Close
Faqja 0 prej 7 FillimFillim 12 ... FunditFundit
Duke shfaqur rezultatin -9 deri 0 prej 68
  1. #1
    i/e regjistruar Maska e Archon
    Anëtarësuar
    05-12-2012
    Postime
    2,280

    Kryepiskopi Anastas: "Skandal i trefishtë i Kishës së Përmetit"

    Nga Kryepiskopi Prof. Dr. Anastasi (Yannoulatos)


    Skandal i trefishtë:
    Sakrilegji, Fshehja e ekzistencës së qendrës së re kulturore moderne në Përmet, Fyerjet dhe akuzat e pabaza.





    1. Në 16 gusht të 2013, ditën që pasoi njërën nga festat më të rëndësishme të botës orthodhokse, Fjetja e Hyjlindëses Mari, në qytetin e Përmetit ndodhi një sakrilegj i rëndë. Rreth njëzet burra të një policie private shembën kambanoren e thjeshtë sipër të cilës ndodhej Kryqi, hynë brenda kishës me dhunë, goditën katër klerikë shqiptarë dhe besimtarët, hoqën ikonat, morën gurin e themelit të kishës dhe hodhën Ungjillin e Shenjtë dhe Enët e Shenjta në makinën e mbledhjes së mbeturinave të Bashkisë. Falë fakteve e dokumenteve të pakundërshtueshme dhe pamjeve që qarkulluan, pati një zemërim të madh midis orthodhoksëve, jo vetëm të Shqipërisë. Skenat kujtonin kohëra të vjetra, kur nisi persekutimi ateist në Shqipëri.
    Nëse supozohet se do të ndodhte një ngjarje e tillë e ngjashme në një objekt kulti të një besimi tjetër dhe ateistë apo njerëz të besimeve të tjera të flaknin sendet e shenjta në një makinë mbeturinash, është e sigurt se do të pasonte një reagim shumë i fortë, jo vetëm në Shqipëri, por edhe më gjerë. Siç ishte e natyrshme, ngjarjet i dënuan shumë vetë, duke nisur nga kryeministri i vendit deri tek organizmat ndërkombëtarë të krishterë, të cilët u vunë në dijeni.
    Asgjë prej këtyre nuk ka parë ose dëgjuar historiani Frashëri. Në artikullin e tij të gjatë, që u botua në “Gazeta Shqiptare”, në 26 gusht 2013, nuk gjeti asnjë fjalë për të folur rreth sakrilegjit. E vetmja gjë që thekson në epilogun e shkrimit të tij është propozimi: “priftërinjtë që shkelën vendimin e Gjykatës Kushtetuese dhe prishën rendin publik, duhen dërguar para gjyqit” (ka në mendje katër klerikët shqiptarë në moshë të pjekur, që policia private i goditi pa mëshirë). Njëkohësisht, ai e gjeti shkakun për të bërë një seri fyerjesh dhe akuzash të pabaza ndaj Kryepiskopit dhe Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë. Me mënyrën e tij të njohur arbitrare, siguron se “...nuk ka dyshim se prapa Kishës së Përmetit qëndron kryepeshkopi Anastas Janullatos...”. E siguroj se i mësova këto ngjarje më pas. Klerikët orthodhoksë dhe laikët besimtarë nuk kanë nevojë për urdhra, që të mbrojnë të shenjtat dhe të hirshmet. Ata e kanë fuqinë për t’u bërë ballë vetë cenimeve ateiste. Nëse kur u njoftova për ngjarjen e hidhur, nuk do të ngrija zërin e protestës, do të kisha qenë një udhëheqës kishtar frikacak.
    Z. Frashëri del në përfundimin se, u shërbej qëllimeve të errëta dhe se synoj ta lë Përmetin pa shtëpi kulture. Deklaroj shumë qartë: Kjo është një akuzë tërësisht e gënjeshtër. Nuk e kam menduar kurrë diçka të tillë. Nga ana tjetër, nuk ekziston dilemë midis kishës dhe shtëpisë së kulturës. Që të dyja mund ta pasurojnë Përmetin nga ana shpirtërore. E kemi qartësuar në mënyrë të përsëritur, se Kisha është e predispozuar të kontribuojë ekonomikisht në ngritjen e shtëpisë kulturore të Përmetit, natyrisht me emrin Naim Frashëri. Por për Kishën Orthodhokse, kishat, në të cilat kryhej Liturgjia Hyjnore për shekuj të tërë, janë vende të shenjta. Dhe në këtë pikë mbështetet ankesa dhe protesta e Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë ndaj Shtetit Shqiptar. Autoritetet shtetërore e dinë shumë mirë se sa kisha konfiskuan, shkatërruan apo i kthyen ato në destinacione të tjera. Pas ardhjes së Demokracisë e për më tepër pas Kushtetutës së vitit 1998, që thekson respektin ndaj lirisë fetare, shpresonim se, nëse jo për të tjerat, por të paktën vendet e shenjta, arkivat fetare kishtare, ikonat, enët e shenjta, çdo gjë që lidhej me adhurimin, do t’i riktheheshin përsëri Kishës Orthodhokse. Në vend të kësaj, përballemi me një taktikë shumëvjeçare shmangiesh, diskriminimesh dhe padrejtësish, madje edhe me vendime gjyqësore të mbështetura në të dhëna të gënjeshtra dhe dëshmitarë të rreme. Këtu qëndron çështja kryesore për Kishën Orthodhokse.
    Në të gjitha shtetet e tjera ish komuniste të Ballkanit, kjo çështje tanimë është zgjidhur përfundimisht. Në Shqipëri, me marifete të shumëllojta ligjore, është shmangur. Më në fund, sipas Kushtetutës së vitit 1998 (neni 10), u bë Marrëveshja midis Këshillit të Ministrave dhe Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë. Në kohën e negociatave mbi këtë ligj, u diskutua me organet shtetërore kompetente edhe çështja e Përmetit, me shpresën se do të rregullohej me anë të mekanizmave politikë, duke përfunduar me restaurimin e kishës së vjetër të shekullit të 17-të dhe ngritjen e shtëpisë së kulturës. Por ky rregullim, si edhe kthimi i monumenteve të kulturës vazhdimisht është shtyrë. Për fat të keq, ligji 10057 nuk zbatohet.
    Z. Frashëri me lehtësinë e tij, që ka për të dalë në përfundime për çështje që në thelb nuk i njeh fare, siguron se kisha ishte një ndërtesë e vogël 25 m2. Në të vërtetë është e njohur për të gjithë nga fotot e ndryshme dhe skicat arkitektonike, mbi bazën e të cilave u transformua ndërtesa, por edhe nga muret që ekzistojnë edhe sot nga kisha e vjetër, se bëhet fjalë për një ndërtesë me përmasa 20x14m. Madje kishës i përket jo vetëm pjesa ku u bë shtëpia e kulturës, por i gjithë territori përreth, sot lulishte, me një sipërfaqe prej 6186 m2, e gjitha e dokumentuar. Personi që punoi planin e shndërrimit të kishës së të Tërëshenjtës së Pazarit të Përmetit në shtëpi kulture në vitet 1960-61, zj.Vasilika Cicko, në një relacion të sajin (24.2.2004), shënon: “Pas kontrollit të aftësisë mbajtëse të ndërtesës ekzistuese, u konkludua se muret perimetrale të saj ishin në gjendje statike të mirë dhe të afta për të përballuar ngarkesat që ato do të përballonin dhe për këtë arsye ato u ruajtën të paprekura”. Por, kryesorja në këtë çështje nuk është madhësia, por shenjtëria e kishës në fjalë, e cila i takon trashëgimisë kulturore të Shqipërisë nga shekulli i 17-të.
    Z. Frashëri shtron pyetjen përse nuk kërkuam diçka të ngjashme edhe në Tiranë. Por këtu nuk kishte ngelur asnjë gjurmë e kishës së vjetër dhe në truallin e saj u ndërtua Tirana International Hotel me 15 kate. Në fund fare, qeveria tregoi mirëkuptim dhe na dha truallin, mbi të cilin u ndërtua një kishë nga ana estetike e shkëlqyer dhe origjinale, pranë së cilës u përkujdesëm të ndodhet edhe kompleksi modern i qendrës kulturore. Z. Frashëri e zhvesh rëndësinë e Kishës Orthodhokse për nga shenjtëria e saj dhe në të njëjtën kohë shenjtëron rëndësinë e qendrës kulturore, veçanërisht të asaj të Përmetit.

    2. Z. Frashëri njëkohësisht u rikthehet me pasion dhe fantazi të sëmurë akuzave të vjetra të pabaza. Ngul këmbë se kryepiskopi “është grek jo vetëm nga kombësia, por edhe nga ideologjia nacionaliste greke. Ai nuk është misionar ortodoks, por një agjitator i nacionalizmit grek…”.
    Por realiteti e përgënjeshtron në mënyrë absolute. Qarqet ekstremiste nacionaliste të Greqisë, në mënyrë të përsëritur sulmojnë Kryepiskopin Anastas. Nga ana tjetër, qarqe nacionaliste ekstremiste të Shqipërisë e akuzojnë për veprime antishqiptare. Se çfarë është dikush në të vërtetë, këtë e tregojnë veprat dhe shkrimet e tij. Kanë qarkulluar dhjetëra libra dhe qindra artikuj të mi në dymbëdhjetë gjuhë të ndryshme. Le të kërkojë z. Frashëri dhe grupi që e ndihmon, për të zbuluar ndonjë notë nacionaliste. I izoluar në dhomën e tij të punës dhe në librat e tij, nuk e di faktin se organizma ndërkombëtarë, siç është Këshilli Botëror i Kishave, Konferenca e Kishave Evropiane apo Konferenca ndërfetare e Feve për Paqen, janë shumë të vëmendshëm dhe nuk zgjedhin kurrë zëvendës-presidentë, presidentë, presidentë nderi (pozita me të cilat më kanë nderuar), njerëz për të cilët ekziston edhe dyshimi më i vogël se kanë mentalitete nacionaliste ekstremiste.
    Ashtu si z. Frashëri nuk e pa flakjen e Ungjillit dhe të Enëve të Shenjta si mbeturina në makinën e plehrave të Përmetit, po kështu nuk i ka parë kishat e reja madhështore në Korçë, Fier, Berat, Durrës, Sarandë, Gjirokastër, gjithsej janë ndërtuar mbi 150 të tilla; mbi 160 kisha të vjetra që janë rindërtuar, 60 monumente kombëtare kulture të restauruara. Apo konsideron “sjellje dhe veprimtari antishqiptare” psh. ngritjen e Qendrës moderne Diagnostike “Ungjillizimi” në Tiranë, ku në 12 vitet e funksionimit të saj, u ka shërbyer mbi 1.400.000 personave, pavarësisht përkatësisë fetare, Qendrën Okulistike dhe Otorinolaringologjike. Të gjitha këto të pajisura me aparaturat më moderne të teknologjisë së fundit. Klinikat e tjera që funksionojnë në Kavajë, Korçë, Lushnjë, Jorgucat, në zona të tjera rurale; veprën e gjerë sociale, filantropike, veçanërisht në periudha të krizave politiko-sociale të vendit (1992, 1994, 1997), organizimin e ndihmës në vitin 1999 për 33000 refugjatë nga Kosova. Apo programet bujqësore dhe blegtorale, të zhvillimit rural në zona malore, si dhe në çështjet e shëndetit, interesimin për përmirësimin e cilësisë së jetës të banorëve të fshatit me ndërtimin e rrugëve, ujësjellësve. Dhe 450 ndërtesat e ndërtuara në total, të cilat u ngritën edhe për të strehuar shkolla, qendra mjekësore, jetimore, konvikte etj. Mos i konsideron të tilla 120 librat liturgjikalë e shkencorë, të cilat u përkthyen në shqip dhe u botuan nga Kisha apo revistat e botimet e tjera në shqip?! Me veprat e infrastrukturës që janë kryer - të gjitha këto u bënë me fondet e gjetura nga Kryepiskopi në vende të ndryshme të Evropës dhe të Amerikës,- Kisha ka kontribuar në zhvillimin ekonomik të vendit, duke iu ofruar punë qindra punonjësve, dhjetëra shoqërive private dhe qindra punëtorëve e mjeshtërve vendas. Me të gjitha këto, është një prej investitorëve më seriozë të vendit.
    Këta janë vetëm disa shembuj “të aktivitetit antishqiptar të Kryepiskopit”. Por kontributi i madh i Kryepiskopit në jetën kulturore dhe shpirtërore të Shqipërisë njihet prej qindra mijëra orthodhoksësh, që nuk reshtin së treguari përkushtimin, mirënjohjen dhe dashurinë e tyre. Përkundrazi, tekstet e z. Frashëri janë të mbushura përplot me sulme nacionaliste kundër Greqisë. Ndërsa ne e shikojmë të ardhmen e Ballkanit në pjesëmarrjen e barabartë në Bashkimin Evropian, fantazitë tuaja fobike të risjellin në mendje të shkuarën. Personalisht besoj në mënyrë të patundur, në nevojën e respektit të ndërsjellë, të pajtimit, të ndihmës reciproke midis popujve dhe të ecjes së përbashkët drejt qytetërimit dhe mirëqenies.

    3. Z. Frashëri, duke e vazhduar taktikën e tij të bërjes së sakrilegjit, u rikthehet në mënyrë monotone temave, që janë tashmë qartësuar plotësisht prej vitesh në letrën time të fundit, botuar në Gazeta Shqiptare, dt 3.12.2010 ku u bënë të qarta pasaktësitë e tij historike, dyshimet e tij të pabaza dhe mosnjohja e plotë e të dhënave biblike dhe e institucioneve kishtare. Sigurisht, ndaj këtij teksti nuk pati asnjë kundërpërgjigje. Për të mos ngelur as dyshimi më i vogël në lidhje me faktet historike, duke u nisur nga shtrembërimi sistematik që u bëhet atyre, që ka si synim të tijin mashtrimin e njerëzve që nuk kanë njohuri, po i përmbledh përsëri shkurtimisht në përshkrimin e mëposhtëm.
    Zgjedhja ime si Kryepiskop, që u bë në 24 qershor të 1992, u konsiderua sipas kanoneve në fuqi të Orthodhoksisë, një fakt i kryer kishtar. Dhe u bë i ditur publikisht me Letrat Patriarkale të veçanta, dërguar Kishave të tjera Orthodhokse Autoqefale, të cilat e pranuan zgjedhjen me shumë dashamirësi. Duhet të rikujtojmë këtu se edhe Sinodi i parë kanonik i Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë u zgjodh në vitin 1937, po në Konstandinopojë, nga Patriarkana Ekumenike, pa pjesëmarrjen më të vogël të faktorëve të tjerë. Fronëzimi, u bë, pas një sërë konsultimesh me autoritetet kompetente shtetërore shqiptare, në Kishën Katedrale të Ungjillizimit të Tiranës, në 2 gusht 1992, me praninë e të gjithë përfaqësuesve klerikë dhe laikë të krahinave të Shqipërisë. Liturgjia Hyjnore përfundoi rregullisht si edhe ceremonia e thjeshtë e fronëzimit. Vijoi një drekë zyrtare në Tirana Hotel, ku nuk u krye asnjë akt kishtar. Për këtë ngjarje janë botuar në mënyrë të përsëritur, përshkrimet e njerëzve të ndodhur atje.
    Vendosja e Primatit të ri të një Kishe lokale, vuloset nga ana ligjoro-kanonike me Letrat paqësore, që u dërgon primatëve të Kishave të tjera dhe me përgjigjet zyrtare që merr në këmbim. Të gjitha këto u kryen në mënyrë të rregullt. Kisha Orthodhokse ka histori dhe institucione shumëshekullore, që ruhen me saktësi absolute. Si përfundim, besimi me tërë shpirtin i besimtarëve orthodhoksë nga të gjitha krahinat e Shqipërisë për Kryepiskopin, shkatërroi çdo përpjekje minuese kundër tij. Pas 22 vitesh vjen z. Frashëri për të na fyer, në mënyrën më dashakeqe, me mitet e tij.
    Sa i takon Statutit të 1929, për të cilin ka nostalgji, është provuar në mënyrë të përsëritur, se ishte ky Statut me 14 nene të tij, që skllavëroi Kishën Orthodhokse të Shqipërisë tek pushteti shtetëror dhe se është hartuar përpara shpalljes së Autoqefalisë së Kishës së Shqipërisë. (Për më shumë mund të shikojë dikush përgjigjen time në Gazeta Shqiptare dt. 3.12.2010 si edhe në librin që do të qarkullojë së shpejti “Ringritja e Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë (1991-2012,) Tiranë 2013.
    Sipas Kushtetutës të Republikës së Shqipërisë, (neni 10, paragrafi 5), është nënshkruar “Marrëveshja ndërmjet Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë dhe Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë për rregullimin e marrëdhënieve të ndërsjella”, dhe është miratuar nga Parlamenti dhe është bërë ligj i Shtetit nr. 10057/22.1.2009. Sipas këtij ligji (neni 5, paragr.1) “Shteti respekton Kishën Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë dhe njeh si përfaqësues të saj vetëm personat e autorizuar nga Sinodi i Shenjtë i kësaj Kishe dhe garanton mbrojtjen e Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë nga çdo person ose grup që pretendon emrin, objektet e kultit, pronat, simbolet ose vulën e saj”. Ndërsa në nenin 23 paragrafi 1, thuhet përsëri: “Objektet e kultit që kanë statusin e monumentit të kulturës t’i kthehen në pronësi Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë dhe do të mbrohen e trajtohen nga ligji për trashëgiminë kulturore”.

    4. Z. Frashëri, në artikullin e tij fyes, nuk mungon të na sigurojë se lindi në 1920 dhe se u pagëzua i krishterë orthodhoks. Por nuk flet fare për konseguencën e tij ndaj besimit orthodhoks, në vitet e persekutimit ateist, por edhe për vazhdimin gjatë viteve të Demokracisë. Është e njohur se shumë vetë në Shqipëri, vetëm në emër orthodhoksë, përndoqën Kishën Orthodhokse. Se sa është dikush me të vërtetë orthodhoks, këtë e tregojnë idetë dhe veprat e tij.
    Sipas z. Frashëri, vetëm “ …ndonjë prift grek” mendon për këtë çështje në këtë mënyrë “ …i paçliruar ende nga mentaliteti mesjetar, pasi vetëm për ta Shën Mëria vlen më tepër se një hero kombëtar, siç është Naim Frashëri… Shën Mëria nuk më çliroi nga zgjedha osmane. Ai që më çliroi ishte Naim Frashëri. Vëlla, me bashkatdhetarët e mi të feve të tjera nuk më bëri Shën Mëria, por Naim Frashëri, madje ajo më përçau me bashkatdhetarët e mi të besimeve të tjera. Identitetin tim kombëtar nuk ma kaliti Shën Mëria, por Naim Frashëri me shokët e tij. Kjo nuk do të thotë se nuk e çmoj Shën Mërinë, por si yll polar kam Naimin dhe rilindësit e tjerë. E vlerësoj Shën Mërinë si nënën e Krishtit për dhembshurinë që ajo përhap tek njerëzit...”. Ky tekst është i qartë për dalldisjen nacionaliste, por jo sigurisht për besimin e krishterë orthodhoks dhe atë të krishterë në përgjithësi rreth të Tërëshenjtës Mari. Dhe jo vetëm për orthodhoksët e Shqipërisë, por edhe për orthodhoksët dhe romanokatolikët e mbarë botës, kjo është diçka fyese.
    Z. Frashëri është i lirë të besojë ose jo në të vërtetat që na jep Kisha Orthodhokse. Por ajo që nuk i lejohet, është të dojë të shfaqet si specialist në çështje të Orthodhoksisë dhe të japë leksione të Theologjisë, të së Drejtës Fetare, të Historisë Kishtare tek Kisha Orthodhokse Autoqefale e Shqipërisë.
    Çdo historian objektiv e njeh shumë mirë dekadencën në të cilën ndodhej Kisha e Shqipërisë në dhjetëvjeçarët e parë të shekullit të 20-të si edhe shpërbërjen e plotë që i shkaktoi regjimi ateist. Por në të njëjtën kohë është fare e qartë, se nga viti 1991, në një kohë pasigurie dhe turbullirash, Kisha Orthodhokse Autoqefale e Shqipërisë forcoi besimin, pajtimin, dashurinë, shpresën e popullit orthodhoks dhe më në përgjithësi të shoqërisë shqiptare, duke qëndruar me këmbëngulje dhe në mënyrë të ndërgjegjshme larg çdo lloj përzierjeje politike. Për këtë arsye, vlerësohet gjerësisht si brenda vendit dhe ndërkombëtarisht, sepse me praninë e saj, kontribuoi esencialisht në ndërtimin dhe në zhvillimin e përgjithshëm shpirtëror dhe social të Shqipërisë.
    Post Scriptum
    Kisha përfunduar përgjigjen e mësipërme, kur mësova nga interneti, se në Përmet ekziston tashmë nga viti 2010 një Qendër Kulturore Multifunksionale moderne (shih foton), e cila ka edhe sallë të madhe për aktivitete, muze, zyra etj. E vetmja gjë që harruan ishte t’i venë emrin “Naim Frashëri”.
    Mua kujtua fakti se në vitet 2009-2010 një zyrtar shtetëror na kishte premtuar se që të zgjidhej kjo çështje, Shteti do t’i jepte Bashkisë shtëpinë e oficerëve, për t’u bërë qendër kulturore, që të na kthehej vendi ku prej shekujsh ndodhej kisha e të Tërëshenjtës Mari. Në atë kohë shprehëm gatishmërinë tonë për të kontribuar ekonomikisht në krijimin e Qendrës Kulturore, po për këtë u përdorën fonde të ardhura nga Italia. Por, megjithëse tashmë qyteti e kishte qendrën kulturore, gjatë periudhës tranzitore të ndryshimit të qeverisë, u organizua ndërmarrja mjerane me fushatën tinëzare kundër Kryepiskopit dhe e përdhosjes dhe zhurmës shurdhuese kundër Kishës Orthodhokse.
    Gjatë këtyre javëve u fsheh nga të gjitha palët ekzistenca e kësaj qendre të re kulturore dhe u përsërit akuza e gënjeshtër se gjoja Kisha Orthodhokse Autoqefale e Shqipërisë, nuk do që të ketë qendër kulture në Përmet. Është e qartë se dilema nuk është Kishë ose Qendër Kulture. Me sa duket të interesuarit për të marrë Kishën, e bëjnë këtë për arsye përfitimi dhe aspak për motive kulturore. Si rrjedhojë, këtu kemi të bëjmë me një skandal të trefishtë, sakrilegjin e paturpshëm që ka ekspozuar vendin në arenën ndërkombëtare, fshehjen sistematike të faktit real, se në Përmet ekziston tashmë një qendër kulturore, për të mashtruar opinionin publik dhe përdorimi arbitrar i kësaj çështjeje për të bërë fyerje dhe akuza të pabaza kundër Kryepiskopit dhe në përgjithësi kundër Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë.

    Ne foto, Qendra moderne multifunksionale e Permetit, me se e mjaftushme per nje qytet-komune, ku kryetari eshte zgjedhur me me pak se 2 mije vota...
    Ndryshuar për herë të fundit nga Archon : 09-09-2013 më 03:50

  2. #2
    i/e regjistruar Maska e Archon
    Anëtarësuar
    05-12-2012
    Postime
    2,280

    Për: "Skandal i trefishtë"-Nga Kryepiskopi Anastas


  3. #3
    Shpirt Shqiptari Maska e Albo
    Anëtarësuar
    16-04-2002
    Vendndodhja
    Philadelphia
    Postime
    32,995
    Postimet në Bllog
    22

    Për: "Skandal i trefishtë"-Nga Kryepiskopi Anastas

    Hiresi,

    Po replikon me njeriun qe organizoi "revolucionin kulturor" ne 1967 dhe sulmoi e shkaterroi gjithe Kishat, xhamite e teqete e vendit.
    Po replikon me njeriun qe shkruajti Veprat e Enver Hoxhes, duke revizionuar historine e atij populli qe nga gjeneza e kohes.
    Po replikon me njeriun qe indoktrinoi dy breza shqiptaresh ne bankat e shkolles me versionin komunist te historise se atij populli.
    Po replikon me njeriun qe eshte me nje kembe ne varr e neser do te takoje Krijuesin e tij, e prape nuk eshte penduar per krimet qe i ka bere popullit e Kishes se tij.

    Atij nuk i behet vone per Kishen, atij nuk i behet vone per Shqiperine e shqiptaret. Atij i behet vone qe kultura komuniste me te cilen ai indoktrinoi dy breza shqiptaresh, te mbijetoje edhe ne demokraci, te mbijetoje edhe pas vdekjes se tij.

    Albo
    Ndryshuar për herë të fundit nga Albo : 10-09-2013 më 17:11

  4. #4
    Orthodhoks Maska e ilia spiro
    Anëtarësuar
    02-02-2009
    Postime
    3,588
    Postimet në Bllog
    1

    Për: "Skandal i trefishtë"-Nga Kryepiskopi Anastas

    Citim Postuar më parë nga Albo Lexo Postimin
    Hiresi,

    Po replikon me njeriun qe organizoi "revolucionin kulturor" ne 1967 dhe sulmoi e shkaterroi gjithe Kishat, xhamite e teqete e vendit.
    Po replikon me njeriun qe shkruajti Veprat e Enver Hoxhes, duke revizionuar historine e atij populli qe nga gjeneza e kohes.
    Po replikon me njeriun qe indoktrinoi dy breza shqiptaresh ne bankat e shkolles me versionin komunist te historise se atij populli.
    Po replikon me njeriun qe eshte me nje kembe ne varr e neser do te takoje Krijuesin e Tij, e prape nuk eshte penduar per krimet qe i ka bere popullit e Kishes se tij.

    Atij nuk i behet vone per Kishen, atij nuk i behet vone per Shqiperine e shqiptaret. Atij i behet vone qe kultura komuniste me te cilen ai indoktrinoi dy breza shqiptaresh, te mbijetoje edhe ne demokraci, te mbijetoje edhe pas vdekjes se tij.

    Albo
    Jo vetem atij por nje rradhe "intelektualesh" te cilet jane rreshtuar ne "formacion luftimi", kunder Kishes Orthodhokse dhe Kryepiskopit,..une s`e kuptoj si mund ta quajne veten keta njerez "ortodokse"..., per cfare te pendohet ai qe e quan shan Hyjlindesen dhe e vendos nen Naim Frasherin,..., ai mendon se eshte ne rruge te drejte
    Duaje te afermin tend si veten

  5. #5
    Perjashtuar
    Anëtarësuar
    16-04-2012
    Postime
    1,286

    Për: "Skandal i trefishtë"-Nga Kryepiskopi Anastas

    Frashëri: Janullatosi bën veprime haxhiqamiliste
    NGA: KRISTO FRASHERI



    Pas shkrimit që u botua në “Gazetën Shqiptare” më 26 gusht 2013 mbi ngjarjet e Kishës së Shën Mërisë së Pazarit në Përmet, vendosa të mos merresha më tej me kryepeshkopin e Kishës Ortodokse Autoqefale Shqiptare, A. Janullatosin. M’u duk se ç’kisha për të thënë i kisha konsumuar në artikujt kritikë botuar gjatë tri viteve të fundit. Por dola i gabuar! Hirësia e tij vazhdoi të sulmojë me stilin e tij të shpifjeve, të cilin njerëzit zakonisht e përdorin si armë kur nuk kanë mjete të ndershme për t’u mbrojtur.

    Më 9 shtator 2013, Prof. Dr. Anastas Janullatosi, kryepeshkopi uzurpator i KOASh-it, botoi në “Gazetën Shqiptare” apologjinë e tij të tretë, në të cilën përpiqet të mbrojë qëndrimin e tij të gabuar në lidhje me ngjarjen që ndodhi në Përmet më 16 gusht 2013 me Shtëpinë e Kulturës së qytetit. Ngjarja që ndodhi në 16 gusht në Përmet tashmë është e njohur, si brenda, ashtu dhe jashtë Shqipërisë.

    Atë ditë, Zyra e Përmbarimit e nënprefekturës së Përmetit zbatoi vendimin e tri shkallëve të gjyqësorit (vendimi i Gjykatës së Shkallës së Parë, nr. 484, datë 10.07.2001; vendimi i Gjykatës së Apelit, nr. 122, datë 27.03.2002; vendimi i Gjykatës së Lartë, nr. 1640, datë 14.10.2003) të miratuar përfundimisht nga Gjykata Kushtetuese e Republikës së Shqipërisë (vendimi nr. 66, datë 05.05.2004). Dihet se për shkak të kundërshtimit arbitrar të Kishës së Përmetit, vendimi i Gjykatës Kushtetuese kishte mbetur nëntë vjet pa u zbatuar. Refuzimi nga Kisha e Përmetit për ta zbatuar vendimin e gjykatave shqiptare, sidomos atë të Gjykatës Kushtetuese, është në vetvete një akt rebelimi ndaj shtetit shqiptar, i ngjashëm me mentalitetin dhe veprimet e Haxhi Qamilit. Për këtë arsye, akti i rebelimit ndaj shtetit kudo dënohet. Meqenëse me këtë refuzim prapa kishës së Përmetit qëndron kryepeshkopi i KOASh-it, A. Janullatos, vetëkuptohet se hirësia e tij ka përgjegjësinë e vet. Por Hirësia e tij, në vend që të kërkojë ndjesë për bashkëpunimin e tij në këtë rebelim ndaj sovranitetit të shtetit shqiptar, kërkon që të dënohet jo shkelësi i Kushtetutës, por mbrojtësi i saj. Sipas mentalitetit hileqar të kryepeshkopit Anastas, fajtori në këtë mes qenka Kristo Frashëri, sepse ai e paska shtrembëruar të vërtetën. Kjo është me pak fjalë përmbajtja e Apologjisë që ai botoi në “Gazetën Shqiptare” më 9 shtator 2013, me titull “Përmeti sakrilegj, skena të persekutimit ateist”. Është apologjia e tretë që ai boton në shtypin shqiptar në mbrojtje të kritikave që atij i ka drejtuar historiani Kristo Frashëri. E lëmë në dorë të lexuesit, pasi të lexojë këtë përgjigje, të vendosë se kush ka të drejtë në këtë mes: kush shpif e kush thotë të vërtetën.

    Hirësia e fillon apologjinë e tij nr. 3 me këto fjalë:
    “Më 16 gusht 2013…, në qytetin e Përmetit ndodhi një sakrilegj i rëndë. Rreth 20 burra të një policie private shembën kambanoren e thjeshtë sipër së cilës ndodhej Kryqi, hynë brenda kishës me dhunë, goditën katër klerikë shqiptarë dhe besimtarët, hoqën ikonat, morën gurin e themelit të Kishës (!) dhe hodhën Ungjillin e Shenjtë dhe Enët e Shenjta në makinën e mbledhjes së mbeturinave të Bashkisë”.
    Për të hipnotizuar publikun e krishterë ortodoks brenda dhe jashtë Shqipërisë, kryepeshkopi A. Janullatos përdor në Apologjinë e tretë fraza të stilit bulevardesk për të krijuar përshtypjen sikur në Përmet më 16 gusht 2013 u përsëritën për Kishën Ortodokse të Shqipërisë ngjarjet apokaliptike të vitit 1967. Ai shkruan se atë ditë Hirësia e tij paska parë që nga Tirana skena të persekutimit ateist që paskan ndodhur në Përmetin e largët, skena të cilat në filmin e regjistruar të ngjarjes nuk tregojnë dhunë, as kundër priftërinjve, as kundër besimtarëve.

    Janë pak të thuash se këto janë shpifje në vështrimin e zakonshëm të sajesave që dikur qarkullonin kudo në pazaret e Gadishullit Ballkanik, përfshirë edhe në ato të Greqisë. Ato janë shpifje monstruoze të pakonceptueshme kur dalin nga pena e një prelati, i cili kudo ku shkon prezantohet me titullin “Doktor, Profesor dhe Anëtar Nderi i Akademisë së Athinës”, Akademi të cilën grekët e kulturuar mburren se e ka themeluar Platoni në shekullin V para Krishtit.

    Çfarë ndodhi në të vërtetë në Përmet më 16 gusht 2013? Atë ditë, Zyra e Përmbarimit e nënprefekturës së Përmetit zbatoi vendimin e tri shkallëve të gjyqësorit të miratuar përfundimisht nga Gjykata Kushtetuese e Republikës së Shqipërisë më 2004, i cili, për shkak të kundërshtimit arbitrar të Kishës së Përmetit kishte mbetur nëntë vjet pa u zbatuar. Kundërshtimi i Kishës së Përmetit ndaj vendimit të Gjykatës Kushtetuese, është pa dyshim një akt rebelimi ndaj shtetit. Jemi të sigurt se dhe në Greqinë europiane Athina nuk e lë kishën e saj ortodokse t’i hipë në qafë shtetit grek dhe ca më tepër t’i lejojë priftërinjtë ortodoksë të kundërshtojnë zbatimin e Kushtetutës dhe të ligjeve të shtetit. Meqenëse Hirësia e tij e ka përfshirë veten e vet në qerthullin e veprimeve haxhiqamiliste, ai kërkon t’i shpëtojë përgjegjësisë politike dhe penale duke shpifur akuza të pavërteta të sajuara në mënyrë djallëzore. Ai thotë për shembull se në Përmet u krye një “sakrilegj”. Kjo është një sajesë. Për Zyrën e Përmbarimit, ndërtesa për të cilin bëjnë fjalë aktet ligjore nuk është kishë, por Shtëpi Kulture. Hirësia e tij nuk ka të drejtë ta quajë Shtëpinë e Kulturës kishë, mbasi gjurmët e kishës janë zhdukur. Kuptohet se në këtë mes Zyra e Përmbarimit nuk kreu ndonjë “sakrilegj”.

    E dyta, Zyra e Përmbarimit shkoi në Shtëpinë e Kulturës për të zbatuar një vendim gjykate. Për këtë arsye, ajo nuk kishte nevojë të përdorte dhunë. Dhunë përdorën priftërinjtë, të cilët u orvatën të pengonin zbatimin e vendimit gjyqësor. Nëse Kushtetuta është për një shtet, siç është Ungjilli për të krishterët dhe Kurani për myslimanët, “sakrilegj” kryen priftërinjtë e Përmetit, të cilët u orvatën të pengonin zbatimin e Kushtetutës.

    Hirësia e tij akuzon Zyrën e Përmbarimit se hoqi nga Shtëpia e Kulturës ikonat. Sigurisht që do t’i hiqte ato, mbasi për Zyrën e Përmbarimit, ashtu si për banorët e Përmetit, ndërtesa nuk është kishë, por Shtëpi Kulture. Akuza tjetër e pasaktë e Hirësisë është kur thotë se u hodh Ungjilli në plehra. Kjo është një gënjeshtër banale. Përveç Hirësisë së tij që duket se e ka parë së largu, sigurisht me hamendje skemën e 16 gushtit, ne nuk kemi dëgjuar nga asnjë i pranishëm që të ketë parë një fyerje të Ungjillit.

    Ai thotë se më 16 gusht në Përmet u dukën skena të persekutimit ateist. Me këtë pohim, me siguri që Hirësia e tij Janullatos ka arritur kulmin e një qaramani mesjetar, i cili ankohet ditë e natë për asgjë. Ai thotë se policia private i goditi katër klerikët pa mëshirë. Edhe këtu kemi një trillim. Në filmin e dokumentuar të ngjarjes nuk shihet asnjë goditje “e pamëshirshme” të asnjë prifti nga policia. Në konceptin modern të së drejtës, në shumë vende të pavarura po shohim se po arrestohen dhe po dërgohen para gjyqit ministra po se po, por edhe kryeministra, madje dhe hierarkë të feve të ndryshme kur shkelin Kushtetutën, dhe jo më priftërinjtë e Përmetit, që nuk kanë fare respekt për ligjet e shtetit shqiptar. Përkundrazi, priftërinjtë e Përmetit, edhe pse e kundërshtuan policinë, nuk u arrestuan, as nuk u rrahën, por u lanë të lirë.

    Thotë se Kristo Frashëri po bën një seri akuzash të pabaza ndaj kryepeshkopit dhe Kishës Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë. Edhe në këtë mes ka shpifje. Kristo Frashëri ka kritikuar kryepeshkopin për prapësitë e tij dhe për shkelje të kanoneve kishtare, por jo siç thotë Hirësia e tij, Kishën Ortodokse Autoqefale Shqiptare, të cilën ai po e mbron me aq fuqi sa ka. Hirësia thotë se ngjarjet e Kishës së Përmetit i ka mësuar më vonë. Edhe këtu gënjen. Shihni Apologjinë e tij të dytë, të cilën e ka botuar në “Gazetën Shqiptare” më 3 dhjetor 2010, ku e mbron me këmbëngulje çështjen e Kishës së Përmetit.

    Thotë se është gati që të financojë ngritjen e një shtëpie të re kulture, por jo në këtë që është mbi truallin e kishës së Shën Mërisë, pasi ky truall është i shenjtë. Ne i kemi thënë se truallin nuk e bën të shenjtë kisha, mbasi Perëndia e ka bekuar gjithë rruzullin tokësor, në mënyrë të veçantë tokën që na prodhon bukën për të jetuar. Kishën nuk e bëjnë të shenjtë as trualli, as gurët, as muret. Atë e bëjnë të shenjtë ikonat, afresket dhe tryeza e shenjtë, të cilat vendosen në të. Prindërit e mi, përkushtuar ortodoksisë, konsideronin të shenjtë atë qoshkun e dhomës ku ishte vendosur konizma (ikona), së bashku me kandilin prej vaji me fitil dhe me librin e uratave. Kur ndërronim shtëpinë, konsiderohej i shenjtë qoshku i saj i ri, ku vendosnim konizmën, pra ndryshohej pa vështirësi edhe qoshku i shenjtë i banesës sonë. Kjo për arsye se qoshkun e bënte të shenjtë konizma dhe jo vetë qoshku.

    Ai thotë se “Kishat në të cilat kryhej Liturgjia Hyjnore për shekuj të tërë janë vende të shenjta”. Më tej ai shton se pikërisht në këtë pikë mbështetet ankesa dhe protesta e Kishës Ortodokse Autoqefale e Shqipërisë ndaj shtetit shqiptar”. Për të mos e zgjatur, po e pranojmë tezën e Hirësisë së tij, për kishat shekullore siç është për shembull, Kisha e Shën Premtes në qytetin e Përmetit apo Kisha e Shën Mërisë në fshatin Kosinë. Kam frikë se priftërinjtë e Përmetit nuk i njohin gjurmët e një kishe mijëravjeçare, të cilat personalisht i kam ndeshur mbi Gurin e Qytetit brenda në Përmet. Meqenëse kisha nuk e ka shpallur Gurin e Qytetit si një vend të shenjtë, pyesim ç’e keqe u ka ndodhur përmetarëve nga mosadhurimi i këtij vendi të shenjtë mijëravjeçar? Më vjen keq ta them se Hirësia kur thotë se Shën Mëria e Pazarit është ndërtuar në shek. XVII, gënjen. Po të kishte lexuar me kujdes vendimin e gjyqit përkitazi me Kishën e Shën Mërisë së Pazarit, ku thuhet shkoqur se ajo është ndërtuar jo në shek. XVII, por në shek. XX, më saktë në vitin 1930 – besojmë se nuk do të deklaronte një gënjeshtër kaq banale.

    Në një vend të apologjisë së tij, Hirësia thotë se Kushtetuta e vitit 1998 thekson respektin ndaj lirisë fetare dhe se të paktën vendet e shenjta, arkivat fetare kishtare, ikonat, enët e shenjta, çdo gjë që lidhej me adhurimin, do t’u riktheheshin institucioneve fetare. Kjo është shumë e drejtë. Ne nuk kemi asnjë kundërshtim që kishës t’i kthehet pasuria e tundshme dhe e patundshme që gëzonte. Por Kushtetuta nuk merr përsipër të respektojë dhe t’u kthejë pasuritë e pavërtetuara, sidomos kur është fjala për mashtrimet e vërtetuara me vendime gjyqësore, siç pretendon Hirësia e tij.

    Kryepeshkopi A. Janullatos pretendon se Kisha ka të drejtë të veprojë edhe kur vendimet gjyqësore, sipas tij, janë të padrejta. Pyesim juristët: kur të tria shkallët e gjyqësorit, më në fund edhe Gjykata Kushtetuese, pajtohen me të njëjtin vendim siç është rasti i Kishës së Shën Mërisë në Përmet, a ka të drejtë Kisha të mos e zbatojë një vendim të tillë që ka marrë formë të prerë?

    Hirësia e tij thotë se Kr. Frashëri gënjen kur pohon se trualli i Kishës së Shën Mërisë së Pazarit në Përmet kapte një sipërfaqe prej 25 m², kurse sipas të dhënave të tij, me përmasat 20 x 14 m që ajo kishte, mbulonte një sipërfaqe prej 280 m². Ai shkruan se këtë madhësi e vërtetojnë jo vetëm “fotot dhe skicat arkitektonike, mbi bazën e të cilave u transformua ndërtesa, por edhe muret që ekzistojnë edhe sot nga kisha e vjetër”. Hirësia do të kishte bërë mirë të riprodhonte ato fotot mbi të cilat është mbështetur, pasi deklaratat e tij bien në kundërshtim të hapur me përmbajtjen e vendimit të gjyqësorit. Në vendimet e gjyqësorit nuk thuhet gjëkundi se Shtëpia e Kulturës është ndërtuar mbi muret e Shën Mërisë së Pazarit. Përkundrazi, në vendimin e gjyqësorit thuhet se Shtëpia e Kulturës është ndërtuar tërësisht e re që nga themelet. Madje, që Shtëpia e Kulturës nuk është ndërtuar në asnjë cep të saj mbi muret e vjetra të kishës, mund ta vërtetojë kushdo që e sheh atë nga afër.

    Në lidhje me truallin e Kishës, Hirësia e tij arrit kulmin e sajesës kur pohon se trualli që mbulonte Kisha e Shën Mërisë së Pazarit së bashku me oborrin e saj kapte një sipërfaqe prej 6186 m². Është e para herë që dëgjojmë se kisha e Shën Mërisë së Pazarit kishte në pronësi të saj 6000 e më tepër m². Ne nuk gjejmë fjalë se si ta cilësojmë këtë pohim kaq të rremë.

    (Vijon nesër. Titulli në origjinal: “Apologjia e tretë e kryepeshkopit, Anastas Janullatosit”)

  6. #6
    Orthodhoks Maska e ilia spiro
    Anëtarësuar
    02-02-2009
    Postime
    3,588
    Postimet në Bllog
    1

    Për: Kryepiskopi Anastas: "Skandal i trefishtë i Kishës së Përmetit"

    http://www.forumishqiptar.com/attach...9&d=1376668300

    pra genjeshtra i ka kembet e shkurtra, z. frasheri, sado miop te jesh nuk mund te thuash se Kisha e se Tereshenjtes na paska 25 metra/katror, por me shume se 10 fishin, sic duket edhe ne fotografi,.. dhe sic shihet edhe sheshi para saj eshte mjaft i madh, vertetohet pra siperfaqja e truallit prej me shume se 6000 metra/ katror,...por rendesia themelore nuk eshte sasia e metrove katror, por vendi I SHENJTE, te cilat zoti frasheri nuk ka si t`i njohe, sepse per 50 vjet ka qene pjesetar i fallsifikimit te madh te kryer nga e.hoxha, bazuar ne manipulimin e fakteve dhe te dhenave historike dhe ja ka pershtatur keto te dhena teorise marksiste-leniniste se ciles i ka sherbyer me ndergjegje te plote
    z. frasheri i mesuar ne kuzhinen marksiste-leniniste, nuk ka dijeni mbi legjislacionin, konventat, forumet, nderkombetare te pranuara boterisht te cilat prevalojne mbi kushtetutat dhe ligjet e vendeve te vecanta, si dhe me vendimet gjyqesore te marra ne kundershtim me keto ligje nderkombetare.
    Ne kete menyre Fortlumturia e Tij, Kryepiskopi i Tiranes, Durresit dhe gjithe Shqiperise, Anastasi, ka te drejte kur thote se nuk i njohim vendime gjykatash te korruptuara, kur legjislacioni nderkombetar ka si parakusht kthimin e pronave komuniteteve fetare, ne menyre paresore, dhe pa qene nevoja e komisioneve te te ndryshme te pronave,..., per kete qellim eshte lidhur edhe marreveshja mes shtetit shqiptar dhe KOASH-it, ku shteti shqiptar merr persiper t`i ktheje Kishes Orthodhokse te gjithe Kishat "monument kulture", gje kjo teper e thjeshte, sepse inventari i tyre ndodhet ne Institutin e Monumenteve te Kuktures, dhe jane teresisht te lira per t`u kthyer..., pse nuk behet kjo tashme prej me shume se 4 vjetesh nga marreveshja???
    Nuk behet sepse ka tendenca antiorthodhokse ne shtetin shqiptar, jo disponibilitet per te ndihmuar, dhe Kishat e Vjetra cdo dite e me shume po vidhen dhe autoret po ikin "ne drejtim te paditur",....pra ka strategji te "tokes se djegur", dhe nuk ka ndonje perpjekje per ta zbatuar merreveshjen e kthyer ne ligj,...
    Keto z. frasheri as qe interesojne, bile ai nuk e deshiron kthimin e tyre,..dhe perpos kesaj eshte plotesisht dakord me perdhosjen dhe zaptimin e vendit te SHENJTE, Kishes se te Tereshenjtes, sepse sic e ka thene edhe vete me pere, "e Tereshenjta e ka ndare nga njerezit", keshtu qe patjeter deshiron naim frasherin me pare,..
    dhe ky ateist na e quan "apokalips" vitin 1967,..dhe i tille ka qene por jo per k. frasherin, ky e ka deshiruar dhe e ka mbeshtetur shpirterisht dhe ideologjikisht, dhe pervec kesaj rreket edhe te na shpjegoje se cfare eshte e shenjte dhe cfare jo!!!! e na tregon histori nga shtepia e tij,..etj.., por eshte kryekeput gabim,...gjithcka eshte e shenjte ne nje vend TE SHENJTE: trualli, ndertesa e Kishes, tryeza e shenjte, Shkrimi i Shenjte, Kupa e kungates, ikonat,..pra gjithcka,....nuk ka mundesi se si te shpjegoje nje ateisto-komunist se cfare eshte e shenjte, sepse per te dhe per gjithe marksistet "feja eshte opium per popullin"..
    Qe Kisha e se Tereshenjtes eshte Kishe 3 shekullore dhe se mbi te eshte ndertuar ne vitin 1962 shtepia e kultures, z. frasheri le te shkoje te beje nje vizite dhe te shikoje murret super te trasha, trashesi e pazakonte per sistemin komunist, i cili ndertonte kasolle dhe apartamente 1 me 1 e shumta 1 me 2,..
    per investimet e shtetit Kisha pagoi 700,000 leke te reja ne vitin 1997.. dhe mbi kete baze Kisha u kthye me vendim te Komisionit te Pronave, ne vitin 1998
    z. frasheri rreket te mbroje mercenaret e shtetit, se nuk kane rrahur njeri dhe u referohet pamjeve,...keto pamje z. frasheri jane marre pasi prifterinjte dhe besimtaret ishin rrahur dhe bile nje prifti i ishin thyer edhe dhembet,..dhe kur ky prift shkoi tek mjeku ligjor me dhembin ne dore si prove materiale, per te bere padi, ky i fundit nuk pranoi i trembur,.., nga demokracia ala frasherllie, me rrahje e thyerje dhembesh,..ato pamje qe pa z, frasheri jane vetem maja e ajsbergut dhe kur keto ndodhin diten per diell dhe para kamerave, mendo se c`ndodh pas tyre ne shtetin dhe shoqerine "demokratike"..
    z. frasheri merr pozicionin e "shtetit ligjor" gjoja ne mbrojtje te "drejtesise", kur kjo drejtesi eshte vleresuar me note negative nga autoritetet nderkombetare dhe opinioni publik shqiptar, i cili le qimet e kokes per vendimet e marra nga ana e gjykatesve, te shkalleve I, II...etj., nuk ka pare z. frasheri se si e rrjepin popullin keta gjykates dhe se cfare "drejtesie" ka sot shqiperia,.. ka vetem treg dhe biznes, fiton ai qe paguan me shume dhe jo ai qe ka te drejte,..
    mos na trego drejtesine z. frasheri, se kjo as qe ekziston se ketu ka vetem anarshi dhe xhungel,..asgje tjeter..dhe ne nuk e njohim kete fare "drejtesie"
    per ne mbi gjithcka eshte vendi I SHENJTE, me gjithcka qe permbledh,...
    Ndryshuar për herë të fundit nga ilia spiro : 22-09-2013 më 06:51
    Duaje te afermin tend si veten

  7. #7
    i/e regjistruar Maska e Archon
    Anëtarësuar
    05-12-2012
    Postime
    2,280

    Për: Kryepiskopi Anastas: "Skandal i trefishtë i Kishës së Përmetit"

    Emri:  1236933_209700692537397_1941371873_n.jpg

Shikime: 388

Madhësia:  20.1 KB


    Ja kush eshte Kristo Frasheri,nga nje person qe e respektonte kryepeshkopit dhe i thoshte fjalet me te mira per te,tashme me kalimin e moshes,tradheton ate qe vete ka thene per te

    Helmin ka per ta hedhur edhe neser,por i vetmi argument qe sjell edhe e rimerr me qindra here eshte se duhet respektuar nje vendim gjykate dhe nuk duhet te flase askush kunder,sepse sa here vendimet e gjykatave flasin kunder kishes, vendimet behen menjehere "te shenjta", te paprekshme dhe te padiskutueshme???!!! Ndersa per te tjerat,mund te flitet sa here te duash(lexoni ne media,sesa here perfliten dhe kundershtohen vendimet e gjykatave),kur ne cdo raport nderkombetar theksohet se gjykata e ketij vendi jane institucionet me te korruptuara

  8. #8
    i/e regjistruar Maska e Archon
    Anëtarësuar
    05-12-2012
    Postime
    2,280

    Për: "Skandal i trefishtë"-Nga Kryepiskopi Anastas

    Citim Postuar më parë nga BLEDI_SH Lexo Postimin
    Frashëri: Janullatosi bën veprime haxhiqamiliste
    NGA: KRISTO FRASHERI



    Hirësia e fillon apologjinë e tij nr. 3 me këto fjalë:
    “Më 16 gusht 2013…, në qytetin e Përmetit ndodhi një sakrilegj i rëndë. Rreth 20 burra të një policie private shembën kambanoren e thjeshtë sipër së cilës ndodhej Kryqi, hynë brenda kishës me dhunë, goditën katër klerikë shqiptarë dhe besimtarët, hoqën ikonat, morën gurin e themelit të Kishës (!) dhe hodhën Ungjillin e Shenjtë dhe Enët e Shenjta në makinën e mbledhjes së mbeturinave të Bashkisë”.
    Për të hipnotizuar publikun e krishterë ortodoks brenda dhe jashtë Shqipërisë, kryepeshkopi A. Janullatos përdor në Apologjinë e tretë fraza të stilit bulevardesk për të krijuar përshtypjen sikur në Përmet më 16 gusht 2013 u përsëritën për Kishën Ortodokse të Shqipërisë ngjarjet apokaliptike të vitit 1967. Ai shkruan se atë ditë Hirësia e tij paska parë që nga Tirana skena të persekutimit ateist që paskan ndodhur në Përmetin e largët, skena të cilat në filmin e regjistruar të ngjarjes nuk tregojnë dhunë, as kundër priftërinjve, as kundër besimtarëve.
    Po ky eshte qorr dhe i kane ikur syte dhe veshet ???
    Aty shkuan ne spital 2 besimtare te lenduar,prifterinjte u shtyne me brutalitet nga permbarimi,njeri prej tyre i thyen dhembet,i thane "kelysh i Janullatosit",u dhunuan edhe gazetare dhe ky thote nuk kishte dhune???

    Ej cte ben pleqeria thuaj,ti mbyll edhe syte,po edhe mendjen ta krimb


    Edhe nje gje te fundit,ky thote se kisha ishte 25 m2,pak a shume sa nje dhome,por mendon ky mendje krimburi se mund te kete egzistuan ndonje here nje kishe e tille,duke mos e pasur edhe ne pronesi gjithe truallin pereth,te qendroje kisha si ishull ne mes te truallit te dikujt tjetri???
    Ndryshuar për herë të fundit nga Archon : 22-09-2013 më 06:27

  9. #9
    Orthodhoks Maska e ilia spiro
    Anëtarësuar
    02-02-2009
    Postime
    3,588
    Postimet në Bllog
    1

    Për: Kryepiskopi Anastas: "Skandal i trefishtë i Kishës së Përmetit"

    ...vijon..nga gjithe keto z. frasheri, si merrni guximin dhe padisni per shpifje, Fortlumturine e Tij, Kryepiskopin Anastas, asnje shpifje nuk ka bere Ai, por perkundrazi jeni juve ai qe shpifni,..dhe e keni pozicionuar veten,(ndoshta pa e ditur), ne rradhe te pare te ushtareve te satanait, duke sulmuar ne menyren me te ulet, vete ikonen e Zotit tone Jisu Krisht.,,
    por lufta jone vazhdon e palekundur, deri ne castin kur te na kthehet Kisha e se Tereshenjtes ne Permet se bashku me 6000 meter/katror truall dhe nuk do te heqim ndonjehere dore, por do te perdorim te gjitha menyrat dhe metodat e mundshme per t`ja arritur qellimit tone TE SHENJTE.,,, dhe nuk do te rreshtim luften deri sa te na kthehet gjithcka na ka rrembyer sistemi komunist,..pa frike dhe me guxim sepse NESE PERENDIA ESHTE ME NE, KUSH MUND TE JETE KUNDER NESH..
    sa per ju zoti frasheri nese ju ka mbetur ndopak ndergjegje orthodhokse, do te jete mire te hiqni dore nga pozicionimi ne krahun e gabuar dhe te pendoheni,...
    Perendia ju falte!
    Duaje te afermin tend si veten

  10. #10
    Orthodhoks Maska e ilia spiro
    Anëtarësuar
    02-02-2009
    Postime
    3,588
    Postimet në Bllog
    1

    Për: Kryepiskopi Anastas: "Skandal i trefishtë i Kishës së Përmetit"

    Duaje te afermin tend si veten

Faqja 0 prej 7 FillimFillim 12 ... FunditFundit

Regullat e Postimit

  • Ju nuk mund të hapni tema të reja.
  • Ju nuk mund të postoni në tema.
  • Ju nuk mund të bashkëngjitni skedarë.
  • Ju nuk mund të ndryshoni postimet tuaja.
  •