Nga Ergys Mertiri
Sot më kanë kërkuar para në shkollën e vajzës së madhe edhe në kopësht, tek e vogla. Arsyeja është, sepse Bashkia e Tiranës ka hapur një fushatë ku i kërkohet të gjithë prindërve të paguajnë para për të mbjellë pemë!
Natyrisht që nuk dhashe asnjë lek, por m’u desh të bëj punë bindëse me vajzën time, e cila ndjehej në siklet që unë nuk po paguaja, si shumica e të tjerëve.
Më duhet të them se kjo është një risi e një politike të pacipë që, përveç se na trazon stomakun çdo ditë nëpër ekrane me spektakël ordiner reklamash që fyejnë inteligjencën e publikut, por kërkon edhe t’ia paguajmë propagandën.
Për dijeni të Lali Erit, ne paguajmë taksa (të cilat, për më tepër, vetë lali i ka rritur sa askush tjetër), me të cilat ai ka për detyrë të mbjellë pemë, të rregulljë rrugë, të ndërtojë shkolla e kopshte, të menaxhojë hapësirën e territorin, etj, gjëra këto që nuk i ka bërë. Lali Erit do t’i kërkoja t’i përdorë më mirë paratë e taksave të mija, e jo më t’i jap të tjera.
Kjo është bashkia me buxhetin më të pasur që ka ekzistuar ndonjëherë në Shqipëri (si pasojë kjo edhe e ndarjes së re të territorit), ndaj t’iu lypësh qytetarëve para për të kryer detyrën tënde, është thjesht pafytyrësi.
Krijoni Kontakt