PRISHTINE- Një fëmijë është mbytur sot nga qentë në një lagje të Fushë Kosovës. Ai ka mbetur i vdekur pasi ishte kafshuar në fyt dhe në fytyrë. Banorët kanë treguar se policia dhe ndihma e shpejtë ishte vonuar për më shumë se 30 minuta. Komuna e Fushë Kosovës thotë se nuk po mund t’i vrasë qentë pasi është e ndaluar me ligj. Vetëm pikat e gjakut kishin mbetur në afërsi të një kontejneri të bërllokut ku sot në mesditë mbeti i vdekur pesëvjeçari K. R. nga kafshimet e qenve, në lagjen “Te banesat e bardha”, në Fushë Kosovë, në rrugën 2 Korriku. Ky fëmijë kishte shkuar për të mbledhur mbeturina, por aty ishte ballafaquar me mbi dhjetë qenë, të cilët e kishin kafshuar për vdekje. Dy banorë të lagjes ku ka ndodhur masakrimi i fëmijës nga qentë kanë treguar për Express momentet kur kishte ndodhur ngjarja dhe tentimin e tyre për të shpëtuar 5 vjeçarin.
Dragan Lazic, tregon se kur e ka dëgjuar britmat e fëmijës, ka vrapuar drejtë vendit ku ishte fëmija duke u përballur me qentë.“I kam larguar qentë të cilët m’u sulën edhe mua. Doja t’i jepja ndihmë fëmijës por ishte e kotë. Ai ishte tërësisht i gjakosur nga kafshimet e qenve”, ka treguar Lazic.Edhe Florim Ahmeti, banorë i lagjes “Te banesat e Bardha”, tregon se e ka thirrë Policinë dhe Ndihmën e Parë, por vetëm pas gjysmë orë kanë mbërritur në vendin e ngjarjes. “Nuk më hiqen nga sytë pamjet e fëmijës. Gjaku i rridhte nga qafa, barku e fytyra. Policia dhe autoambulanca janë vonuar afërsisht 30 minuta”, tregon Ahmeti.
“Shteti dhe Komuna duhet të gjejne zgjidhje për këta qenë. Përndryshe, kjo nuk do të jetë viktima e fundit”, thotë Ahmeti.
“Problemi i qenve endacakë, nuk është problem vetëm në Fushë Kosovë, por në të gjithë Kosovën. Ne si komunë i kemi ndërmarrë masat për aq sa na lejon ligji. Duke pasur parasysh që ligji nuk e lejon ekzekutimin e tyre në asnjë formë, ne kemi angazhuar ekipe profesionistësh për ta bërë kastrimin e këtyre qenve”, ka thënë Zëdhënësi i Komunës së Fushë Kosovës, Ali Topalli.
/express/
Krijoni Kontakt