Close
Duke shfaqur rezultatin -19 deri 0 prej 2
  1. #1
    Shpirt Shqiptari Maska e Albo
    Anëtarësuar
    16-04-2002
    Vendndodhja
    Philadelphia
    Postime
    30,648
    Postimet në Bllog
    18

    Gjyqi ndaj At Gjergj Fishtës në Konferencën e Tretë të Lidhjes së Shkrimtarëve në vitin 1949

    “Gjyqi” që ju bë At Gjergj Fishtës, në Konferencën e Tretë të Lidhjes së Shkrimtarëve në vitin 1949?

    Emri:  fishta.jpg

Shikime: 88

Madhësia:  28.3 KB

    Nga Albert Vataj

    Një dosje e këtij viti ruajtur në AQSh me materiale mbi përgatitjen e kësaj Konference përmbledh një mori dokumentesh ku dëshmohet se si po zyrtarizohej nga viti në vit ‘historia e re’ e letërsisë shqipe.

    Ndër tezat që po përgatiteshin të diskutoheshin në Konferencën e III-të të Lidhjes parashtrohet dhe kjo analizë mbi veprën dhe aktivitetin e At Gjergj Fishtës, pa autor në fund, ku argumentohet paragraf pas paragrafi se pse ky autor duhej zhdukur njëherë e mirë nga historia e letërsisë shqipe dhe cila ishte fryma “armiqësore” në veprat e tij.

    “Gjuha që përdor Fishta është gegërishtja më e egër dhe më e zorshmja për t’u kuptuar. Një gegërishte më e egër s’është shkruar që nga Lidhja e Prizrenit e këtej. Ai me këtë kërkon të luftojë fanatikisht tendencën që kishte marrë gegërishtja t’i afrohet toskërishtes në kohën e Rilindjes, me Vaso Pashën, Filip Shirokën e më vonë me Luigj Gurakuqin…” Kështu shkruhet në një paragraf të kësaj analize, duke përfunduar pak më poshtë me një varg konkluzionesh mbi pikat, se ku dhe pse duhej dënuar ky autor që nuk i shkonte për shtat regjimit të ri komunist që po instalohej në Shqipëri.

    Emri:  Fishta-gjate-punes-1-750x375-1.jpg

Shikime: 84

Madhësia:  47.0 KB

    Pjesë nga tezat e Konferencës së Tretë të Lidhjes së Shkrimtarëve

    Mrizi i Zanave

    – Fishta vijën e tij politike, përmbajtjen poetike, nuk e ndryshon as në vjershat e tij lirike, dhe as që mund ta ndryshonte. Edhe këtu ai u ngre himne feudalizmit dhe imperializmit; edhe këtu ai vjell vrer kundër popujve fqinj, sidomos kundër sllavëve; edhe këtu ai do t’i ngrejë himne “Mbretit”.

    Lirikat e Mrizit të Zanave janë në përgjithësi një jehonë e “Lahutës”. Gjenden këtu edhe disa lirika me subjekt jo politik, si “Burrnija”, “Dita e Gjyqit”, “Nji lule vjeshtet”. Në subjekte të tilla Fishta zakonisht bie në retorikë, në reklamacion, në reminishenca dhe imitacione të thata. Fishta ndjen dhe këndon vetëm ashtu siç është edukuar; ndjen e këndon gjëra të klasës dhe të klikave që e kanë rritur, që e kanë mësuar dhe e kanë madhëruar me dekoratat e titujt “Poet Kombëtar”, “Akademik” etj. si poet lirik Fishtën përgjithësisht nuk e kishte pranuar as kritika zyrtare e së shkuarës; kjo do të thotë se lirika e tij klasës sunduese nuk i kishte sjellë shërbime aq të mëdha siç kishte bërë “Lahuta”. Aq më pak prandaj do ta pranojmë ne sot Fishtën si poet lirik, kurse lirizmi i tij ose është një jehonë helmuese e “Lahutës”, ose është retorik dhe imitacion i thatë i poetëve të huaj.

    Këtë mund ta shohim qartë në lirikën e tij “Nji lule vjeshte” ku Fishta ka imituar njëkohësisht Leopardin, Horacin, Manzonin, Montin dhe Foscolo. Bile në disa vargje ai edhe i ka përkthyer fjalë për fjalë këta poetë. Gjithashtu në lirikat “Burrnija” dhe “Dita e Gjygjit” ai me një retorikë bombastike është përpjekur të imitojë madhështinë universale të koncepteve artistike të Michel Angelo-s, por krijimi personal i tij nuk shihet në to.

    Anzat e parnasit dhe Gomari i babatasit

    – Në këto dy vepra përmblidhet satira e Fishtës. Është thënë shumë herë, e ndonjëherë edhe në kohën tonë revolucionare, se Fishta si poet satirik është një poet me vlerë dhe si i tillë do të mbetet. Kjo ide është shumë e gabuar. Në Fishtën ka kontradikta, këtë askush nuk e mohon as që mund ta mohojë, sepse vetë vija politika që ai ndjek në zgjedhjen e temave dhe në trajtimin e tyre, është plot me kontradikta.

    Ajo është vija politike e imperializmit dhe e klasave sunduese në procesin historik të vendit tonë. Dhe dialektika ne na mëson se imperializmi dhe klasat sunduese jetojnë si parazitë mbi kontradiktat. Kontradiktat zhduken në sistemin shoqëror ekonomik dhe politik veç me zhdukjen e klasave, e për konsekuencë edhe në art vetëm atëherë do të mund të zhduken këto kontradikta.

    Mbi sistemin e kontradiktave më të çuditshme ishte rritur, rronte dhe këndonte Fishta. Është një çudi pra në qoftë se e shohim Fishtën në disa momente të ngrihet dhe të satirizojë Turqinë, Italinë, Anglinë ose ndonjë tjetër shtet imperialist. Ai këto shtete të tjera herë edhe i ka lëvduar. Kështu ai vepronte sipas momentit, sipas situatës politike, sipas interesave të klasës sunduese për të cilën këndonte. Kështu p.sh. të mos çuditemi aspak kur Fishta në poemën heroike-komike “Palok Cuca” vërsulet kundër Italisë dhe shtëpisë Savoia, sepse po ai Fishtë shtëpisë Savoia më 1940 do t’i urojë fitore glorioze në telegramin që i drejton Viktor Emanuelit me rastin e 40-vjetorit të mbretërimit të tij.

    Asnjë çudi në qoftë se shohim Fishtën të ngrihet dhe të kritikojë qeverinë e Tiranës në “Gomarin e Babatasit”. Ai këtë bënte në një moment kur Zogu dhe klika e tij po mendoheshin dhe s’po vendosnin dot se cilit imperializëm t’i shiteshin, kurse një klikë tjetër tradhtare, ku bënte pjesë edhe Fishta kishte vendosur që Shqipëria t’i shitej Italisë dhe donte që hapi i parë të fillonte pikërisht aty ku është baza e independencës së një shteti të pavarur, d.m.th. në ekonomi. Ja se ç’thotë Fishta në “Gomarin e Babatasit”:

    “Vall, traktatit të tregtis

    N’mjest’Shqypnis – edhé Italis,

    Qi tash ma se nji motmot

    Kjé ba gati, pse dér m’sot

    Qeverija s’i vu’ dorë,

    Por la fushë edhé malcorë

    Me u tha ujet t’ngatët e shpija,

    Ke s’u ban pare baktija?…”

    (Gomari i Babatasit…, f. 45)

    Natyrisht për realizimin e politikës së shitjes së vendit te të huajt duhej vajtur edhe më tutje, duheshin sjellë të huaj që në fillim të ekzistencës së shtetit të ri për t’u futur kudo në administratë, për t’i përgatitur terrenin okupacionit. Ja këshillën që i jep Fishta shtetit të ri shqiptar me satirën tij:

    “Për me siellë punët t’ona mbarë,

    Ktu duen siellë njerz dijetarë

    Prej Europet: profesorë

    Edhe eksperta: e ktyne n’dorë

    Me jau lshue administratën…”

    (Gomari i Babatasit…, f. 55)

    Klasës sunduese dhe klikave tradhtare, poeti i të cilave është Fishta, pas Luftës së Parë Botërore kishte mbetur vetëm një padron me të cilin punët u ujdisnin mirë: Italia imperialiste. Dhe Zogu, përfaqësuesi i kësaj tradhtie të re, nga më të mëdhatë e më të poshtrat që u bënë ndonjëherë në kurriz të popullit shqiptar, ia mbaroi Fishtës që të dyja këto amanete: i dha koncesione ekonomike Italisë, dhe aparatin e shtetit e mbushi me të ashtuquajturit këshilltarë italianë të cilët në bashkëpunim me agjentë të brendshëm si Fishta me shokë i përgatiti popullit shqiptar ditën e zezë të 7 prillit 1939. Pasi Zogu i bëri këto Fishta s’e kritikoi më as atë as xhelatët e tij; për më tepër bile u bë mik i ngushtë i tij, shkroi artikuj lavdërimi për monarkinë e tij, dhe në pallatin e tij hyri e doli si në shtëpinë e vet.

    Ja ku qëndron e ashtuquajtura vlerë e kritikës politike që bën satira e Fishtës: kritiko sot atë që s’të vete pas interesit për t’u bërë mik i ngushtë nesër me të në rast se interesat bashkohen. Ja morali, ja parimet mbi të cilat mbështetet edhe satira e Fishtës.

    Do të ishte gabim i madh sikur ndokush të donte të pranojë satirën e Fishtës sot si një gjë pozitive: ata që duan të bëjnë një gjë të tillë Fishtën ose nuk e kanë studiuar thellë dhe flasin kështu sipërfaqësisht mbi të, ose e bëjnë këtë gjë me qëllim për t’i lënë kështu Fishtës edhe sot ndonjë qoshe të lirë në literaturën tonë. Fishta ka qenë konsekuent kudo e kurdoherë në prodhimin e tij letrar me vijën politike e ideologjike që ka ndjekur klasa sunduese e vendit tonë për të cilën ai ka kënduar. Përmbajtja e veprave të tij që nga pjesa e parë e “Lahutës” që u botua më 1905 e gjer në fund të jetës së tij përfaqëson aktivitetin tradhtar të politikës së kësaj klase, me të gjitha lodrat, kapërcimet dhe zigzaget e saj.

    Satira shoqërore e Fishtës merret me vese bujarësh të rënë nga gjendja, me vese grash e të tjera punë boshe, dhe është trajtuar në mënyrë që s’lë ndonjë gjurmë kritike konstruktive për shoqërinë.

    Arti, stili dhe gjuha

    – Natyrisht arti i Fishtës është lidhur ngushtësisht me përmbajtjen e veprave të tij. Prozopopeja, hiperbola, metafora dhe deklamacioni i fjalëve bombastike të shurdhojnë veshët në gjithë poezinë e tij. Natyrisht ai detyrohet të veprojë kështu, pse nën këto ai do të mbulojë figurat e tij jo reale, situacionet fantastike të ngjarjeve, shproporcionet e heronjve të tij antihistorikë. Fishta nuk mund të ishte i natyrshëm, realist në artin e tij. as lënda që ai trajtonte, as shkolla ideologjike dhe estetike ku ai kishte mësuar s’ia lejonin një gjë të tillë.

    Lënda që ai trajtonte është një gënjeshtër e madhe. Me këtë ai do t’ua arrijë qëllimeve që janë në kundërshtim me të vërtetën, dhe prandaj arti dhe stili i tij detyrohen të bëjnë përpjekje për të gjetur ekspresionin e tyre jashtë natyrës: Kështu patjetër arti i tij në përshtatje të plotë me përmbajtjen, karshi realitetit të gjërave dhe të historisë njerëzore, ta sublimojë në trajta mbinjerëzore, bie në komicitet; karshi armikut që ai kërkon ta gjejë atje ku s’ekziston, dhe ta luftojë me fanatizëm prej kleriku inkuizitor, bie në monstruozitet. E tërë “Lahuta” e tij është ekzekutuar me një art dhe me një stil të tillë.

    Dhe kjo për Fishtën kishte konsekuencë: bazat e artit, ideologjia, ndjenja dhe fantazia e tij ishin edukuar dhe ushqyer shtrembër në gjithë jetën e tij; domosdo shtrembër do të dilte edhe veshja e tyre artistike dhe stilistike. Nuk mund të këndohet realisht e natyrshëm falsiteti dhe e çnatyrshmja, nuk mund të këndohet bukur e keqja dhe monstruoziteti.

    Metrika që ai përdor zakonisht është e thjeshtë: e tërë “Lahuta” e tij është shkruar me 8-rrokëshe që i kanë aksentët tonike mbi rrokjen e tretë dhe të shtatë. Në lirikat e në satirën e tij ai ka përdorur edhe vargje të tjera që nga 3-rrokëshi e gjer te 11-rrokëshi. Përgjithësisht metrikën ai e njeh mirë, por gjuha e rëndë që përdor e bën të zorshëm leximin dhe skandimin e vargut të tij. Stili i prozës së tij është i rëndë dhe i ngatërruar, sepse periudha e tij kërkon të ndjekë modelin e periudhës klasike latine dhe italiane, pa marrë parasysh natyrën e thjeshtë të gjuhës sonë.

    Gjuha që përdor Fishta është gegërishtja më e egër dhe më e zorshmja për t’u kuptuar. Një gegërishte më e egër s’është shkruar që nga Lidhja e Prizrenit e këtej. Ai me këtë kërkon të luftojë fanatikisht tendencën që kishte marrë gegërishtja t’i afrohet toskërishtes në kohën e Rilindjes, me Vaso Pashën, Filip Shirokën e më vonë me Luigj Gurakuqin. Edhe me anë të gjuhës Fishta bën lodrën e klasës sunduese dhe të armiqve të jashtëm të vendit tonë: hap hendekun e përçarjes edhe më tej se ç’e kishte hapur vetë koha e okupacionit turk.

    d) KONKLUZION. – Fishta që e filloi karrierën e tij politike me kompromis karshi okupatorit otoman me himne lavdie dhe dashurie karshi imperialistëve të rinj që po i kërcënoheshin vendit tonë me urrejtje egërsie karshi popujve fqinj, me sublimin të feudalizmit e të patriarkalizmit, me mospërfillje për popullin që shtypej nën një mijë mjerime, Fishta qe ai që realizoi në literaturë të tërë vijën e reaksionit më të tërbuar të vendit tonë. Për këtë meritë, klasat sunduese që morën në dorë sundimin ekonomik dhe politik pas çlirimit të Shqipërisë nga zgjedha otomane, Fishtën e pagëzuan “Poet Kombëtar”. Për këtë meritë të tijën padronët e tij, perandorët, mbretërit dhe papët i dhanë dekorata e tituj akademikë.

    Për këtë edhe kritika zyrtare e servilizmit dhe e konformizmit letrar të kohës së Zogut “Poetin Kombëtar” të njëmijë flamurëve e rrethoi me aureola, me thimjane e dafina, dhe veprën e tij të shëmtuar e quajti “epokë letrare”. Klasa sunduese dhe imperialistët e ndryshëm kishin të drejtë ta shpërblenin Fishtën, sepse ai këndoi për të gjithë jetën e tij, vu në dispozicion të tyre të gjithë energjinë e tij artistike dhe kulturore, zhvilloi për to një aktivitet të dendur politik.

    Vepra e tij mbetet një dokument tradhtie të pashembullt në literaturën tonë: tradhti karshi independencës së vendit dhe lirisë së popullit. Mbetet një dokument elokuent për egërsinë e mizorinë e mjeteve me të cilat klasat sunduese kanë zakon të realizojnë shtypjen e shfrytëzimin e popujve. Mbetet një dokument barbarie e kanibalizmi, karakteristikë e klerikëve inkuizitorë të Mesjetës.

    Sot pas kaq vitesh, ky gjyq politik që ju bë Fishtës në Lidhjen e Shkrimtarëve dhe Artistëve, ka mbetur pas. Ajo rreket thjeshtë të dëshmojë mënyrën se si diktatura tentonte të denigronte figurat kombëtare, kryesisht ato të kalibrit të tij. Dhe ky sulm anonim, i cili thelbësisht është dialektika që ka përdorur ai sistem për të diktuar dhe sulmuar, penat dhe personalitete e fuqishme të letërsisë shqipe, në përgjithësi, klerikët në veçanti. Kjo për të justifikuar çfarë do të vinte më pas, sistemin e shkatërrimit të vlerave dhe zevendësimin e tyre me surrugatën boshevike të realizmit socialist.


    Koha Jone

  2. #2
    Shpirt Shqiptari Maska e Albo
    Anëtarësuar
    16-04-2002
    Vendndodhja
    Philadelphia
    Postime
    30,648
    Postimet në Bllog
    18

    Për: Gjyqi ndaj At At Gjergj Fishtës në Konferencën e Tretë të Lidhjes së Shkrimtarëve në vitin 1949

    POETI YNË KOMBËTAR AT GJERGJ FISHTA

    Emri:  1-a-Gjergj-fishta.png

Shikime: 12

Madhësia:  53.2 KB

    Nga Agim Xh. Dëshnica
    Boston/SHBA

    At Gjergj Fishta dhe profesorët mjeranë të realizmit socialist

    Në librin "Historia e Letërsisë Shqiptare -1983", u synua të hidhej poshtë vepra e poetit kombëtar At Gjergj Fishta me fjalë si këto: "Përfaqësuesi kryesor i klerit Gjergj Fishta (1871 – 1940), poet, publicist, pedagog, politikan, drejtoi për një kohë të gjatë shtypin e urdhërit françeskan dhe veprimtarinë kulturore e arsimore të këtij urdhëri. Për të interesat e kishës e të fesë qëndronin mbi interesat e atdheut e të popullit, gjë që ai e shpallte dhe e mbronte me tërë demagogjinë, por edhe me cinizëm dhe e kishte vënë në themel të punës si letrar. Vepra e tij kryesore, poema epike “Lahuta e Malësisë", propagandonte antisllavizmin dhe vinte në plan të dytë luftën kundër sundimit osman. Ajo i ngrinte himnin patriarkalizmit e bajraktarizmit, obskurantizmit fetar e klerikalizmit, dhe spekullonte me ndjenjat patriotike, kur ishte fjala për të ngritur lart ngjarje dhe figura të historisë kombëtare të periudhës së Rilindjes sonë. Veprat e tjetra, si poema satirike “Gomari i Babatasit”, ku u sulmuan me tërbim laicizmi i shkollës dhe idetë demokratike, ishin karakteristikë e luftës së egër që bëri kleri katolik për të ruajtur e për të rritur ndikimin e tij në jetën mendore të vendit. Këtij arti përpiqej t’i shërbente një formë që i qëndronte pranë folklorit. Atë e shoqëronin shpesh proliksiteti, efektet e kërkuara, retorizmi, brutaliteti i shprehjes e stilit, gjer në banalitetitet, argumentet e tyre false, që orvateshin të imponoheshin me pahir, si dhe një qëndrim i theksuar konservator në lëmin e gjuhës. Fishta i mbaroi ditët si akademik i Italisë fashiste.”

    Nuk do të mjaftonte ky qëndrim armiqësor ndaj Fishtës, as ndalimi barbar i librave të tij, por duhej të dëgjohej edhe zëri i një njeriu jashtë Shqipërisë me emrin Rexhep Qose. Në librin “Panteoni i rralluar” i vitit 1985, tashmë i vlefshëm vetëm për arkivë, ndofta edhe për kosh, ai shkruan: “Gjergj Fishta përkundër Naim Frashërit, ka shkruar për pjesën katolike të shqiptarëve, ka folur në emër të tyre dhe dy fjalë më të shpeshta të fjalorit të tij ishin feja dhe atdheu: gjithnjë përpara feja, mandej atdheu. Në zemrën e madhe të Naim Frashërit kishte vend për të gjithë shqiptarët dhe, më në fund, për gjithë njerëzit, kurse në zemrën e vogël të patër Gjergjit – për një pjesë të shqiptarëve, prandaj edhe për një pjesë të njerëzve. Veprat e tij sot shijohen më me vështirësi sesa atëherë kur ishin shkruar, qoftë edhe prej gegëve dhe, mund të besojmë, pas ca dekadash do të përkthehen si ato të De Radës….”

    Po ashtu gabuan edhe ata, që shkruan se emri i Gjergj Fishtës pas vitit 1944, u harrua. Përkundrazi, librat e tij mbaheshin si thesar në bibliotekat vetiake, kudo në Shqipëri. Leximi apo përsëritja përmendësh në rrethe të ngushta, gjallonte më me zell. Edhe në rastet, kur në gazetën "Zëri Popullit“ botoheshin shkrime zilare e fyese kundër poetit të madh, në shumicën e lexuesve ato zgjonin përbuzjen e kundërshtimin, ashtu siç nuk miratohej edhe gjykimi qesharak i diktatorit E. Hoxha aty nga viti 1949, kur në një mbledhje të rëndomtë thoshte se “Fishta me satirat e tij nuk pi ujë përpara “Epopesë së Ballit Kombëtar” të Shefqet Musarajt.”(?!) Mirëpo, ai ishte ndër të parët, që me vargjet e veta qortoi me vendosmëri veset e shoqërisë, apo si poet i ndiesive atdhetare, që i zienin në zemër, u ngriti lavde mbrojtësve të atdheut.

    Në kohët e sotme aty – këtu vihet re, se si disa të ashtuquajtur prof. dr. kundër çdo rregulli, dëmtojnë dhunshëm me ndreqje antishkencore ëmbëlsinë e gjuhës dhe ritmin e vargjeve të arta të At Gjergj Fishtës, ose dikush tjetër, duke bredhur derë më derë, mbledh letra të mykura ndër vite, pa adresë dhe të përkthyera, pra, të sajuara, i boton me stërhollime për të zbehur dritën e veprës së Fishtës, apo të Nolit tashmë të nderuar, dhe me frymëzim tymnaje, noton pa shpresë përmes dallgësh, në kërkim të atdhetarëve të mërguar në çaste tragjedish.

    Krijimtaria e botuar e Fishtës

    Poezinë e parë Fishta, e botoi më 1900, në revistën “Albania” të Konicës. Gjatë gjithë jetës së vet ai u shfaq si poet epik e lirik dhe prozator. Në krijimtarinë e tij të gjithanëshme, përveç poemës epike, "Lahuta e Malsis", rreshtohen veprat: "Kangë Popullore", "Viersha t‘përshpirtme", "Pika voeset", "Anxat e Parnasit", "Mrizi i Zanave", "Vallja e Parrizit", "Shën Françesku i Asizit", "Gomari i Babatasit", "Dredhitë e Patukut dhe i Ligu për mend", "Shna Ndou i Padues", "Juda Makabe", "Vllaznija", "Odisea Ifigjenija n’Aulli", "Shqyptari i qytetnuem", "Shën Luigji Gonzage", "Barijt e Betlemit", "Mojsi Golemi i Dibrës e Deli Cena", "Jerina ose mbretëresha e luleve" e të tjera. Në vëllimin "Mrizi i Zanave", renditet edhe poezia "Lule Vjeshte", nga më të dhimbëshmet e më të bukurat e letërsisë sonë.

    Me prozën e rrjedhshme Fishta u shqua me shkrimet polemike – politike, filozofike, letrare dhe estetike në gazeta e revista, veçanërisht në të përmuajshmen "Hylli i Dritës."

    Në vitet e diktaturës, kur vepra e Fishtës ndalohej, një veprim i tillë, nuk ndodhte askund, madje as në shtetet fqinjë veriorë. Emri i tij i kishte kaluar kufijtë. Në enciklopeditë e botës, përmendej me përcaktimin: "At Gjergj Fishta, Poet Kombëtar Shqiptar etj…“


    Fishta dhe “Lahuta e Malësisë”


    Gjatë kohës së diktaturës, sado që disa guxuan të fyenin poetin e madh dhe dritën e veprës së tij ta mbulonin me mjegullën e shpifjes, rrezatimi i saj çante terrin: „Shkundu pluhnit pra, Shqypni! Ngrehe ballin si mbretneshë!/ Pse me djelm, qi ngrof ti, /Nuk mund t’quhesh, jo, robneshë!.“ Vargje si këto në vetëdijen e rinisë, mbajtën gjallë ndjenjën e kombit dhe të lirisë, shpresën dhe besimin për shpëtim. Veprat e Fishtës në tërësi, janë thesar për gjuhën tonë. Sipas Maximilian Lambertz-it, “vepra e Fishtës, është shtylla kurrizore e Kombit Shqiptar. Aq sa mund te kuptohet Greqia pa Homerin, Italia pa Danten, Gjermania pa Eposin e Nibelungëve, Anglia pa Shekspirin, aq mund te kuptohet edhe Shqipëria pa “Lahuten e Malësisë” të At Gj. Fishtës.” Për At Gjergj Fishtën kanë shkruar Norbert Jokl, Erëin Stranik, Gustav Veigand, .etj. Veigandi, përveç punimeve të veçanta, do të përkthente në gjermanisht (Lahuta e Malcis von Gjergj Fishta, Balkan Archiv, Lajpcig 1925), kurse Lambertz po në gjermanisht (Die Laute des Hochlandes), Verlag R. Oldenbourg, Munchen, 1958. Në italisht, nga Papas Ignazio Parrino (Il Liuto Della Montagna, Palermo 1968, 1970). Pas shembjes së diktaturës "Lahuta e Malësisë“, u njoh në anglisht e përkthyer nga Robert Elsie dhe Janice Mathie-Heck (The Higland Lute, Londër, Nju Jork, 2005).

    Poemën "Lahuta e Malcisë", Fishta e filloi më 1905, me këngën e parë "Cubat" dhe e përfundoi më 1937, me këngën e tridhjetë "Konferenca e Londonit.". Në shënimet e veta Fishta, kujton se njëherë gjatë kohës së pushimeve verore ishte dërguar në katundin Rrapsh të Hotit për të zëvendësuar famullitarin Leonard Gojanin. Në atë vend të qetë u miqësua me një burrë të thyer në moshë, Marash Ucin nga Hoti. Mbrëmjet i kalonin bashkë. Nga Marashi, Fishta dëgjoi rrëfime nga më të ndryshmet për luftimet e herëshme të malësorëve shqiptarë dhe malazes, edhe për betejën e rreptë në Urën e Rrazhanicës, ku pati marrë pjesë Marashi vetë. Fishta vijoi ta botonte e ribotonte poemën të zgjeruar më 1912, 1923, 1931 dhe 1933. "Lahuta e Malsisë", me gjuhën e pasur nga burimet e veriut, e ngritur në art nga Fishta, u paraqit e plotë në Shkodër në kremtimet e njëzetepesë vjetorit të shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë.

    Poema në vargje tetë rrokësh sado me ngjyrimet e një rapsodie kreshnikësh legjendarë, është histori në vargje e luftës për Lirinë e Pavarësinë e Shqipërisë, me heronj të vërtetë, si Ali Pashë Gucia, Ded Gjo Luli, Oso Kuka, Marash Uci etj. Befas, në çaste frymëzimi, poeti me sokëllima kreshnikësh, i drejtohet Zanës së mirë, apo i shqetësuar – Orës së Malit. Rimat, herë janë të përputhura, herë të kryqëzuara. Këngët e krijuara në rini janë të hovshme, ndërsa në vijim, afër mbarimit, medituese dhe filozofike, me shqetësime për fatin e atdheut në prag të lirisë, pas Luftës së Parë e konferencave ndërkombëtare.

    Nga kjo kryevepër epike, po japim pjesë vetëm nga pesë këngë.

    LAHUTA E MALËSISË

    C U B A T


    Ndihmò, Zot, si m’kè ndihmue!
    Pesëqind vjet kishin kalue
    Çëse të buk’rën ketë Shqipni
    Turku e mbate në robnì,
    krejt tu’ e là t’mjerën në gjak,

    frymën tue ia xanun njak,
    e as tu’ e lanë, jo, dritë me pà:
    kurr të keqen pa ia dà:
    rrihe e mos e lèn me kjà:
    me iu dhimbtë, po, minit n’ murë, +

    me iu dhimbtë gjarpnit nën gurë! +
    Veç si ‘i dèm, vu n’lavër spari,
    qi, ka’ e vret zgjedha e kulari
    kah nuk bàn m’e thekë strumb’llari,
    s’ndigjon me tërhjekun m’pluer: +

    e tue dhanë kryq e tërthuer,
    tu’ i dhanë bulkut shum mërzì,
    me u vu s’ ryset për hullì
    e as me shoq ai pendë me shkue:
    kështu Shqiptarët, të cilt mësue

    s’din’ me ndejë rob nën zgjedhë t’huej,
    pagë e t’dheta me i là kujë:
    por të lirë me shkue ata motin,
    veç mbi vedi tue njohtë Zotin,
    e as kurrkujë n’ këto troje t’ veta

    mos me i bà kurr tungjatjeta,
    n’braz me Turk kurr nuk kanë rà
    e as kurr pushkën s’ ia kanë dà;
    por t’janë grì me tè e t’janë vrà,
    si me kenë tu’ u vrà me Shkjà

    E prandej si pat fillue
    Turkut Ora m’ iu ligështue,
    e nisë pat m’ iu thy’ atij hovi,
    m’ qafë përditë tu’ i mbetë Moskovi:
    e ato fiset e Ballkanit

    zunë me i dalë dore Sulltanit,
    nisë Shqiptarët kanë me u mendue,
    si Shqipninë me e skapullue
    zgjedhet t’ Turkut: qi si motit
    n’ ato kohët e Gjergj Kastriotit,

    krejt e lirë kjo t’ishte, e askujë
    n’daç t’jetë Krajl a Mbret i huej,
    me i bà kurr mà tungjatjeta,
    kurr me i là mà pagë e t’dheta:
    edhe Flamuri i Shqipnisë,

    si fletë Engj’lli t’Perëndisë,
    si ajo flaka e rr’fesë zhgjetare,
    me u suvalë prap n’tokë shqiptare.

    Kur qe ai Knjazi i Malit t’Zi,
    Knjaz Nikolla, ‘i gërxhelì:

    gërxhelì, por belaçì:
    na dyndë top, na dyndë ushtrì
    edhe del e bjen n’Shqipnì,
    për me shtrue këto bjeshkë e vërrì,
    shka merr Drinin për s’të gjatit

    der’ n’ Kalà të Rozafatit,
    ku ai me ngulë do’ "trobojnicën",
    do’ m’ ia vu Shkodrës "kapicën":
    me bà Shkodrën Karadak,
    mbasi ‘i herë ta kisht’ là n’gjak!

    VRANINA

    Vojti fjala te Çetina:

    -Vallë! ç’po ban mi ShkjaVranina!

    Vallë! ç‘po ban Vranina m‘Shkje?

    rob tue xanë e gjind tue pre,

    tue pre gjind, tue xanë kajduka

    qysh se duel njaj Oso Kuka!

    Oso Kuka, ’i burrë Shkodran,

    shoq në Shkodër, thonë, s‘ka lanë

    për kah besa e kah trimënia,

    qi zanatë i ka Shqipnia.

    Kaleshan e sy-përgjakun,

    mje m’sylah mustakun:

    ushton mali, thonë, kur t’flasë,

    dridhet fusha kah t’vikasë,

    e kah t’dredhë të rrebtë taga‘n

    thue se rr’feja shkrepë për anë

    kaq vringllim ai shkon tu‘ i dhanë!

    MARASH UCI

    Te nji mriz, te nji lejthí
    kishin ndodhun tre barí
    dy me dhen e nji me dhí,
    njani plak e dy të rí:
    Marash Uci e t’ bijtë e Calit:
    dy djelm t’ lehtë si shpezt e malit.
    Marash Uci i Uc Mehmetit,
    anë e m’ anë i kisht’ rá detit
    kishte pá pronët e Mbretit
    çak prej Hotit tue xanë filli
    dér ku piqet buka m’ dielli;
    pse, sa kje Marashi i rí,
    i pat dalë Mbretit n’ ushtrí
    me armë n’ dorë, me zjarm në gjí,
    si qi doke asht n’Shqipní.
    Burrë i fortë e trim si Zana,
    armët i kjenë atij baba e nana:
    babë tagani e nanë breshana,
    vëllá e motër dý pistolet
    dý gjarpnusha prej Stambollet.
    Ky kje lypun edhè gjetun,
    pat kenë thirrun edhè pëvetun
    e n’ kushtrim e n’ gjýq t’ bajrakut,
    e ndër pré marrë Karadakut;
    e kudo qi i doli prîja
    atý i dajti edhè trimnija.
    Por, si kripit i rá bora,
    e la kamba e e la dora,
    edhè i shkrefi armët besnike:
    njato armë qi n’kohë jetike
    pa’n kenë ndera e Arbënísë kreshnike:
    e na doli barí malit,
    i shmrijak me t’ bijtë e Calit
    prore Mashi djelmëve t’ Hotit
    u kallxonte punët e motit,
    punët e motit, punë trimënie:
    si Shqiptari mbas lirie
    e mbas besës e s’ bardhës Fé
    bate dekën si me lé;
    e u permendte Orë e Zana,
    edhe u thotë shum punë t’ mëdhana, +
    për lugat kur xehet hana,
    e për luftë, qi me drangona, +
    ban kulshedra n’ vise t’ ona;
    edhe i njifte ai ma s’ mirit
    sa drangoj janë rodit t’ njerit +
    mbi Ranë t’ hjedhne e n’ Urë t’ Vezirit.
    Prande’ e dojshin gjith barija
    e ndigiojshin fjalët e tija
    si kah pushka ashtu ka’ urtija.

    Po shka, Zot, ka Mashi sot,

    Qi na a vra e nuk ban za?

    TE KISHA E SHINJONIT

    Prendoi dielli, n’qiellë duel hana,
    n’ Veleçik po pingron Zana:
    Ehu! ju malet e Shqipnísë,
    n’ t’ cilat strukë shqipja e lirísë
    n’ t’ bardhat kohë qi kanë prendue
    s’ lete anmik, jo, me i u afrue!
    E din shpat e di’ edhe përrue,
    e din landë e di’ edhe gúrë,
    Shqiptarísë kryq e tërthuer,
    se sa gjak atëbotë i anmikut
    vojti rrëkajë prej t’ bardhë çelikut,
    qi flakote n’ dorë t’ Shqiptarit
    Porsi rrëfeja majes s’ Sharit.
    A kisht’ mujtë kurr n’ atë kohë t’ lume,
    ( Me lot gjakut sot t’ lotueme!)
    veç nji troe t’ tokës Shqiptare
    m’ e rëmue dora grabitçare?
    Ah! jo kurr: t’ isht’ çue mbarë bota…
    pse ndo ‘i Lekë, a ‘i Gjergj Kastriota
    do t’ kisht’ dalë, atë dorë rrëmbyese
    m’ e cungue me armë ngallnjyese,
    t ‘ cilat n’ shekull do t’ permenden
    hanë e hyj sa qiellëve t’ enden.
    Por kanë ndërrue sot moti e stina
    për dhé t’ ngrît, ku rreh "martina“!
    Gjinde e mbajtun me lot t’ shu‘mit
    qi n’ djersë njomë busat e umit,
    ja qi n’ kullmë rreshket kumbuese,
    ja n‘për dét bjen valës shkumuese,
    për me mbajtë nji grue te shpija
    s’ cilës bukë i lypin fëmija,
    edhe i len ndoshta me kjá,
    përse e mjera bukë nuk ká:
    gjinde, s’ cilës Zot i asht ari,
    t’ zezën tokë qi i ngratë Shqiptari
    shtrejt me gjak e pat fitue,
    pa ndo ‘i dhimbë, kjoshin mallkue!
    Sot m’e dá duen copa – copa:
    e përse? Pse don Europa…
    Lum, oj Zana e Veleçikut,
    qi m’ ia lshon ti namët anmikut,
    qi m’ i uron djelmët e Malsísë,
    qi m’ i a kjánë hallin Shqipnísë;
    kësaj Shqipníe, e cilla motit,
    n’ za kah pushka e besa e Zotit,

    pat kenë çmue prej fisesh t‘ tana

    kah bien dielli e kah merr hana!

    TE URA E RZHANICËS

    Riza Pasha del n’ kalá:
    ‘Madhi Zot, se shka me pá!
    ‘Fort ndjegull paska rá
    N’ at Rrzhanicë, nën Podgoricë.
    S’ ká me ngiatë e do t’ bjerë shí:
    Hazna e madhe për bulqí!
    T’ u ngjatët jeta! i thotë Myftija
    S’ ká rá ndjeglla kah Malcija,
    Kah Rrzhanica e Podgorica;
    Por âsht çue tymi i barotit,
    Djelmt e Grudës e Lekët e Hotit
    Kah luftojn me Mal të Zí.

    Pas Luftës së Dytë, “Lahuta e Malësísë” dhe krijimet e tjera të Gjergj Fishtës u ndaluan dhunshëm nga pushteti i ashtquajtur popullor, ndërkohë u ribotua në Romë më 1958, në Lubjanë, më 1990 dhe sërish në Romë më 1991. Pas pëmbysjes së diktaurës, veprat e Fishtës dhe shkrimet përkujtimore botohen vazhdimisht. me titullin “Lahuta e Malësisë”. Studimet për Gjergj Fishtën, tashmë janë më të thella, shkencë e mirëfilltë, sepse lidhen me vlerësimin e vazhdueshëm e kujtimin e poetit tonë kombëtar. Studiuesit e brezit të ri, si Arben Marku, tashmë kanë shkuar më tej, duke caktuar vendin më të lartë, bie fjala, për poemën epike “Lahuta Malësisë” përballë poemës “Kunora e Malsisë” të poetit malazes Negoshi. Me “Lahutën e Malësisë”, poeti ynë tregon historinë e shqiptarëve, zgjon e jep kushtrimin për bashkimin e kombit pa dallim feje në luftën kundër pushtuesve të atdheut me ndihmën e Europës, ndërsa Negoshi kërkonte bashkimin e malazesve në një fe, në luftë kundër pueshtuesve turq me përkrahjen e Rusisë. Me krijimin e rrallë tridhjetëvjeçar “Lahuta e Malsisë”, Fishta i dha kombit shqiptar një histori të artë, ndërsa Europës, një mësim të qartë për çështjet e pazgjidhura kombëtare, si rrjedhojë e padrejtësive të kohëve. Ndaj ai meritoi titullin Poet Kombëtar. Në veçanti "Lahuta e Malsisë“, i ngjan një simfonie klasike, ku në rrjedhën e ngjarjeve vargjet, rimat e ritmi, janë notat e saj. Herë të zymta, herë shprehje dhimbjeje, herë si mallkim dhe në çastet e ngadhnjimit, piskamë hareje e luftëtarëve. Mandej dëgjohen zëri i natyrës së bukur shqiptare dhe i zanave, jehona e bjeshkëve, gurgullimat e krojeve dhe e përrenjve, teksa rrëzohen tatëpjetë. Në brendi të kësaj poeme epike, gjejmë edhe vargje lirike, të rralla për nga bukuria e kuptimi, kushtuar vajzës shqiptare, si këto:

    Varza ka e varza s’ka,

    porsi asht nji varz’ n’Janinë

    kurkund shoqen s’ia ke pa,

    kah bje‘ diell e serotinë;

    synin diell, ballin si hana,

    ardhun shtatit si selvija

    Efruazin e quejti nana,

    augur t’mir me e pas Shqipnia.


    Autorë të shquar për Fishtën

    Albanologu i njohur Fulvio Cordignano shkruante: “Pakkush kujtoj në letërsi të mbarë botës, ia del At Fishtës si poet satiric. Si i tillë, me një furi të çudishme, ai ther e pret aty ku djeg.” Ndërsa poeti italian me famë botërore Gabriele D’Anuncio thoshte: “Patër Fishta njihet si poeti më popullor i shqiptarëve, si poeti më i përzemërt i këtij populli… Si këtë kemi edhe një të madh tjetër: Rabindranat Tagora.” Në një kohë, kur Fan S. Noli në ligjërata shprehej nëpër ligjërata: “Fishta është i madh”. Kurse Faik Konica shprehej: “Fishta është jo vetëm poet i madh, por edhe intelektual i dorës së parë! Kot së koti përpiqen grekët e sotëm të kërkojnë në letërsinë e tyre një vepër më të plotë se “Lahuta” e Gjergj Fishtës”. Ndërkohë Lasgush Poradeci, do ta quante Fishtën me nderim: “Poeti ynë kombëtar! Shkëmbi i tokës dhe shkëmbi i shpirtit shqiptar!” Dijetari i shquar Eqrem Çabej, teksa analizon romantizmin tonë, që lidhej me luftën për liri e pavarësi, ndërmjet Jeronim De Radës e Naimi Frashërit, rendit edhe Gjegj Fishtën për fuqinë e vet epike. Krahas tij, Engjëll Sedaj theksonte se “krahasimi i poezisë epike të Fishtës me poezinë e Naimit bëhet jo vetëm në punimet e veçanta mbi Fishtën, por edhe në punimet e tjera të E. Çabejt, duke përqëndruar vëmendjen më tepër te këta dy poetë sesa në krahasimin ndërmjet Fishtës dhe poetëve të tjerë shqiptarë. Kështu, bie fjala, në punimin e tij, „Romantizmi“, ndonëse nuk shqyrton në veçanti Fishtën, por kryesisht De Radën dhe Naimin, ai e ka krahasuar Naimin dhe Fishtën, duke thënë se “ky epos (Istoria e Skëndërbeut) nuk u bë dot epos kombëtar, se këtë ua fali më vonë shqiptarëve Gjergj Fishta”.

    Aurel Plasari shkruan: “Gjysmëshekulli që ka kaluar prej vdekjes fizike të Fishtës, e ka vërtetuar jetëgjatësinë e veprës së tij letrare, me gjithë kushtet specifike të vështira në të cilat i është dashur asaj të gjallojë.”

    Ndërkaq, disa nga profesorët e moshuar, me dijeni të pakta për jetën e veprën e poetit Gjergj Fishta, vijojnë të botojnë e të ribotojnë studimet e korrigjuar të viteve para ’90.


    Fishta për Atdheun

    Shpalljen e Pavarësisë së Shqipërisë Fishta e priti me gëzim, por edhe me brengë, për shkak të Luftës Ballkanike e vendimeve të padrejta të Konferencës së Londrës -1913. Një gjendje e tillë shpirtërore shprehet në poemën "Lahuta e Malsisë“ dhe në artikujt e botuar në revistën "Hylli i Dritës“, të themeluar prej tij në Shkodër më 1913. Në shkrimin me titull: “A jan t’zot shqiptarët me u mbajt shtet m’vedi?“, Fishta kritikon ashpër, nga një anë veprimet grabitqare të fqinjëve e nga ana tjetër qëndrimin e shteteve europiane kundër tërësisë tokësore, sidomos të Rusisë. Ndërkohë ai argumenton me fakte historike aftësinë e shqiptarëve për krijimin e drejtimin shtetit të pavarur brenda kufijve etnikë.

    Një ngjarje e paharruar do të mbetet në histori dita 23 tetor 1913, kur Fishta ngriti Flamurin Kombëtar në Kishën e Gjuadollit dhe e lidhi me drita me Xhaminë e Fushës së Çelës. Ishte ky një veprim i guximshëm për bashkimin e shqiptarëve me disa besime fetare. Në vitet 1916-1917, nën pushtimin austriak, ai boton gazetën “Posta e Shqypnisë.“ Pas mbarimit të Luftës së Parë Botërore, nga prilli i vitit 1919 dhe gjatë vitit 1920, Gjergj Fishta është sekretar i përgjithshëm i delegacionit shqiptar në Konferencën e Paqes në Paris, për mbrojtjen e tërësisë tokësore të Shqipërisë. Në një nga ligjëratat e vitit 1919, ai tha: "Pak i njohun dhe aq zi i gjykuem në Europë asht vendi ynë. I vjetër sa fosilet, sa stalaktitet e shpellave jehuese të maleve të veta vigane, dhe i lindun të thuesh prej vetë rranjëve të vjetra, ai asht sot zot autokton i pakundërshtueshëm i tokave të tij. Po qe se pernjimend parimi i autodeterminacionit asht marrë prej Konferencës së Paqes si karakter themelor për trajtimin e shteteve si dhe për përcaktimin e kufijve të tyne, e drejta e lypë që Shqipnia të qitet shtet më vete përbrenda kufijve të vet etnikë dhe gjeografik. Por çka, se simbas teorisë Vilsoniane për me mund nji popull me u sundue në vetëvete, përpos kombësisë duhet të mirret parasysh edhe ndërgjergjja e tij kombëtare. Tashti për në qoftëse si ndërgjegje kombëtare duhet të kuptohet ndjesija për liri, si edhe ai dëshir që mund të ketë nji popull për t’u zhvillue, gjithnji përbrenda qarkut të forcave të veta, unë them se edhe në këtë pikëpamje Konferenca duhet t’ia njohë Shqipnisë pamvarsinë si edhe sovranitetin e saj. E po thomëni, cili populll në Ballkan ka ndjesi ma të thella për lirinë e vet sesa populli shqiptar? Në rast se ata nuk na duan në nji shtet të vetëm, pasi thonë se shqiptarët qenkan Musliman, atëherë na Kristianët, do t’i shkrijmë kryqet tona dhe do t’i bajmë fishekë, me mbrojtë vllaznit tanë muslimanë shqiptarë”, Eshtë kjo një shprehje e dalë nga shpirti i At Gjergj Fishtës, e cila tregon shumë për harmoninë fetare ndërmjet shqiptarëve. Gjithashtu dëshmon, se përjetësisht ndërmjet krerëve të besimeve fetare në Shqipëri gjithnjë ka ekzistuar një harmoni e mrekullueshme fetare. Në vitin 1922 Fishta pritet në Uashington si personalitet i njohur i kulturës. Takohet e bisedon me sukses me senatorë republikanë për çështjen e kufijve të Shqipërisë.

    I ftuar, më 1930, në Nju Jork, pranohet anëtar në Bashkimin Ndërkombëtar të poetëve nga 60 vendet e botës. Fishta përfaqësoi Shqipërinë edhe në mbledhjet ndërkombëtare, më 1930 në Athinë, më 1932 në Stamboll e Bukuresht.

    Me prozën e tij të shkëlqyer përshkroi udhëtimin për në Turqi, ndërsa lundrimin përmes dallgëve të oqeanit të trazuar do ta rrëfente me një prozë plot humor,sipas ndryshimit të motit e gjendjes shpirtërore, duke iu lutur dhe shenjtorëve.

    Nga leximi me vemendje i prozës, së Fishtës, vihet re, se ajo rrjedh poashtu si poezia e tij. Poezia ashtu edhe proza e Fishtës janë burime frymëzimi për poetët e shkrimtarët, madje për gjithë ata, që duan të flasin bukur shqip.


    Veprimtaria e Fishtës në vitet 20 – 30

    Në vitet 20, Fishta merr pjesë edhe ne veprimtari politike. Në dhjetor të atij viti

    zgjidhet deputet i Shkodrës. Në prill 1921, në mbledhjen e parë të parlamentit shqiptar, zgjidhet nënkryetar. Po atë vit themelon Gjimnazin Françeskan në Shkodër. Në ngjarjet e Qershorit 1924, mban krahun e demokratëve. Mandej largohet nga atdheu dhe vendoset në Itali. Atje, në vitet 1925 e 1926, krijon, boton e riboton pareshtur. Të atyre viteve janë pjesa më e madhe e dramave, tragjedive, etj. I kthyer në atdhe, siç u tha më lart, përfundon më 1937 poemën epike "Lahuta e Malsisë“.

    Më 1939, Fishta ishtë kandidat i çmimit Nobel, anëtar i Akademisë së Shkencave dhe Arteve Italiane, ndërmjet poetëve, shkrimtarëve, kompozitorëve dhe shkencëtarëve me famë botërore. Aty nga fundi i jetës, më 1940, pa pritur Fishta do të deklaronte: “qysh nga kohët romake përgjatë rrjedhës së shekujve, pushtues të ndryshëm kaluen nëpër Shqipni, por asnjeni prej tyne nuk e nënshtroi dhe nuk e pushtoi dot shpirtin e shqiptarit.” Ky zë jehon fuqishëm edhe për profesorët, që rropaten e rrëmojnë më kot nëpër skutat e errëta të arkivave, të gjejnë ndonjë krisje në përmendoren e shenjtë të etërve atdhetarë katolikë me Fishtën në krye dhe letrat e sajuara prej tyre askush nuk i beson.


    Po dokumentet, ç’thonë për jetën e veprimtarinë e tij?

    At Gjergj Fishta lindi në fshatin Fishtë të Zadrimës, më 1871. Për fat të mirë mësimet e para i mori nga mësuesi e poeti Leonardo de Martini. Shkollën e mesme e kreu në Troshan të Shkodrës, kurse studimet e larta për teologji, filozofi e gjuhët e huaja, në institutet e seminaret françeskane në Sutjekë, Livno e Kreshevo të Bosnjës. Pas mbarimit të studimeve më 1894, u shugurua meshtar dhe u pranua në Urdhërin Françeskan. Në vitin 1899 së bashku me Abatin e Mirditës Preng Doçin, me romancierin e parë shqiptar Dom Ndoc Nikajn, At Pashko Babin etj. themelon në Shkodër shoqërinë letrare “Bashkimi.” Në vitin 1902, sapo qe caktuar drejtor i shkollës françeskane në Shkodër, vendosi shqipen në mësime. Në vitin 1908 përfaqëson shoqërinë “Bashkimi” në Kongresin e Manastirit dhe drejton Komisionin e Alfabetit. Në mbarim të Kongresit, Fishta kreu një veprim fisnik, kur fjalën për njoftimin e vendimit ia dha Mit’hat Frashërit, aso kohë në moshë të re.

    Dëshira e përkrahja gjuhës shqipe, trimëroi drejtuesin e arsimit në Shkodër, Luigj Gurakuqin të themelonte më 3 gusht 1916, Komsinë letrare nën mbrojtjen e komandës ushtarake të kryesuar nga gjeneral Trollman, i ndikuar dhe nga Dr.R.Nachtigal, studiues i gjuhës sonë, më në zë në Europë si dhe nga Dr. Gjergj Pekmezi. Në Komsinë Letrare morën pjesë me punimet e tyre, përherë të vlefshme, At Gjergj Fishta, Dom Ndre Mjedja, Aleksandër Xhuvani, Sotir Peci e shumë të tjerë nga Veriu e Jugu.

    Si rrjedhojë e shtrembërimeve dashakeqe ndaj jetës e veprës së At Gjergj Fishtës ishin të pakët lexuesit e letërsisë që kaluan çaste hutimi. Kritika shkencore e mirëfiltë e të gjitha kohëve bashkohet në një mendim se vepra e tij është kulm i ndritur që u ngrit madhërisht, për rreth dyzet vjet, mbi hapësirën e letërsisë shqiptare në shërbim të atdheut.


    Nderimet nga vendi e bota

    At Gjergj Fishta në historinë e Shqipërisë zë një vend me rëndësi si vazhduesi i Rilindjes sonë Kombëtare e shprehës i idealeve atdhetare dhe demokratike në gjysmën e parë të shekullit njëzetë. Krejt ndryshe nga shkrimi në librin „Historia e Letërsisë Shqiptare“-1983, Fishta njihej kudo, si poet, shkrimtar, dramaturg, kritik letrar, satirist, eseist, gjuhëtar, edukator, piktor, arkitekt, drejtues i lartë i fesë françeskane, publicist, politikan demokrat etj. Më 1941 shkrimtari i shquar Karl Gurakuqi shkruante: “Fishta i la nder gjithkund emnit shqiptar. Jo vetëm bota shqiptare e naltoi edhe për së gjalli tue i dhanë titullin ”Poeti Kombëtar”, por edhe bota e jashtme, mbasi shijoi e çmoi frytin e pendës së tij, ia njofti vleftën dhe e nderoi me lëvdata, dekorata e tituj. Klubi “Gjuha Shqype” i dhuroi në vitin 1911 dy basoreljeve symbolike të punuem mjeshtërisht dhe nji kunorë argjandi; më 1917 qyteti i Beratit i dërgoi nji pendë ari, për kujtim të veprimit të tij letrar e politik. Perandoria otomane i dha dekoratën Mearif kl.II (1912); Mbreti i Austro-Hungarisë e dekoroi me Ritterkreuz (1912); Papa Piu XI e nderoi me Medaljen e Meritimit (1925); Paria e përgjithëshme e Urdhnit françeskan me titullin “Lector Jubilatus”(1929): Greqia me dekoratën.“ Phenix” (1931), etj.„ Për Gjergj Fishtën kanë shkruar edhe në botën gjermane.

    Pas vitit 1990, At Gjergj Fishta u dekorua me Urdhërin Nderi i Kombit.

    Përkujtimi i tij me rastin e 100 – Vjetorit të Pavarsisë së Shqipërisë, ishte një nga vlerësimet më të larta, që mund t‘i bëhej një Poeti Kombëtar si At Gjergj Fishta.


    Po ç’thotë Fishta me poezitë e veta?

    NGA MRIZI I ZANAVE

    GJUHA SHQIPE

    Porsi kanga e zogut t’verës,
    Qi vallzon n’blerim të prillit;
    Porsi i ambli flladi i erës,
    Qi lmon gjinjt e drandofillit:
    Porsi vala e bregut t’detit,
    Porsi gjâma e rrfés zhgjetare,
    Porsi ushtima e nji termetit,
    Njashtû â gjuha e jonë shqiptare.

    Ah, po, â e ambël fjala e saj,
    Porsi gjumi m’nji kerthí,
    Porsi drita plot uzdajë,
    Porsi gazi i pamashtrí;
    Edhè ndihet tu kumbue,
    Porsi fleta e Kerubimit,
    Ka’i bjen qiellvet tue fluturue
    N’t’zjartat valle t’amëshimit.
    Prá, mallkue njaj bir Shqiptari,
    Qi ketë gjuhë të Perendísë,
    Trashigim, qi na la i Pari,
    Trashigim s’ia lên ai fmís;
    Edhè atij iu thaftë, po, goja,
    Qi e perbuzë ketë gjuhë hyjnore;
    Qi n’gjuhë t’huej, kúr s’âsht nevoja,
    Flet e t’veten lên mbas dore.


    Në gjuhë shqype nanat t’ona
    Shì prej djepit na kanë thânun,
    Se âsht nji Zot, qi do t’a dona:
    Njatë, qi jetën na ka dhânun;
    Edhè shqip na thanë se Zoti
    Per Shqiptarë Shqipnínë e fali,
    se sá t’enden stina e moti,
    Do t’a gzojnë kta djalë mbas djali.

    Nëpër gjuhë shqipe bota mbarë
    Ka me u njohtë se ç’fis ju kini,
    Ka me u njohtë jú për Shqiptarë:
    Trima n’zà sikurse jini.

    Prandej, prá, n’e doni fisin,
    Mali, bregu edhè Malsija
    Prej njaj goje sot t’brohorisin:
    Me gjuhë t’veten: “Rrnoftë Shqipnia!”


    SHQIPNIJA

    Edhè hâna do t’ a dije,
    Edhè dielli do t’ két pá,
    Se për qark ksaj rrokullije,
    Si Shqipnia ‘i vend nuk ká !
    Fusha t’ gjâna e kodra t’ blera,
    Zijes s’ mnershme larg kû âsht droja,
    Me gaz t’ vet ktû i veshë Prendvera,
    Si t’ Parrizit t’ larmet shtroja.

    Nen nji qiellë perherë t’ kullueme,
    N’ rreze e n’ dritë pershkue unjí,
    Bjeshkë e male të blerueme
    Si vigâj shtiellen n’ ajrí.

    Ke ato bjeshkë e ke ato male
    Kroje t’ kjarta e t’ cemta gurra,
    Tue rrëmbye n’për mriza hale,
    Gurgullojn n’për rrâjë e curra.

    Mbi ato male e bjeshkë kreshnike
    Léjnë mandej ata djelm si Zâna,
    Armët e t’ cilvet, p’rherë besnike,
    Janë permendë nder fise t’ tana.

    Atje léjnë, po Toskë e Gegë,
    Si dý rreze n’ flakë t’ nji dielli:
    Si dý rrfé, qi shkojnë tue djegë,
    Kúr shkrepë rêja nalt prej qielli.

    Ato male të madhnueshme,
    Ato, po, kanë mûjtë me pá
    Se sa forca e pafrigueshme
    N’ turr t’ Shqiptarit pît ka rá.

    Dridhet toka e gjimon deti,
    Ndezen malet flakë e shkndija,
    Ka’ i frigueshëm, si tërmeti,
    Atje rrmben kû e thrret Liria.

    Lume e shé para atij ngelin,
    Ia lshojnë udhën dete e male;
    Mbretnitë fjalën s’ mund t’ ia shkelin,
    Turrin ferri s’ mund t’ ia ndale.

    Shkundu pluhnit, prá, Shqipní,
    Ngrehe ballin si mbretneshë,
    Pse me djelm, qi ngrofë ti n’ gjí,
    Nuk mund t’ quhesh, jo, robneshë.

    Po, edhè hâna do t’a dije,
    Edhè dielli do t’ kétë pá,
    Se për qark ksaj rrokullie,
    Si Shqipnia ‘i vend nuk ká!
    Rrnosh e kjosh, prá moj Shqipní,
    Rrnosh e kjosh gjithmonë si vera,
    E me dije e me Lirí.

    I DBUEMI

    Lamtumir’!- vendet e mija,

    Qe, po zhduken dal’- ngadalë;

    Gjimon deti, ushton duhija,

    Lkundet barka val’ mbi valë;

    Kah njaj diell, qi a tue flakue

    Andej fill un tash do t’veta…

    Lamtumir’! o dhe i bekue!

    Lamtumir’! përsa t’jet jeta!

    Nesër nadje kur mbi ne

    Rrezja e diellit ka me ra,

    Kush e din sa ujë e dhe

    Mue prej tejet kan me m’da?!

    E por n’pyetsha retë mizore,

    E por n’pyetsha zojtë e detit

    Se për ty, moj tokë arbnore,

    S’ka me m’fol’ kush mue t’shkretit…

    Tjera fushë e tjera zalle

    Kam me pa, e tjera dete:

    Kam me ndie, po, tjera valle,

    Tjera gjuh’ n’tjerë qytete;

    Vendin t’em, por, s’kam me e pa

    Ku kam le e jam burrnue;

    Syt e mij edhe kan me kja,

    Pa u gjet’ kush, qi me i ngushllue.

    Pa kend t’emin, po e’ nji Zotit,

    Tue shtegtue për dhe të huej,

    Kan me m’shkue mue ditt e motit

    Sha e përbuzun prej gjithkuej.

    Kam me pas’ shkretin për votër,

    E për shtroj’ të ndeztën ranë.

    Kam me pasë ulkojën motër,

    Kam me pasë , ehu! tigrën nanë.

    Nana e mbetne për s’të gjallit

    Ka me m’kja, kushdi, ndo ‘ i ditë,

    Der sa motra dekun mallit,

    Kot ndo’ i her’ mue ka me m’pritë.

    Ka me i njeh’, po, krushqit, e mjera,

    Me i pru nanës n’shpi nji re:

    Por i vllaj, kushdi m’ at-hera

    Ka me u kalbun për nën dhe!

    E, njaj dhe-ehu! Kob prej qiellet!-

    S’ka me ken’, jo, dheu i t’ Parvet,

    Ku ma bukur qielli kthjellet,

    Ku ma ambël n’gjuh’ t’Shqiptarvet

    Para Hyut naltohet luta,

    E ku besa asht e shejtnueshme,

    E ku zemrat, s’dijn’ shka a tuta,

    E ku bjeshk’t jan’ të madhnueshme.

    Oh! ju bjeshk’t e Shqiptaris,

    Ku ma mir’ shndrit’ dielli e hana,

    E ku logu a i bujaris

    E ku rriten djelm si zana!

    Un ju kurr s’kam me u harrue,

    Kahdo t’m’jet gjykue me u endë:

    Der sa t’muj me ligjrue,

    Ju gjithmon kam me u përmendë!

    E ato halë e qipariza

    Kam me i pas’ ndër mend gjithmonë,

    E ato stane e njato mriza,

    E ato berre e ato kumbonë…

    Por, oh, vaj! Malet e mija,

    Qe, po zhduken dal’- ngadalë;

    Gjimon deti, ushton duhija,

    Lkundet barka val’ mbi valë.

    Lamtumir’, pra, bjeshke e male!

    E ju krepa edhe ju curra;

    E ju breshta e ju gjeth hale;

    E ju prroje edhe ju gurra!

    Lamtumir’ ju mrrize e stana!

    Lamtumir’ kumbona e berre!

    Lamtumir’, ju fusha t’gjana,

    Ju livadhe, ende ju djerre.

    Lamtumir’! ti shpija e t’Parvet,

    Ku ma s’parit m’agoi drita

    E ku strehë u dhaç’ shtegtarve

    Miqt e babës’ edhe ku i prita

    Lamtumir’! carani m’votër,

    Lamtumir’! ju arm’t e shkreta;

    Lamtumir’! ti nanë e motër,

    Lamtumir’ për sa t’jet jeta!…


    Porositë e fundme të Fishtës

    Sipas disa publicistëve shqiptarë, ndër ta Fritz Radovani, dihet se shkrimtarët e njohur në botën e letrave, para largimit nga jeta kanë shprehur fjalët e fundit prekëse, himne, testamente, këshilla, porosi… Poeti ynë kombëtar Gjergj Fishta ndërroi jetë në mbarim të dhjetorit 1940. Pak para se të shuhej në spitalin e Shkodrës, nga një polmonit i rëndë në kohë ngrice e bore, u la këshilla e porosi fretërve të rinj françeskanë. Në testamentin e tij lexohen këto fjalë: “Po vdes i kënaqun, sepse kam punue për atdhe e fe.” Ndërkohë, sipas At Viktor Volajt, bashkëpunëtor i afërt i poetit Gjergj Fishta, kishte përmendur nevojën për rishikimin e “Lahutës së Malcisë” dhe përsëriti fjalën: “ i kryqëzuemi” në latinisht. Pastaj kërkoi t’i pikturonin në murin përballë shtratit të tij skena nga “Gjyqi i fundit”. Ndërsa, një mik i poetit, përmend fjalët e fundit të Fishtës: “Jo për tjetër, por sepse po lë anmikun mbi trollin shqiptar, mue më vjen keq se kam me vdekë.”

    Sipas kujtimeve të At Zef Pllumit, kur Fishtës iu kërkua që të refuzonte titullin e Akademikut nga sivëllezënit, Fishta sipas një rregulli të caktuar duhej të mbante një varg konferencash nëpër institucione të ndryshme kulturore, ai u përgjigj se: “Un ndër konferencat do t’u përsëris italianëve pa ja dà se me të vërtetë Roma dikur e ka pasë namin e madh, por legjionet ilire dhe perandorët e mëdhaj ilirjanë ishin ata që kishin në dorë fatet e Romës. U bâj edhe nji premtim tjetër se përnji ato konferenca do t’i kryej për gjashtë muaj, siç e don rregullorja, un menjiherë do të kërkoj me ardhë në Shqipnì.”

    Duke lexuar shkrimin e prof. N Jorgaqit. kundër Fishtës e françeskanëve, na del para sysh jeta e vepra për atdhe e krijuesit të “Lahutës së Malsisë” me të cilën iu drejtua tërë kombit shqiptar për bashkim kundër pushtimit të huaj. Nga vepra e ndritur e Fishtës plot larmi tingujsh, dëgjohet gjuha shqipe “porsi kanga e zogut t’verës.”


    Gazeta Dielli
    31 dhjetor 2020

Tema të Ngjashme

  1. Fjalimi i At Gjergj Fishtes ne konferencen e paqes (1919)
    Nga mitjuk në forumin Çështja kombëtare
    Përgjigje: 0
    Postimi i Fundit: 27-09-2013, 08:02
  2. Përgjigje: 0
    Postimi i Fundit: 14-09-2011, 15:04
  3. Përgjigje: 10
    Postimi i Fundit: 27-12-2010, 10:14
  4. Fjalimi i Fishtës në Konferencën e Paqes në vitin 1919, në Paris
    Nga DYDRINAS në forumin Historia shqiptare
    Përgjigje: 1
    Postimi i Fundit: 16-10-2009, 17:36
  5. Grindje për kryesinë e lidhjes së shkrimtarëve dhe artistëve
    Nga Fiori në forumin Enciklopedia letrare
    Përgjigje: 7
    Postimi i Fundit: 24-12-2007, 06:22

Fjalët Kyçe për Temën

Regullat e Postimit

  • Ju nuk mund të hapni tema të reja.
  • Ju nuk mund të postoni në tema.
  • Ju nuk mund të bashkëngjitni skedarë.
  • Ju nuk mund të ndryshoni postimet tuaja.
  •