Indeksi i përvitshëm për lirinë ekonomike e renditi mesatarisht mirë Shqipërinë për vitin 2014, në vendin e 54 në Economic-Freedom-2014 renditjen globale dhe ndër 25 vendet më të lira për ekonominë në Europë. Vlerësimet bëhen nga gazeta “The Wall Street Journal” dhe Fondacioni “Heritage”. Por realisht, a qëndrojnë këtë vlerësime për këtë vit?
Ndryshojnë rregullat
Vlerësimet që renditin Shqipërinë në këto nivele nuk qëndrojnë më. Ndryshimet në paketën fiskale të këtij viti dhe rritja e borxhit publik kanë krijuar një realitet të ri që kur u bënë vlerësimet më herët, në vitin 2013, për liritë ekonomike që do të ketë biznesi në vitin 2014. Rast tipik mbetet taksa e sheshtë. Sipas raportit të “Heritage”, Shqipëria ka ndërmarrë reforma të rëndësishme dhe ka zbatuar taksën e sheshtë. Por në fund të dhjetorit rregullat kanë ndryshuar. Taksa e sheshtë nuk është më e tillë, duke shkuar në nivelin 15 për qind, nga 10 % që ishte. Disa taksa të tjera janë rritur. Gjithashtu, borxhi publik në fund të vitit 2014 pritet të arrijë në rreth 75%, nga 62 për qind që rezultoi në fillim të 2013-ës. Të gjitha këto zhvillime kanë ndodhur para se “The Wall Street Journal” të mblidhte informacionin. Por mbetet që të gjitha efektet të përfshihen në vlerësimin e lirive ekonomike në vitin 2015. Raporti u komentua edhe nga deputeti demokrat, Florion Mima. Ai e akuzoi qeverinë se e ka fshehur këtë raport pikërisht për shkak të përmirësimit të këtij treguesi, që është meritë e qeverisjes së mëparshme. Mima tha se gjetjet objektive dhe pa mllefe politike të këtij raporti prestigjioz përdoren dhe analizohen gjerësisht nga institucionet financiare botërore, por çuditërisht jo nga qeveria shqiptare, e cila është përpjekur ta mbajë larg syve dhe veshëve të publikut. Mima tha se me qeverinë e sotme, Shqipëria është një vend në krizë, një vend ku 91% e shqiptarëve nuk paguajnë energjinë elektrike, një vend pa liri ekonomike, një vend pa institucione demokratike, një vend me një milion të papunë, që madje as zyra pune nuk ka.
Progresi
Haritage e vlerësoi Shqipërinë me 66.9 pikë në vlerësimin prej 100 pikësh. Rezultati i përgjithshëm është rritur me 1.7 pikë, me përmirësime të dukshme në lirinë e investimit dhe lirinë e tregtisë. Shqipëria renditet e 25-ta ndër 43 vende të rajonit të Europës, dhe rezultati i saj i përgjithshëm është mbi mesataren botërore, thuhet në raport. Në historinë 20-vjeçare të Indeksit, Shqipëria ka përparuar në rezultatin e saj të lirisë ekonomike me rreth 17 pikë. Janë shënuar rritje në nëntë nga 10 të kategoritë e lirive ekonomike, duke bërë që Shqipëria të ngrihet gradualisht në kategorinë “Mesatarisht e lirë”. Reforma të rëndësishme strukturore kanë përfshirë liberalizimin e tregtisë, privatizimin, zbatimin e normave konkurruese tatimore për banesë, si dhe modernizimin e mjedisit rregullator. Së bashku me mirëmbajtjen efektive të inflacionit të ulët është arritur një stabilitet më i madh monetar. Sipas raportit, gjyqësori mbetet subjekt i ndërhyrjeve politike dhe reforma më të thella institucionale për të çrrënjosur korrupsionin dhe të vazhdueshme për të rritur pavarësinë e gjyqësorit, janë kritike për të siguruar liri më të madhe ekonomike në Shqipëri. Rritja e deficitit fiskal në vitet e fundit ka rritur borxhin publik në mbi 60 për qind të PBB-së, afati ligjor i përcaktuar në vitin 2008.
MAPO
Krijoni Kontakt