Close
Duke shfaqur rezultatin -19 deri 0 prej 3
  1. #1
    "Në fillim ishte Fjala" Maska e toni77_toni
    Anëtarësuar
    09-09-2005
    Vendndodhja
    Kosovë
    Postime
    4,534

    Shën Pali dhe besimi i krishterë në trevat shqiptare - që në vitin 57 mbas Krishtit!

    Besimi krishterë në trevat shqiptare

    Ishte krishterimi ai që i dha një identitet më të fortë popullit shqiptar në kohën e dyndjeve barbare dhe osmane duke u kthyer në një vend të shenjtë në kohën e Skënderbeut pasi e mbrojti krishterimin në kohën (shek. XV). Krishterimi është apostolik,d.m.th. ai është përcjellë tek arbrit direkt nga goja e vetë apostujve të Jezus Krishtit dhe filloi të përhapej në Iliri që në shek. I-rë të e. s. si fe e ligjshme. Apostulli Pal rreth vitit 57 shkruan “Kështu prej Jeruzalemit e përqark e deri në Iliri kam kryer shërbimin e ngjalljes se Krishtit,duke u përpjekur të ungjillëzoj atje ku nuk ishte i njohur emri i Krishtit”. Përveç Palit në trevat ilire kanë predikuar edhe shumë shenjtorë të tjerë dhe prej këtej kanë kaluar në hapësirën ballkanike nëpërmjet rrugës Egnatia duke hyrë në Durrës (Dyrrachium) për të kaluar në lindje. Dokumentet tregojnë se në Durrës,në vitin 58 ka pasur 60 familje të krishtera.

    Në Iliri nisin aktivitetin peshkopët më të hershëm të krishterë,duke filluar me peshkopin Qesar të Durrësit në vitin 70 e më pas,Shën Astin në vitin 98. Shën Asti u dënua me vdekje në vitin 116,nga perandori Trajan dhe sundimtari vendas, Agrikoli,pasi në këtë kohë Krishterimi ishte i paligjshëm dhe dënohej nga Roma.

    Qendrat e para të krishtera të themeluara nga veprimtaria predikuese e apostujve dhe përkrahësve të tyre ilirë nga shekulli I deri në shekullin e IV (kur krishterimi u bë fe zyrtare) vërtetohen nëpër qytete si Durrësi, Butrinti, Onhezmi (Saranda), Jerikoja (Orikumi), Vlora, Apolonia, Amantia, Bylisi (Balshi), Antipatrea (Berati), Skampis (Elbasani), Scodra (Scutari,Shkodra), Albanopolis, Lyhnidi (Ohri),etj.

    Ndër mozaikë e në ndërtime të vjetra kishash,si në Shën Kollin e Kurjanit në Fier,në bazilikën e Ballshit,etj janë ruajtur simbole paleokristiane (të krishterimit të vjetër) enigmatike siç janë ato të bimëve me gjethe në formë zemre (shiko mozaikët e Butrintit e gjetkë),figura e kryqit në mozaikët e Sarandës,figura e peshkut në gdhendjet e Ballshit apo në mozaikë të tillë si ai i Linit në Pogradec e
    gjetkë.

    Këto dëshmojnë se Iliria u bë që në fillim një nga trevat kryesore të përhapjes së fesë së krishterë për vetë lashtësinë dhe shtrirjen e madhe të popullsisë së saj,zhvillimin e madh qytetës me kryeqendra të tilla si Durrësi,Apolonia,Shkodra etj ;dhe pozitën gjeopolitike mjaft të favorshme duke u qenë një korridor natyral ndërmjet lindjes dhe perëndimit si për të përçuar vlerat morale të krishterimit ashtu edhe
    për të transportuar ushtri dhe beteja pa fund.

    Në shek. IV,Krishterimi u shpall fe shtetërore nga perandori Konstantini i Madh,u kodifikua në Bibël dhe u krijuan institucionet e tij:kishat dhe manastiret dhe njëkohësisht hierarkia (kryesia) e tij; peshkopët,kryepeshkopët,abatët dhe dioqezat e tyre me qendër në Romë. Kthimi i plotë në Krishterim në trojet ku sot banojnë shqiptarët,u krye gjatë shekujve V-VI të e.s.

    Shën Jeronimi (Hieronymus) i Ilirisë bëri përkthimin e parë të biblës latinisht (La Vulgata) duke i dhënë botës për herë të parë librin e shenjtë në mesin e shekullit IV.

    Këshilli i Parë Ekumenik i Nikesë në vitin 325, ishte i pari që formuloi parimin bazë të krishterimit:“Besoj në një Perëndi,Atin e tërëfuqishëm,krijuesin e qiellit e të dheut dhe të gjithë të dukurave e të padukurave”.

    Shën Niketa I Dardanisë (Remesianes) është krijuesi i kryelutjes (lutjes më të lartë) së krishterimit TE DEUM LAUDAMUS (Ty zot të lavdërojmë) që vazhdon të jetë kryelutje edhe sot.

    Konstantini i Madh në luftë kundër fiseve barbare urdhëroi ngritjen e disa bazilikave madhështore. Tipi i këtyre bazilikave konstantiane ishte me dysheme drejtkëndëshe dhe nuk përjashtohej shtrimi i sipërfaqes së saj me mozaikë. Në anën e jashtme,ato kishin kolonada,ku sajohej hajati i kishës. Bazilika të këtij lloji janë hasur edhe në Shqipëri,në Butrint,Bylis,Antigonë,Tepe në Elbasan e ndoshta edhe gjetkë.
    Ndryshuar për herë të fundit nga toni77_toni : 15-12-2013 më 22:11
    Gjej kohen të lexosh, është themel i të diturit.

  2. Anetarët më poshtë kanë falenderuar toni77_toni për postimin:

    Diella1 (16-12-2013)

  3. #2
    "Në fillim ishte Fjala" Maska e toni77_toni
    Anëtarësuar
    09-09-2005
    Vendndodhja
    Kosovë
    Postime
    4,534

    Për: Shën Pali dhe besimi i krishterë në trevat shqiptare - që në vitin 57 mbas Krish

    Shën Pali në Iliri!


    Historiani i letërsisë, Thanas Gjika, sjell argumente gjuhësore në mbrojtje të tezës për një udhëtim të Apostullit Pal nëpër trojet iliro-shqiptare

    Historiani i letërsisë, Thanas Gjika, me prezantim për herë të parë në Shqipëri të librit "Ku dhe kur u shkrua Dhjata e Re", mbron tezën e udhëtimit të Apostullit Pal nëpër trojet iliro-shqiptare në shek.I. Sigurisht kjo nuk është një tezë e re, por Gjika i bën një tjetër qasje, nëpërmjet argumenteve gjuhësore. Kështu itinerari i Shën Palit apo i nxënësve për të cilët ai flet në Letrat drejtuar kishave, lë të kuptohet që ka kaluar nëpër viset shqiptare dhe më konkretisht në Durrës (Dyrrah) e Lezhë. Ai mbështetet kryesisht në përshëndetjet hyrëse apo mbyllëse të letrave ku Pali bën edhe rekomandimet e rastit për pritjen e tij, për ndihmat që duheshin mbledhur, etj. Si dëshmi për këtë udhëtim, Gjika jep dhe një sërë toponimesh, emra vendesh e kishash në gjithë vendin tonë, sidomos në krahinën mbi lumin Mat. Gjika, i cili prej disa vitesh jeton në Amerikë filloi leximin e Biblës për të mësuar gjuhën angleze, gjë që e çoi në një proces studimor.

    Cila është metoda studimore që keni ndjekur për të arritur në përfundimin që Apostulli Pal ka kaluar nëpër Shqipëri?

    Si historian letërsie, interpretoj tekstin. Kur bëhet fjalë për Letrën drejtuar Romakëve (kapitulli 1-15), apo letra të tjera ku tregon për itinerarin e tij dhe të nxënësve, mendoj se ato nuk mund të jenë shkruar asgjëkundi tjetër veçse në Iliri. Udhëtimi i shoqëruesve të tij tregon se në Durrës ai linte Apollonin dhe Sotenin, në Nikopol Titin dhe të katërt kalojnë më tej. Të dhënat kryesore janë nga vetë Pali të cilat ka të ngjarë të jenë keqlexuar apo keqkuptuar. Pas vendosjes së komunizmit, Vatikani nuk mundi të sjellë studiuesit e vet këtu për të ndjekur studimet që u shërbejnë krijimit të hartave të sakta për udhëtimet e Palit.

    Më konkretisht?

    Duke lexuar letrat e tij dhe dokumente të ndryshme vërtetova se disa fjali nuk mund të shpjegohen nëse nuk interpretohet drejt teksti. Ai ka qenë në Ilirikun e Jugut, në zonat mbi Mat, në Lezhë dhe në Durrës, ku ka shkruar edhe Letrën drejtuar Romakëve. Aty thotë: "Atyre nga Maqedonia dhe atyre nga Greqia, u vajti në mendje të mbledhin ndihma për të varfërit e Jeruzalemit". Po të ishte në Maqedoni, do thoshte këtyre nga Maqedonia, ose po të ishte në Greqi, do të thoshte këtyre nga Greqia dhe atyre nga Maqedonia. Ai u thotë "atyre" të dyja palëve, pra ka qenë në një vend jashtë Maqedonisë dhe jashtë Greqisë. Ky vend ka qenë Durrësi, që ka qenë port ilir, i varur direkt nga Senati i Romës, i pavarur nga pjesa tjetër e Maqedonisë. Pastaj ai thotë se "e nisa Titin në Dalmaci", që do të thotë Ilirik. Asnjëherë nuk na tregohet se ka nisur nxënës në vende ku nuk ka qenë vetë më parë. Prandaj patjetër që ka qenë në Shqipëri në territoret mbi Mat, prandaj dhe ka nisur për aty nxënës të vetmuar, ngase kishte miq.

    Mendoni se vetëm interpretimi gjuhësor i tekstit mjafton për të mbrojtur këtë tezë?

    Shqipëria është vend ku Shën Pali gëzon respekt të madh. Kemi kisha, legjenda dhe toponime që lidhen me Shën Palin e jo Shën Pjetrin. Përtej malit të Dajtit kemi një krahinë me 14 fshatra që quhet Shën Pal dhe populli i thotë Shupal. Në Mirditë kemi një Shën Pal tjetër, manastir të vjetër, në Kabash kemi një tjetër manastir të ndërtuar për nder të tij, në Lezhë po ashtu.

    Çfarë lënde tekstore keni shfrytëzuar?

    Kam shfrytëzuar botime të ndryshme të Biblës, që nga viti 1840, kur fillojnë shënimet. Unë merrem posaçërisht me to, i komentoj dhe i korrigjoj, për të zbuluar se ku dhe kur janë shkruar Letrat dhe Ungjijtë në Dhjatën e Re. Janë botime kryesisht në anglisht ku shënimet janë edhe më të pasura, por edhe në shqip, si edhe një literaturë të gjerë, biografi të Shën Palit, të Shën Pjetrit dhe apostujve të tjerë.


    Ku qëndron rëndësia e udhëtimit të Apostullit Pal në Shqipëri?

    Popullsia ilire nën pushtimin romak ishte e ndarë në provinca, Iliriku mbi Mat, Maqedonia nga Mati poshtë deri në Prevezë, gjiri i Ambrakisë deri në Pind dhe Dardania, Kosova e sotshme e bashkuar me popullsi të tjera trake. Pra tri provinca që flisnin një gjuhë, por që nuk mund të komunikonin me njëra-tjetrën. Pali predikonte paqe dhe dashuri ndaj dhe popullsia e përqafoi menjëherë krishtërimin.

    Kjo do të thotë që shqiptarët kanë një traditë nga më të hershmet të krishtërimit?

    Jo vetëm kemi një traditë të hershme, po prej saj kanë dalë njerëz të shquar. Është Shën Asti i Durrësit, që pati një vdekje tragjike, u vra në mënyrë barbare nga ushtarët romakë. Kemi Shën Jeronimin, që quhet doktor i teologjisë, përkthyesi i Biblës nga greqishtja në latinisht, si dhe shenjtorë të tjerë deri tek Nënë Tereza në ditët e sotme qe e njohim ne vet. Gjithnjë kemi qenë një popull me traditë të krishterë por që rrethanat tragjike të historisë na kanë bërë të quhemi afetare.
    Ndryshuar për herë të fundit nga toni77_toni : 31-12-2013 më 14:15
    Gjej kohen të lexosh, është themel i të diturit.

  4. Anetarët më poshtë kanë falenderuar toni77_toni për postimin:

    Diella1 (16-12-2013)

  5. #3
    i/e regjistruar
    Anëtarësuar
    12-02-2009
    Postime
    93

    Për: Shën Pali dhe besimi i krishterë në trevat shqiptare - që në vitin 57 mbas Krish

    Toni77 faleminderit per ket tem dhe information,Zoti t bekoft

  6. Anetarët më poshtë kanë falenderuar francisko për postimin:

    toni77_toni (31-12-2013)

Regullat e Postimit

  • Ju nuk mund të hapni tema të reja.
  • Ju nuk mund të postoni në tema.
  • Ju nuk mund të bashkëngjitni skedarë.
  • Ju nuk mund të ndryshoni postimet tuaja.
  •