Mamurras, plagosja ndodhi në oborrin e postës policore
Një plagosje në Mamurras, në oborrin e postës së policisë së kësaj qyteze, ka ngritur në akuza të ndërsjella opozitën me Ministrinë e Brendshme.
Po përtej akuzës së të parës, për fshehje ngjarjeje dhe sqarimit të së dytës, se ngjarja nuk është fshehur, e vërteta qëndron në komunikatën ditore të lëshuar nga Drejtoria e Policisë së Lezhës.
Komunikata nga zëdhënësi i kësaj drejtorie, Fatos Cera, nisur për mediat mban orën 10.53 minuta të datës 17 janar. Konkretisht është njoftuar se rreth orës 01:00, është bërë arrestimi në flagrancë i shtetasit Elson Bukurosh Kalaveri, 27 vjeç, banues në Thumanë.
Arrestimi i këtij shtetasi, sipas deklaratës së policisë, është kryer pasi rreth orës 00.45, në qytetin e Mamurrasit, ka plagosur me armë zjarri, për motive të dobëta, shtetasin G. K.,(Gentian Keçin) 36 vjeç, po banues në Thumanë Krujë, i cili ndodhet në gjendje të rëndë shëndetësore në Spitalin Ushtarak, Tiranë. Gjithashtu, në deklaratën e Policisë së Lezhës sqarohet:
“Falë ndërhyrjes shumë të shpejtë nga ana e Patrullës së Policisë, Mamurras, menjëherë mbas ndodhjes së ngjarjes është bërë e mundur kapja dhe arrestimi i autorit, së bashku me armën e krimit e llojit pistoletë HS, me një krehër me 4 fishekë të kalibrit 9 mm. Gjatë këqyrjes së vendit të ngjarjes u gjet dhe u sekuestrua në cilësinë e provës materiale një gëzhojë, kalibrit 9 mm”.
E vërteta e plagosjes
Pas akuzave të ndërsjella mes Partisë Demokratike dhe Ministrisë së Brendshme, u rikthyem në të vërtetën e atij sherri banal që ka nisur në Rinës, mes dy bashkëfshatarëve dhe ka përfunduar në Mamurras, në afërsi të postës së policisë.
Elson Kalaveri, 27 vjeçari që tashmë është vënë në pranga dhe do të përballet me një akuzë të rëndë, atë të plagosjes, mbrëmjen e së enjtes ka mbërritur në lokalin e muzikës në afërsi të Rinasit, lokal që është në pronësi të Gentian Keçit. Dy djemtë dhe familjet e tyre njihen me njëra tjetrën pasi janë nga i njëjti fshat; Thumana.
Sherri ka nisur për shkaqe banale, bën me dije policia e Lezhës në lokal, ndërsa Kalaveri dhe Keçi janë konfliktuar ashpër brenda lokalit. 27 vjeçari ka qenë i armatosur dhe në debatin që ka patur brenda lokalit me bashkëfshatarin e tij e kanë dëgjuar shumë dëshmitarë okularë.
Në debatin mes dy djemve nga Thumana, Kalaveri, mësohet t`i ketë vënë në dukje Keçit faktin që janë rritur bashkë dhe nuk ka lezet të ngatërrohen për gjëra të tilla. Në atë moment, 27 vjeçari ka dalë nga lokali dhe me dy persona të tjerë, mikesha të tijat, që për shkak etike, nuk iu bëhen publik emrat, ka marrë makinën dhe është nisur në drejtim të Fushë-Krujës.
Nga pas ka parë të ndiqet nga makina e Keçit. Për të shmangur konfliktin, Kalaveri nuk është ndaluar në Thumanë, por ka vazhduar rrugën në drejtim të Mamurrasit.
Ndjekja ka vazhduar deri në Mamurras. Atëherë i riu, i shoqëruar me dy mikeshat e tij ka vendosur tu bie në dorë punonjësve të policisë së postës së Mamurrasit, të cilët mësohet se kanë qenë përjashta postës.
Punonjësit e policisë kanë deklaruar edhe itinerarin e asaj mbrëmjeje derisa në atë moment kanë qenë në oborrin e ndërtesës që shërben për postë policore.
Konflikti në oborrin e postës
Mësohet se gjithçka ka ndodhur në pak minuta, ndërsa punonjësit e policisë ende nuk kishin sqaruar se kush po e ndiqte të riun kur ka mbërritur Keçi.
Edhe pse policia nuk ka bërë me dije nëse Keçi ka qenë i armatosur apo jo, sipas të dhënave momentin që ka zbritur nga mjeti dhe ka nisur të shajë Kalaverin ka patur në duar një çantë.
Sërish 27-vjeçari, ka kërkuar nga efektivët që ta largojnë që aty se e kishte bashkëfshatar dhe se nuk donte të kishte konflikt me të. Pas fjalëve fyese mes tyre, Keçi mësohet se ka çuar dorën te çanta që kishte me vete.
Nga frika se do e gjuante me armë, Kalaveri ka nxjerr armën dhe ka qëlluar me tek plumb. Për fatin e keq të Keçit, plumbi e ka kapur në kokë.
Atëherë 27-vjeçari është arrestuar ndërsa menjëherë janë munduar t’i japin ndihmën e parë të plagosurit. Punonjësit e policisë kanë vepruar menjëherë, duke nisur në drejtim të spitalit 36-vjeçarin, ndërsa në vendin e ngjarjes më pas kanë mbërritur edhe krerë të policisë së Lezhës.
Referuar të dhënave bëhet dije se ngjarja është dokumentuar tërësisht dhe se gjithë vëmendja prej më shumë se tri ditësh është përqendruar tek gjendja shëndetësore e 36-vjeçarit Keçi.
Burimet sqarojnë se në të vërtetë, në fillim sherri në lokal nuk ka filluar mes dy bashkëfshatarëve, por kanë qenë persona të tjerë që janë ankuar për Kalaverin.
Atëherë sherri ka degjeneruar mes dy djemve nga Thumana. Ngjarja u lokalizua nga policia e Lezhës, por u rihap nga deklaratat e djeshme, duke bërë akuza të ndërsjella, por pa menduar për familjet në konflikt e aq më tepër për jetën e 36- vjeçarit që ende nuk është e sigurt.
PD: Ngjarja u fsheh 3 ditë
“Ministri i Brendshëm dhe Policia e Shtetit kanë arritur të fshehin për tre ditë një ngjarje të rëndë që ka ndodhur në Mamurras, ku brenda postës së policisë është plagosur një shtetas.
Sipas të dhënave të sigurta dhe referuar asaj që raporton sot media, protagonistët e ngjarjes kanë shkuar në zyrat e policisë për të gjetur siguri, pas konfliktit që kanë pasur.
Por në prani të punonjësve të rendit, njëri nga shtetasit e përfshirë në ngjarje ka qëlluar me armën e tij, duke plagosur rëndë shtetasin me inicialet G.K. Duke ndjekur porosinë politike të Ministrit Tahiri, ‘po nuk doli në media, krimi nuk ndodh’, policia nuk e ka raportuar dhe nuk e ka bërë publike ngjarjen.
Partia Demokratike denoncon përdorimin e policisë nga Ministri dhe Kryeministri për zbukurimin e realitetit, ndërkohë që kjo vazhdon të mbetet një mision i pamundur për shkak se ngjarjet janë shumë të rënda për t’u mbajtur të fshehta, dhe janë shumë të shpeshta për t’i mbajtur larg syve të publikut e medias.
Ministria e Brendshme: Plagosja ndodhi në oborr
Ministria e Punëve të Brendshme dhe Policia e Shtetit është e detyruar të përgënjeshtrojë përsëri deklaratat e subjektit PD, sipas të cilit një plagosje me armë ka ndodhur në mjediset e Postës së Policisë Mamurras më datë 17 janar.
Ministria e Punëve të Brendshme dhe Policia e Shtetit ripërsërit angazhimin dhe përkushtimin për të bërë transparencë, lidhur me punën e saj, shifrat e kriminalitetit dhe rezultatet në luftën kundër krimit të organizuar e korrupsionit.
Edhe këtë rast ngjarja nuk është fshehur dhe për më tepër nuk ka ndodhur në ambientet e Postës së Policisë në Mamurras. Konkretisht nga Drejtoria e Policisë së Qarkut Lezhë, që më datë 17 janar është dhënë njoftimi përkatës, i cili i është përcjellë përfaqësuesve të medias.
Krijoni Kontakt