Lufta e pamëshirshme politike gjatë fushatës zgjedhore ka përfshirë dhe planet `B`, madje dhe plane `C` në rastet se… jo çdo gjë mund të shkojë mirë gjatë dhe pas zgjedhjeve. Dihet që, partitë politike shqiptare ose më mirë kryetarët e këtyre partive politike shqiptare mund të bëjnë lëvizje të papritura, aq sa dhe të vendosin para kolapsit ligjor të tërë referencën ligjore. Një nga këto mundësi është dhe paralajmërimi i ish- kryetarit të LSI, që mund të japë dorëheqjen në raste të veçanta si kjo që po ndodh me LSI-në, e cila po gjendet në vështirësi pas 10 vjetësh qeverisjeje. Sigurisht, pasi dëmtoi rëndë PD në fund të mandatit qeverisës 2005-2013, kur papritur kryetari i atëhershëm i LSI u largua nga qeverisja në Mars të 2013, duke e lënë PD pa kuorum qeverisës. Po kjo LSI është përpjekur të shkëputet nga PS për të bërë të njëjtin marifet ashtu siç e bëri para katër vitesh, duke hezituar me dashje të miratojë dhe të pranojë paraprakisht, koalicionin me PS për zgjedhjet e 25 qershorit (duke mos e dhënë fjalën për këtë).
Mesa duket, PS kishte marrë masat për t’i dalë përpara këtij veprimi duke përdorur një model të ri të shmangies së humbjes përballë zgjedhjeve të ardhshme (ashtu si i ndodhi PD para katër vitesh), duke e propozuar Kryetarin e LSI për President, duke e justifikuar këtë propozim edhe me faktin se tre Presidentët e fundit të vendit ishin propozuar nga PD. Propozimi i miratuar me maksimumin e votave, duke kënaqur PS dhe të majtën në përgjithësi, por mesa duket la një shije fare të hidhur në buzët e kryetarit të LSI, i cili bëri sikur u gëzua, por në fakt duke patur përballë një palë zgjedhje të vështira e kuptoi se e ardhmja e LSI nuk është e mirë, duke patur parasysh gati dhjetë vite qeverisje me të dy partitë e mëdha, që nga viti 2006 e deri në 2017.
Duke u gjendur përpara faktit të kryer të pranimit të ofertës për President, duke u kënaqur me fitoren personale të vlerësimit nga ana e Parlamentit që e zgjodhi si Kryetar shteti, z. Meta e pati fare të qartë se e ardhmja e LSI përfundonte këtu, nëse ai vetë nuk do të ishte kryetar i asaj partie. Këtu nis tragji-komedia e kryetarit të kësaj partie dhe të partisë së tij, e cila në sajë të driblimeve politike 10 vjeçare, duke qëndruar në shumicën e rasteve mbi dy karrige, duke ja futur Nanos, e Ruçit, duke ja futur Berishës dhe pjesërisht Ramës, kryetari i kësaj partie mendoi se taktika `dridhe Like` do të vazhdojë pafundësisht. Por çdo gjë ka një përfundim, sidomos me ata njerëz që luajnë me dy porta, dhe që rrinë mbi dy karrige.
Shqipëria me ndihmën e SHBA dhe BE po përpiqet të përfundojë tranzicionin dhe të kalojë në një etapë të re –atë të integrimit përfundimtar në BE. BE dhe SHBA vunë kritere e kërkuan reforma, të cilat kryetari i PS i realizoi tërësisht e pa llafe gjatë këtij mandati. Një nga Reformat që cënonte direkt disa kryetarë partish, madje dhe drejtues të tjerë politikë, gjykatës dhe prokurorë, ishte Reforma në Drejtësi. Populli shqiptar, sado i pakulturuar dhe i paarsimuar siç duket në pamje të parë, e kuptoi që kjo reformë do të prekte kupolën drejtuese politike dhe servilët e tyre, dhe mesa duket mbështeti kërkesat e BE dhe SHBA si dhe interpretin e tyre Edi Ramën.
Pavarësisht vështirësive që ne i pamë dhe nuk do të flasim për pengesat dhe stërkëmbëshat që i u vunë zbatimit të kësaj reforme gjatë tre viteve, u vu re një karakteristikë e re e paparë gjatë viteve të kaluara; PD më në fund nëpërmjet kryetarit të saj të ri e pranoi realizimin e Vettingut, bërjen e zgjedhjeve të reja duke formatuar qeverinë dhe qeverisjen dhe realizmit të zgjedhjeve të reja parlamentare pa ndërhyrjet e zakonshme nëpërmjet ryshfetit, harxhimeve të buxhetit të qeverisë, shitblerjes së votës në para dhe në mall, ri- konfigurimit të KQZ. Këto risi, populli i priti me gëzim dhe për herë të parë është i ç’tensionuar para zgjedhjeve katër vjeçare.
Në këto zgjedhje të reja vërehet gjithashtu se të dy partitë e mëdha kërkojnë shmangien e koalicioneve me partitë e vogla parazitare, të cilat për vite me rradhë, që kur u bënë koalicionet e para qeverisëse, penguan qeverisjen e partisë fituese duke e kërcënuar me prishjen e koalicionit nëse nuk merrnin `llokmën` që kërkonin. Kjo `llokmë` pushteti pati efektet e veta negative qeverisëse, që nga koha kur Berisha largoi ministrin e Shëndetësisë, Prof. Maksim Cikulin dhe e zëvendësoi (për hir të mos prishjes së koalicionit dhe qeverisjes) me një person qesharak si Nard Nokën. Nga ky moment efektet qeverisëse dhe programet partiake morën fund në favor të korrupsionit, militantizmit politik, amoralitetit qeverisës, shkeljes së ligjit dhe rregullave, deri në ditët e sotme.
Tani që kryetari i PS kërkon që timonin qeverisës ta mbajë një person dhe jo disa (dhe për mendimin tim ka të drejtë, nëse do të respektohen ligjet profesionalizmi dhe meritokracia), po këtë argument e pranon edhe PD, e cila për mendimin tim ka bërë reformimin më të mirë politik gjatë 25 viteve (pavarësisht mungesës së autokritikës dhe vënies para përgjegjësisë së shkaktarëve të humbjes), duke larguar gati gjysmën e deputetëve aktualë nga konkurimi për zgjedhjet e 25 qershorit. Këtu po del një kundërshtim i ri për këto kërkesa dhe propozime që i bëhen elektoratit.
Ekziston mundësia që ish-kryetari i LSI, i cili është zgjedhur President i vendit nga Parlamenti, nga rreziqet që ai sheh që po i kanosen partisë së tij madje dhe vetes së tij në të ardhmen, mund të japë dorëheqjen nga posti i Presidentit, duke e futur në këtë mënyrë vendin në një krizë institucionale të paprecedentë. Ky mendoj se është një nga shkaqet e takimit Nano-Rama. Dihet se Fatos Nano, pavarësisht problemeve të kaluara me PS dhe veçanërisht me Ramën, mbetet një potencial eksperience dhe është i besueshëm për të dy partitë e mëdha si një kandidat për President të mundshëm në të ardhmen, nëse ka lëvizje të tilla të papritura nga Presidenti i zgjedhur, i cili shquhet për kthesa 180 gradëshe të papritura dhe në dëm të të gjithëve, por në favor të LSI dhe të tijin personal. Dihet që Nano mbetet një lider historik i së majtës ashtu si dhe Berisha, si lider i së djathtës, pavarësisht se vijnë që të dy nga PPSH.
Shkaku tjetër i takimit Nano- Rama mund të jetë dhe një argument tjetër shumë delikat që nuk ka lidhje me zgjedhjet, por që mund të ketë lidhje me një ndërmjetësim që Nano mund të bëjë në favor të Berishës, përsa i përket të ardhmes politike të PD si p.sh., një koalicion i mundshëm PS-PD dhe nxjerrje në opozite të partisë më shumë se parazitare të LSI pas 10 vitesh qeverisjeje, por edhe për problemin e Vettingut, ku Berisha ose familja e tij apo politikanë të PD mund të preken direkt.
Kjo ngelet për t’u parë në të ardhmen; sidoqoftë një gjë dihet me siguri se Nano mund të jetë një faktor stabiliteti politik shumë më i mirë se sa parulla sofiste e ish kryetarit të LSI: `me qetësi me dashuri`, nga e cila nuk ka mbetur asgjë.
priftipirro2017@gmail.com
Krijoni Kontakt