Close
Duke shfaqur rezultatin -19 deri 0 prej 3
  1. #1
    Shpirt Shqiptari Maska e Albo
    Anëtarësuar
    16-04-2002
    Vendndodhja
    Philadelphia
    Postime
    30,683
    Postimet në Bllog
    18

    Koço Danaj: Ja shtatë marrëveshjet për një komb

    Flet publicisti dhe analisti Koço Danaj

    - Ja shtatë marrëveshjet për një komb

    - Marrëveshja e Londrës 1913

    - Marrëveshja e Versajës 1919

    - Marrëveshja Ribentrop-Çiano dhe “Shqipëria e Madhe”, aleate e gjermanëve

    - Mbarimi i Luftës së Dytë Botërore dhe Marrëveshja e Jaltës dhe Potsdamit

    - Marrëveshja e Dejtonit

    - Marrëveshja e Rambujesë e vitit 1999

    - Marrëveshja e Ohrit


    Albert ZHOLI

    Shqipëria Natyrale ka nevojë për një Konferencë Ndërkombëtare. Por ajo nuk duhet të jetë e llojit Rambuje, Koncul, Ohër etj., të cilat vetëm sa e kanë arnuar keqazi Çështjen Shqiptare. Rajoni, ku kombi shqiptar luan rolin kryesor ka nevojë për riformatim dhe jo për arnim. Prandaj, vetëm një konferencë ndërkombëtare që do t`i afrohet problematikës së rajonit në mënyrë tërësore, mund ta realizojë këtë. Kjo konferencë duhet të jetë e ngjashme për nga marrja e vendimeve me Konferencën e Londrës 1913. Marrëveshjet artificiale që shpërbënë dhe mbajnë pezull Shqipërinë Natyrale, analiza e marrëveshjeve mbi të cilat dhe nga të cilat është përcaktuar fati i kombit shqiptar përgjatë një shekulli, do të na ndihmojë për të parë më mirë të gjithë atë artificialitet të tyre duke na dhënë imperativin e marrëveshjeve Natyrale. Le t`i marrim me radhë duke anashkaluar Kongresin e Berlinit: Fuqitë e mëdha vendosin krijimin e shtetit të ri shqiptar duke i dhënë atij karakterin e një shteti neutral. Por duke lënë jashtë kufijve të tij hapësira të mëdha të trojeve mijëvjeçare natyrale shqiptare. Shqiptarëve iu imponua kjo marrëveshje. Sot, mbas një shekulli ajo ka mbetur një marrëveshje artificiale.

    I- Marrëveshja e Londrës 1913

    Fuqitë e Mëdha pas Luftës së Parë Botërore hartuan Marrëveshjen për Ballkanin dhe vendet që jetojnë në Ballkan. Marrëveshja eliminoi pavarësinë e Malit të Zi dhe krijoi mbretërinë serbo-kroato-sllovene, e cila në vitin 1927 u quajt Jugosllavi. Ndërsa malazezët pas kryengritjes së përgjakshme të Krishtlindjeve midis jeshilëve dhe të bardhëve, iu drejtuan eposit dhe kombin malazez e bënë hyjnor në këngë. Të njëjtën gjë bënë edhe shqiptarët, të cilët në mungesë të realitetit që përsëri i cungoi nuk munguan që kombin e tyre ta quanin hyjnor. Të njëjtën gjë bënë edhe maqedonasit, të cilët 10 ditët e Republikës së Krushevës i quanin si ditët e Ballkanit të paqes me qendër maqedonasit. Pas një shekulli, me shumicën e saj Marrëveshja e Versajës nuk ekziston më. Maqedonia fitoi pavarësinë. Sllovenia fitoi pavarësinë, Kroacia fitoi pavarësinë. Ndërsa Malit të Zi iu kthye pavarësia. Kjo marrëveshje ka mbetur akoma si e tillë imponuese dhe artificiale vetëm për shqiptarët. Trojet shqiptare si Kosova, Lugina e Preshevës, trojet në Mal të Zi apo në Maqedoni akoma nuk janë shkëputur nga artificialiteti i saj. Prandaj ata kanë të drejtë të kërkojnë atë që ju mungon.

    II-Marrëveshja e Versajës 1919

    Shqipëria u pushtua nga Italia fashiste në 7 Prill të vitit 1939. Në Prill të vitit 1941 divizionet e motorizuara gjermane pushtuan Jugosllavinë, duke përfshirë edhe Kosovën që ishte pjesë e saj. Më pas në Vjenë arrihet marrëveshja midis ministrave të Jashtëm të Gjermanisë dhe Italisë për ndarjen e territoreve të Ballkanit. Kjo Marrëveshje mori emrin Marrëveshja RibentropÇiano. Sipas kësaj marrëveshjeje, trupat gjermane u larguan nga pjesa më e madhe e territorit të Kosovës duke mbajtur Vushtrinë, Podujevën dhe Mitrovicën, të cilat iu dhanë Serbisë. Serbia aso kohe qeverisej nga një qeveri kuis-linge e kryesuar nga ish shefi i Shtatmadhorisë së Ushtrisë jugosllave gjeneral Milan Nediç. Kufiri sipas marrëveshjes u vendos në Mitrovicë, ku qeveria e Nediçit dislokoi një batalion të Rojes Shtetërore, meqë sipas Marrëveshjes aty ishte kufiri me Shqipërinë. Një pjesë tjetër e Kosovës aktuale iu dha Bullgarisë së Car Borisit.

    III- Marrëveshja Ribentrop-Çiano dhe “Shqipëria e Madhe” aleate e gjermanëve. Përveç Maqedonisë Lindore, Bullgaria mori si territor të saj Luginën e Preshevës, Shtërpcën, Kaçanikun, Kumanovën dhe Vitinë. Ndërsa pjesa tjetër e Kosovës dhe e Maqedonisë u bashkua me Shqipërinë. Italia në këto territore krijoi katër prefektura. Prefektura e Prishtinës, e Pejës e Prizrenit dhe e Dibrës. Nga kjo Marrëveshje e nga kjo ndarje territori u krijua ajo që u quajt “Shqipëri e Madhe”. Këtë term shqiptarët vazhdojnë ta dëgjojnë edhe sot, sa herë duhet që nga ata të kërkohet të mbyllin gojën, apo sa herë që ata duhet të përçahen. “Shqipëria e Madhe”- sipas të vërtetës historike është Shqipëria e sotme administrative plus Prefekturën e Prishtinës, plus atë të Prizrenit, plus atë të Pejës dhe minus Preshevën, minus Bujanovcin, minus Kaçanikun, minus Vitinë, minus Kumanovën, minus Mitrovicën, minus Urën e Ibrit, minus Vushtrinë, minus Podujevën, minus Ulqinin, minus Tuzin e Malësinë dhe dhjetëra minuse të tjera...

    IV- Mbarimi i Luftës së Dytë Botërore dhe Marrëveshja e Jaltës dhe Potsdamit

    Rikthehet ish-Jugosllavia më e fuqishme se më parë. Influenca ruso-anglo-amerikane u nda 50 me 50 për qind, gjë që solli përkrahjen e saj nga të dy blloqet dhe marrjen e drejtimit të Lëvizjes së të paangazhuarve. Por pas 50 vjetësh rezultoi se ishte një krijesë artificiale dhe filloi shpërbërja e saj që fatkeqësisht rezultoi e përgjakshme. Sot nuk ekziston asgjë nga Marrëveshja e Jaltës. Asnjë lloj natyralizimi. Vetëm artificialitet. Është një Marrëveshje që rregulloi marrëdhëniet midis serbëve, boshnjakëve dhe kroatëve të Bosnjës, pas disa vitesh lufte të përgjakshme dhe gjenocidi mes njëri -tjetrit. Është një Marrëveshje artificiale dhe imponuese që vazhdon të respektohet për shkak të forcave të NATO të dislokuara dhe të kompetencave të jashtëzakonshme të të dërguarit të BE. 12 vjet pas nënshkrimit të saj, askush prej serbëve, kroatëve dhe boshnjakëve nuk beson tek natyralizimi i saj. Bosnja është sot në prag të shpërbërjes.

    V- Marrëveshja e Dejtonit

    Është një Marrëveshje e firmosuar vetëm nga shqiptarët. Por e pa firmosur nga serbët. Edhe sot vazhdon të jetë e tillë. Prandaj nuk ka asnjë vlerë.

    VI- Marrëveshja e Rambujesë e vitit 1999

    Është marrëveshja që u nënshkrua nga NATO dhe Ushtria serbe për të lejuar dislokimin e NATO-s në Kosovë. Sot pas 10 vjetësh, duket se edhe ajo është një marrëveshje artificiale. Pohimet dhe deklarimet e politikanëve të ndryshëm shqiptarë nga Kosova, që Mitrovica e Veriut dhe Kosova Veriore është ndarë qysh në Kumanovë, dëshmojnë mbi karakterin artificial të saj.

    VII- Marrëveshja e Kumanovës

    Është marrëveshja që vendosi paqen në Maqedoni në vitin 2001 pas kryengritjes së shqiptarëve dhe synoi të rregullojë marrëdhëniet etnike, shtetërore dhe shoqërore të shtetit të quajtur Maqedoni. Por duket se edhe kjo marrëveshje do të ketë të jetën e shkurtër.

    Cilat janë arsyet?

    1. Nga politika maqedonase, kjo Marrëveshje vazhdon të konsiderohet si një lëshim që shteti dhe populli maqedonas u ka bërë shqiptarëve. Pra e ka hequr nga vetja e tij dhe ja ka dhënë dikujt tjetër. Vetëm analiza e faktit që deri më sot, zëvendëskryeministri që merret me zbatimin e saj është vetëm shqiptar, të çon në konkluzionin e sipërthënë. Në një kohë, kur kjo marrëveshje u konceptua dhe nënshkrua si marrëveshje për të ardhmen e dy popujve dhe për të shpëtuar Maqedoninë nga shpërbërja.

    2. Vetëm dy vjet pas nënshkrimit të saj dhe në prag të fillimit të zbatimit, Kongresi Botëror Maqedonas dhe ish-partitë opozitare të drejtuara nga Gruevski, Andovi dhe Georgievski organizuan një referendum kundër kësaj Marrëveshjeje. Referendumi dështoi, por ai gjithsesi pohoi një fakt të fshehur deri atëherë.

    VIII- Marrëveshja e Ohrit

    Platforma e Shqipërisë Natyrale është fakti? Kundër kësaj marrëveshjeje votuan 409 mijë qytetarë me kombësi maqedonase. Shifra e mësipërme është gati e barabartë me votat që morën së bashku në zgjedhjet e fundit parlamentare, VMRO-DPMNE e Gruevskit plus VMRO Popullore e Georgievskit. Kjo marrëveshje është larg të të qenit natyrale dhe shumë pranë artificialitetit. Marrëveshja e Ohrit po bëhet gati të shndërrohet në një ikonë dhe të jetë vetëm objekt i kujtesës historike. Po të përpiqeshim të bënim një rezyme të një pjese të historisë së shqiptarëve, do të na duhej të pohonim se shqiptarët, mburren më shumë me historinë dhe origjinën e djeshme, ndërsa kombet e tjerë më shumë me realitetin e sotëm. Shqiptarët përpiqen të zbukurojnë historinë, faqet më të palavdishme të saj, sepse e ndjejnë që shpërbërja kombëtare ka qenë galopante. Dhe aq i madh ka qenë ky zbukurim sa nga koha në kohë nga është shndërruar në realitet. A nuk kini dëgjuar, kur pohohet nganjëherë me mburrje se kaq apo aq deputetë të Parlamentit të parë grek kanë qenë me origjinë shqiptare? A nuk kini dëgjuar, kur pohohet me mburrje se s`kishte Parlament shqiptar, pasi një pjesë shqiptarësh preferonin më shumë të ishin deputetë në parlamente të tjera? A nuk kini dëgjuar se ky kryeministër italian ka qenë me origjinë shqiptare, nga Kalbaria etj.? Dhe sot, në libra historie apo dokumentarë televizivë, gjen shembuj të tillë. Pra mburrje me të huaj: italianë, grekë, turq, amerikanë, gjermanë etj., që vetëm origjinën e largët, shumë të largët kanë shqiptare. Por kjo është një mburrje mortore dhe tregues i shpërbërjes kombëtare. Është një nga mësimet më të mëdha të historisë së shqiptarëve. Është mësim i rëndë, por mësim i domosdoshëm për t`u lexuar drejt, me realizëm dhe pa folklorizëm patriotik...

    Mësimi që vjen nga Historia

    Po çfarë na duhet ky mësim?

    Është një pyetje reale. Mund ta bëjnë atë, qindra apo edhe mijëra shqiptarë që jetojnë jashtë Shqipërisë aktuale, që jetojnë në Perëndim apo në Lindje të botës dhe që janë plotësisht të natyralizuar në shoqëritë, ku kanë dekada që jetojnë. Është një pyetje që mund ta bëjnë edhe ata shqiptarë që jetojnë në trojet e tyre në Kosovë, Preshevë, Tetovë apo Ulqin. (Por trojet e tyre nuk do të thotë apriori edhe shtetet e tyre.) Mund ta bëjnë më pak këtë pyetje, ata shqiptarë që jetojnë në Tiranë. (Me fjalën Tiranë kam parasysh, sipërfaqen prej 28.748 kilometra katrorë të Shqipërisë së Konferencës së Londrës). Por mund ta bëjnë më shumë këtë pyetje, ata shqiptarë që kanë ikur nga vendi i tyre dekadat e fundit dhe që vazhdojnë ta ndjejnë veten akoma shqiptarë. Pra le t`i kthehemi pyetjes: Përse na duhet ky mësim i historisë? Atëherë Mësimi i mësipërm i historisë na duhet në këtë fillim shekulli, për të mos bërë gabimet e së kaluarës dhe pastaj për të mos i zbukuruar ato gabime. Në vitin 2013, mbushen 100 vjet nga Konferenca e Londrës. Në vitin 2015 mbushen 100 vjet nga Traktati i fshehtë i Londrës i nënshkruar midis Antantës dhe Italisë. Se çfarë u vendos para 100 vjetësh në atë Konferencë, tashmë e dinë të gjithë ata shqiptarë të cilëve u intereson historia e vendit të tyre. Por se çfarë do të ndodhë pas 100 vjetësh, dikush apo shumëkush e fsheh. Përgjatë historisë, shumë realitete të munguara, shqiptarët i kanë përjetuar në këngë apo legjenda, në epos apo trajtesa. Kombi shqiptar më shumë ka ekzistuar në këngë, por jo në realitet. Kombi shqiptar më shumë ka ekzistuar në disa shtete, por jo në një shtet. Kombi shqiptar më shumë ka ekzistuar si pakicë kombëtare se sa si komb.

    Ajo që për të tjerët ka qenë një e drejtë e ligjshme, për shqiptarët ka qenë “Mollë e Ndaluar”. Teksa të tjerët shkonin drejt komb-formimit, shqiptarët shkonin drejt cungimit kombëtar. Teksa të tjerët kërkonin shtetin për të ruajtur kombin, shqiptarët ndihmonin të tjerët të bënin shtetin, duke mos bërë kombin e tyre. Por edhe sot, në fillim të shekullit të 21-të, shqiptarët po ndeshen me të njëjtin realitet. Atyre u thuhet të heqin dorë nga kombi dhe të vazhdojnë shpërbërjen kombëtare. Në ndihmë të kësaj Platforme Politike janë me dhjetëra pohime, ide, institute përpunimi etj.. Por thelbi është po ai që ka qenë para 700 vjetësh, para 600 vjetësh, para 100 vjetësh. Vetëm emërtimi i nocioneve Politike ndryshon, thelbi i tyre mbetet i njëjtë: (-Na duhet të sakrifikonim shqiptarët për hir të paqes europiane -u shpreh Eduard Grei pas Konferencës së Londrës së vitit 1913. -Na duhet të ruajmë stabilitetin e brishtë të Ballkanit dhe për hir të kësaj, shqiptarët duhet të pranojnë të jetojnë në 5 shtete - shprehen disa nga politikanët e Brukselit.) Mësimi i historisë është i nevojshëm, për të mos gabuar, për t’u zhvilluar, për të qenë si të tjerët. Çfarë do të thotë Shqipëri Natyrale? Shqipëri Natyrale do të thotë, mirëqenie, dinjitet, qetësi dhe stabilitet në rajon. Ato, ne, ua kemi borxh fëmijëve, nipërve dhe mbesave tona. Prandaj në emër të tyre dhe të jetës së tyre, le ta bëjmë atë. Shqipëri Natyrale do të thotë sa më pak grekë, maqedonas, italianë dhe turq me origjinë shqiptare, por do të thotë edhe sa më shumë shqiptarë me mentalitet europian, progresist. Prandaj, në emër të tyre, e kemi për detyrim kombëtar sendërtimin e Shqipërisë Natyrale.

    -Formimi i Shqipërisë Natyrale duhet të kalojë nëpër disa faza:

    -Faza e Parë. Është ndërmarrja nga ana e qeverive të Shqipërisë dhe të Kosovës, të heqjes së kontrolleve kufitare Shqipëri-Kosovë, të heqjes së taksave dhe doganave midis Shqipërisë dhe Kosovës.

    Faza e dytë. Duhet të jetë fillimi i procedurave për krijimin e sistemit unik arsimor midis Shqipërisë dhe Kosovës sipas parimit: Një Komb-Një Gjuhë-Një Abetare-Një Histori.

    Faza e tretë. Do të jetë krijimi i forumit partiak mbarëshqiptar me miratimin e partive kryesore shqiptare në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni, Luginë të Preshevës, Ulqin dhe shqiptarët e Çamërisë.

    Faza e katërt. Do të jetë nisma nga Presidenca e Republikës së Shqipërisë së procedurave të bashkimit, bazuar në Kushtetutën e Shqipërisë dhe veçanërisht në Preambulën e saj. Kushtetuta nuk diskutohet, ajo është e detyrueshme për t`u zbatuar. Presidenti i Shqipërisë dhe ai i Kosovës formojnë dhe bashkëdrejtojnë Këshillin, fazat e formimit të Shqipërisë Natyrale e të Urtëve me dijetarë dhe ekspertë të të gjitha fushave

    -Faza e pestë. Do të jetë krijimi i Konfederatës Shqipëri-Kosovë dhe e drejta e Referendumit. Njëkohësisht duhet të zhvillohet edhe kërkesa për federalizimin e Maqedonisë.

    Nënfaza e pestë. Problemi i Kosovës Veriore. Qeveria e Konfederatës së Shqipërisë dhe ajo e Serbisë duhet të fillojnë bisedimet fillimisht duke e shpallur Kosovën Veriore Zonë të Lirë të hapur për të dy kombet. Pranë Presidencës së Konfederatës Shqipëri-Kosovë, krijohet Qendra Koordinuese për Çështjen e Kosovës Veriore.

    -Faza e gjashtë. Do të jetë çështja e shqiptarëve të krahinës së Çamërisë. Politika greke duhet të pranojë fillimisht se në rajonin shqiptar të Çamërisë ka jetuar një minoritet shqiptar ndaj të cilit është ushtruar gjenocid dhe të cilit i janë rrëmbyer me forcë të gjitha të drejtat deri në deportim. Për këtë arsye, fillimisht krahina e Çamërisë duhet të shpallet Zonë e Lirë midis Shqipërisë dhe Greqisë. Të gjithë shqiptarëve të dëbuar me forcë në mesin e shekullit të kaluar, u njihet e drejta e rikthimit në trojet e tyre. Pastaj do të jetë Referendumi ai që do të vendosë për fatin e mëtejshëm të minoritetit shqiptar në krahinën e Çamërisë.

    Faza e shtatë. Do të jetë bashkimi në një shtet të vetëm, i cili do të ketë disa pakica etnike brenda territorit të tij, ashtu siç do të ketë disa pakica kombëtare jashtë territorit të Shqipërisë Natyrale. Në hapësirën e kombit shqiptar, përveç numrit të partive politike, ekzistojnë në shtresa të ndryshme të kombit, simpati apo nostalgji për figura të ndryshme të së kaluarës së afërt. Ato përbëjnë burim fërkimesh dhe mospajtimesh. Për të kapërcyer këto mospajtime, është i nevojshëm një moratorium mes vetë shqiptarëve deri në sendërtimin e Shqipërisë Natyrale. Moratoriumi duhet të jetë si më poshtë:

    -Platforma e Shqipërisë Natyrale nuk ka nevojë dhe as nostalgji për Ahmet Zogun, por për mijëra përkrahës të tij, nuk ka nevojë dhe nostalgji për Enver Hoxhën, por për mijëra mbështetës të tij, nuk ka nevojë dhe nostalgji për Mitat Frashërin, por për mijëra mbështetës të tij. Nuk ka nevojë për Xhaferr Devën, por për mbështetësit e tij. Nuk ka nevojë për Fadil Hoxhën, por për mbështetësit e tij. Platforma synon sendërtimin e Shqipërisë Natyrale, synon bashkimin e të gjallëve, prandaj edhe respekton mitet e vdekura të tyre. Moratorium deri në sendërtimin e Shqipërisë Natyrale. Në ndihmë të zbatimit të fazave të mësipërme, pas Publikimit të Platformës, do të krijohet Lista për Shqipëri Natyrale si shoqatë demokratike me pjesëmarrjen në gjirin e saj të shqiptarëve kudo ndodhen. Mes tyre do të ketë akademikë, publicistë, historianë, politologë, sociologë, njerëz te biznesit, juristë etj.. Lista do të marrë përsipër argumentet, propagandën dhe popullarizimin e Shqipërisë Natyrale në hapësirën e kombit shqiptar mbi bazën e dialogut dhe debatit demokratik. Deviza kryesore e veprimtarisë së saj do të jetë “Po nuk u bashkuam sot, do të sodisim shpërbërjen kombëtare nesër!!”

  2. #2
    Shpirt Shqiptari Maska e Albo
    Anëtarësuar
    16-04-2002
    Vendndodhja
    Philadelphia
    Postime
    30,683
    Postimet në Bllog
    18

    Për: Koço Danaj: Ja shtatë marrëveshjet për një komb

    Flet publicisti dhe analisti Koço Danaj


    -Ju tregoj Platformën e Shqipërisë Natyrale



    - Ja kufijtë e nënshkruar nga Rashih Dino, Mehmet Konica dhe Filip Noga

    - Kryengritja e shqiptarëve në vitet 1911- 1912, mbeti një Kryengritje e Pambaruar

    - Sot Fuqitë e Mëdha janë duke riparuar gabimet e bëra veçanërisht ndaj shqiptarëve

    - Shqiptarët nuk e njohën Konferencën e Londrës 1913, por pranojnë vetëm Shqipërinë Natyrale

    - Shqipëria Natyrale kërkon një bashkim të ri, të panjohur më parë nga shqiptarët

    - Shqipëria Natyrale synon shndërrimin e kombit shqiptar, nga zjarrfikës, në paqebërësin


    Albert ZHOLI

    Çfarë do i sjellë Shqipërisë dhe shqiptarëve, ajo që po ndodh tani dhe që po e quajmë ngritja e volumit të zërit për kërkesa si “Shqipëri Natyrale apo Shqipëri Etnike”, të cilat për politikën zyrtare janë zhvillime të pamundura? Çfarë është Shqipëria natyrale e shpallur në 28 Nëntor 1912? Çfarë është në thelb kërkesa për zbatimin e një Akti Juridik, i cili u injorua nga mbledhja e ambasadorëve në Londër në vitet 1912-1913? Këto pyetje do t’i gjejmë në këtë bisedë.

    Kufijtë që ne rivendikojmë

    ...Kufijtë që ne rivendikojmë janë ata që do të shkojnë gjatë një vije demarkacioni që niset nga kufijtë e tanishëm të mbretërisë malazeze dhe që përfshijnë sidomos bashkë me hinterlandet e tyre, qytetet e Pejës, të Mitrovicës, të Prishtinës, të Shkupit dhe të Manastirit deri në Mecovë, duke ruajtur kufijtë e tanishëm deri në Prevezë”... Nënshkruar nga Rashih Dino, Mehmet Konica, Filip Noga. (Mëndje të ndritura, të qarta, largpamëse, atdhetarë dhe vizionarë. Njësoj sikur këtë Memorandum t`ua kishin drejtuar sot, shtetarëve të Bashkimit Europian, Solanës, Barrozos, Sarkozy, Braun, Merkel, Berluskoni etj.. Do ndryshonte vetëm data, por nuk do të ndryshonte asgjë tjetër. As emërtimi i kufijve dhe as paralajmërimi mbi paqen në Ballkan!!!) -Platforma bazohet në Dokumentet e Konferencës së Bujanit të 31 Dhjetorit 1943, e cila shpalli bashkimin e Kosovës me Shqipërinë pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore. Ja pikat kryesore të kësaj Konference:

    1. Kosova dhe Rrafshi i Dukagjinit janë të banuar kryesisht me shqiptarë.

    2. Shqiptarët e Kosovës dhe të Rrafshit të Dukagjinit, si gjithmonë, dëshirojnë bashkimin me Shqipërinë.

    3. Rruga më e mirë për shqiptarët që të bashkohen me Shqipërinë është lufta e përbashkët me popujt e tjerë të Jugosllavisë.

    4. Populli shqiptar i Kosovës do të ketë mundësi të caktojë fatin e vet si rezultat i luftës kundër pushtuesit.

    5. Përcaktimi i fatit të tij, përfshin edhe të drejtën e vetëvendosjes deri në shkëputje.

    6. Kjo e drejtë garantohet nga LNÇ e Jugosllavisë, Shqipërisë dhe nga aleatët e mëdhenj Antifashistë, ashtu siç është premtuar nga Karta e Atlantikut, Konferenca e Moskës dhe Teheranit”...

    -Platforma bazohet në betimin e luftëtarëve të UÇK-së në Kosovë, në trojet e tyre në IRJM, Luginën e Preshevës, betim, i cili, bashkimin e trojeve shqiptare e konsideron thelbin e luftës së tyre. Në tekstin ebetimit të luftëtarit të UÇK-së, thuhet: -“Unë, ushtari i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, betohem se do të luftoj për çlirimin e tokave shqiptare dhe bashkimin e tyre”.

    -Platforma bazohet në Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë, e cila bashkimin e Shqiptarëve e konsideron si një aspiratë të ligjshme dhe shekullore. Në Preambulën e saj thuhet: - “Ne, Populli i Shqipërisë... me aspiratën shekullore të popullit shqiptar për identitetin dhe bashkimin kombëtar”... Sanksionimi në Kushtetutën e Shqipërisë i të drejtës për bashkim kombëtar, miratimi i kësaj të drejte me Referendum Popullor, pranimi i saj edhe nga ekspertët ndërkombëtarë të Komisionit të Venecies dhe së fundi nga ekspertët e NATO, përbën themelin mbi të cilin mund dhe ka nevojë të ndërtohet arkitektura e përfundimit të Misionit të pambaruar të shqiptarëve.

    Sepse shqiptarët e kanë të pambaruar Misionin e tyre kryesor. Kryengritja e shqiptarëve në vitet 1911- 1912, mbeti një Kryengritje e Pambaruar. Pavarësia e Shqipërisë, u njoh dhe realizua si e tillë, vetëm në një pjesë të territorit shqiptar. Pjesët e tjera të territoreve dhe të kombit shqiptar mbetën apo u aneksuan nga shtete të tjerë. -Lufta e quajtur nacional-çlirimtare përgjatë Luftës së Dytë Botërore Antifashiste, mbeti një Kryengritje e Pambaruar. U realizua vetëm një pjesë e saj, që kishte të bënte me nocionin “çlirimtare”, por mbeti pa u realizuar pjesa që kishte të bënte me nocionin “nacionale”. Më shumë se gjysma e nacionit- kombit, mbeti jashtë kufijve të Shqipërisë aktuale. -Kryengritja e kombit shqiptar në Kosovë që mori hov në fillim vitin 1998, mbeti përsëri një Kryengritje e Pambaruar. Ajo realizoi vetëm shkëputjen e Kosovës nga Serbia, duke mos realizuar akoma pjesën e dytë të saj, që është bashkimi me Trungun kombëtar me Shqipërinë. -Të njëjtin fat pësoi edhe Kryengritja e shqiptarëve në Maqedoni në vitin 2001. E nisur si çlirim kombëtar ajo përfundoi me liri dhe të drejta për shqiptarët duke pranuar një shtet tjetër si atdhe të shqiptarëve dhe duke u rreshtuar në radhët e para të mbrojtjes së këtij shteti. -Përfundimi i misionit nga elita politike shqiptare në trekëndëshin Tiranë-Prishtinë-Tetovë-Shkup ka një bazë të fortë mbështetëse historike, por është edhe nocion europeist.

    Cila është baza historike mbështetëse?

    Përgjatë afër një shekulli, shqiptarët festojnë si Ditë të Pavarësisë së tyre, 28 Nëntorin e vitit 1912. Ndërkaq, kufijtë administrativë u përcaktuan më vonë në Konferencën e Londrës, në 29 korrik 1913, e cila me vendimet e saj, e ndau në pesë pjesë. Edhe Ahmet Zogu, edhe Enver Hoxha, edhe Fadil Hoxha, edhe Shaban Polluzha, edhe Bedri Pejani, edhe Ali Ahmeti, edhe Menduh Thaçi, edhe Ibrahim Rugova, edhe Fatmir Sejdiu, edhe Mustafa Kruja, edhe Mehdi Frasheri, edhe Sali Berisha, edhe Fatos Nano, edhe Hashim Thaçi, edhe Alfred Moisiu edhe Ramush Haradinaj, edhe Agim Ceku, edhe Rexhep Meidani, edhe Bamir Topi, dhe Edi Rama, edhe Ilir Meta, edhe Bujar Nishani etj., drejtues shqiptarë me bindje politike të ndryshme, nuk e kanë njohur Konferencën e Londrës 1913. Ata kanë njohur vetëm 28 Nëntorin 1912. Pra, bashkësia ndërkombëtare nuk e njohu 28 nëntorin 1912 dhe kufijtë e Shqipërisë i caktoi në 29 korrik 1913, shqiptarët nuk e njohën Konferencën e Londrës 1913, por pranojnë vetëm Shqipërinë Natyrale. Por nuk kanë folur. Tani është koha për të folur, për të argumentuar dhe për të vepruar.

    Realiteti i ri politik rajonal

    Në momentin e tanishëm, Fuqitë e Mëdha janë duke riparuar gabimet e bëra prej tyre ndaj popujve të Ballkanit dhe veçanërisht ndaj shqiptarëve.

    Ja disa nga riparimet e gabimeve të Fuqive të Mëdha pas vitit 1990 në rajonin e Ballkanit:

    -Malit i Zi rifitoi pavarësinë, e cila i ishte mohuar përdhunshëm nga Konferenca e Versajës e vitit 1919.

    -Bosnja fitoi Pavarësinë, e cila iu mohua nga Konferenca e Versajës e vitit 1919.

    -Ajo merr parasysh faktin se, në mjediset politike dhe qeverisjet demokratike rajonale, nuk ka tema tabu midis te cilave edhe ato që kanë të bëjnë me thelbin e kombeve.

    -Platforma e Shqipërisë Natyrale analizon dhe merr parasysh, ndryshimet në gjeopolitikën rajonale, ndryshime që shkojnë në favor të kombit shqiptar, rirregullimet e thyerjeve të së kaluarës konfliktuale dhe riparimet e tyre nga vetë Fuqitë e Mëdha.

    Cilat janë mjetet e realizimit të Shqipërisë Natyrale?

    -Mjetet e realizimit të Shqipërisë Natyrale janë

    Dialogu dhe Debati Demokratik. -Shqiptarët përgjatë një shekulli kanë derdhur aq shumë gjak sa mund të bëjnë disa Shqipëri. Prandaj, nuk ka më nevojë për gjak. Platforma mbështetet në sentencën: “Dialog me këdo, Dialog për gjithçka, pa vendosur fillimisht për ndonjë gjë të veçantë”. Sot, kur Forca e së Drejtës ka marrë përparësi mbi të Drejtën e Forcës, sot është momenti historik që shqiptarët duhet të kërkojnë dhe të realizojnë të drejtat e tyre kombëtare. Për këtë arsye në Platformë i jepet përparësi debatit, dialogut, respektimit të thelbit të demokracisë që është vetëvendosja e popujve dhe veçanërisht e drejta dhe nevoja e Referendumit Popullor.

    Marrëdhëniet me fqinjët

    Askush nga fqinjët nuk ka pse të trembet nga Shqipëria Natyrale. Nacionalizmi shqiptar që respekton kulturën dhe traditat e fqinjëve, nuk është gjë tjetër veçse atdhetarizëm progresist dhe emancipues, i dëshirueshëm, i padebatueshëm, i domosdoshëm për stabilitetin rajonal. Shqipëria Natyrale nuk ngrihet mbi artificialitete, nuk ngrihet mbi mite dhe legjenda, nuk ngrihet mbi të tjerët dhe në kurriz të të tjerëve. Ajo duhet të ngrihet atje, ku ka shqiptarë dhe jo atje ku ka këngë për shqiptarë apo mite për shqiptarë. Ajo mëton të sendërtohet jo mbi histori të mesme apo të lashtë, por mbi realitetin e sotëm. Ajo e njeh historinë, por e pranon realitetin, edhe kur ai është i dhimbshëm.

    Prandaj ajo u thotë fqinjëve të saj: -“Ju mos u ngrini mbi kurrizin e shqiptarëve, por mbi kurrizin tuaj”. Shqipëria Natyrale nuk merret dhe nuk do të merret me Mollën e Kuqe, as me Pargën, as me Kosanicën dhe Toplicën. Por ajo është e detyruar të merret dhe do të merret me Mitrovicën, me Preshevën, me Ulqinin, me Strugën, me Çamërinë etj., etj., që ato të mos pësojnë fatin e simotrave të tyre në të ardhmen. Njohja e realitetit sjell edhe zgjidhjet e tij, sjell edhe stabilizimin e tij. Fshehja e këtij realiteti, sjell edhe traumat, destablizimin, dhunën dhe konfliktet. Njohja e realitetit ka brenda edhe dhimbjen e së vërtetës. Tashmë kjo e vërtetë ka dalë sheshit. Kufijtë e Shqipërisë me shtete të tjera të Ballkanit nuk janë natyralë, janë artificialë. Ashtu si edhe territoret e disa shteteve fqinjë nuk janë plotësisht natyralë, por kanë edhe artificialitet. Dhe ky artificialitet shfaqet hapur kur disa nga këto shtete kanë territore dhe popull shqiptar brenda tyre. Fshehja e këtij realiteti ka brenda dhimbjen e mashtrimit. Ky mashtrim zgjati afër një shekull. Nuk mund të zgjasë më, sepse edhe atë e kanë kuptuar të gjithë. Por dhimbja e së Vërtetës është shumë herë më e lehtë se dhimbja e mashtrimit. Shqipëria Natyrale është pjesë përbërëse e dhimbjes së të vërtetës, prandaj edhe ka të ardhme. Shqipëria Natyrale është një nocion progresist, europerëndimor përballë reminishencave otomane që jetojnë akoma të pranishme në hapësirat e kombit shqiptar. Gjendja e sotme e organizimit shtetëror të shqiptarëve i përngjet vilajeteve dhe principatave feudale. Shqipëria Natyrale si nocion i përngjet parimeve të organizimit të Bashkimit Europian. Prandaj Shqipëria Natyrale është bashkëkohore, ndërsa gjendja e sotme e territoreve shqiptare i përngjan otomanizmit.

    Shqipëria Natyrale kërkon një bashkim të ri, të panjohur më parë nga shqiptarët. Ajo nuk e kërkon këtë bashkim për pushtet, por për komb dhe për shtet. Kombi dhe shteti kërkojnë bashkime përtej bindjeve politike. Përtej të majtës apo të djathtës, nënfishave apo mbi fishave të tyre, përtej shoqatave apo grupimeve politike, qëndron vetëm Shqipëria Natyrale.

    Çfarë synon Shqipëria Natyrale?

    -Shqipëria Natyrale synon shndërrimin e kombit shqiptar, nga zjarrfikës- siç është sot- në paqebërësin kryesor të rajonit të Ballkanit. Paqja dhe stabiliteti rajonal kanë nevojë për paqebërës dhe jo për zjarrfikës. T`i caktosh kombit shqiptar rolin e zjarrfikësit, do të thotë se parashikon zjarre të tjerë në rajonin e Ballkanit. Përtej bindjeve politike është vetëm Shqipëria Natyrale ka nevojë për një Londër-II Kombi shqiptar ka nevojë për rikonfigurim, jo për arnim. Prandaj lind nevoja e një Konference ndërkombëtare Londër-II, për të riparuar gabimet e Londrës I-rë mbi kombin shqiptar, gabime që i kanë pranuar dhe i pranojnë vetë Fuqitë e Mëdha botërore dhe përfaqësuesit e tyre. Në morinë e këtyre deklarimeve që nxjerrin në pah padrejtësinë ndaj kombit shqiptar, do të sjellim të parën prej tyre, atë të ish-ministrit të Jashtëm britanik Grei, pas përfundimit të Konferencës së Londrës: -Londër 12 gusht 1913: “Vështirësia për të arritur në një marrëveshje lidhur me kufij të veçantë të Shqipërisë ka qenë shumë e madhe. Secili do të kujtojë se sa të vështira dhe sa kritike kanë qenë në ndonjë rast çështjet që kanë dalë për caktimin e kufijve veriorë dhe verilindorë të Shqipërisë... Unë e di fare mirë se kur gjithçka do të bëhet e njohur, kjo zgjidhje në shumë pika do të japë shkas për kritika të forta nga kushdo që e njeh vendin dhe e gjykon çështjen nga një pikëpamje e ngushtë lokale. Duhet të mos harrohet se gjatë përpjekjeve për të gjetur një zgjidhje të tillë, qëllimi kryesor ka qenë të ruhet marrëveshja midis vetë Fuqive të Mëdha, dhe në qoftë se vendimi mbi Shqipërinë e ka siguruar këtë, atëherë ai ka bërë punën më të rëndësishme në dobi të paqes në Europë”... (Sër Eduard Grei gaboi, Coptimi i Shqipërisë nuk e siguroi dot paqen europiane, pas një viti filloi Lufta e Parë Botërore) Sot mbi kombin shqiptar ushtrojnë fuqinë e tyre juridike disa marrëveshje ndërkombëtare, të cilat kurrsesi nuk janë të përshtatshme për zbatim. Ato kanë mbetur artificiale. Marrëveshja e Londrës 1913. Marrëveshja e Versajës 1919, Marrëveshja e Jaltës 1945, Marrëveshja e Rambujesë 1999, Marrëveshja e Kumanovës 1999. Marrëveshja e Konculit 2001, Marrëveshja e Ohrit 2001.


    Shtatë Marrëveshje për një komb!!!

    Me anë të këtyre Marrëveshjeve, Fuqitë e Mëdha krijuan një rajon artificial me emrin Ballkan. Artificialiteti i rajonit solli më vonë edhe emërtimin politik Ballkani-fuçi baruti.

    Krijesat më artificiale të këtij rajoni ishin dy:

    1-Formimi i mbretërisë sërbo-kroato-sllovene, të quajtur më vonë Jugosllavi ishte krijesa e parë artificiale.

    2- Ndarja e dhunshme e kombit shqiptar duke e pjesëtuar për pesë, ishte krijesa e dytë artificiale e rajonit. Ndërsa shformimi i Jugosllavisë ishte hapi i parë i kalimit nga artificialiteti në natyralitet. Krijimi i 6 shteteve të përhershme dhe një shteti të përkohshëm si Kosova është faza e parë e shndërrimit të rajonit të Ballkanit nga artificial në natyral. Shpërbërja e dhunshme e saj që arriti kulmet në luftën ndëretnike në Bosnjë dhe në gjenocidin serb ndaj shqiptarëve të Kosovës, shpjegohet sa me karakterin ultranacionalist të shtetit serb, aq edhe me sedrën e sëmurë politike të disa Fuqive të Mëdha, të cilat e patën të vështirë të pranonin se krijesa e tyre me emrin Jugosllavi ishte një dështim. Faza e dytë është unifikimi i kombit shqiptar që ka përbërë deri më sot artificialitetin e dytë madhor të rajonit. Kjo fazë tashmë po përfundon aktin e parë madhor të saj që është shteti i përkohshëm shqiptar i Kosovës. Shqipëria Natyrale ka nevojë për një Konferencë Ndërkombëtare. Por ajo nuk duhet të jetë e llojit Rambuje, Koncul, Ohër etj., të cilat vetëm sa e kanë arnuar keqazi çështjen shqiptare. Rajoni ku kombi shqiptar luan rolin kryesor ka nevojë për riformatim dhe jo për arnim. Prandaj, vetëm një Konferencë ndërkombëtare që do t`i afrohet problematikës së rajonit në mënyrë tërësore, mund ta realizojë këtë. Kjo Konferencë duhet të jetë e ngjashme për nga marrja e vendimeve me Konferencën e Londrës 1913. Marrëveshjet Artificiale që shpërbënë dhe mbajnë pezull Shqipërinë Natyrale Analiza e marrëveshjeve mbi të cilat dhe nga të cilat është përcaktuar fati i kombit shqiptar përgjatë një shekulli, do të na ndihmojë për të parë më mirë të gjithë atë artificialitet të tyre duke na dhënë imperativin e marrëveshjeve natyrale.

  3. #3
    Updating.... Maska e Wordless
    Anëtarësuar
    19-06-2002
    Vendndodhja
    Undercover
    Postime
    3,154

    Për: Koço Danaj: Ja shtatë marrëveshjet për një komb

    Sa pranë e sheh realizimin e Shqipërisë natyrale Albo ? Në disa shkrime kam lexuar një Albo që binte në kundërshtim me Albon e para 10 viteve dhe të them të drejtën jam shumë kurioz të di opinionin tënd rreth bashkimit të trevave Shqipëtare !! Shpresoj që të shprehesh pa rezerva që mos të vazhdojmë me pyetje përgjigje pa fund (chit chat) . Thjesht dhe troç, unë dëshiroj këtë ose atë. Mos i hy atyre diskutimeve pa fund që jo po kjo nuk lejohet jo po kështu e ashtu. Troç, ti çfarë dëshiron ?

    p.s

    Tema është me shumë vlera dhe të falenderoj që e solle !!
    Ky shtet është ky që është sepse qytetarët tanë janë këta që janë !

Regullat e Postimit

  • Ju nuk mund të hapni tema të reja.
  • Ju nuk mund të postoni në tema.
  • Ju nuk mund të bashkëngjitni skedarë.
  • Ju nuk mund të ndryshoni postimet tuaja.
  •