Filmi “Rrugës” i regjisorit kosovar Samir Karahoda, në Festivalin e Kanës
Filmi “Rrugës” i regjisorit nga Kosova, Samir Karahoda, ka arritur të bëhet pjesë e përzgjedhjes zyrtare të Festivalit të Filmit në Kanë. Kjo është hera e dytë që regjisori Samir Karahoda arrin të marrë pjesë në këtë festival, nga më të rëndësishmit e kinematografisë botërore.
Pas pjesëmarrjes në vitin 2021 me filmin “Pa Vend”, ai këtë vit merr pjesë me filmin e ri “Rrugës”, në seksionin e filmit me metrazh të shkurtër, duke u bërë regjisori i parë nga Kosova që ka shfaqur dy filma të ndryshëm në Kanë.
Filmi “Rrugës” është shkruar nga Samiri dhe djali i tij, Mironi, bazuar në një bisedë që të dy kanë zhvilluar në automjet, përgjatë rrugës për në aeroport. Mironi së bashku me Ylber Mehmetin, luajnë dy rolet e vetme në film. Montazhi i filmit është realizuar prej Enis Saraçit.
“Rrugës” është mbështetur nga Qendra Kinematografike e Kosovës, Televizioni Kulturor Europian “ARTE” dhe Televizioni Finlandez “Yle”.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, uroi ekipin realizues të kenë sa shumë suksese në konkurimin e këtij viti. Kryeministri Kurti, në një mesazh në rrjetet sociale, shkroi se ai vetë kishte qenë i pranishëm në studion e montazhit, në muajin shkurt.
Këtë vit Festivali i Kanës do të ketë edicionin e tij të 77-të.
Balkanweb
Krijoni Kontakt