Çdo 25 dhjetor, shqiptarët urojnë njëri-tjetrin me fjalët "Gëzuar Krishtlindjet!" Kjo mënyrë urimi i kësaj feste të madhe të krishterë, Lindjen e Zotit tonë Krisht nga Virgjëresha Mari, është e veçantë në gjuhën shqipe e mes shqiptarëve. Gjithë popujt e tjerë të krishterë festojnë këtë ditë duke uruar "Gëzuar Krishtlindjen!" kurse ne shqiptarët themi "Gëzuar Krishtlindjet!". Kur e dëgjon këtë urim, të krijohet përshtypja se kemi të bëjmë me më shumë se një Krishtlindje. Më poshtë do të mundohem të sqaroj arsyet përse shqiptarët kane zgjedhur të urojnë në këtë mënyrë. Ashtu siç do të ndalem pak gjatë të shpjegoj përse nga këndvështrimi kishtar dhe theologjik, nuk kemi të bëjmë me shumë Krishtlindje, por vetëm një të tillë.
Përse shqiptarët urojnë njëri-tjetrin me "Gëzuar Krishtlindjet!" në numrin shumës?
Me aq sa e njoh unë traditën e historinë e popullit shqiptar, mendoj se arsyet për këtë janë dy. Arsyeja e parë është shoqërore dhe politike në të njëjtë kohë: duke qenë se brenda popullit shqiptar gjejmë të paktën dy komunitete të krishtera tradicionale, atë të krishterë orthodhoks, dhe atë të krishterë romano-katolik, burrat e shtetit e qytetarët e thjeshtë kanë përdorur urimin në shumës: Gëzuar Krishtlindjet! Kjo ishte mënyra e tyre për të nxjerrë një urim nga goja, dhe me atë urim të uronin të gjithë besimtarët e krishterë shqiptarë, pa përjashtim. Duke qenë se komunitetet e krishtera festonin të ndara Krishtlindjen, kjo solli edhe një urim për dy komunitetet. Dhe në shumicën e rasteve, këta burra shteti e kanë bërë këtë urim në mënyrë të sinqertë, edhe pse nuk i përkisnin besimit të krishterë.
Arsyeja e dytë për këtë lloj urimi mendoj se ka lidhje me atë urimin tjetër: "Gëzuar Krishtlindjet! Për shumë vjet gëzuar!" Në traditën e krishterë shqiptare, sidomos atë orthodhokse, urimi "Për shumë vjet!" është pjesë e traditës kishtare që ka hedhur rrënjë edhe në traditën e popullit besimtar. Këtë lloj urimi, e nxjerrin nga goja vetë besimtarët e krishterë, që duan të urojnë jo vetëm Gëzuar Krishtlindjen por edhe një jetë të gjatë. Duke jetuar për shumë vjet, do të kesh mundësi të kremtosh shumë Krishtlindje.
Cila është mënyra e drejtë e urimit sipas traditës orthodhokse?
Kisha Orthodhokse ka një kalendar vjetor kishtar që fillon në 1 shtator të çdo viti. Në shekuj e mijëravjecarë Kisha e ka pasuruar këtë kalendar me festa të mëdha kishtare, dhe me përkujtimin e gjithë shenjtorëve të saj në shekuj e deri në ditët tona. Si besimtarë të thjeshtë, duke qenë se ne jemi mësuar që të festojmë të njëjtat festa në një ditë të caktuar nga Kisha, na krijohet përshtypja sikur kemi të bëjmë me kujtimin e një dite të caktuar në histori. Njësoj siç kujtojmë për shembull të gjithë ata patriotë për shembull që sakrifikuan jetën e tyre për lirinë tonë si shqiptarë. Në fakt, kur bëhet fjalë për festat e mëdha kishtare të kalendarit orthodhoks: Lindja e Virgjëreshës Mari, Hyrja e Virgjëreshës Mari në Tempull, Ungjillizimi i Virgjëreshës Mari, Lindja e Krishtit, Pagëzimi i Krishtit në lumin Jordan (Uji i Bekuar), Pësimi, Kryqëzimi, Vdekja, Varrosja dhe Ngjallja e Krishtit (Pashka), Ngjitja e Krishtit në Qiell (Andalipsi), Pentakosti, Fjetja dhe Lartesimi i Virgjereshes Mari, nuk kemi të bëjmë thjeshtë me një kujtim të historisë së asaj ngjarjeje. Kisha Orthodhokse, me Liturgjinë e saj Hyjnore, na fton që ne si besimtarë të thjeshtë të thirrur në Kishë, në praninë e te gjithë trupave qiellorë që nuk i shikon syri (engjejt, shenjtoret e Kishes ne shekuj, besimtarët e drejtë që kanë vdekur para nesh), të marrim pjesë shpirtërisht në atë ngjarje. Ne nuk jemi thirrur vetëm të dëgjojmë me veshë, shohim me sytë që kemi në ballë, por edhe të përjetojmë me syrin e shpirtit tonë, atë që ndodhi, ashtu siç ndodhi. Jemi të thirrur nga Kisha që shpirtërisht të jemi prezent në të gjitha këto ngjarje. Arsyeja përse këto festa nuk janë thjeshtë ngjarje historike në historinë e njerëzimit, por shumë më shumë se kaq, pasi e përbashkëta e gjithë këtyre festave është ekonomia e Zotit: Zoti Vetë është prezent në këto ngjarje dhe na shfaq planin e tij për njerëzimin. Dhe ajo që njohim për natyrën e Zotit, ndrysha nga natyra jonë njerëzore, natyra e Tij nuk është e kufizuar në kohë apo në hapësirë. Për Zotin nuk ka të shkuar, të tashme dhe të ardhme: Zoti është prezent në të treja. Zoti është edhe i kudondodhur, në mbarë Krijesën e Tij dhe brenda gjithë njerëzve: Fryma e Tij na jep të gjithëve jetë!
Kur jemi duke festuar Krishtlindjen, Kisha na thërret pikërisht që të jemi prezent shpirtërisht në krah të Virgjëreshës Mari, teksa ajo i lind botës Dritën, Shpresën, Shpëtimtarin. Një mister i parrëfyeshëm dot me fjalë: një vajzë e re virgjëreshë, ngelet shtatzanë nga Fryma e Shenjtë e Zotit, dhe lind Zotin tonë Jisu Krisht! Si mund të lindi fëmijë një virgjëreshë pyesin njerëzit? Si mund të lindi një grua një fëmijë pa prishur virgjërinë e saj? Edhe pas Lindjes se Krishtit, Maria ishte e virgjër, një Virgjëri që ajo e ruajti gjatë gjithë jetës së saj. Këto janë pyetje që njerëzit bëjnë dhe nuk i japin dot përgjigje pasi për ta janë të pabesueshme dhe të pamundura. Por a ka gjë të pamundur për Zotin?! Me lindjen e Tij prej një Virgjëreshe, Zoti zgjodhi me vullnetin e Tij të bëhet njeri. Çfarë përulësie hyjnore!
Bota ka patur e do te kete gjithmone traditat e saj. Kisha Orthodhokse ka Traditen e saj te Shenjtë, që nuk i përket botës. Në ditën që festojmë Lindjen e Krishtit (Krishtlindjen), të krishterët e mbledhur në Kishën Orthodhokse, urojnë njëri-tjetrin me fjalët:
Krishti lindi!
Ta lavdërojmë Atë!
Ky më lart është edhe urimi i drejtë kishtar dhe theologjik. Këto janë fjalët që i krishteri orthodhoks nxjerr nga goja, pas përjetimit shpirtëror të Lindjes së Krishtit në Kishë.
Bota dhe të gjithë ata që zgjedhin t'i përkasin botës, do të kenë traditat e tyre, do të kenë urimet e tyre, do të kenë botëkuptimet e tyre. Por për ne si të krishterë orthodhoksë, është e rëndësishme që të bëjmë dallimin mes traditës së botës dhe Traditës së Shenjtë Apostolike të Kishës Orthodhokse. Kur urojmë njëri-tjetrin, duhet të përdorim: Krishti lindi! Ta lavdërojmë Atë! Por kur pjesëtarë të shoqërisë shqiptare na urojnë për festat me "Gëzuar Krishtlindjet!" duhet t'ua kthejmë urimin me "Gëzuar Krishtlindjen!" duke u bërë të qartë që Lindja e Krishtit është një. Si të krishterët orthodhoksë, edhe ata romano-katolikë, festojnë të njëjtën Krishtlindje, pavarësisht se festimet janë të ndara.
Krishti lindi!
Ta lavdërojmë Atë!
Albo
Krijoni Kontakt