Emri:  image.jpg

Shikime: 324

Madhësia:  32.6 KB

Ndërsa pritej një rikthim perandorak plot madhështi pas vizitës në Shtëpinë e Bardhë, zhvillime të vrullshme dhe të befasishme ja demontuan skemën Edi Ramës dhe tarafit të tij.
Njerëz të afërt me kryeministrin Rama, ose të akuzuar se janë satelitë të mbështetur prej tij në distancë, kanë pësuar goditje penale, politike apo ekonomike.
I pari dhe më I bujshmi ishte Shullazi. I dyshuar fort për lidhjet e tij në distancë me Ramën dhe Tahirin, i forti i ’21 Dhjetorit’ u arrestua me akuzën e kërcënimit ndaj rektorit Mynyr Koni dhe tashmë vazhdon të jetë ende në qeli, pasi në drejtim të tij rëndojnë ende akuza për gjobëvënie biznesmenësh.
Arrestimi i Shullazit ndodhi kur Rama dhe Tahiri ndodheshin në avion duke u kthyer nga SHBA-të. Kryeministri ishte bërë gati që vizitën e bujshme dhe takimin me Obamën ta vendoste në funksion të retorikës për ‘mbështetje madhore’ për reformën në drejtësi, por skema ngeci dhe Rama bashkë me Tahirin e gjetën veten nën shigjetat e forta të dyshimit për bashkëpunim me një ndër personazhet më problematikë për drejtësinë shqiptare në dekadën e fundit.
Goditja e dytë erdhi ndaj Gjergj Bojaxhiut. Ndërsa pritej që Bojaxhiu të shpallte partinë e re, Top-Channel njoftoi se ai është në hetim për korrupsion dhe pastrim parash. Hetimi i Bojaxhiut është kryer si pjesë e një aksioni të gjerë nga organi i akuzës në tregun e hidrokarbureve.
Bojaxhiu paraqiste valencën e një operatori të ri politik që do krijonte një xhep votash për të gjithë qytetarët që ishin të pakënaqur nga sistemi aktual politik. Por valenca e tij përthyhet disi kur identifikon rrymat mediatike që e mbështetën në aksionin e fundit për konceptimin e partisë së re.
Janë mediat dhe portalet proqeveritare ato që po e promovonin Bojaxhiun, ndërsa një nga personat kyç në këtë lojë është dhe Eduart Zaloshnja. Ky i fundit njihet si një zgjatim i hershëm i Ramës në media,zakonisht merret me statistika por ka prezencë mediatike në një portal që është pronë e një ortaku të Olsi Ramës.
Në një moment sinqeriteti gjatë një debati televiziv, Zaloshnja u shpreh se meqenëse ishte LSI-ja e cila vendoste që prej vitit 2005 se kush duhej ta qeveriste Shqipërinë, partia e Bojaxhiut ishte parë si artificë për t’i hequr LSI-së këtë dominancë.
Goditja e tretë ndaj tarafit të Edi Ramës, erdhi pikërisht me formularin e dekriminalizimit që plotësoi kryetari i Bashkisë së Kavajës, Elvis Roshi. I vënë në shenjestër për të kalurën e tij kriminale, por i mbrojtur fuqishëm nga Rama, Roshi pranonte në formularin e tij se ishte ndaluar në Gjermani.
Në KQZ flitet se kryetarja Luzi ka nisur një fushatë të fortë për të zbuluar se kush e nxorri formularin për mediat, ndërkohë që prokuroria tashmë ka nisur hetimin.
Goditja e katërt, por që mesa duket mund të mos jetë e fundit, ishte ajo e heqjes së mandatit të deputetit Koço Kokëdhima. I njohur si njeriu i ngushtë i Edi Ramës, Koço Kokëdhima e gjeti dje veten pa mandat.
Është ironike se si kryeministri që prej afro një viti përpiqej ta paraqiste veten si kryereformatori, si politikani i vetëm që kishte integritetin e duhur për të bërë reformën e shumëdëshiruar në drejtësi, në vigjilje të miratimit të reformës, po e gjen veten mes personave me implikime kriminale apo penale.
Megjithatë nuk është çudi që një pjesë e këtyre personazheve të jenë ‘lëshuar’ nga vetë Rama. I njohur si një politikan që dispononë lehtësinë e papërballueshme të braktisjes së betejave, Rama mund të ketë vendosur të bëjë neutralin tashmë, për të mos cënuar pushtetin e tij kryeministor në zyrën e mbushur me piktura. / HashtagAL