Lekë Tasi sot 95 vjeç, Autoriteti i Dosjeve propozon titull nderi për rezistencën dhe dinjitetin njerëzor
Autoriteti për Informimin mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit ka vendosur t’i propozojë Bashkisë së Lushnjës, dhënien e titullit të nderit, Lekë Tasit, për rezistencën dhe dinjitetin njerëzor të treguar gjatë përndjekjes politike dhe aktivitetit të tij në dokumentimin e së shkuarës.
“Kjo në respekt të një bashkësie që kërkon paqësisht të përballet me të kaluarën dhe si përgjegjësi e shoqërisë së sotme për nderimin e personaliteteve njerëzore, në kuadër të rezolutës nr. 11 “Për dënimin e krimeve të kryera nga regjimi komunist në Shqipëri”, miratuar nga Kuvendi më 30.10.2006, dhe rezolutave të miratuara nga Këshilli i Evropës e Komisioni Europian. Askush nuk mund të kthehet pas në kohë, për të vënë në vend padrejtësitë e atij sistemi, por ne kemi një mision shumë të rëndësishëm: t’i analizojmë me objektivitet dhe paanshmëri dëshmitë dhe faktet e së shkuarës, në mënyrë që të mos e lejojmë veten dhe shoqërinë që të bëjë sërish të njëjtat gabime. Ruajtja e kujtesës, nëpërmjet dekorimit sa janë ende gjallë, të personave të cilët pavarësisht vuajtjeve, kanë dhënë një kontribut të pashembullt, është në përputhje të plotë me qëllimin e këtij misioni”, thuhet në njoftim.
Lekë Tasi u lind më 15 prill 1929. Punoi violonçelist i parë në Orkestrën e Radios dhe të Teatrit të Operës ku u pushua për motive politike në vitin 1967. I ati Koço Tasi, avokat me profesion, i njohur në vitet ’20, kishte qenë Anëtar i Parlamentit të Parë Shqiptar pas Kongresit të Lushnjës. Pas Revolucionit të qershorit, emigroi për 17 vjet në Greqi. Arrestohet dhe dënohet në gjyqin special në vitin 1945. Xhaxhai Akile Tasi, me karrierë të ngjeshur politike në kohën e luftës, me profesion gazetar, vdiq në burgjet e diktaturës.
Leka u dërgua me punë të detyruar, pak më vonë u internua familjarisht në Grabjan të Lushnjes, 1975-1990. Jetën e kësaj periudhe e ka rrëfyer në librin autobiografik “Grabjani rrëzë kodrave”, Tiranë, 2009, një burim parësor informacioni për brezat e ardhshëm mbi jetën e të internuarve.
Aktiviteti i tij kryesor është piktura. Megjithëse autodidakt, ka punuar seriozisht qysh herët duke kopjuar sipas natyrës dhe duke mësuar nga mjeshtrit e mëdhenj. Pas internimit, në Tiranë më 1990, ai rifillon të pikturojë dhe ka ekspozuar në vitet 1992, 2003, 2007, në Galerinë Kombëtare të Arteve etj.
Vijon edhe sot veprimtarinë aktive për dokumentimin e krimeve dhe pasojave të diktaturës si dhe punon për integrimin shoqëror të njerëzve të goditur në mënyra të ndryshme nga sistemi diktatorial.
Balkanweb
Krijoni Kontakt