VIDEO/ Kapet 1.3 ton drogë në Kavajë, 3 të arrestuar dhe 3 në kërkim
Detaje të reja janë bërë me dije nga Policia lidhur me operacionin anti-drogë në Kavajë.
Në total, janë sekuestruar 1 ton e 360 kilogramë kanabis, 3 automjete, 1 gomone dhe një traktor. Gjithashtu, janë arrestuar në flagrancë 3 persona si dhe janë shpallur në kërkim 3 të tjerë. Njëri prej tyre, Kejvi Hajdari, është djali i ish-shefit të krimeve në Gramsh, Artur Hajdari, i cili aktualisht është inspektor në Peqin.
Janë shoqëruar në Komisariatin e Policisë Kavajë edhe disa shtetas të tjerë për tu marrë në pyetje në lidhje me ngjarjen.
Operacioni
Gjatë orëve të para të ditës së sotme, nga efektivat e Komisariatit të Policisë Kavajë, është zhvilluar operacioni i koduar "Pilotët".
Operacioni u zhvillua në bazë të planit të masave të Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit për goditjen e “Kultivimit” dhe “Trafikimit të lëndëve narkotike”, dhe konkretisht:
Më datë 14.07.2017, rreth orës 02:20, shërbimet e policisë kanë marrë informacion se në vendin e quajtur fshati “Bago”, dy automjete, konkretisht një “Land Rover “dhe një furgon mund të transportonin lëndë narkotike. Menjëherë është organizuar puna për bllokimin e tyre.
Arratisja si në filma
Në momentin e kostatimit të këtyre dy automjeteve, nga ana e punonjësve të policisë u është bërë shenjë për të ndaluar por këto automjete nuk kanë ndaluar duke shtuar shpejtësinë dhe duke rrezikuar jetën e punonjësve të policisë.
Drejtuesit dhe personat e tjerë që kanë qenë në këto automjete, duke përfituar nga errësira dhe terreni i vështirë, kanë arritur të largohen duke braktisur automjetet. Por, disa prej tyre u arrestuan më vonë.
Nga këqyrja e këtyre automjeteve, rezultoi se në brendësi të tyre kishte pako të mëdha me lëndë të dyshuar narkotike kanabis, e cila pas peshimit rezultoi rreth 1360 kg.
Video: https://www.dailymotion.com/video/x5tk1ih
Arrestimet
Nga Specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Kavajë në bashkëpunim me Sektorin për hetimin e narkotikëve në D.V.P. Tiranë, është organizuar puna dhe në bazë të informacioneve të siguruara në rrugë policore, është bërë e mundur kapja dhe arrestimi i shtetasve:
- Joni Sadikaj,
- Roland Hysenbelliu
- Kejvi Hajdari
Nga veprimet hetimore të kryera, rezulton se bashkëpunëtor janë edhe shtetasit:
B.B., dhe F.S. të cilët janë shpallur në kërkim policor dhe punohet për kapjen e tyre.
Më pas nga ana e Komisariatit të Policisë Kavajë dhe Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë, është vijuar operacioni duke bërë krehjen e terrenit dhe territorit, ku si rezultat janë kostatuar një gomone me gjatësi 7.7 m me dy motorë me 200 KV e tipit Kavasaki e lidhur me një traktor pa targa, si dhe një automjet i markës Toyota, cila nga verifikimet i përket shtetasit:
H. K. i cili është shpallur gjithashtu në kërkim policor.
Gjithashtu, në lidhje me këtë ngjarje, janë shoqëruar edhe disa shtetas të tjerë për tu marrë në pyetje.
Materialet proçeduriale i kaluan Prokurorisë Pranë Gjykatës së Shkallës së Parë për Krimet e Rënda Tiranë, për veprën penale “Trafikim të lëndëve narkotike e kryer në bashkëpunim" e mbetur në tentativë ' parashikuar nga nenet 283/a ,22 dhe 25 të Kodit Penal.
Syri
Krijoni Kontakt