë pasi inspektorët e tij konstatuan se MCA ishte me rrezikshmëri maksimale dhe se aty po kryhej një mashtrim financiar. “Ju e latë edhe 4 vjet që ky aktivitet kriminal të vijonte”, akuzoi ai.

    Por guvernatori i quajti opinione pyetjet e deputetit dhe tha se ai kishte zbatuar të gjitha detyrimet e tij ligjore dhe rregullative.

    “Mashtrim financiar nuk e them dot unë, e thotë prokuroria dhe unë pres të ma thotë prokuroria”, duke iu referuar një shkrese të 2022 me të cilën ai tha se ka kërkuar informacion nga organi hetimor.

    “Kam marrë përgjigje se nuk ka pasur hetim financiar, megjithatë banka ka ndërmarrë masat e saj”, tha ai.

    Në sqarimet e tij Sejko tha se MCA kishte blerë këto kredi të këqija edhe pse nuk kishte liçensë për këtë gjë që në fillim.

    Sipas tij kjo nuk ishte antiligjore.

    “Ishin në treg dhe vepronin në bazë të kodit civil,” tha ai. “Ne rregulluam tregun për ta quajtur produkt kredie që ta kishim brenda regjistrit të kredive”, shtoi Sejko.

    Guvernatori iu referua një shifre 63 mijë për klientët aktualë që janë me kredi të këqija, ndërsa në rastin e MCA ai tha se janë 16 mijë, 90 për qind e të cilëve kanë marrë një vendim gjykate ose janë në proces përmbarimor.

    BIRN

  3. #3
    Shpirt Shqiptari Maska e Albo
    Anëtarësuar
    16-04-2002
    Vendndodhja
    Philadelphia
    Postime
    30,760
    Postimet në Bllog
    18

    Për: Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko, nën hetim nga SPAK për mashtrime me kreditë

    Sejko në Kuvend: Problemet me mbledhjen e kredive të këqija kërkojnë ndryshime ligjore

    Emri:  SEJKO.jpg

Shikime: 1

Madhësia:  39.8 KB

    Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko, ishte sot në një seancë dëgjimore në Komisionin Kuvendor të Ekonomisë dhe Financave mbi subjektet financiare jobanka që blejnë kredi me probleme.

    Guvernatori Sejko sqaroi se, me ndryshimet rregullative të marsit 2016, blerja e kredisë u konsiderua një formë kredidhënieje. Përmes licencimit, aktiviteti i shitblerjes së kredive, i mbështetur në nenet e sipërpërmendura të Kodit Civil, rregullohet dhe kontrollohet nga Banka e Shqipërisë, duke iu nënshtruar të gjitha detyrimeve mbikëqyrëse, përfshirë: raportimin në Regjistrin e Kredive, raportimet periodike, administrimin e rrezikut nëpërmjet inspektimeve në vend, analizave nga jashtë dhe mbikëqyrjes së vazhdueshme.

    Sipas Bankës së Shqipërisë, aktualisht janë 5 subjekte, të cilët krahas aktivitetit kredidhënës kryejnë paralelisht edhe aktivitetin e blerjes se portofoleve të kredive me probleme.

    “Marrëdhëniet e mëtejshme tregtare midis bankave dhe këtyre institucioneve, në lidhje me shitblerjen e portofolit të kredive me probleme, nuk janë kompetencë e Bankës së Shqipërisë. Ato rregullohen përmes kontratave të lidhura midis palëve nga Kodi Civil. Në vitet që vijuan, zgjerimi i këtij sektori u shoqërua edhe me përmirësimin e mëtejshëm të kuadrit ligjor e rregullativ. U miratuan kërkesa të reja dhe të përmirësuara për procesin e licencimit dhe provigjionimit të kredive të blera, mbrojtjen e konsumatorit dhe etikën në dhënien e administrimin e kredive në sistem,” tha Sejko.

    Konkretisht, Banka e Shqipërisë kufizoi penalitetet që i ngarkohen kredimarrësit të kredisë konsumatore në masën 30% të shumës së detyrimit të papaguar. Kjo erdhi si domosdoshmëri, në kushtet kur penalitetet e akumuluara për kreditë me probleme mund të kalojnë disa herë principalin e kredisë. Gjithashtu, u kufizuan normat e interesit të kredisë konsumatore, përmes adoptimit të konceptit të “NEI-t maksimal”, si një kufi i sipërm për normat efektive të interesit. Ky ndryshim synon forcimin e mbrojtjes së konsumatorit ndaj kostove të larta të kredisë, të shpërndara në interesa, komisione e tarifa.

    Po ashtu, me qëllim sigurimin e transparencës dhe mbrojtjen e klientit, janë përditësuar:

    Rregullorja nr. 59, datë 29.08.2008 “Mbi transparencën për produktet dhe shërbimet bankare e financiare”, e cila përcakton kërkesat mbi mënyrën dhe formën e dhënies së informacionit për klientët mbi produktet dhe shërbimet bankare e financiare të ofruara nga subjektet e kësaj rregullore;

    Rregullorja nr. 48, datë 01.07.2015 “Për kredinë konsumatorë dhe kredinë hipotekare”;

    Aktualisht, pas vendosjes së këtyre kufizimeve, niveli mesatar i normës efektive të interesit që aplikohet nga institucionet financiare jobanka (ku përfshihet interesi, komisionet dhe çdo lloj tarife tjetër që aplikohet për kredinë konsumatore), është zvogëluar me 3 herë, krahasimisht me periudhën përpara hyrjes në fuqi të tyre. Ndërkohë, theksojmë që sipas formulës së implementuar, tendenca do të vazhdojë të jetë gjithmonë në zbritje.

    Sipas Guvernatorit, prej momentit të licencimit, të gjitha këto subjekte u janë nënshtruar në mënyrë të rregullt inspektimeve të vazhdueshme të Bankës së Shqipërisë, nga jashtë dhe në vend, ekzaminimeve të plota e të pjesshme, si dhe monitorimit 3-mujor të pasqyrave dhe treguesve financiarë.

    “Objekt i mbikëqyrjes është çdo aspekt i veprimtarisë së subjekteve që përfshihet brenda tagreve ligjore dhe kompetencave të Bankës së Shqipërisë, të cilat ushtrohen rregullisht kundrejt çdo subjekti financiar të mbikëqyrur prej saj, bankë dhe jobankë. Konkretisht, subjekti MCA u është nënshtruar, në mënyrë të rregullt, të gjitha inspektimeve të mësipërme nga Banka e Shqipërisë. Për adresimin e mangësive të evidentuara, subjektit iu lanë një numër rekomandimesh për ndjekje. Në vitin 2022, pas konstatimit se rekomandimet nuk ishin zbatuar dhe problematikat nuk ishin adresuar në mënyrë të mjaftueshme, Banka e Shqipërisë përshkallëzoi masat ndaj këtij subjekti duke pezulluar ushtrimin e veprimtarisë së kredidhënies (përfshirë edhe blerjen e kredive të reja), për të cilën ishte licencuar. Në ekzaminimin e fundit (dhjetor 2023), Banka e Shqipërisë mori një masë më të rëndë, e cila ndonëse e klasifikuar si pezullim, e vendoste MCA-në në kushtet e një “revokimi faktik” të licencës. Kështu, MCA-së iu ndalua të ushtronte veprimtaritë për të cilat ishte licencuar, duke iu lejuar vetëm shitja e portofolit që administronte tek subjekte të licencuara dhe të mbikëqyrura nga Banka e Shqipërisë, si dhe reflektimi i menjëhershëm në ulje të detyrimit, i çdo pagese të kryer nga ana e klientit,” tha ai.

    Sipas tij, pezullimi dhe revokimi i licencës janë masat administrative më të rënda që mund të marrë Banka e Shqipërisë kur konstaton shkelje gjatë ushtrimit të funksionit mbikëqyrës. Pezullimi kufizon veprimtaritë financiare që mund të kryejë subjekti i licencuar, deri në ndreqjen e shkeljeve, apo plotësimin e rekomandimeve. Ndërsa revokimi i ndalon përfundimisht subjektit kryerjen e veprimtarive për të cilat është licencuar.

    “Revokimi i licencës është masa e fundit për një subjekt, pasi kjo masë e nxjerr automatikisht subjektin jashtë juridiksionit mbikëqyrës së Bankës së Shqipërisë, duke e rënduar pozicionin e kredimarrësve të tij për disa arsye: Së pari, revokimi nuk i çliron kredimarrësit nga shlyerja e detyrimit të tyre; këto detyrime përbëjnë tituj ekzekutivë dhe, si të tillë, janë objekt i procedurave të ekzekutimit të detyrueshëm nga shërbimi përmbarimor gjyqësor, edhe pasi licensa është revokuar. Së dyti, revokimi i licencës ia bën të pamundur Bankës së Shqipërisë trajtimin e ankesave të klientëve ndaj subjekteve, të cilat nuk mbikëqyren më dhe ndaj nuk kanë më detyrim për raportim. Së treti, revokimi ndërpret çdo raportim të këtyre kompanive në Regjistrin e Kredive dhe çdo komunikim të tij me Bankën e Shqipërisë. Edhe në rast të shlyerjes së plotë të detyrimit kundrejt subjektit, statusi i kredimarrësve do të mbetej i papërditësuar në Regjistrin e Kredive, duke i vendosur ata padrejtesisht në një status penalizues. Së fundmi, revokimi i licencës krijon pritshmëri të gabuar te kredimarrësit se përmes pushimit të veprimtarisë kredidhënëse të subjektit, shuhet detyrimi për shlyerjen e kredisë. Kredimarrësit mund të perceptojnë që mospagimi i detyrimeve ekziston si opsion, gjë e cila sjell rritjen e kredive me probleme në sistemin bankar, dhe rivendos në rrezik kursimet e qytetarëve, e rrjedhimisht, stabilitetin financiar të vendit,” tha Guvernatori.

    Sipas tij, për të gjitha këto arsye, pezullimi i licencës dhe përcaktimi i një afati për shitjen e portofolit tek çdo subjekt tjetër i licencuar, ka për qëllim mbrojtjen e kredimarrësve nga praktikat abuzive dhe problematikat e përmendura më sipër.

    Guvernatori tha se kompania MCA ka në portofolin e saj 15.942 klientë kredimarrës. Nga këta, rreth 90 % kanë marrë një vendim gjykate dhe/ose janë në proçes përmbarimor. Kjo do të thotë që për 90% të rasteve ka një vendim gjykate që përcakton vlerën e detyrimit të kredimarrësit. Në total MCA ka blerë portofole me një vlerë prej 9.6 miliardë lekë, nga të cilat është rekuperuar rreth 10% e tij.

    Që nga momenti i licencimit, deri më sot (2016-2024), në Bankën e Shqipërisë janë depozituar dhe janë trajtuar rreth 85 ankesa ndaj këtij subjekti. Këto ankesa, kanë marrë nje vëmendje maksimale nga Banka e Shqipërisë dhe janë trajtuar papërjashtimisht të gjitha, në përputhje dhe respektim të plotë të kuadrit ligjor dhe rregullator të institucionit.

    “Peshën më të madhe brenda këtyre ankimimeve e zënë ato që lidhen me procesin e ekzekutimit të detyrueshëm nga shërbimi përmbarimor. Ky proces përbën një shqetësim edhe për menaxhimin operacional të bankave për shkak të numrit tejet të lartë të urdhrave të sekuestrove që depozitohen çdo ditë nga shërbimi përmbarimor dhe që detyrojnë bllokimin e llogarive të debitorëve në afate të paarsyetuara.

    Mandati i Bankës së Shqipërisë është i përcaktuar qartësisht në ligjin e saj organik i cili, në objektiv të mbrojtjes së stabilitetit financiar të vendit, e sanksionon Bankën e Shqipërise të rregullojë, licencojë dhe mbikëqyrë subjektet pjesë të tregut financiar, vetëm brenda tagrave që i njeh ky ligj.

    Veprimtaria e shërbimit përmbarimor gjyqësor nuk licencohet apo mbikëqyret nga Banka e Shqipërisë. Kuadri ligjor nuk i jep Bankës së Shqipërisë kompetencën të urdhërojë ndalimin/pezullimin e proceseve të ekzekutimit të detyrimeve dhe as të monitoroje barrën financiare që krijon ky shërbim mbi qytetarët. Kjo është një kompetencë që ligji ia njeh vetëm gjykatës. Për rrjedhojë, veprimtaria e shërbimit përmbarimor gjyqësor nuk është objekt kontrolli nga Banka e Shqipërisë.

    Në këtë pikë, theksojmë se autoriteti ligjor i Bankës së Shqipërisë përfundon në momentin që gjykata lëshon urdhrin e ekzekutimit për të rikuperuar kredinë e pashlyer. Çdo proces përtej këtij momenti (ankandet, vendosja e sekuestrove apo çdo veprim tjetër procedural i ndërmarrë nga shoqëria përmbarimore) është jashtë kompetencave ligjore të Bankës së Shqipërisë dhe nuk mund të ndiqet apo të rregullohet prej saj. Banka e Shqiperise nuk mund të ndërhyjë as në marrëdhëniet që MCA ka me subjektet që kontrakton, siç është rasti i shërbimit përmbarimor gjyqësor,” theksoi Guvernatori.

    Sipas pashikimeve të Kodit Civil, të gjitha marrëdhëniet kontraktuale lidhen me vullnet të lirë midis palëve dhe për mosmarrëveshjet që mund të lindin gjatë ekzekutimit të detyrimeve kontraktore, juridiksionin për zgjidhen e tyre e kanë vetëm organet gjyqësore.

    Po ashtu, neni 36 i Kodit të Procedurës Civile, parashikon se asnjë institucion tjetër nuk mund të marrë në shqyrtim një mosmarrëveshje civile, e cila është duke u gjykuar nga gjykata.

    Sipas tij, Banka e Shqipërisë, në vazhdimësi, ka sugjeruar aksione të bashkërenduara për një përmirësim të qenësishëm të të gjithë këtij procesi. Por, nga vetë natyra e tyre, këto aksione kërkojnë përfshirjen edhe të palëve të tjera.

    “Konkretisht, ne gjykojmë se është e nevojshme të bëhen ndryshime në:

    Kodin e Procedurës Civile për rregullimin e të gjitha veprimeve me karakter procedural të përmbaruesve gjyqësorë gjatë ekzekutimit të titujve ekzekutivë;

    Hartimin, në bashkëpunim me Bankën Botërore, të një Ligji të posaçëm për mbrojtjen e konsumatorit në veprimtarinë e subjekteve financiare jobanka;

    Përkthimin në ligje të ndryshimeve rregullative të ndërmarra nga Banka e Shqipërisë, mbi vendosjen e tavaneve për penalitetet dhe normat e interesit;

    Shndërrimin e të gjitha subjekteve financiare jobanka në shoqëri aksionare, me qëllim rritjen e kontrollit të brendshëm dhe organizimin e drejtimit me 2 nivele;

    Regjistrimin kontabël vetëm të principalit dhe interesit në rastin e blerjes së portofoleve, të paktën deri në përcaktimin e tavaneve ligjore për normat e intereresit,” tha Guvernatori.

    Revista Monitor

Tema të Ngjashme

  1. Përgjigje: 3
    Postimi i Fundit: 13-05-2021, 13:05
  2. Guvernatori i Bankes Shqiptare duhet te sqaroje ç'u be me arin shqiptare.
    Nga Duke_Of_Arberia në forumin Problematika shqiptare
    Përgjigje: 10
    Postimi i Fundit: 28-05-2016, 16:32
  3. Ish-guvernatori i Bankës së Shqipërisë Fullani shpallet i pafajshëm
    Nga Albo në forumin Tema e shtypit të ditës
    Përgjigje: 2
    Postimi i Fundit: 26-01-2016, 17:38
  4. A duhet te japi doreheqjen Guvernatori i Bankes se Shqiperise?
    Nga Albo në forumin Votime dhe sondazhe
    Përgjigje: 53
    Postimi i Fundit: 27-09-2014, 03:19
  5. Bedri Hamza, Guvernatori i ri i Bankës Qëndrore të Kosovës
    Nga Albo në forumin Tema e shtypit të ditës
    Përgjigje: 1
    Postimi i Fundit: 14-03-2013, 13:46

Fjalët Kyçe për Temën

Regullat e Postimit

  • Ju nuk mund të hapni tema të reja.
  • Ju nuk mund të postoni në tema.
  • Ju nuk mund të bashkëngjitni skedarë.
  • Ju nuk mund të ndryshoni postimet tuaja.
  •