Aleatët e vegjël të PS, mbledhje ilegale tek hotel “Mondial”

Privilegjimi i LSI-së dhe diskutimi rreth pritjes apo jo të 100 ditëve për t’ju kundërvënë Edi Ramës, ka qenë epiqendra e debatit.


Nga Xhovani SHYTI

Aleatët e vegjël vazhdojnë të mos gjejnë paqe, për sa kohë kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, aktualisht Kryeministër i mazhorancës qeverisëse, të mos vendosë njëherë e mirë rreth fatit të tyre. Domethënë rreth pjesëmarrjes, apo përjashtimit të tyre, nga aleanca bashkëqeverisëse. Është një premtim i artikuluar nga z. Rama, si para ashtu edhe pas zgjedhjeve të 23 qershorit, komentojnë disa prej drejtuesve të këtyre forcave politike, ndërkohë që ndarja e shapit nga sheqeri, në çështjen e posteve, përben alternativën e pjesës dërmuese të 35 partive aleate me PS-në. Disa prej të cilave, sikurse mësohet nga burimet konfidenciale të gazetës “Koha Jonë”, dy ditë më parë, janë mbledhur në një takim “të fshehtë”, i cili nuk është bërë publik, ku kanë diskutuar rreth shqetësimeve të derisotme dhe qëndrimit në të ardhmen. Mbledhja ilegale është mbajtur në hotel “Mondial”, dhe përveç kryetarit të PSD-së, Skënder Gjinushi, homologut të tij të PDS-së, Paskal Milo, kryetarit të PUK-ut, Idajet Beqiri, kryetarit të PSV-së, Petro Koçi etj, në të kanë qenë të pranishëm edhe përfaqësues të partive të tjera të vogla, aleate me PS-në në zgjedhjet e 23 qershorit 2013. Numëroheshin rreth njëzetë përfaqësues partish të vogla, ka thënë burimi ynë , referuar kryetarit të Partisë së Unitetit Kombëtar. Pa e mohuar mbajtjen e takimit dhe duke mos preferuar ta etiketojë atë si “ mbledhje ilegale”, avokati Idajet Beqiri, sqaron se në qendër të tij ka qenë shqetësimi tashmë i njohur i të vegjëlve të PS-së. Pra, shqetësimi që ka të bëjë me deklarimin e qëndrimit përfundimtar të Edi Ramës ndaj aleatëve, të cilët që prej më shumë se tre muajve, Kryetari-Kryeministër i partisë udhëheqëse të koalicionit të majtë, nuk i ka takuar më. “Takimi ynë i fundit me Ramën ka qenë ai i muajit korrik 2013, ku prej tij nuk pati asnjë devijim prej atyre çka na kishte premtuar para fushatës”, saktëson z.Beqiri, i cili, pasi e vlerëson si “takim pune” mbledhjen e mbajtur, dy ditë më parë në hotel “Mondial”, sqaron edhe detajet. Sipas tij, por edhe të tjerë drejtuesve që kanë qenë prezent në takimin e fshehtë, e që për “strategji vetëmbrojtjeje” nuk dëshirojnë tu përmendet emri, çështjet që e kanë sunduar tematikën e mbledhjes kanë qenë marrëdhëniet që sundojnë aleancën e të vegjëlve me PS-në, por edhe qëndrimin në të ardhmen, nëse këto marrëdhënie do të vazhdojnë të jenë të “ngrira”, si deri tani, ku rrugët e komunikimit midis Ramës dhe të vegjëlve rezultojnë të mbyllura, duke mbajtur peng dhe premtimet e bëra prej tij. “Heshtja e deritanishme e z. Rama ngjalli diskutime, madje edhe debate”, thotë avokati Beqiri, duke sqaruar se qejfmbetja e të vegjëlve, ndaj sjelljes së tij politike, lidhet me faktin se ndërkohë që i ka dhënë LSI-së pesë poste ministrash, nëntë zëvendësministrash, dhjetëra drejtorë drejtorish, prefektë etj, duke përjashtuar partinë e Gjet Ndoit, askujt prej aleatëve të tjerë të vegjël nuk u ka ofruar poste. Veprim i padrejtë, është vlerësuar ky prej këtyre aleatëve të së majtës mazhorative, po të kihet parasysh rezultati i fitores zgjedhore. Ku LSI numëroi 180 mijë vota, përkundër 100 mijë votave të marra prej partive të vogla aleate. Krerët e të cilave kanë nisur të ndjehen nervoz sa nga heshtja e gjersotme e kryealeatit socialist Edi Rama, aq edhe nga dhënia teprueshëm e posteve qeveritare LSI-së. Por çfarë është diskutuar tjetër në takimin ilegal të aleatëve të vegjël me PS-në, të mbajtur dy ditë më parë në hotel “Mondial”? Avokat Beqiri sqaron: “Diskutuam për strategjinë e të ardhmes së marrëdhënieve tona me PS-së. Pati dy alternativa debatuese. Njëra synonte kërkesën për një takim urgjent me z. Rama, për të na komunikuar çfarë ka menduar të bëjë me ne, kurse alternativa tjetër, ajo e 100 ditëve, synonte lënien rehat të Kryeministrit gjer në mbushjen e 100 ditëve qeverisje, dhe më pas ta gjykojmë. Unë vazhdoj ti qëndrojë fort kësaj të fundit”.

Në fillim e në fund të takimit, kryetarët e partive të vogla kanë hyrë e dalë një e nga një, si në njësitet guerile që të mos shikoheshin nga të pranishmit. Kanë qëndruar në një vend që nuk binte në sy. Burimi ynë tregon se kur mbaruan, disa kanë dalë nga një derë tjetër e hotelit sapo kanë parë një makinë të policisë e cila po patrullonte aty në kërkim të një krimineli të kërkuar nga drejtësia. Ra në sy që vetëm zoti Gjinushi doli serioz dhe pa u fshehur. Një prej përfaqësuesve të partive të vogla doli nga ana e pasme e hotelit, duke kapërcyer murin e lartë rrethues, pasi kishte shumë frikë se mos e shikonte njeri dhe Kryeministri e digjte krejtësisht, pasi ëndrra e tij është për një post drejtori dogane ose e shumta edhe drejtor bujqësie në Lushnjë. Kurse avokati Beqiri ka folur për mediat. Të tjerët, përveç Gjinushit e Beqirit, janë qetësuar kur kanë arritur në shtëpi.

Koha Jone