Dosja e “21 janarit”, e mbyllur në Apel, por Beqja kërkon ndëshkimin e mjekëve
(Perditesuar) Gjyqi për vrasjet e 21 janarit u mbyll në Apel me dënime minimale, por qeveria ka gjetur një mënyrë për të hapur debatin mbi këto ngjarje. Ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqja “paditi” dje dy mjekë, të cilët pak orë pas demonstratës së përgjakshme deklaruan për mediat se vrasjet ishin kryer nga një distancë e vogël. Përmes një letre, ministri Beqja i kërkon Këshillit Rajonal të Urdhrit të Mjekut në Tiranë të nisë procedimin dhe gjykimin ndaj dy mjekëve të Spitalit Qendror Universitar të Traumës në Tiranë, përkatësisht Sami Koçekut dhe Alfred Gegës, lidhur me deklaratat e tyre mbi viktimat dhe të plagosurit e protestës së 21 janarit para Kryeministrisë, 3 vite më parë. Ai kërkon gjithashtu që dy mjekëve t’u hiqet për një periudhë 3-vjeçare edhe leja e ushtrimit të profesionit. Në letër thuhet se mjekët në fjalë janë gjetur në shkelje të plotë dhe të rëndë me Kodin e etikës mjekësore, pasi jepnin intervista për televizione dhe media të tjera duke deformuar realitetin dhe dezinformuar publikun mbi gjendjen shëndetësore dhe shkakun e vdekjes së shtetasve: Ziver Veizi, Hekuran Deda, Faik Myrtaj, Aleks Nikaj. Por si u përfshinë dy mjekët e traumës në debatin për vrasjet e 21 janarit? Fill pas ngjarjeve, ku Partia Demokratike pretendoi se protestuesit ishin qëlluar me njëri-tjetrin, mediat pyetën mjekun Sami Koçeku. “Distanca nga janë qëlluar viktimat është shumë e afërt. Shenjë plumbi dhe djegieje nuk e bën distancë mbi një metër e gjysmë”. Një deklaratë të ngjashme kishte dhënë dhe mjeku Alfred Gega. Në letrën-ankesë të Beqjas thuhet se me qëllim të qartë politik, mjekët deformuan realitetin. Mjekët Koçeku dhe Gega do t’i nënshtrohen një verifikimi nga Urdhri i Mjekut për shkelje të Kodit të etikës dhe deontologjisë mjekësore. Beqja kërkon heqjen e licencës për ta për një periudhë 3-vjeçare, si dhe detyrim për rikualifikim profesional për studime plotësuese. Protesta e 21 janarit 2011, ku humbën jetën 4 qytetarë përpara Kryeministrisë, ka qenë një kartë e fortë e Partisë Socialiste gjatë kohës kur ishte në opozitë. Kryeministri Rama u ka premtuar drejtësi familjarëve të 21 janarit, duke e cilësuar gjykimin për këtë ngjarje të rëndë ‘një farsë’. Por tashmë që është në qeveri, Partia Socialiste gjendet në pamundësi për rihapjen e këtij procesi, i mbyllur në Apel kundër Ndrea Prendit dhe Agim Llupos, vetëm me kohën e paraburgimit.
MAPO
Krijoni Kontakt