Mazhoranca dhe opozita miratojnë me 110 vota amnistinë penale
Pas një dakordësie paraprake mes mazhorancës dhe një pjese të opozitës, Kuvendi arriti të miratojë të enjten në mbrëmje me shumicë votash projektligjin për Amnestinë Penale duke përfshirë dhe amendamentet e minutës së fundit të kreut të Grupit Parlamentar të PD-së, Gazmend Bardhi.
Nga Blerina Gjoka
Kuvendi i Shqipërise gjatë punimeve për votimin e Presidentit. Foto: Xhemali Moku/ BIRN
Me 116 vota pro në parim dhe 110 vota në votimin final, amnistia pritet të nxjerrë nga burgjet të paktën 700 të burgosur dhe të ketë ulje dënimi për 400 të tjerë, sipas statistikave të Ministrisë së Drejtësisë.
Deputeti Agron Shehaj ishte e vetmja votë kundër, ndërsa deputetja socaliste Ermonela Felaj abstenoi.
Projektligji i qeverisë u mbajt peng për mungesë votash për disa muaj dhe u ndryshua në komisionin e Ligjeve nga deputetët e shumicës, duke futur në kategoritë e përfituesve edhe subjektet e dënuar nga Gjykata e Posaçme.
Opozita e kundërshtoi këtë gjë, por në amendamentin e saj edhe pse përjashtohen zyrtarët e lartë shtetërorë, gjithsesi përfitojnë ulje dënimi zyrtarë të mesëm që janë dënuar për veprat penale që lidhen me korrupsionin.
Gjatë seancës plenare, Bardhi këmbënguli se nuk do të përfitonin zyrtarët e lartë, “Me amendamentin tonë dhe analizën e ekspertëve, asnjë person zyrtar i lartë i dënuar për korrupsion, tendera, nuk përfiton nga amnistia,” deklaroi ai.
Amendamenti i Bardhit përjashton nga përfitimi një grup funksionesh kushtetuese, të tillë si presidenti, kryeministri, ministra, zëvendësministra, deputetë dhe funksionarë të tjerë të lartë të drejtësisë e të ngjashme, por lejon uljen e dënimit për një seri veprash penale në kompetencë të GJKKO-së për zyrtarë të tjerë të nivelit të lartë, gjyqtarë, prokurorë apo persona fizikë të dënuar për korrupsion, abuzim me tenderat dhe të ngjashme.
Ky amendament u kundërshtua nga nga grupimi opozitar i drejtuar nga Lulzim Basha, të cilët ngritën akuza për pazar politik mes grupimit tjetër opozitar që njihet si “Rithemelimi” dhe mazhorancës në pushtet.
Enkelejd Alibeaj tha se “djalli fshihej në detaje” duke iu referuar amendamentit “Bardhi” dhe rreshtoi veprat penale që përfitonin ulje dënimi që lidheshin me korrupsionin. Ai e quajti pazar politik bashkimin e votave mes kolegëve të tij opozitarë dhe shumicës në pushtet.
Pavarësisht kundërshtimit, grupimi i Bashës nuk votoi kundër projektligjit.
Ndërsa Shehaj që votoi kundër, argumentoi se amnistia po jep mesazh të gabuar për punën e SPAK-ut duke pranuar ulje dënimi për të dënuarit për korrupsion duke iu referuar amendamentit të miratuar në seancë.
“Mesazhi për SPAK-un është i qartë; ju i kapni, ne i nxjerrim,” tha ai para mediave, duke shtuar se “unë nuk bëhem pjesë e kësaj loje”.
Edhe deputeti i PD-së, Dashnor Sula foli për mungesë transparence për mënyrën se si u fut në votim brenda ditës pa u lënë mundësi deputetëve të propozonin amendamente.
Në versionin final të miratuar u zgjat afati kohor i përfitimit deri 31 mars 2024, u rritën vitet në uljen e dënimit në 2 vite për gratë dhe në 1.5 vite për burrat dhe përfshiu dhe kategorinë e protestuesve kryesisht të opozitës që janë në proces hetimi apo të dënuar. Amendamenti për faljen e protestuesve përfshiu në debat dy grupimet e opozitës dhe u paraqiten dy amendamente të ndryshme, por u miratua versioni i Bardhit.
BIRN
Krijoni Kontakt