Rama premton: Shtëpi dhe punësim për të gjitha familjet e policëve të rënë në detyrë

Shtëpi për çdo familje polici të vrarë në krye të detyrës që rezulton e pastrehë. Punësim bashkëshorteve të policëve të vrarë, arsimim fëmijëve me baballarët policë të rënë në krye të detyrës.

Premtimi erdhi sot nga Kryeministri Edi Rama dhe ministri i Brendshëm, Sajmir Tahiri në ceremoninë me rastin e Ditës së të Rënëve të Policisë në krye të detyrës. Ceremonia u mbajt në Qendrën e Formimit Policor (Sauk).

Në fjalën e tij me rastin e kësaj dite, kryeministri Rama premtoi se si sot një vit më pas, familjet e policëve të rënë në krye të detyrës do të ndjejnë dorën e shtetit dhe jo tradhëtinë që është kryer ndaj tyre.

“Teksa vija këtu dhe ndiqja dhe fjalë e atyre që patën mundësinë të flasin para meje, mundohesha të përfytyroja jetën e gjithë atyre që nuk janë më dhe shkaqet pse nuk janë më. Askund tjetër krimi s’ka mundur të marrë epërsinë që ka marrë në vendin tonë dhe askund tjetër nuk ka një numër të tillë policësh të vrarë. Ky është një treti vit që familjet e dëshmorëve të Policisë së Shtetit vijnë këtu për të përkujtuar bashku me anëtarë të kësaj familje dhe përfaqësues të qeverisë, të rënët, bashkëshortët e tyre ata që u përballën me krimin dhe lanë jetën në fushën e një beteje fatkeqësisht të pabarabartë, në një betejë ku gjurma e tradhëtisë ndaj Policisë së Shtetit do të mbetet e pashlyeshme në kujtesën e gjithë atyre që u gjendën në beteje, në shpirtin e atyre që sot janë anëtarë të familjes së Policisë së Shtetit që sot do të ngrihen dhe do të veshin uniformën drejt asaj fushe beteje. Tradhëtia është e para që duhet të çrrënjoset në përballjen mes shtetit dhe krimit. Tradhëtia është e para që ne kemi nisur ta çrrënjosim , për ta bërë sëpaku të barabartë këtë betejë dhe për ta fituar përmes ligjit”.

“Dëshiroj tu them se në përvjetorin e ardhshëm nuk do vijmë këtu kokëulur qoftë për shkak të tradhëtisë së shtetit për shumë prej tyre qoftë për shkak të braktisjes së shtetit ndaj familjes së tyre. Ne do të vijmë këtu me kokën lart se do bëjmë detyrat tona karshi secilës familje të dëshmorëve të policisë së shtetit. Nga ana tjetër dëshiroj me gjithë zemër dhe plot bindje t’ju them familjeve të tyre se në përvjetorin e ardhshëm nuk do vimë këtu kokëulur qoftë për shkak të tradhëtisë së shtetit prej shumë prej tyre, qoftë dhe braktisjes së shtetit prej shumë prej tyre. Ne do përbushim detyrat tona kundrejt të gjithë familjeve të të rënëve, por edhe grave të mbetura vetëm. Asnjëra prej tyre nuk do jetë pa punë vitin e ardhshëm, asnjë fëmijë i tyre nuk do jetë pa përkrahje, asnjë prej familjeve të tyre nuk do jetë pa strehë vitin e ardhshëm”.

Sipas Ramës, puna e policisë ka qenë profesioni më i keqpaguar dhe më i vështirë.

“Puna e policit është më e vështira në këtë vend dhe më e keqpaguara në këtë vend, dhe puna më fisnike që mund të bëhet dhe puna më pasfinikërisht e bërë në këtë vend. Përulem me mirënjohjen më të thellë për atë sakrificë që bij nënash, burrash, grash, baballërë dhe vajza të reja dhe gra nën uniformë kryejnë ndaj shtetit të tyre”.

MAPO