Close
Duke shfaqur rezultatin -19 deri 0 prej 5
  1. #1
    Shpirt Shqiptari Maska e Albo
    Anëtarësuar
    16-04-2002
    Vendndodhja
    Philadelphia
    Postime
    30,461
    Postimet në Bllog
    17

    8 marsi - Rama ndan trëndafila, opozitarët ngrejnë çështjen e dhunës ndaj grave në familje

    Kryeministri uron 8 Marsin me një video, ku shpërndan trëndafila

    “MIRËMËNGJES
    dhe me ditën e 8 Marsit që të kujton se nuk ka lule që ua merr nurin, grave të sakrificës, dhembshurisë e dashurisë, ju uroj një ditë të mbarë”- shkruan Edi Rama, duke e shoqeruar me videon e mëposhtëme.

    Emri:  Capture-74.jpg

Shikime: 22

Madhësia:  24.5 KB

    Emri:  Capture-75.jpg

Shikime: 21

Madhësia:  18.7 KB

    Video


    Koha Jone

  2. #2
    Shpirt Shqiptari Maska e Albo
    Anëtarësuar
    16-04-2002
    Vendndodhja
    Philadelphia
    Postime
    30,461
    Postimet në Bllog
    17

    Për: 8 marsi - Rama ndan trëndafila, opozitarët ngrejnë çështjen e dhunës ndaj grave në familje

    PD: Dhuna ndaj grave, betejë e të gjithëve, duhet një plan kombëtar kundër dhunës ndaj grave

    Emri:  auto_85b05be7-cf06-4f43-8e40-c86dac5e44bf1709917263.jpg

Shikime: 13

Madhësia:  34.7 KB

    Partia Demokratike me anë të një konference për mediat, ka kërkuar që të ketë një plan kombëtar për dhunën ndaj grave.

    Deputete dhe anëtare të departamenteve të ndryshme në PD, janë shprehur se, dhuna ndaj grave është betejë e të gjithëve dhe jo vetëm e ndonjë sektori në veçanti.

    Deklaratë e PD:

    Vit mbas viti Shqipëria përballet me një realitet të trishtë për sa i përket dhunës ndaj grave. Përtej fjalëve dhe fjalimeve të qeverisë, gati asnjë gjë nuk bëhet në të vërtetë për të luftuar këtë fenomen.

    Koha e vështrimit dhe e pasivitetit ka kaluar. Dhuna ndaj grave është një realitet por jo një fatalitet. Edhe pse dhuna ushtrohet ndaj grave, beteja në vetvete është e të gjithëve. Shteti ka mjete te nevojshme për të luftuar këtë fenomen.

    Që kjo të ndodh duhet në radhë të parë një shprehje e qartë e vullnetit politik. Partia Demokratike propozon që lufta kundër dhunës ndaj grave të shpallet kauzë madhore dhe të hartohet një Plan Kombëtar ndërdisiplinor zbatimi i të cilët ti ngarkohet një Koordinatori ndërministror pranë Kryeministrit. Mbikëqyrja e këtij Plani të bëhet nga një grup deputetësh të gjithë krahëve politik.

    Arsimi duhet të jetë shkalla e parë dhe e pazëvendësueshme për të ulur në mënyrë të qëndrueshme dhe afatgjate dhunën kundër grave. Masat për trajnimit e personelit arsimor, koha e kushtuar në klasë për këto tema duhet të rriten ndjeshëm.

    Gratë nuk duhet të prezantohen si qenie të brishta. Duhet të ketë çdo semestër orë të veçanta të përqendruara tek suksesi i grave për ti treguar vajzave larmin e drejtimeve që mund t’ju japin jetës së tyre.

    Shteti duhet të lidh një kontratë të re bashkëpunimi dhe besimi me organizatat jo qeveritare dhe me psikologët për tëri përkufizuar rolin e tyre dhe për ti bërë pjesë të plotë të planit kombëtar në të gjitha hallkat e tij.

    Çlirimi i fjalës, zgjidhja e gjuhës është një sfidë tjetër të cilës duhet ti përgjigjet Plani Kombëtar. Hendeku i parë që haset në çështjen e luftës kundër dhunës ndaj grave është çlirimi i fjalës që mundëson identifikimin e viktimave. Në Shqipëri ka akoma pengesa të mëdha shoqërore për sa i përket denoncimit të rasteve të dhunës, sidomos kur këto të fundit shkaktohen nga persona të njohur apo nga familjarë.

    Që kjo të ndryshoj, duhet menduar një sistem i tërë ku struktura të ndryshme të shtetit apo të shoqërisë të identifikojnë tregues apo shenja që ngrenë dyshime për raste të dhunës ndaj grave.

    Personali mjekësorë në të gjitha hallkat duhet të luaj një rol më të rëndësishëm në identifikimin dhe shoqërimin e viktimave. Farmacistët duhet të trajnohen që të identifikojnë shenja të tilla në bazë të ilaçeve të blera, mjekët në bazë të simptomave të pacientëve. Mund t’ju lihen pyetësor që duhet t’ua bëjnë grave dhe një dokument sintetik të cilin duhet t’ua japin në çdo rast nëse kanë dyshime.

    Duhet të krijohet mundësia e ngritjes së një padie penale drejtpërdrejtë në spital apo në farmaci, në një zonë të mbrojtur pra nga dhunuesi nëse mbas bisedës viktima pranon që të kërkojë ndihmë dhe mbrojtje nga shteti;

    Mbrojtja e viktimës, një tjetër çështje ku ne çalojmë. Viktima gjatë procesit të hetimit vazhdon në shumicën e rasteve të gjendet në situata ku takon dhunuesin. Qoftë sepse banojnë në një shpi apo në një komunitet të vogël. Dihet sot se barrierat janë të shumta për viktimën.

    Një prej arsyeve të mos ngritjes së padisë është mungesa e mbrojtjes nga dhunuesi apo edhe nga shoqëria që gjykon viktimën në vend se të dënoj dhunuesin.

    Shteti nëpërmjet veprimtarisë së tij duhet të ngrejë këto barriera për të siguruar mbrojtjen e viktimës. Mbasi kemi arritur të krijojmë një sistem ku fjala lirohet duhen marrë menjëherë masa të forta.

    Të paktën një komisariat për çdo rreth duhet të ketë një ekip të specializuar për çështjet e luftës kundër dhunës ndaj grave. Një specializim i tillë i një strukture është thelbësore për kuptimin dhe trajtimit me seriozitet të kësaj çështje.

    Viktimave duhet tu jepet një ‘Telefoni rrezik i madh’ i cili të jetë i lidhur drejtpërdrejtë me shërbimet e ndërhyrjes së shpejtë nëse dhunuesi i afrohet përsëri viktimës.

    Menjëherë mbas padisë dhe në pritje të gjykimit, mund të vendoset një masë parandaluese të vendosjes së një byzylyku elektronik kundër afrimit i pajisur me një gps që të lajmëroj viktimën në rast se dhunuesi i afrohet brenda një qarku të përkufizuar.

    Duhet të krijohet procedura ‘ndihmë urgjente’ për viktimat që për shkak të presionit shoqëror apo rrezikut që u kanoset duhet të lënë banesën e tyre. Kjo procedurë duhet të parashikoj strehimin falas ne banesa të veçanta në qytete të tjera, larg presioneve.

    Në raste të veçanta, duhet të vendoset që hetimi dhe trajtimi i padisë të bëhet nga një komisariat i një qyteti tjetër (ose nga ekipi i specializuar i rrethit). Kjo gjë është veçanërisht e nevojshme në rastet e komuniteteve të vogla ku mund të ushtrohet trysni mbi policët e ngarkuar me hetimin;

    Ndëshkimi duhet të bazohet mbi parimin e tolerancës zero që frika të ndryshojë krahë. Mos ndëshkimi i duhur përçon një mesazh negativ brenda shoqërisë dhe kjo i pengon viktimat që ti shkojnë deri në fund procesit kundër dhunuesit të tyre. Ndaj propozimet e PD janë në kuadër të një plani kombëtar sepse asnjëra nuk mund të kuptohet në mënyrë të pavarur nga tjetra. Duhet që të gjitha këto propozime të miratohen dhe zbatohen njëkohësisht.

    Dënimet duhet të jenë të larta dhe të një natyre të tillë saqë të shënojnë vullnetin e shtetit për të luftuar një fenomen i cili nuk duhet ta ketë më vendin në shoqërinë shqiptare;

    Duhet të krijohet një procedurë e përshpejtuar të gjykimit në mënyrë që viktima të mos pres gjatë. Në rastet e dhunës ndaj grave çdo sekondë që kalon pa mbrojtje apo pa ndëshkim është një sekondë që rrit rrezikun e përsëritjes së aktit ndaj viktimës.

    Emri:  auto_67b93f69-1a4e-4c1d-bcf8-bdbba5b158551709917280.jpg

Shikime: 14

Madhësia:  40.7 KB

    Emri:  auto_929f79e7-f16a-48a8-8a0c-3cd8d531e6021709917279.jpg

Shikime: 14

Madhësia:  26.9 KB

    Emri:  auto_3a19aaac-6942-4bb7-84b7-44f5badfbe391709917278.jpg

Shikime: 14

Madhësia:  30.9 KB

    Emri:  auto_6cdb3325-42c1-46c6-ab10-a9b2f8d21d551709917278.jpg

Shikime: 14

Madhësia:  32.9 KB

    Emri:  auto_ec8be0fc-3a7a-4a48-a4dc-50c3298f874a1709917277.jpg

Shikime: 15

Madhësia:  34.9 KB

    Emri:  auto_36b2e220-0c3f-453e-b4fc-4364fca3a3121709917277.jpg

Shikime: 14

Madhësia:  41.9 KB

    Emri:  auto_6a3932ed-909c-4e9f-94d1-ce50945e96401709917273.jpg

Shikime: 14

Madhësia:  30.3 KB

    Syri

  3. #3
    Shpirt Shqiptari Maska e Albo
    Anëtarësuar
    16-04-2002
    Vendndodhja
    Philadelphia
    Postime
    30,461
    Postimet në Bllog
    17

    Për: 8 marsi - Rama ndan trëndafila, opozitarët ngrejnë çështjen e dhunës ndaj grave në familje

    “Nuk kemi asnjë mundësi”: Viktimat e dhunës në Kukës mbeten pa përkrahje

    Në Kukës, një nga qarqet më të varfëra të vendit, viktimat e dhunës në familje nuk gjejnë mbështetje dhe mjaft prej tyre zgjedhin të qëndrojnë në mjediset e dhunës me frikë për t’u përballur me presionin social dhe pamundësitë ekonomike.

    Nga Bashkim Shala

    Emri:  proteste-8-mars-2019-Loreta-Cuka23.jpg

Shikime: 14

Madhësia:  74.6 KB
    Gratë dhe vajzat shqiptare në protestë më 8 Mars 2019. Foto: Loreta Çuka/BIRN

    Më 7 qershor 2023, një mësuese nga Tropoja u përball me bashkëshortin në oborrin e shkollës ku jepte mësim. Bashkëshorti, i cili po ashtu është nëpunës publik, e sulmoi atë në sy të kolegëve dhe i mori telefonin kur ajo tentoi të merrte policinë.

    Gruaja ishte pajisur me urdhër mbrojtje dy javë më herët, pas një incidenti të mëparshëm dhune, por kjo nuk e ka ndaluar dhunuesin.

    “Edhe pas lëshimit të urdhrit të mbrojtjes jam kërcënuar dhe poshtëruar nga bashkëshorti, por nuk kam bërë kallëzim për hir të fëmijëve,” citohet ajo në vendimin e gjykatës që shqyrtoi rastin e saj. Bashkëshorti dhunues u dënua me 1 vit burg, për dhunën në familje dhe për kundërshtimin e vendimit të gjykatës. Gruaja është tani në proces divorci dhe Zyra Arsimore lokale ka ndihmuar ta transferojë atë në një shkollë tjetër.

    Por shumë prej grave të dhunuara në këtë qark nuk gjejnë ndihmën e kërkuar dhe mjaft prej tyre vijojnë të qëndrojnë me dhunuesit.

    Vitin e shkuar, në Gjykatën e Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm në Kukës janë paraqitur 24 kërkesa për Urdhër Mbojtjeje, por vetëm në tetë prej tyre palët kanë kërkuar zgjidhje martese.

    Ndërsa bashkia e Kukësit ofron një ndihmë minimale dhe strehim deri në 48 orë për gratë e dhunuara, në dy bashkitë e tjera ndihma është zero. Në Tropojë nuk ka as koordinatore për rastet e dhunës, ndërsa koordinatorja e bashkisë së Hasit i tha BIRN se kishte më pak se një javë që kishte filluar punën.

    “Vijnë gra të dhunuara dhe ankohen në bashki dhe ne nuk kemi asnjë mundësi zgjidhje,” thotë Shkurte Gjoka, përgjegjësen e Sektorit të Ndihmës Ekonomike dhe Mbrotjes Sociale në Bashkinë e Tropojës.

    Rrethi vicioz

    Bashkia e Kukësit me rreth 48 mijë banorë sipas Censusit të vitit 2011 numëron 144 raste të asistuara të viktimave të dhunës në familje që prej vitit 2018. Në bashkinë e Tropojës referohen vetëm ato raste të grave që shkojnë për të marrë ndihmë ekonomike, pasi janë pajisur me urdhër mbrojtje.

    “Në Bashkinë Tropojë gjatë këtyre viteve janë të referuara pranë zyrës së Ndihmës Ekonomike dhe Mbrojtjes Sociale afërsisht 10-15 raste të dhunës në familje,” tha në përgjigje të kërkesës së “BIRN” Ornela Osmanaj e Njësisë për Mbrojten e Fëmijëve dhe Barazisë Gjinore në Bashkinë e Tropojës. Në Has nuk ka një statistikë mbi numrin e grave të dhunuara.

    Gjatë vitit të kaluar, në Gjykatën e Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm në Kukës janë paraqitur 24 kërkesa për urdhër të menjëhershëm mbrojtjeje dhe urdhër mbrojtjeje. Sipas të dhënave të marra nga gjykata, vetëm ndaj 5 personave të akuzuar për dhunë gjatë këtij viti është regjistruar procedim penal.

    Edhe ato pak çështje që shkojnë në gjyq, përfundojnë në mjaft raste si motive për dhunë të shtuar mbi viktimat. Këto të fundit para gjykatës përpiqen që t'i lehtësojnë dhunuesit nga përgjegjësitë penale dhe madje vetëfajësohen.

    “Me bashkëshortin kam komunikim çdo ditë, marëdhëniet tona janë normalizuar, duket i qetë, kam folur në telefon dhe skype. Uljet dhe ngritjet që kemi pasur në raportin tonë janë ndikuar edhe nga ana ime,” regjistrohet të ketë thënë njëra prej viktimave në procesin gjyqësor.

    Për avokatët që ndjekin këto çështje në gjykatë, mbrojtja e burrave dhunues nga bashkeshortet është diçka e zakonshme.

    “Kështu ndodh në të shumtën e rasteve, ku bashkëshortet pasi denoncojnë burrat, kërkojnë që t'i mbrojnë ata me shpresë që do të ndryshojnë, apo nga presioni i të afërmve, mentalitetit etj. Të njëjtën gjë bëjnë edhe ato që e kanë vendosur të divorcohen,” thotë Ilir Nerguti, avokat në Kukës.

    Rasti i mësueses megjithatë konsiderohet i sukseshëm, sa kohë ajo bashkë me fëmijët është larguar nga shtëpia e dhunuesit dhe po ashtu është transferuar në një punë të re që i ofron njëfarë mbrojtjeje. Por në shumicën e rasteve, viktimat e dhunës nuk e kanë këtë mundësi. Ato nuk kanë punë dhe nuk gjejnë strehim, duke u shtrënguar të jetojnë me dhunuesit.

    “Kemi rastin e një gruaje me 7 fëmijë që megjithëse dhunohet sistematikisht nuk pranon të divorcohet për shkak të problemeve financiare, por edhe për hir të mentalitetit,” thotë për “BIRN” Lirie Gjana, koordinatore Vendore Kundër Dhunës në Familje në Bashkinë Kukës.

    Jashtë vëmendjes

    Legjislacioni shqiptar parashikon mbrojtje dhe mbështetje financiare për gratë e dhunuara, por mundësitë e pushtetit lokal janë minimale.

    Lirie Gjana, koordinatore Vendore Kundër Dhunës në Familje në Bashkinë Kukës, i tha BIRN se ata kishin siguruar vetëm 1.6 milionë lekë për vitin 2024 – shumë e cila do të shërbejë për të mbajtur hapur strehëzën e emergjencës në këtë bashki.

    “Kemi aplikuar për mbajtjen e strehëzës së emergjencës për gratë që vijnë nga zonat rurale pasi paraqiten në polici të cilat i asistojmë në këtë strehëz deri në 48 orë, në ndonjë rast edhe 72 orë”, thotë Gjana.

    Bashkia e pranon që mundësitë për t'u ardhur realisht në ndihmë grave të dhunuara janë minimale. Sipas Gjanës, punësimi dhe strehimi i viktimave të dhunës për një kohë më të gjatë se emergjenca është pa zgjidhje.

    “Viktimat e dhunës regjistrohen te zyra e punës. Megjithëse kanë prioritet në punësim, atyre u ofrohen punë të papërshtatshme”, thotë ajo. Sipas Gjanës, problemet e strehimit vështirësohen prej sistemit të pikëzimit që aplikohet, pasi viktimat shpesh nuk i marrin pikët që u duhen.

    Megjithatë situata në Kukës është ku e ku më mirë se në dy bashkitë e tjera të qarkut. Në bashkinë e Tropojës mungon koordinatorja Vendore Kundër Dhunës në Familje dhe nuk ka as staf ndihmës për këtë punë.

    “Nuk kemi staf për gratë e dhunuara. Kemi pasë 2-3 raste të dhunës ekstreme në familje. Nuk ka një panoramë të plotë për dhunën ne familje, pasi nuk ka vlerësim. Ne si bashki nuk kemi në strukturë një Koordinator/e Vendor Kundër Dhunës në Familje, por e mbulojmë me specialist të sektorit”, deklaron për “BIRN” Shkurte Gjoka, përgjegjëse e Sektorit të Ndihmës Ekonomike dhe Mbrotjes Sociale në Bashkinë e Tropojës.

    Gjoka thotë se në bashkinë e Tropojës nuk ka qendër sociale apo komunitare për gratë e dhunuara, nderkohë që edhe fondet për këtë shqetësim janë zero. “Kemi disa plane sociale të miratuar në Këshillin e Bashkisë, por që nuk janë realizuar”, thotë Gjoka.

    Ajo thotë se mungesa e një strehimi të përkohshëm për gratë e dhunuara në Tropojë e ka vënë shpesh në pozitë të vështirë. “Më merr në orët e vona të natës shefi i komisariatit pasi është paraqitur viktima e dhunës dhe unë nuk kam ku e strehoj. Në shumë raste i kam strehuar në hotel, duke paguar lekë nga xhepi im,” thotë Gjoka, që shton se në bashki do duhej të kishte një fond të veçantë për këtë ndihmë, por që nuk është parashikuar.

    Në bashkinë e Hasit, ndryshimi i drejtimit të bashkisë ka ndryshuar edhe koordinatoren Vendore Kundër Dhunës në Familje.

    “Kam vetëm një javë që kam marrë detyrën dhe ende nuk jam njohur me shifrat”, tha për BIRN Ristana Bajraktari, koordinatore Vendore Kundër Dhunës në Familje në bashkinë e Hasit. Edhe në këtë bashki fondet për viktimat e dhunës janë zero. “Për vitin 2024 fondet për viktimat e dhunës në familje janë zero. Do të ishte mirë që të planifikonim, por nuk janë mundësitë,” tha për “BIRN” Seit Meshi, drejtor i financës në bashkinë e Hasit.

    Vakuumi i krijuar nga bashkitë në qarkun e Kukësit nuk mbulohet as nga OJF-të. “Një shoqatë që ndihmonte sadopak gratë e dhunuara në Tropojë është tërhequr ka dy vjet”, thotë Shurte Gjoka. Ajo thotë se organizatat nuk vijnë në zonat rurale dhe shpesh kur vijnë “janë sa për fasadë”.

    BIRN

  4. #4
    Shpirt Shqiptari Maska e Albo
    Anëtarësuar
    16-04-2002
    Vendndodhja
    Philadelphia
    Postime
    30,461
    Postimet në Bllog
    17

    Për: 8 marsi - Rama ndan trëndafila, opozitarët ngrejnë çështjen e dhunës ndaj grave në familje

    Në Tiranë, më pak se 1 në 100 viktima të dhunës përfitojnë nga programet e strehimit

    Punësimi dhe strehimi konsiderohen dy elementët kryesorë për integrimin e viktimave të dhunës në familje, por aktivistët e të drejtave të njeriut theksojnë se fuqizimi ekonomik nga ana e shtetit është i papërfillshëm.

    Nga Anesti Barjamemaj

    Emri:  poster-sensibilizues.jpg

Shikime: 14

Madhësia:  36.5 KB

    Në pritje të fëmijës së saj të pestë, Aleksandra ka trokitur sërish për ndihmë në dyert e qendrës “Në dobi të gruas shqiptare”. Ajo është vetën 32 vjeç, anëtare e komunitetit egjiptian në Tiranë dhe viktimë e përsëritur e dhunës në familje.

    Sipas aktivistes Sevim Arbana, gruaja e re është martuar katër herë, por është dhunuar nga të gjithë bashkëshortët.

    “Nuk kemi siguri që ajo mund të çlirohet nga dhuna. Ajo tashmë është shtatzënë dhe do e ketë shumë të vështirë dhe për të gjetur punë. Ne kemi bërë maksimumin, por kaq kemi mundur,” thotë Arbana, drejtuese e qendrës “Në Dobi të gruas shqiptare”.

    Punësimi dhe strehimi konsiderohen dy elementët kryesorë për integrimin e viktimave të dhunës në familje, por aktivistët e të drejtave të njeriut ankohen se pavarësisht parashikimeve në legjislacion, ndihma e shtetit në të dy drejtimet është e papërfillshme.

    Mbështetja sociale për këtë kategori është gjithashtu nën nivelin minimal të jetesës – rreth 9 mijë lekë në muaj – dhe e pamjaftueshme për t'i nxjerrë gratë dhe fëmijët e tyre nga rrethi vicioz i dhunës.

    Në bashkinë e Tiranës – më e madhja e vendit – më pak se 1 në 100 viktima të dhunës në familje kanë përfituar nga programet e strehimit social përgjatë katër viteve të fundit.

    Sipas Bashkisë së Tiranës, e cila koordinon veprimtarinë e Mekanizmit të Referimit të Dhunës në Familje, nga 3388 raste të trajtuara të dhunës për vitet 2020-2023, vetëm 25 përfituan nga programi i subvencionimit të qirasë dhe 5 të tjera nga programi i subvencionimit të interesave të kredisë.

    Rastet minimale të përfitueseve lidhen sipas Arbanës me kriteret e shtrënguara dhe burokracitë që aplikohen nga njësitë e qeverisjes vendore.

    “Nëse realisht nuk realizojmë fuqizimin ekonomik të grave dhe pavarësinë e jetesës që do të thotë strehim, nuk kemi arritur asgjë,” tha Arbana për BIRN. “Në këtë mori ndërtimesh, jemi i vetmi vend në botë që bëjmë kaq ndërtime të mëdha dhe nuk ka asnjë ndërtim për shtresën e mesme dhe të varfër,” shtoi ajo.

    Urdhri i mbrojtjes nuk funksionon

    Emri:  Screenshot 2024-03-08 at 2.10.30 PM.jpg

Shikime: 14

Madhësia:  15.8 KB

    Në Gjykatën e Tiranës, kërkesat për urdhër mbrojtjeje ndaj dhunës në familje kanë shënuar rritje në vitet e fundit; nga 1052 kërkesa në vitin 2021 në 1271 të tilla në vitin 2023. Megjithatë, të dhënat e vëna në dispozicion nga Gjykata e Tiranës tregojnë se pranimi i këtyre kërkesave ka ardhur në rënie nga viti në vit.

    Nga 3465 kërkesa të depozituara në Gjykatë për tre vjet janë miratuar vetëm 1542 urdhra mbrojtjeje ose rreth 44% e totalit.

    Aktivistët e të drejtave të njeriut shprehen të shqetësuar se ky mekanizëm nuk po funksionon siç duhet dhe nuk mjafton për të ofruar mbrojtje efikase.

    “Urdhri i mbrojtjes nuk funksionon në kuptimin e mbrojtjes që duhet të ofrojë. Pra sistemi nuk funksionon. Urdhrat lëshohen pa vonesa nga gjykatat dhe policia, por monitorimi i tyre dhe hallkat të cilat ofrojnë sigurinë dhe mbrojtjen nuk ekzistojnë,” thotë Ines Leskaj nga Rrjeti i Fuqizimit të Gruas në Shqipëri, AWEN.

    Edhe Sidorela Vatnikaj, aktiviste e të drejtave të njeriut, i tha BIRN se mekanizmi i sistemit të mbrojtjes në Shqipëri është i dobët.

    “Mekanizmat që ekzistojnë, janë tërësisht të dobët dhe të pamjaftueshëm. Në shumë raste urdhri i mbrojtjes nuk i mbron gratë e dhunuara,” theksoi ajo.

    Avokati Klodian Meta, i cili ka mbrojtur disa raste të tilla në gjykatë, mendon gjithashtu se ekzekutimi i urdhrave të mbrojtjes paraqitet me problematika shumë të mëdha.

    “Së pari, sa i takon faktit që bashkëshortët kanë vetëm një banesë, ndërkohë gjykata ka urdhëruar që dhunuesi të mos afrohet në një distancë prej 100 metrash,” thotë Meta.

    “Së dyti, policia e shtetit e ka të pamundur të kontrollojë në kohë reale vendndodhjen e dhunuesit, pasi mungon instrumenti i mbikëqyrjes elektronike,” shtoi ai, duke theksuar se mbikëqyrja në kohë reale mund të mundësohej vetëm përmes kësaj teknologjie.

    Mosfunksionimi i këtij mekanizmi mbrojtjeje ka sjellë dhe raste fatale, ku edhe pasi kanë denoncuar dhunën në polici apo gjykatë, gratë janë vrarë nga partnerët e tyre.

    “Shumica e rasteve të femicidit kanë qenë të pajisura me urdhër mbrojtjeje. Mekanizmat ekzistues duhet të funksionojnë dhe mund të konsiderohen të pamjaftueshme,” thekson Leskaj.

    Vështirësitë e riintegrimit

    Sipas Bashkisë së Tiranës, në territorin e saj funksionojnë 7 qendra komunitare për riintegrimin e viktimave të dhunës në familje, të financuara me fondet e bashkisë.

    “Gratë dhe vajzat e dhunuara janë mbështetur me paketën e shërbimeve si këshillim psikologjik, vakte ushqimore, pako ushqimore dhe higjieno-sanitare dhe mbështetje për detyrat e shtëpisë së fëmijëve,” tha Bashkia në një përgjigje me shkrim.

    “Një ndër objektivat kryesorë të Bashkisë Tiranë është zgjerimi i hartës me shërbime komunitare sa më pranë individëve dhe në veçanti pranë banorëve të zonave rurale,” shtoi Bashkia.

    Paralelisht me pushtetin vendor, edhe organizatat e shoqërisë civile ofrojnë shërbime për këtë kategori sociale, duke filluar nga strehëzat, shërbimi ligjor falas apo trajnimet për t'u aftësuar për tregun e punës.

    Por përfaqësuesit e shoqërisë civile theksojnë se pa ndihmën e institucioneve, rezultatet mbeten të kufizuara.

    “Gratë që denoncojnë dhunën nuk përfitojnë shërbime mjaftueshëm, këtu kam parasysh një strehim të denjë social dhe mbështetje financiare, gjë që e bën thuajse të pamundur që financiarisht ato të përballojnë jetesën të vetme, në shumicën e rasteve duke u kujdesur edhe për fëmijët e tyre,” tha Vatnikaj.

    Edhe Leskaj nga Rrjeti i Fuqizimit të Gruas, AWEN, thotë se shumë pak bashki në Shqipëri e mbështesin këtë kategori për të tejkaluar problemet me punësimin dhe strehimin.

    “Është e vështirë të punësohen me pagë të denjë dhe orare të përshtatshme. Shpeshherë janë nëna me fëmijë të mitur. Gjithashtu, problem mbetet strehimi social dhe mosfunksionimi i ligjit, i cili megjithëse ka të përcaktuara kategoritë që përfitojnë, përsëri shumë pak bashki mbështesin këtë kategori,” tha Leskaj.

    Sevim Arbana nga Qendra “Në Dobi të Gruas Shqiptare” apelon gjithashtu për mbështetje më të mirë, ndërsa pranon se mundësitë e shoqërisë civile janë të kufizuara.

    “Kemi bërë aq sa kemi mundur, kemi një agjenci për të punësuar këto gra dhe vajza. Ne u japim një trajnim shumë rigoroz dhe ato marrin një certifikatë për të pasur një punë,” tha Arbana.

    “Por sa fuqi kanë shoqatat për të ndihmuar? Nuk kemi as 10%. Dy hallkat më të rëndësishme që është punësimi dhe strehimi nuk përmbushen siç duhet, pasi ne kaq fuqi kemi,” përfundoi ajo.

    BIRN

  5. #5
    Shpirt Shqiptari Maska e Albo
    Anëtarësuar
    16-04-2002
    Vendndodhja
    Philadelphia
    Postime
    30,461
    Postimet në Bllog
    17

    Për: 8 marsi - Rama ndan trëndafila, opozitarët ngrejnë çështjen e dhunës ndaj grave në familje

    ‘Nuk di ç’të bëj tjetër’: Gratë që denoncojnë dhunën përballen të vetme me pasojat

    Institucionet lokale në qarkun e Fierit nuk e kanë në vëmendje dhe as në buxhet trajtimin e viktimave të dhunës në familje, duke i lënë këto të fundit të përballen të vetme me dhunuesit dhe problemet.

    Nga Valbona Davidhi

    Emri:  poster-sensibilizues.jpg

Shikime: 3

Madhësia:  36.5 KB
    Poster sensibilizues për denoncimin e dhunës në familje.

    Margarita* ishte 10 vjeç kur mësoi se ishte e birësuar dhe se prindërit që po e rrisnin ishin në fakt xhaxhai dhe nusja e xhaxhait. Por ajo nuk ndjeu kurrë mungesë dashurie dhe përkujdesi derisa mbushi 18 vjeç, kur siç i thonë nga anët e saj, “ishte bërë për t'u martuar”.

    “Ishte një mendim në ato kohë që mosha për martesë e vajzave është nga 14 deri 18 vjeç, përndryshe quhesh e mbetur e s'të merr njeri për nuse,” kujton 38-vjeçarja nga Lushnja.

    E martuar në moshë të re, ajo u përball që në fillimet e bashkëjetesës me dhunë nga bashkëshorti. Fillimisht me të shara dhe fyerje dhe më pas me goditje dhe shenja në fytyrë.

    Megjithatë, Margarita e duroi për dy dekada dhunën verbale dhe fizike duke menduar se po mbronte familjen, por kjo ndryshoi kur bashkëshorti filloi të rrihte edhe fëmijët. Në fillim, viktimë e dhunës u bë vajza që sot është 18 vjeç dhe më pas edhe djali i mitur.

    “Kur e gjeta duke rrahur barbarisht djalin 8 vjeç, thashë kaq e pate. Ia thashë në fytyrë: Kaq e pate,” tregon ajo.

    Pas denoncimit në polici dhe pajisjes me urdhër mbrojtjeje, gruaja kërkoi divorcin por bashkëshorti refuzoi që të ndahej dhe e shkeli disa herë urdhrin e mbrojtjes. Çifti u divorcua në dhjetor të vitit 2023 dhe i shoqi i Margaritës u dënua me 6 muaj burg për dhunë në familje. Ai nuk i ndali aktet e dhunës edhe pas lirimit nga burgu dhe siç tregon Margarita, një ditë ia vuri sërish duart në fyt. “Tani është prapë brenda,” shton 38-vjeçarja.

    Si shumë gra që kanë vuajtur dhunë të përsëritur për vite me radhë dhe që nuk mund të shmangin kontaktet me dhunuesin, Margarita është e frikësuar dhe nuk di ku të përplaset për ndihmë, pasi urdhri i mbrojtjes shkelet lehtësisht.

    “Duhet të mbrohemi nga ai por s'di çfarë mund të bëj tjetër përveç kërkesës për urdhër mbrojtje. Kam frikë. Të gjithë, vajza, unë, djali po trajtohemi me psikolog,” tregon ajo.

    Situata e saj nuk është e veçantë. Në Gjykatën e Fierit thuajse çdo ditë ka një kërkesë për urdhër mbrojtjeje dhe gjatë vitit 2023 u kërkuan 303 të tillë. Mes kërkuesve, shumica janë gra që dhunohen nga bashkëshortët dhe bashkëjetuesit, por nuk mungojnë as fëmijët që kërkojnë mbrojtje nga prindër dhunues apo edhe e kundërta.

    Ndërkohë, ndihma për ta është e mangët dhe bashkitë që duhet t'i mbështesin me strehim dhe financiarisht thuajse nuk ofrojnë asgjë veç këshillimit.

    Për avokatin Kastriot Dyrmishi, mungesa e strukturave ndihmëse e bën të papërfillshëm impaktin e urdhrit të mbrojtjes. “Nuk ka kuptim dhe logjikë që lëshohet urdhër mbrojtjeje dhe nuk merren masa që viktima ose dhunuesi të veçohen,” thotë ai.

    Bashkia e Fierit nuk iu përgjigj një kërkese për informacion të dërguar nga BIRN. Tre bashki të tjera të qarkut nga ana tyre pranuan në përgjigje me shkrim se nuk kishin fonde për viktimat e dhunës në familje, ndërsa bashkia e Lushnjës tha se rezervonte 200 mijë lekë për “aktivitete të ndryshme”.

    Ndihma e munguar

    Punonjës socialë, psikologë dhe avokatë që janë në kontakt të përdishëm me raste të dhunës në familje, shprehen të shqetësuar se dhuna po trajtohet si e pranueshme. Ata thonë se përtej propagandës, institucionet nuk e vënë ujin në zjarr për të ndihmuar realisht viktimat.

    “Mjafton të kujtojmë absurditetin e qëndrimit te dhunuesit dhe viktimës në një shtëpi për të kuptuar se ku qëndron problemi. Shërbimet sociale të bashkive nuk mbajnë kontakte me viktimat e dhunës aq më pak të pikasin apo referojnë raste dhune,” tha Sonila Banushi, psikologe klinike për BIRN

    Avokati Kastriot Dyrmishi thotë se dështimi i institucioneve lokale për të dhënë mbështetje e bën të gjithë strukturën kundër dhunës të parëndësishme. Ai thotë se bashkitë dështojnë të ofrojnë strehim apo ndihmë edhe nëse i kanë mundësitë. “Veçanërisht për gratë e dhunuara, kjo masë duhet të shoqërohet me mbështetje sociale ku strehimi me qëllim veçimin nga dhunuesi të jetë i garantuar. Banesat sociale të bashkisë së Fierit janë bosh, por bashkia nuk ka strehuar atje asnjë grua të dhunuar,”pretendoi Dyrmishi për BIRN.

    Edhe bashkitë e tjera të qarkut Fier nuk duket se ofrojnë më shumë mundësi. Në përgjigje me shkrim, bashkia e Roskovecit pranoi se nuk kishte asgjë të parashikuar për dhunën në familje, pavarësisht se regjistronte rreth 20 raste në vit.

    “Bashkia nuk ka programe trajnimi. Bashkia nuk ka një fondë të tillë,” thuhet në përgjigjen zyrtare mbi pyetjet lidhur me ndihmën ndaj viktimave.

    Në një përgjigje të ngjashme edhe bashkia e Mallakastrës pranon se nuk ka fonde në buxhet për viktimat e dhunës. Në Lushnje, Patos dhe Divjakë situata është më ndryshe. Këto bashki kanë koordinatorë që kanë kontakte me viktimat dhe ndër të tjera ofrojnë këshillim psikologjik dhe asistencë ligjore falas. Megjithatë, as këto bashki nuk kanë fonde për viktimat. Bashkia e Lushnjes i tha BIRN në përgjigje se kishte një fond 200 mijë lekë, të ndarë për zyrën e shërbimit social, por jo specifikisht për viktimat e dhunës në familje.

    “Nga ajo që kam konstatuar mund të them se zbatimi i urdhërave të mbrojtjes nga zinxhiri institucional çedon. Konkretisht janë zyrat e shërbimeve sociale që nuk mbajnë kontaktet me viktimat e dhunës. Të gjitha bashkitë e qarkut neglizhojnë në këtë drejtim”, thotë avokatja Inva Malaj.

    Avokatja thotë se koordinatorët që duhet të ndjekin rastet e dhunës nuk paraqiten në seanca gjyqësore për të kryer monitorimin dhe as nuk paraqesin raporte të nevojshme për viktimat në këto procese.

    “Kjo bën që gjykata të ketë mangësi në informacion për rastet kur bëhet verifikimi i urdhërit të mbrojtjes. Ndërsa viktimat e dhunës mbeten pa trajtimin e nevojshëm nga pushteti vendor,” tha Inva Malaj.

    Neglizhenca e pushtetit vendor në këtë fushë duket edhe në mungesën e referimeve nga zyrat sociale të ngritura, pasi qytetarët nuk u drejtohen atyre për ndihmë. BIRN mësoi nga përgjigjet e kërkesave për informacion se përgjatë vitit 2024 policia ka referuar në gjykate dhe prokurori 190 raste dhune në familje, prokuroria 95 raste, përfaqësuesit ligjorë 16 raste, por qendrat sociale të bashkive kanë referuar vetëm dy raste. Një vit më pare, qendrat sociale pranë bashkive referuan vetëm 1 rast.

    Në krahun tjetër, shumica e rasteve të dhunës duket se nuk ndiqen nga institucionet e drejtësisë. Grisilda Bektashi, punonjëse sociale në bashkinë e Patosit, thotë se nga rastet që ajo ka ndjekur, vetëm një prej tyre është ndjekur penalisht.

    “Ne kemi pasur vetëm një rast ku burri dhunues u fut në burg dhe kreu dënimin. Pas kësaj, ai shprehu pendesë deri në atë pikë sa i kërkoi falje bashkëshortes dhe u largua nga vendi duke i premtuar se nuk do ta shqetësonte më kurrë,” thotë Bektashi.

    Edhe avokatja Inva Malaj thotë se urdhrat e mbrojtjes shpesh nuk shoqërohen me kallëzime dhe se në pjesën më të madhe të rasteve, viktima e fal dhunuesin.

    “Dhuna si vepër penale dhe urdhri i mbrojtjes si masë në procesin civil, nuk shkojnë paralelisht me njëra tjetrën. Kështu nga 23 urdhra mbrojtjeje që kam monitoruar nga shtatori deri tani, 10 prej tyre janë shoqëruar me kallëzim penal për dhunë në familje. Kjo ndodh sepse viktimat nuk dëshirojnë ta burgosin familjarin e tyre, duke u mjaftuar me urdhrin e mbrojtjes,” përfundoi Malaj.

    *Emri i viktimës së dhunës në familje është ndryshuar për të ruajtur anonimatin.

    BIRN

Tema të Ngjashme

  1. Dhuna ndaj grave
    Nga blondina në forumin Tema shoqërore
    Përgjigje: 345
    Postimi i Fundit: 27-03-2024, 04:16
  2. PS: Bojkot kuvendit kundër dhunës ndaj fjalës së lirë
    Nga djaliepirotas në forumin Tema e shtypit të ditës
    Përgjigje: 11
    Postimi i Fundit: 16-04-2010, 15:40
  3. Format e shkaqet e dhunes ndaj gruas
    Nga Duaje Siveten në forumin Aktualitete shoqërore
    Përgjigje: 1
    Postimi i Fundit: 28-11-2009, 00:08
  4. 1 qershori, Dita e Fëmijëve: Ndal dhunës në familje
    Nga Albo në forumin Kulturë demokratike
    Përgjigje: 1
    Postimi i Fundit: 04-06-2007, 04:26
  5. Dita ndërkombëtare kundër dhunës ndaj grave
    Nga Davius në forumin Tema shoqërore
    Përgjigje: 5
    Postimi i Fundit: 26-11-2006, 08:57

Fjalët Kyçe për Temën

Regullat e Postimit

  • Ju nuk mund të hapni tema të reja.
  • Ju nuk mund të postoni në tema.
  • Ju nuk mund të bashkëngjitni skedarë.
  • Ju nuk mund të ndryshoni postimet tuaja.
  •