Trafiku i heroinës, arrestohet korrieri i heroinës i grupit të ‘Dokles’

IRANË- Arrestohet në Kosovë, Izet Krasniqi i njohur si korrieri i heroinës i grupit të ‘Dokles’. Izet Krasniqi u arrestua në Kosovë para 3 ditësh, teksa pritet ekstradimi i tij në Shqipëri. Krasniqi i cili njihet si korrieri i heroinës i grupit të ‘Dokles’, u dënua në janar të këtij viti nga Gjykata e Krimeve të Rënda me 16 vite burg për akuzën e trafikut të heroinës.

Endrit Dokle, drejtues i një prej fraksioneve të Bandës së Durrësit, u dënua në janar të këtij viti nga Gjykata e Krimeve të rënda me 16 vite burg për akuzën e trafikut të heroinës në kuadër të një grupi kriminal që ai drejtonte në kohën kur ndodhej në ambientet e paraburgimit 302, teksa gjykohej për krime të kryera në kuadër të Bandës së Durrësit. Për të njëjtat akuzat si Dokle, edhe i pandehuri Izet Krasniqi u dënua me 16 vite burg. Dokle akuzohet nga prokuroria se kishte krijuar një grup kriminal që përgjatë periudhës 2008-2009 trafikoi drejt Italisë të paktën 40 kg heroinë.

Rrjeti i trafikut të heroinës u zbulua në 2008-ën gjatë hetimeve që prokuroria e Durrësit po kryente për vrasjen e Arjan Saliut, vëllait të Klodian Saliut, ky i fundit një prej krerëve të Bandës së Durrësit, i cili u ekzekutua në vitin 2005. Operacioni për arrestimin e të dyshuarve u kodua "Ura". Prokuroria tha se droga kalonte nga Shqipëria në Bosnje e prej andej në Itali. Pjesëtarët e tjerë të këtij rrjeti trafiku, mes tyre dhe kunati i Dokles, janë dënuar më herët pasi kërkuan gjykim të shkurtuar. Mbi supet e Endrit Dokles rëndon dënimi me burgim të përjetshëm për krimet e rënda të kryera në kuadër të Bandës së Durrësit.

(e.m/BalkanWeb)