Postuar më parë nga
Davius
Lamtumirë shoku Fatos!
Eduard Zaloshnja
Shoku Fatos,
Pas asaj që ndodhi në Tiranë e Sarandë në 18 shkurt, duket se ka ardhur dita të shkruajmë një elegji politike për ty. Dhe ky adet i shkon sidomos për shtat penës që po i shkruan këto rreshta, sepse ajo s’ka reshtur së parashikuari se kjo ditë një ditë do vinte. (Si një rudiment i kohërave kur shkruhej me penë, shoku Fatos, na ka mbetur si zakon ta quajmë penë gjësendin me të cilin shkruajmë, pavarësisht se ai mund të jetë një stilolaps, apo më mirë akoma, një kompjuter. Prandaj, shpresojmë të na e bësh hallall po e përdorëm përsëri në vijim këtë fjalë.) Por nejse, le të mos merremi me paranteza, shoku Fatos - le të vazhdojmë pra me elegjinë tënde politike.
.....
Ky rast, shoku Fatos, ty t’u duk se të erdhi kur Rama, në prag të zgjedhjeve lokale, kishte bllokuar për javë me radhë negociatat rreth ndryshimit të Kodit Zgjedhor. Dhe ti dole në një konferencë shtypi së bashku me shokun Sali, në të cilën dhe mesazhin se vetëm burra si ti e si mik-armiku jot i vjetër mund t’i zgjidhin hallet e Shqipërisë. Ndërsa në ditët që pasuan, ti le të kuptohej se vota e përkrahësve të tu duhej të shkonte për Olldashin, kundërshtarin e Ramës në Tiranë, në mënyrë që të realizohej ëndrra jote e vjetër presidenciale. Madje, ti lajkatove edhe djalin plangprishës të PS-së, Ilir Metën, duke sugjeruar publikisht se atij, dhe jo Ramës, i takonte ta merrte në dorë shkopin e stafetës që të kishte pas dorëzuar dikur shoku Ramiz.Por si Ilir Meta, ashtu edhe pasuesit e tu, nuk të dëgjuan ty, shoku Fatos. Ata mbështetën fuqimisht Ramën në garën vendimtare të Tiranës, dhe ai mori 12 pikë më tepër se miku jot Olldashi. Madje edhe në Sarandë, ku ti je deputet, e ku bëre fushatë intensive, nuk qullose gjë. Prandaj, shoku Fatos, duket se ty nuk të mbetetet gjë tjetër veçse të shijosh pensionin tënd politik me nusen e re, duke pritur që një ditë, në klubin e pensionistëve, të vijë edhe mik-armiku jot i vjetër, shoku Sali.
Lamtumirë pra, shoku Fatos!
Gazeta PANORAMA
Krijoni Kontakt