Komisioneri Dervishi mbi sfidën e të drejtës për informim në Shqipëri
E drejta e informimit vazhdon të mbetet një problem në Shqipëri, pavarësisht se garantohet me ligj. Kuvendi miratoi në fund të vitit të kaluar disa ndryshime në legjislacion, megjithatë zbatimi vijon të mbetet një sfidë.
Komisioneri për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale, Besnik Dervishi tha në një intervistë për Zërin e Amerikës se ka raste të kufizimit të informacionit për shkak të trysnisë, mungesës së profesionalizmit nga ana e punonjësve të institucioneve, por edhe për shkaqe abuzimi.
Megithatë, zoti Dervishi tha në mbi 70 për qind të rasteve të trajtuara nga ana e Komisionerit, institucionet kanë reaguar duke dhënë menjëherë informacionin.
Zëri i Amerikës: Zoti Dervishi, e drejta e informimit vazhdon të mbetet sfidë për vendin tuaj. Ligji u ndryshua se fundmi, megjithatë, rastet e shkeljes së të drejtës për informim po vazhdojnë. Është mungesë e vullnetit politik që autoritetet të jenë trasnparente, apo ka arsye të tjera që ndikojnë në këtë situatë?
Besnik Dervishi: Natyrisht si për çdo fushë të veprimtarisë, si për çdo të drejtë dhe liri themelore të njeriut, edhe këtu situata është më komplekse. Në këtë situatë ndikojnë shumë faktorë, shumë veprimtari të ndryshme. Është e vërtetë që ligji për të drejtën e informimit dhe kjo besoj se pranohet nga të gjithë, është një ligj i mirë dhe është përmirësuar më shumë me ndryshimet që u bënë vitin e kaluar.
Besoj që për këtë është bërë një proces model i konsultimit publik me të gjitha grupet e interesit, mediat investigative, shoqërinë civile për të patur një ligj sa më të mirë dhe të gjitha sugjerimet e bëra gjatë këtij procesi të konsultimit publik janë reflektuar. Edhe disa problematike për të cilat mediat apo shoqëria civile nuk ishin dakord, natyrisht që nuk u reflektuan në ndryshimet që u bënë. Megjithatë, ai mbetet një nga ligjet më të mira në botë.
Përsa i përket problematikave të zbatimit, ligji parashikon një instrument, që është shumë i rëndësishëm. Ai është instituti i programit të transparencës, apo transparenca aktive, që është informacioni publik që vetë autoritetet publike, vetë institucionet publike duhet t’i japin dhe t’i bëjnë publike pa kërkesë të qytetarit apo të kujtdo që është i interesuar apo të medias në rastin konkret. Natyrisht, ne nuk mund të pretendojmë që mrekullira të ndodhin nga sot për nesër, sepse ajo që pyetët, pra se çfarë ndikon: a është politika, presioni politikë? Unë do të thoja jo, sepse transparenca në vetvete është një kulturë. Ne nuk e kemi traditë të trashëguar. Kjo është një kulturë e re, të cilën ne po e kultivojmë. Unë e kam përmendur edhe një herë tjetër dhe uroj që të mos jem përsëritës edhe këtu në tryezën tuaj të nderuar, që ne kemi trashëguar një kulturë, ku diçka që është zyrtare nuk është publike, kur në fakt është e kundërta. Diçka pikërisht se është zyrtare duhet të jetë publike. Dhe natyrisht kjo kërkon kohën e vetë.
Unë besoj nuk jemi në kohë revolucionesh, po me ligjin për të drejtën e informimit ne jemi shumë afër ndryshimit revolucionar të mentalitetit të autoriteteve publike sepse nuk ka më informacion që kufizohet apriori.
Natyrisht, ka raste të kufizimit të informacionit të padrejtë, jo vetëm për shkak të presionit por edhe mungesës së profesionalizimit. Kjo ndodh edhe për shkak të një lloj ndrojtjeje apo frike që kanë vetë punonjësit. Natyrisht që ka edhe shkaqe të abuzimit. Por, unë mund t’ju garantojë, ne e kemi bërë edhe publike raportin që ne paraqesim, tek ne vijnë një mijë ankesa. Ndërsa kërkesat, që i shkojnë autoriteteve publike, shkojnë më tepër se dhjetëfishi i kërkesave për informacion. Të paktën përsa i evidentojmë ne, sepse mund të ketë edhe kërkesa të tjera, shumë më tepër. Pra, vetëm 10 për qind të tyre. Kjo nuk do të thotë se vetëm 10 për qind e informacionit nuk është dhënë. Mund të jetë edhe më tepër. Por, në fund, 70 për qind e ankesave që vijnë tek ne, plus minus, menjëherë me ndërhyrjen e komisionerit vihen në dispozicion. A janë cilësore, a janë më pak cilësore? Natyrisht që edhe këtu ka shumë për të bërë. Por, ky është një proces, kjo është një rrugë e gjatë, që duhet bërë dhe besoj që në këtë rrugë, me shoqërinë civile, veçanërisht me median, median investigative, zyra e komisionerit tashmë prej vitesh e ka konfirmuar që është një partner, besoj edhe sipas konfirmimeve të tyre, i besuar.
Zëri i Amerikës: Kjo, në fakt, edhe sipas raporteve që ju i keni publikuar, zoti Dervishi, kërkesat e gazetarëve, kryesisht të mediave investigative, janë ato të cilat në shumë raste refuzohen nga ana e institucioneve. Konkretisht, cilat janë institucionet më pak transparente në Shqipëri?
Besnik Dervishi: Nuk është problemi që ka një institucion më shumë transparent ose më pak transparent. Natyrisht që ne çdo vit, tashmë është viti i tretë, publikojmë indeksin e transparencës, e cila mund të konsultohet lehtësisht në faqen e zyrës së komisionerit. Aty reflektohen institucionet, që ne i kemi ndarë sipas kategorive, institucione qendrore ose institucione të vetëqeverisjes vendore. Pra ato institucione që nëpërmjet programit të transparencës japin një informacion më të saktë dhe më të konsoliduar, për sa i përket asaj që i shërben qytetarëve apo medias.
Unë mendoj që kjo nuk është shumë e rëndësishme, por nga ana tjetër ne kemi edhe një indeks tjetër të matjes së punës tonë, se sa ndikojmë tek pakënaqësia e institucioneve publike nga vendimet tona. Kur institucionet reagojnë nga vendimmarrja e komisionerit kjo tregon se ne e kemi bërë punën mirë dhe i kemi shërbyer të drejtës për informim.
Zëri i Amerikës: Si i keni trajtuar rastet që kanë ardhur para institucionit tuaj?
Besnik Dervishi: Unë përmenda se mbi 70% e ankesave dhe rasteve që vijnë tek ne, jepet informacioni i autoriteteve publike menjëherë sapo fillon procesin e hetimit administrativ zyra e komisionerit, sepse ne bëjmë një hetim administrativ. Sa dërgon shkresën komisioneri, apo sa dërgojmë emailin apo sa dërgojmë inspektorët për të inspektuar pranë një autoriteti publik, natyrisht dhe i ndihmojmë autoritetet publike sepse shpesh herë duhet vendosur edhe balanca mes të drejtës së informimit apo mbrojtjes së të dhënave personale, apo sekretit tregtar, apo kufizimeve të tjera që parashikon ligji.
Në mbi 70% të rasteve informacioni vihet menjëherë në dispozicion. Në raste të tjera, natyrisht ka disa vlerësime dhe kërkesa që janë jashtë objektit të ligjit për të drejtën e informimit. Një pjesë tjetër ne i orientojmë qytetarët dhe për pjesën që mbetet, që nuk ka reagim nga ana e autoriteteve publike, natyrisht që zyra e komisionerit del edhe me vendime urdhërimi.
Vitin e kaluar ka pasur një rritje, vendosje të sanksioneve edhe për shkak të rregullimeve ligjore që iu bën ligjit. Sepse ligji kishte një problem, nuk e përcaktonte përgjegjësinë direkte të nëpunësit konkret të administratës publike dhe kjo është një nga risitë kryesore të ligjit. Sot me ndryshimet që iu bënë ligjit sanksioni vihet ndaj personit që identifikohet si përgjegjës direkt për mosdhënien e informacionit.
Zëri i Amerikës: Institucioni që ju drejtoni mbikëqyr zbatimin e ligjeve në dy fusha: Të drejtën e informimit dhe mbrojtjen e të dhënave personale. Gjatë 2 apo 3 viteve të fundit në Shqipëri kanë ndodhur disa raste të rrjedhjes në publik të të dhënave të qytetarëve. Çfarë masash keni marrë ju përballë këtyre ngjarjeve?
Besnik Dervishi: Kjo është e lidhur me shumë faktorë. Një nga faktorët janë zhvillimet teknologjike. Sa më shumë zhvillime teknologjike të ketë aq më shumë rritet edhe rreziku. Ajo që është thelbësore është marrja e masave të sigurisë. Duhet të kesh një legjislacion të fortë dhe në këtë pikë ne kemi ecur mirë, duke miratuar konventën e Këshillit të Evropës.
Jemi në proces të miratimit të rregullores së përgjithshme të mbrojtjes së të dhënave të Bashkimit Evropian. Por nga ana tjetër kërkon investim me burime njerëzore, kërkon burime financiare, kërkon trajnime pafund për të marrë ato masa sigurie të fuqishme për të cilat kanë nevojë sa më shumë shërbime online, që është një e mirë për qytetarin, aq më shumë kërkohet edhe marrja e masave të sigurisë, për të mbrojtur të dhënat, për të mbrojtur identitetin e çdo qytetari.
VOA
Krijoni Kontakt