Nëse ende nuk e ke provuar ndjenjën e besimit në Allahun, zhytu në këtë rrugë të lavdishme, që kënaq zemrat dhe plotëson jetën tënde! Besimi nxori burra të mëdhenj, edukoi të rinjtë, i pajisi me moral poseduesit e tij. Të flasësh për atë se çfarë mirësie ka të besuarit në Allahun, nuk ka fund, është vet qëllimi i jetës sonë. Nën hijen e besimit qëndron fitorja madhështore, nderi, burrëria, fisnikëria e sinqeriteti.

Besimi është shkak që njeriu të jetojë një jetë të mirë, të rehatshme, harmonike, të lumtur, të plotësuar, të qetë nga ana shpirtërore dhe në çdo aspekt tjetër. Përveç kësaj, besimtarin e pret një jetë e mirë edhe në ahiret. Thotë Allahu: “Kush bën vepër të mirë, qoftë mashkull ose femër, e duke qenë besimtar, Ne do t’i japim atij një jetë të mirë (në këtë botë), e (në botën tjetër) do t’u japim shpërblimin më të mirë për veprat e tyre.” [1]

Njeriu besimtar qëndron i udhëzuar në të mirë. Besimi që ka, do ta çojë në xhenet, aty ku begatia nuk përfundon, aty ku kënaqësia mbetet cilësia e banorëve të atij vendi. Thotë Allahu: “Vërtet, ata që besojnë dhe bëjnë vepra të mira, Zoti i tyre do t’i udhëzojë në rrugë të drejtë, për shkak të besimit të tyre. Pranë tyre do të rrjedhin lumenj në kopshtet e kënaqësisë...” [2]

Me gjithë të mirat që posedon besimi në Allahun, nuk është e rrugës që njeriu të ikë nga të besuarit në Allahun për të besuar gjëra të kota, duke adhuruar të vdekurit të cilët nuk dëgjojnë, duke adhuruar njerëzit, të cilët janë të pafuqishëm qoftë edhe për vetët e tyre, apo duke besuar në besëtytni, ogure e të tilla. Allahu i Madhëruar në një ajet kuranor ka thënë: “Sa për ata që besojnë dhe nuk e molepsin besimin e tyre me padrejtësi (idhujtari), pikërisht atyre u takon siguria dhe ata janë të udhëzuar.” [3] Ky është besimi i pastër, që me të vjen udhëzimi i drejtë. E nuk ka më mirë sesa një udhëzim i tillë! Ndërsa i Dërguari salAllahu alejhi v selem ka thënë: “Ai i cili e takon Allahun duke mos ia shoqëruar askënd në adhurim, hyn në xhenet.”[4]

Allahu i Madhërishëm e urdhëroi mbarë njerëzimin në besim, që njerëzit t’i nënshtrohen besimit në Allahun. Ai zbriti Libra për t’ua sqaruar njerëzve besimin. E po ashtu, dërgoi shumë pejgamberë tek ta që të thërrasin në këtë besim. Besimi në Allahun bën që robi ta përmendë sa më shumë Allahun, ta pasojë sunnetin, të largohet nga mëkatet dhe ndalesat e Allahut, të flasë mirë, të urdhërojë në të mirë dhe të ndalojë nga e keqja, të këshillojë të tjerët, t’i shtojë adhurimet e ndryshme, ta shtojë moralin, të nxitë në punë të mira, të jetë i hajrit për të tjerët etj. Nëse nuk do kishim besuar, jeta nuk do kishte kuptim. Lumturia në këtë botë dhe tjetrën arrihet përmes besimit në Allahun. Gëzoji të mirat e kësaj bote dhe xhenetin në botën tjetër, duke qenë në këtë rrugë. Pra, ji një prej tyre!


_____
[1] Nahl; 97.
[2] Junus, 9.
[3] Enam, 82.
[4] Muslimi.