Qeveria miraton amnistinë: Do të lirohen 550 të dënuar

Këshilli i Ministrave miratoi dje projektligjin e Ministrisë së Drejtësisë për “dhënie amnistie”. Pas vendimit të marrë në mbledhjen e djeshme të Qeverisë, projektligji do t’i dërgohet Komisionit të Ligjeve në Kuvend. Bëhet fjalë për draftin e përfunduar pak ditë më parë nga ana e Ministrisë së Drejtësisë, nga i cili pritet të përfitojnë lirim nga qelia mbi 550 të dënuar. Prej tij do të përfitojë edhe një numër i konsiderueshëm personash të tjerë, të cilët janë duke vuajtur dënime alternative.

Kategoritë e personave që përfitojnë nga kjo amnisti janë pazgjedhur duke u mbajtur parasysh lloji dhe masa e dënimit, koha e mbetur e dënimit, mosha aktuale e personit të dënuar, si dhe mosha e personit të dënuar, në momentin e kryerjes së veprës penale. Referuar kritereve, përfitues të amnistisë janë femrat mbi 55 vjeçe dhe meshkujt mbi 60 vjeç, si dhe personat që e kanë kryer veprën penale nën moshën 18 vjeç. Nga amnistia përjashtohen personat që vuajnë dënime për vepra të parashikuara nga neni 4 i projektligjit për amnistinë, të cilat janë vepra me rrezikshmëri të lartë shoqërore. Votimi në Parlament pritet të bëhet para Vitit të Ri.

DËNIMET ALTERNATIVE
Në një dalje për mediat nga Kryeministria, ministri i Drejtësisë Nasip Naço theksoi nevojën e rishikimit të legjislacionit, në lidhje me mënyrën e vuajtjes së dënimit. Duke paralajmëruar ashpërsimin e dënimeve për veprat e rënda penale, ministri tha se do të kërkojë shtimin e dënimeve alternative. “Do të kërkojmë një ashpërsim për veprat penale që parashikojnë dënime të rënda dhe sigurisht që do të kërkojmë dënime të tjera alternative të parashikuara në Kodin Penal”, u shpreh Naço.

Në vijim ai tha se Ministria do t’i kërkojë Prokurorisë që të aplikojë nenet që u përgjigjen dënimet alternative: gjysmë lirie, pezullim i ekzekutimit të vendimeve me burgim dhe vënien në provë, qëndrim në shtëpi, detyrimin e të dënuarit në vënien në provë, detyrimet për të hequr dorë nga përdorimi i alkoolit ose drogës, detyrimet e të dënuarit gjatë kohës së provës, shkelja e kushteve të detyrimeve gjatë kohës së provës, pezullimi i ekzekutimit të vendimeve me burgim dhe detyrim për kryerjen e një pune me interes publik, lirimi me kusht dhe periudha e sigurisë. Armand Bajrami/Panorama

Panorama