OSBE kritikon reformën e qeverisë, duhet aksion antikorrupsion
Prezenca e OSBE-së në Shqipëri konsideron se ndryshimet e propozuara nga Ministria e Drejtësisë për të transferuar të gjitha veprat penale që lidhen me korrupsionin tek Gjykata e Krimeve të Rënda, nuk i shërben luftës ndaj korrupsionit. Përmes një letre drejtuar Komisionit Parlamentar të Ligjeve, OSBE thekson se “as Gjykata e Krimeve të Rënda dhe as Prokuroria e Krimeve të Rënda nuk janë aktualisht të specializuara për t’u marrë me çështjet e korrupsionit. Përveç kësaj, Gjykata e Krimeve të Rënda dhe Prokuroria e Krimeve të Rënda nuk i kanë burimet financiare dhe njerëzore për t’u marrë me rastet e dyshuara të korrupsionit në vend. Rritja drastike e parashikuar e ngarkesës së punës do ta pengonte, veçanërisht, funksionimin e te dyja këtyre organeve.”- thuhet në letrën e OSBE-së.
OSBE shpreh shqetësim në lidhje me faktin se njësive të specializuara për t’u marrë me rastet e korrupsionit, të ashtuquajturat “Njësi të Përbashkëta Hetimore”, do t’u hiqet kompetenca e tyre për t’u marrë me rastet e korrupsionit.
Sipas OSBE-së, “fokusi nuk duhet të jetë mbi reformën legjislative, d.m.th. organet e specializuara duhet te pajisjen dhe trajnohen siç duhet dhe organet e hetimit të detyrohen të ndjekin një qasje proaktive përmes llogaridhënies”.
“Në mendimin tonë, kuadri ligjor aktual nuk mund të shihet si arsyeja e deritanishme e dështimit të luftës ndaj korrupsionit. Siç theksohet ne Raportin e Progresit të Komisionit Evropian, problemi qëndron te mungesa e një qasjeje proaktive, si dhe tek mungesa e burimeve dhe pajisjeve të përshtatshme. Një luftë serioze ndaj korrupsionit do të përqendrohej së pari tek aksioni dhe jo tek reforma thjesht ligjore. Transferimi i juridiksionit siç parashikohet nga projektligji do te mbetej thjesht një reformë ligjore, nëse nuk shoqërohet nga hapa konkrete shumë specifike. Hapa të tillë duhet të konsistojnë të paktën në pajisjen e çdo organi te specializuar qe presupozohet të luftojë korrupsionin me burimet e nevojshme njerëzore dhe materiale. Për më tepër, duhet të garantohet llogaridhënia e atyre që e kanë për detyrë të luftojnë korrupsionin.”- thuhet në letrën e OSBE-së.
MAPO
Krijoni Kontakt