Publikuar: 0:14 / 12.11.2015



U mbijetoi trafikantëve meksikanë, por me një çmim çnjerëzor. Karla Jacinto, një e re 23-vjeçare ka rrëfyer historinë e saj për CNN, duke zbuluar se ishte përdhunuar 43.200 herë. Rrëfimi shokues hedh dritë në realitetin brutal të trafikimit të qenieve njerëzore në Meksikë dhe Shtetet e Bashkuara, që ka shkatërruar jetën e dhjetëra mijëra vajzave. Për rreth katër vite, vajza është përdhunuar deri në 30 herë në ditë, në shtatë ditë të javës.

“Jam përdhunuar më shumë se 43 mijë herë. Jam përdhunuar 30 herë në ditë, shtatë ditë në javë, pothuajse për katër vite rresht”, është shprehur ajo për CNN.

Karla thotë se ajo ka qenë e abuzuar për një kohë të gjatë, madje është ndjerë e refuzuar edhe nga nëna e saj.

“Unë rrjedh nga një familje jo e rregullt. Jam abuzuar seksualisht që nga mosha pesëvjeçare”, tha ajo.

Ajo thotë se ishte duke pritur për disa miq pranë një stacioni metroje në Mexico City, kur një djalë i vogël që shiste ëmbëlsira ia ofroi asaj disa karamele, duke i thënë se dikush ia kishte bërë dhuratë.

“Pesë minuta më vonë, vjen djali me makinë të mirë”, rrëfen ajo. “Kur e pashë makinën u impresionova. Ishte shumë emocionuese për mua. Ai kërkoi që të më merrte dhe të bënim xhiro me makinë”.

Megjithatë, ajo e pranon se burrit me makinë nuk iu desh shumë kohë për ta bindur atë.

“Një ditë më pas u largova me të. Kemi jetuar bashkë për tre muaj dhe ai më trajtonte mirë. Ai me donte, më blinte rroba, më kushtoi vëmendje dhe mendoja se çdo gjë ishte e bukur“, thotë Karla.

Më pas ajo rrëfen se kishte jetuar në banesë vetëm, ndërsa pothuajse për çdo javë shfaqeshin kushërinjtë e tij, ndërsa kur Karla pyeti se kush ishin ata, ai i tha “janë tutorët”.

Ky fillimi i katër viteve të ferrit. Herën e parë ajo është detyruar të punojë si prostitutë në Guadalajara, në një nga qytetet më të mëdha të Meksikës.

“Filloja në 10 dhe përfundoja në mesditë. Ne ishim në Guadalajara për një javë. Kisha 20 burra në ditë për një javë. Disa njerëz qeshnin me mua, sepse unë qaja,” shprehet ajo.

Dhe, kështu ajo rrëfen se si ka përfunduar edhe në shumë qytete të tjera. Dërgohej nëpër shtëpi publike dhe rrugëve të njohura për prostitucion. Përveç trafikimit, ajo është sulmuar edhe fizikisht nga tutorët e saj. Megjithatë, Karla arrestimin e saj nga policia e quan ditë me fat, sepse sipas saj policia e shpëtoi atë dhe shumë vajza të tjera.

Karla tani është 23 vjeçe dhe është bërë një avokate e zëshme kundër trafikimit të qenieve njerëzore, duke e treguar historinë e saj nëpër konferenca dhe ngjarje publike.

Ajo e ka treguar historinë e saj edhe para Papa Françeskut në Vatikan. Dëshmia e saj është përdorur si dëshmi në mbështetje për HR515 ose për ligjin Megan. Mesazhi i saj është se trafikimi i qenieve njerëzore dhe prostitucioni i detyruar ende është një fenomen që ndodh, por sipas saj tani ka marrë përmasa edhe më të mëdha. /Tirana Obsever/