Mërkiç: Çfarë do bisedojmë me kryeministrin e parë shqiptar që viziton Beogradin që pas '46-s
Publikuar më 15.01.2014 | 13:20
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama do të vizitojë Beogradin dhe me shumë mundësi vizita ka gjasa të zhvillohet në muajin shkurt si pjesë e një turi rajonal.
Data e mundshme e vizitës nuk është specifikuar ende, duke pasur parasysh se në dy javët e kaluara Beogradi ka qenë i preokupuar me çështje më të rëndësishme, si negociatat me Prishtinën apo hapjen e negociatave për anëtarësimin në BE.
Kjo do të jetë vizita e parë e një kryeministri shqiptar në Beograd, pas vizitës së Enver Hoxhës në vitin 1946.
“Aktualisht po fiksojmë datën e kësaj vizite. Ne e mirëpresim iniciativën (e Ramës) për të ardhur në Serbi. Jemi të përgatitur për t’u takuar me të dhe për biseduar lidhur me përmirësimin e marrëdhënieve në rajon”, është shprehur ministri i Jashtëm serb, Ivan Mërkiç në një prononcim për gazetën “Politika”.
Bisedimet me kryeministrin shqiptar do të fokusohen në marrëdhëniet bilaterale, pasi të dy vendet janë të interesuara për të bashkëpunuar në fushën e agrikulturës, turizmit, transportit dhe edukimit, ka bërë të ditur ministri serb.
“Gjithashtu ne do të theksojmë faktin se, minoriteti serb që jeton në Shqipëri, ende nuk ka statusin e duhur. E kam ngritur këtë çështje kur vizitova Tiranën vitin e kaluar. Duhet të specifikojë format e përshtatshme të trajtimit të serbëve atje, pasi minoriteti shqiptar në Serbi gëzon të gjitha të drejtat sipas standardeve më të larta evropiane”, ka theksuar Mërkiç.
I pyetur për shqetësimet lidhur me takimin e përbashkët të qeverive të Shqipërisë dhe Kosovës në Prizren, ai ka deklaruar se, Beogradi nuk do t’i mësojë askujt çfarë të bëjë dhe çfarë të mos bëjë, por theksoi se limitet janë të njohura.
Duke shtuar se, çdo sjellje që tejkalon kufijtë e fqinjësisë së mirë nuk është pranueshme, Mërkiç ka nënvizuar se, aktualisht qëllimi nuk është të fokusohen tek dallimet që njihen nga të gjithë tashmë, por bisedimet do të mbahen për të adresuar çështjet që shqetësojnë të dy palët.
“Nuk do të hezitojmë në asnjë moment për të thënë gjithçka që mendojmë dhe se si i shohim gjerat, sepse kjo është rruga e vetme për të ndërtuar miqësi”, ka përfunduar Mërkiç.
/Shekulli Online/F.S./
Krijoni Kontakt