Close
Duke shfaqur rezultatin -19 deri 0 prej 4
  1. #1
    Shpirt Shqiptari Maska e Albo
    Anëtarësuar
    16-04-2002
    Vendndodhja
    Philadelphia
    Postime
    30,122
    Postimet në Bllog
    17

    Flet ish-i dënuari: “Helmimi i lopëve në Baldushk, dy të pushkatuar e 115 vite burg”

    Flet Agim Akcani, ish-i dënuar në vitin 1975 me 21 vite burg politik.

    “Dy vrasjet për helmimin e lopëve në Baldushk, ja firma e hetuesit Bengasi”

    Dy pushkatime e 115 vite burg, si u montuan akuzat për organizatën kriminale kundër pushtetit popullor.

    Shpikja e një vajze 18-vjeçare, si dëshmitare e helmimit të 98 lopëve.

    Spiuni i “sabotatorëve”, nga i arrestuar në deputet.

    Akcani: Veterineri Pëllumb Rama “u thye” nga torturat.


    Ishte 21 vjeç kur u dënua me 21 vite burg. Agim Akcani është ndër 3 ish-të dënuarit politikë të mbijetuar nga ngjarja e vitit 1975, kur u firmosën dy pushkatime dhe gjashtë personave të tjerë iu dhanë 115 vite burg gjithsej.
    U quajtën anëtarë të “grupit sabotator të Baldushkut”, që siç konkluduan hetuesit e çështjes, këta tetë fshatarë të zonës morën pjesë në organizatë kriminale kundër pushtetit popullor, zhvilluan agjitacion e propagandë, me qëllim minimin e pushtetit popullor si dhe kryen aktin e diversionit duke i shkaktuar një dëm ekonomisë socialiste në shumën 359.983.80 lekë. Të gjitha këto akuza u ngritën pas ngordhjes së 98 lopëve të racës holandeze (shumica u therrën për mish), për të cilat u pretendua se janë helmuar me zhivë e lëndë të tjera toksike. Për këtë tragjedi ka folur kohët e fundit në media edhe një nga hetuesit e këtij “grupi sabotatorësh”, Dilaver Bengasi. Asokohe ai ishte hetues i Krimit Ekonomik, por edhe aktualisht ai përligj “sabotatorët” si realë, ashtu si edhe ngjarjen. Megjithatë, ai ka deklaruar se nuk ka qenë dakord me pushkatimet e dy prej të akuzuarve, siç ishin: ndihmësmjeku Rifat Daja dhe infermieri Nuri Allmuça. Që të dy u vranë diku nëpër Shqipëri, por që edhe sot e kësaj dite nuk u dihet varri. Hetuesi dhe formuluesi i akuzës distancohet nga pushkatimi, duke thënë se vendimi ishte i Gjykatës, por Agim Akcani verifikon firmën e tij mbi dokumentin e ekzekutimit të Dajës dhe Allmuçës. Agim Akcani vjen sot në gazetën “Panorama” në një rrëfim ekskluziv për ngjarjen e vitit 1975, ku flet për veten, shokët “sabotatorë”, miqtë e armiqtë e qelisë, por edhe të shumë bashkëvuajtësve të tjerë që i njohu në burg…

    Si ka nisur historia e sëmurjes së lopëve në Baldushk?

    Ka nisur në nëntor të vitit 1975. Kompleksi blegtoral i Baldushkut ishte ndër më të mirët në rrethin e Tiranës, pse jo edhe në të gjithë vendin. Megjithë mend ato lopë ishin rekorde qumështi, fabrika qumështi. Ishin lopë shumë të mëdha, jepnin deri në 45 litra qumësht në ditë. Nejse, nga data 8 nëntor lopët u nxorrën në kullotë dhe dy prej tyre nisën të shfaqnin shenja intokacioni,helmimi. Kishin lëvizje, jargëzime, lëvizje brenda stallës, në vend… Unë, si brigadier, menjëherë njoftova veterinerin, Pëllumb Rama. Ai erdhi dhe bëri vizitat përkatëse te dy lopët, bëri edhe mjekimet përkatëse. Pastaj ato u dukën sikur u qetësuan dhe ne punonjësit ikëm nëpër shtëpi, pasi na u duk diçka kalimtare. Edhe herë të tjera kishte patur lopë të sëmura dhe pasi ishin vizituar, i kishin kaluar problemet. Por nga pasditja e 8 nëntorit e deri të nesërmen gjendja e tyre erdhi duke u rënduar. Pasditen e 9 nëntorit u therrën dy lopët e para, ndërkohë që u lajmërua kryeveterineri i rrethit. Shkova vonë atë natë të fle dhe kur të nesërmen, në datën 10 dhjetor, u ktheva në stallë, pashë se edhe lopët e tjera po shfaqnin të njëjtat shenja sëmundje si ato dy lopët në fillim, madje shumë më keq. Tentonin të këpusnin zinxhirët, hidheshin përpjetë, jargëzonin shumë, dukeshin si të çmendura. Nisa të humbja toruan, nuk dija se çfarë ç’po ndodhte. Unë nuk bëja dot asgjë, se brigadier isha, ndaj u lajmëruan instancat e larta. Po prisja kur erdhi një makinë ushtarake, me disa persona. Toksikologu u fut në stalla, ku ishin lopët e qumështit, racë holandeze. Pas 2-3 orësh m’u afrua një njeri, që më pyeti se kush jam. Nuk e njihja asokohe, ashtu si edhe disa të tjerë që zbritën prej makinave shtetërore. I thashë që jam brigadieri. Më vonë, mora vesh se ai që më pyeti ishte Dilaver Bengasi. Ai që ideoi e inskenoi masakrën e Baldushkut, ku vrau dy persona dhe ne gjashtë të tjerëve na dënoi me 115 vite burg. Në atë moment më arrestuan, pra në datën 10 dhjetor.

    Pse duhet ta inskenonte hetuesi Bengasi ngjarjen?

    Ngordhja e lopëve në Baldushk ishte një rastësi që e ndihmoi shumë karrierën e Dilaver Bengasit dhe ruajti kokën e Manush Myftiut e ca të tjerëve. Nga sa morëm vesh më vonë, këta dy persona kishin kohë që silleshin vërdallë nëpër Baldushk, teksa po hetonin rreth një letre që i kishte shkuar Enver Hoxhës, ku ndër të tjera i shkruhej: “Do të hash koqen e ullirit.” Në fakt, kur është mbyllur dosja, mora vesh për ekzistencën e asaj letre. As ia kam idenë nëse edhe kjo letër ka qenë e vërtetë, apo edhe ajo ishte e sajuar. Por di të them që për atë letër fantazmë që nuk u shfaq asgjëkundi, u pushkatuan dy personat Rifat Daja dhe Nuri Allmuça. Për “përligjien” e asaj letre, hetuesve, më së shumti Dilaver Bengasit, i duhej të vriste këta persona, i duhej një grupazh, një sabotazh. Se veç për një letër anonime nuk mund të pushkatonte dot, nuk kishte nen. Kështu që, kur ngordhën lopët, u hap drita jeshile për ekzekutimet. Neni i sabotazhit ekonomik ishte përdorur edhe për pushkatime të tjera, si:në Librazhd, në Krumë të Kukësit etj, pra kishte dhënë prova që funksiononte. Dhe kur lopët e Baldushkut nisën të ngordhnin, hetuesit dhe Sigurimi i Shtetit krijoi organizatën kriminale të Baldushkut. Mbase organizata më qesharake, pasi dolëm si terroristë që po shembnim komunizmim duke helmuar lopët. “Organizatë” që nuk ka ekzistuar kurrë, por që është krijuar në repartin 313, në Tiranë, për llogari të Dilaver Bengasit. Me ato pushkatime që bëri dhe me 115 vitet tona të burgut, Bengasi u ngrit më pas në karrierë.

    Kush u arrestua bashkë me ju?

    Përgjegjësi i sektorit Kiço Nikolla, veterineri Pëllumb Rama dhe punonjësi i fermentimit të ushqimit, që quhej Selman Balla. Bashkë me mua, Agim Akcanin, ishim katërshja e parë e arrestuar.

    A i njihnit personat me të cilët u akuzuat për bashkëfajësi?

    Një pjesë i njihja, sepse ishim punësonjës të së njëjtës brigadë apo nga i njëjti fshat. Por për shembull, ata dy persona që janë ekzekutuar Rifat Dala dhe Nuri Allmuça, nuk i njihja aspak. Ua kam marrë vesh emrin në hetuesi. Njëri prej tyre ishte nga fshati Mumajes dhe tjetri nga një fshat tjetër që s’po më kujtohet emri tani. Asnjëherë në jetë nuk pata lidhje me ata, nuk i pata takuar kurrë.

    Sa ka qenë numri i saktë lopëve të ngordhura?

    Nuk e di, lashë dy lopë të therrura në momentin e arrestimit. Më vonë kam marrë vesh se kanë qenë 98 lopë, por besoj se edhe shifrat nuk rakordojnë. Megjithatë, pak prej tyre ngordhën, se shumica u therrën.

    A u përdor mishi i lopëve të therrura?

    Po. Ky fakt madje është deklaruar edhe në sallën e gjyqit, që mishi është konsumuar i tëri. Madje edhe janë mbledhur para nga shitja e mishit.

    E keni idenë sa lekë ishin blerë ato lopë?

    Jo, nuk e kam idenë, sepse ato lopë unë i kam gjetur atje. Por ishin racë holandeze. Lopë shumë të mira.

    A u helmuan ato lopë, nga se ngordhën?

    Këto lopë janë helmuar. E sigurtë. Edhe pse kanë kaluar 38 vjet, jam i sigurtë që origjina e helmimit të tyre ishte mykologjike. Që do të thotë helmim nga ushqimi i pakujdesshëm. Ishte pra një helmim aksidental, por asnjëherë i qëllimshëm. Gjithçka tjetër ka qenë inskenim nga hetuesit.

    Ju thoni helmim aksidental, por hetuesi i çështjes, Dilaver Bengasi ka deklaruar se jo vetëm ushqimi, por edhe uji ishte i përzier me zhivë madje…

    Po të ishte përzier zhivë me ujin apo ushqimin, atëherë të parët që duhet të kishin ngordhur, duhet të ishin mëshqerrat e viçat e vegjël. Pse nuk ngordhën ato? Apo lopë të tjera? Të gjitha pinë ujë… Kanë ngordhur vetëm ato rekorde qumështi që hëngrën nga ushqimi i fermentuar dhe ndohedhin te stalla nr 1. Pastaj u provua që helmimi ishte me origjinë mykologjike, pasi sa filluan t’u japin nga i njëjti ushqim edhe lopëve te stalla nr.2, nisën të shfaqnin të njëjtat shenja. Lëre pastaj që, ku të gjeje një sasi aq të madhe zhive për helmim? Zhiva gjendej veç në termometra dhe termometër mezi kishte një a dy në të gjithë fshatin.

    Ç’ishte ky ushqim i fermentuar, nga erdhi?

    Dy apo 3 ditë përpara, nga magazinat e kooperativës “Mustafa Koçi” na erdhën 625 kilogramë grurë, me një fletë transporti me grurë që e mbaj mend edhe sot e kësaj dite, pasi e kam firmosur vetë për ta marrë në dorëzim. M’u duk në rregull në pamje të parë, por më vonë rezultoi se kishte qenë grurë fare. Jam i sigurtë se lopët ngordhën pikërisht nga konsumimi i këtij lloj gruri. Ato që e hëngrën atë, ato patën probleme(fara dezinfektohej me helme para mbjelljes).

    A është e vërtetë që urdhëruat të shtohej ushqimi dhe t’u jepej ujë, edhe pse lopët nisën të shfaqnin shenjat e sëmundjes?

    Unë kam dhënë urdhër që t’u jepej ushqim e ujë, sepse nuk e dija që pikërisht ushqimi ishte problemi. Mendoja se kafshët duhet të hanin që të rimerrnin forcat. Unë isha brigadieri dhe jo veterineri.
    Megjithatë, në dëshmitë e tij aktuale në media, Bengasi thotë se një vajzë 18 vjeçe, kandidate partie i është ofruar atij për t’i treguar diçka: “Brigadieri që jepte urdhër të hanin ishte Agim Akçani, ndërsa përpunuesi i ushqimit ishte Selman Balla. Po kështu, në këtë rreth të këtyre personave, që unë krijova një bindje të fortë se ishin shkaktarët e parë të asaj tragjedia, ishte dhe një mjelëse e quajtur Nadire Shima”.

    Për kë e ka fjalën Bengasi, cila është kjo vajzë 18-vjeçare?

    Është alibi e tij. Në kompleksin blegtoral nuk kishte ndonjë kandidate partie që na paskësh ndjekur nga afër se çfarë kishte ndodhur brenda stallës dhe nga ana tjetër, unë i njihja të gjitha vajzat e Baldushkut se cila ishte kandidate partie. Asnjëra 18-vjeçare! Është shpikje e Bengasit, ashtu siç shpiku të gjithë historinë kriminale. E kam ndjekur me vëmendje rrëfimin e tij në media dhe se si ngatërrohet ai në rrëfim, qoftë me historinë, qoftë me personazhet. Se, ngaqë nuk ka qenë ngjarje reale, por e sajuar, nuk i mban dot mend as gënjeshtrat e tij. Vajza 18-vjeçare ishte krijesa e tij imagjinare dhe emri i saj nuk figuron asgjëkund, në asnjë lloj dokumenti.

    Emri:  AgimAkcaniGjyq.jpg

Shikime: 2584

Madhësia:  70.6 KB
    AGIM AKCANI NË GJYQ MES DY POLICËVE

    Për “lopët e Baldushkut” u arrestuan edhe shumë të tjerë, me dhjetra, ndër ta edhe kryeveterineri i kooperativës Kiço Nikolla apo veterineri i saj Pëllumb Rama. Pse ata u lanë të lirë dhe ju jo? Pse do t’ju mbanin në burg, nëse nuk e kishit kryer helmimin?

    Pas arrestimit, mendimi im i parë ishte se lopët kishin ngordhur nga pakujdesia dhe pa ndonjë dënim nuk do të dilnim jashtë. Edhe helmimi aksidental normalisht do të kishte dënimin e tij dhe isha dakord në njëfarë mënyre. Por asnjëherë nuk më shkoi mendja se te reparti 313 do të sajohej “organizata kriminale” kundër pushtetit popullor, agjitacion e propaganda, minimi i pushtetit popullor, akte diversione, etj, por kjo ndodhi. Dhe Sigurimi i Shtetit për të përligjur atë që ne nuk mbajmë njerëz të pafajshëm nëpër burgje, nxorrën jashtë ata që kishin biografinë e pastër. Ne të tjerëve që na gjetën ndonjë “cen” biografie, na mbajtën. Por ka edhe diçka tjetër. Ata që dolën jashtë, siç duket, kishin bërë edhe kompromise. Ishin dorëzuar para dhunës së hetuesve dhe kishin firmosur të tjera gjëra. Një ndër ta ishte edhe Pëllumb Rama. Ky person, pas dy muajsh e pak në hetuesi, doli dhe u bë deputet i Kuvendit Popullor. Ka qenë në parlament deri në vitin 1991 si kandidat i Partisë së Punës.

    Po aludoni se Pëllumb Rama ka dalë dëshmitar kundër jush?

    Ashtu besoj. Ndër të gjithë personat e arrestuar, personin që njihja vërtet dhe e kisha mik ishte pikërisht Pëllumb Rama. Sepse ai ishte edhe është bashkëshorti i vajzës së dajës tim. Kam folur me atë më vonë, por ai është në krahun e hetuesit Bengasi. Normalisht se ka arsyet e tij, si i përfshirë në këtë çështje… Megjithatë asnjë nga personat e arrestuar nuk mendoj se me dëshmitë e tyre kanë ndikuar për mirë apo për keq në dënimin tim. Gjatë kohës së hetuesisë dhe gjatë burgut kam mësuar që Sigurimi i Shtetit, nëse kërkonte të inkriminonte dikë, “me” apo “pa” deklarata do ta bënte gjithsesi. Nën presion e torturë çfarë nuk bën njeriu. Edhe Pëllumbi varet se në çfarë gjendje ka qenë, mbase nuk e ka përballuar dot hetuesinë.

    Keni aktualisht komunikim me të?

    Jeta na ka dhënë drejtime të ndryshme. Më mirë kështu.

    Emri:  dilaver-bengasi.jpg

Shikime: 1377

Madhësia:  77.2 KB
    Ish-hetuesi i regjimit komunist Dilaver Bengasi

    A jeni ballafaquar në qeli me Pëllumb Ramën apo me persona të tjerë të arrestuar për të njëjtën akuzë?

    Çfarë ballafaqimi? As që bëhet fjalë…

    Por Bengasi thotë që ju ka ballafaquar në qeli me Selman Ballën dhe Nadire Shimën. Sipas tij, sapo ai ka kthyer kurrizin, ju i keni vënë dorën te goja Selman Ballës, duke i bërë me shenjë “mosss”, d.m.th.: “Mos trego, mos fol!” Po ashtu edhe Nadire Shimës…. Unë për Nadire Shimen e kam marrë vesh pas 8 muajsh që ishte arrestuar edhe ajo. As nuk dija gjë fare. As me Selman Ballën nuk jam ballafaquar, a nuk e kuptoni që Bengasi flet përralla?! Unë as nuk e di se si ka guximin të dalë publikisht, kur i ka duart me gjak. Gjithë atë gjak njerëzish.

    Asgjëkundi nuk jeni përballur me anëtarët e grupit prej 8 vetësh?

    Ka ndodhur përballja, por jo ballafaqim dhe për më tepër jo me personat për të cilët flet Bengasi. Përballja ka qenë me Rifat Dajën, atë që më pas u dënua me pushkatim. Atë ma sollën te qelia dhe kur më pa, Rifat Daja u tha hetuesve: “Akoma e keni këtu këtë?!” Dhe i pa gjithë çudi. Menjëherë e nxorrën nga dhoma. Pas disa kohësh, ma sollën sërish. Ishte i mbaruar. Gjithë shenja dhune dhe sytë i kishte si të perënduar. Njëzet kile njeri ishte katandisur. Kufomë e gjallë. Hetuesi i tij ishte Kosta Gazeli. Pasi erdhi herën e dytë, Rifat Daja tha: “Unë me këtë njeri kam bashkëpunuar, kam kryer aktin e diversionit, etj”. U përpoq që të recitonte atë që i kishte shkruar hetuesi, por stononte. Sepse kur nuk e ke kryer një akt, as nuk di ta thuash, ta tregosh. Po sforcohej. E kuptova çfarë kishte ndodhur. Më vjen shumë keq që Rifat Daja dhe Nuri Allmuça u pushkatuan, edhe sot e kësaj dite i çoj shpesh në mendje. U vranë nga dora e Dilaver Bengasit.

    Ndryshe deklaron Bengasi, ai thekson që nuk ka qenë dakord me ekzekutimet. “Në ngjarjen e Baldushkut unë drejtova hetimet dhe zbardha të tërë ngjarjen, ndërsa gjykata dhe prokuroria konkluduan rezultanten e vendimit, pra ekzekutimet apo burgimet”,- thotë ai. A nuk ishte kështu, që pretendoni të kundërtën?

    Po citoj thëniet e Dilaver Bengasit, thënë personit tim ballë për ballë: “Gjykatat janë formale, ato legalizojnë vendimet tona. Kostumi juaj është i prerë, dy vetë do të ikin nga kjo botë…” Më njeri “i sinqertë” nuk bëhej: dy vetë u pushkatuan dhe fati i tyre ishte vendosur që para se të arrestoheshin. Dhe në fletën e vendimit për pushkatim gjendet “sa një derr” firma e Dilaver Bengasit. Çfarë ka për të thënë për këtë firmë Bengasi? ….


    (vijon)

    Akuza dhe dënimi
    Pas hetimeve të nisura më 10 nëntor 1975 për ngordhjen e lopëve, u publikua akt-akuza e formuluar më 7 dhjetor 1976 mbi grupin e arrestuar, me këto pika:
    - Kanë marrë pjesë në organizatë kriminale kundër pushtetit popullor.
    - Kanë zhvilluar agjitacion e propagandë, me qëllim minimin e pushtetit popullor dhe kanë kryer aktin e diversionit duke i shkaktuar një dëm ekonomisë socialiste në shumën 359.983.80 lekë
    - Krime këto të parashikuara nga neni 70 dhe 73/1 në kombinim me nenin 76 të kodit penal”
    Çështja u gjykua fillimisht në Gjykatën Popullore të Tiranës. Procesi i gjykimit ka filluar më 24 deri në 27 janar për të përfunduar më 31 janar 1977 me vendimin përkatës:
    1.- Rifat Daja, i vitlindjes 1949, ndihmës mjek, (vëllai i Latif Dajës) dënuar me vdekje me pushkatim, në vitin 1976. (Familjarët nuk e kanë gjetur varrin as sot).
    2.- Nuri Allmuça, i vitlindjes 1939, infermier, dënuar me vdekje me pushkatim në vitin 1976. (Familjarët nuk e kanë gjetur varrin as sot).
    3.- Selman Balla, i vitlindjes 1944, përpunuesi i ushqimit, dënuar me 22 vjet burg. Ka vdekur.
    4.- Bashkim Allmuça, i vitlindjes 1918, arsimtar me shkollë të mesme, dënuar me 18 vjet burg. Ka vdekur.
    5.- Agim Akcani, i vitlindjes 1953, brigadier, dënuar me 21 vjet burg. Rron.
    6.- Emine Shima, e vitlindjes 1955 (mami), dënuar me 15 vjet burg. Vdiq në burg.
    7.- Nadire Shima, e vitlindjes 1952, mjelësja e lopëve, e motra e Emines, punëtore, dënuar me 14 vjet burg. Rron.
    8.- Latif Daja, ish-përgjegjës i sektorit, në momentin e arrestimit ishte punëtor. U dënua me 25 vjet burg. Rron.

    Emri:  Rifat-Daja.jpg

Shikime: 1401

Madhësia:  67.2 KB

    Panorama
    Ndryshuar për herë të fundit nga Albo : 11-07-2013 më 11:16

  2. #2
    Shpirt Shqiptari Maska e Albo
    Anëtarësuar
    16-04-2002
    Vendndodhja
    Philadelphia
    Postime
    30,122
    Postimet në Bllog
    17

    Për: Flet ish-i dënuari: “Helmimi i lopëve në Baldushk, dy të pushkatuar e 115 vite b

    Dënimi për lopët, fjalët e fundit të të dënuarve para pushkatimit

    Flet Agim Akcani, ish-i dënuar për ngjarjen e Baldushkut më 1975.

    Dënimi për lopët, fjalët e fundit të Dajës e Allmuçës, para pushkatimit në Linzë.

    Ish-i burgosuri politik tregon për gjyqin ku u dhanë dy ekzekutime dhe 115 vite burg, detajet nga salla.

    Akcani: Bengasi të tregojë varret e dy viktimave në Tunelin e Linzës.

    “Hetuesit mund t’i vrisja me pagesë për 200 mijë lireta”


    Emri:  agim-akcani.jpg

Shikime: 1484

Madhësia:  79.2 KB
    Foto e Agim Akcanit sot

    Rifat Daja, Nuri Allmuça, Selman Balla, Bashkim Allmuça, Agim Akçani, Emine Shima, Nadire Shima, Latif Daja. Këta persona u quajtën anëtarë të “grupit sabotator të Baldushkut”.
    Siç konkluduan hetuesit e çështjes, këta tetë fshatarë të zonës morën pjesë në organizatë kriminale kundër pushtetit popullor, zhvilluan agjitacion e propagandë, me qëllim minimin e pushtetit popullor, si dhe kryen aktin e diversionit duke i shkaktuar një dëm ekonomisë socialiste në shumën 359.983.80 lekë. Të gjitha akuzat u ngritën pas ngordhjes së 98 lopëve të racës holandeze (shumica u therrën për mish), për të cilat u pretendua se janë helmuar me zhivë e lëndë të tjera toksike. Për këtë tragjedi ka folur kohët e fundit në media edhe një nga hetuesit e këtij “grupi sabotatorësh”, Dilaver Bengasi. Asokohe ai ishte hetues i Krimit Ekonomik, por edhe aktualisht ai përligj “sabotatorët” si realë, ashtu si edhe ngjarjen. Megjithatë, ai ka deklaruar se nuk ka qenë dakord me pushkatimet e dy prej të akuzuarve, siç ishin: ndihmësmjeku Rifat Daja dhe infermieri Nuri Allmuça. Që të dy u vranë diku nëpër Shqipëri, por që edhe sot e kësaj dite nuk u dihet varri. Hetuesi dhe formuluesi i akuzës distancohet nga pushkatimi, duke thënë se vendimi ishte i Gjykatës, por Agim Akcani verifikoi për gazetën “Panorama” firmën e Bengasit mbi dokumentin e ekzekutimit të Dajës dhe Allmuçës. Agim Akcani ishte 21 vjeç kur u dënua me 21 vite burg. Ky person është ndër 3 ish-të dënuarit politikë të mbijetuar nga ngjarja e vitit 1975, kur u firmosën pushkatimet e Dajës e Allmuçës, si dhe gjashtë persona të tjerë iu dhanë 115 vite burg gjithsej. Ja çfarë rrëfen ai në numrin e tretë të intervistës për gazetën “Panorama”…

    Si ishte dhoma, qelia, ku qëndronit ju te hetuesia?

    Gjatë gjithë kohës së hetuesi, për një vit kam qëndruar te 313, vetëm kam ndërruar katin. Njëherë te i pari dhe pastaj te i dyti. Siç thashë, kam qëndruar dyshe në qeli, me 3 të arrestuar të ndryshëm. Dhoma ishte 1 e gjysëm me 2 e gjysëm. Atje kishte batanije dhe dërrasë. Një pagure gjysëmliëtërshe dhe njëra ishte me ujë, tjetra duhej për të urinuar. Edhe atje kishte diferencime. Këtë paguren edhe mund ta mbushje “me ujë trupi” se ishim dy veta. Nëse të kishte “për zemër” hetuesi, ai të nxirrte edhe para kohe në banjo. Përndryshe…

    Ishte me orar ikja në tualet?

    Po, vetëm dy herë në ditë. Me orar. Ndonjëherë as në tualet nuk arrinim të shkonim, sepse mund të kishim një tjetër orar: atë të rrahjes nga hetuesit. Kështu që kur ktheheshim nga dajaku e paguaja ishte mbushur plot, detyroheshim të uronim mbi dërrasën te dhoma…

    Po ushqimi?

    Ushqimi ishte tre herë në ditë. Por ashtu si me urinimin, e njëjta gjë ndodhte edhe me ushqimin. E bënin kastile që kur vinte orari për të marrë ushqimin, pak minuta para na merrte hetuesi te dhoma e dajakut. Këto ishin metoda të rrënimit psikologjik.

    Po dushi?

    Mos ma kujto. Ujin e ngrohtë nuk e pashë asnjëherë me sy për asnjë vit. Dushi më i shpeshtë ishte kovat me ujë surratit për t’u përmendur pas dajakut të hetuesve…

    E kishit idenë e kohës gjatë kohës së qëndrimit në hetuesi, si orientoheshit për datën, muajin?

    Në mëngjes na nxirrnin për ajrosje, ky ishte i vetmi moment që mund të ftillohesha sadopak se çfarë po ndodhte, kisha humbur nocionin e kohës. Te 313 ka patur dikur ca plepa që sot nuk janë më. Atje mësonim se çfarë muaji mund të ishte. Sepse shikonim sythet, pastaj lëshoheshin gjethet, pastaj nisën të zverdhen, derisa ranë. Nuk kuptohej qartë muaji, por të paktën e kuptoja se çfarë stine ishte. Shpesh përpiqesha që të kuptoja datën apo muajin nëpërmjet shkresave që na sillnin për firmosje, por çuditëriasht atje gjithnjë mungonin ato. Ishte vendi bosh. Siç duket kjo ishte taktikë e hetuesve për të humbur kujtesën dhe mendjen e të burgosurve.

    Pas përfundimit të hetimeve u paraqitët në gjyq. Shkuat si grup me të njëjtën makinë, apo veçmas?

    Personalisht kam shkuar veçmas, por besoj edhe për të tjerët njësoj ka qenë. Jo me autoburg, por makinë nga ato të policisë a ushtrisë.

    Çfarë kujtoni nga gjyqi?

    Është e çuditshme. Mbaj mend me detaje çdo gjë nga jeta ime, por gjyqin e mbaj mend shumë të mjegullt. Nuk e di pse, por besoj ngaqë kishim rënë shumë fizikisht dhe moralisht. Isha në një pikë që mendoja më mirë i vdekur, se sa i gjallë. Hetuesia më kishte lodhur aq shumë, saqë thoja më mirë të vdes, se sa të jetoj më nën tortura.

    Emri:  Agim-Akcani-dhe-i-v%C3%ABllai-n%C3%AB-vitet-%E2%80%9870.jpg

Shikime: 1701

Madhësia:  66.2 KB
    Agim Akcani me te vellane ne vitet 70

    Ishit i gjithë grupi në gjyq?

    Nuk e di pse mungonte vetëm njëri nga ne të grupit. Madje ai që Sigurimi i Shtetit e quante kapobanda. Latif Daja, është vëllai i Rifat Dajës, i cili u pushkatua. Vetë Latifi u dënua me 25 vite burg.

    Pse me 25 vite burg, nëse ai ishte kapobanda?

    Nuk e di se çfarë ndodhi. Montimi i procesit dihet vetëm nga hetuesit. Nuk e kam idenë se pse, por vetëm kaq kam marrë vesh. Që Dilaver Bengasi kur ka takuar Latifin i ka thënë: “Nuk ka qenë yt vëlla për t’u pushkatuar, por ti.” Absurditete të dikaturës…

    U dënuat direkt pas një seance gjyqësore, apo shumë të tilla?

    Dënimi mund të jepej brenda një seance, por u bënë shumë. Nuk e mbaj mend egzaktësisht numrin e tyre. Këta kishin një stil: për të përligjur organizatën kriminale, e bënin edhe procesin si me të madh, me shumë seanca, si për të treguar se ja, po zbulojmë armiqtë, po i godasim me prova e dëshmi.

    A jeni pyetur gjatë këtyre seancave?

    Nuk ua mbante të bënin pyetje, sepse kishin hall se mos përgjigjeshim për të vërtetën. Procesi ishte një mal me gënjeshtra dhe nëse ripyeteshim, atëherë do të dukej haptaz e qartaz montimi i dosjes fantazmë. Do të dilte e vërteta që ne do të dënoheshim të pafajshëm. Secili nga ne kishte polic për krahësh dhe ngriheshim e uleshim me urdhër. Nën mbikëqyrje maksimale.

    A kanë qenë prezentë hetuesit gjatë proceseve gjyqësore në sallë?

    Sigurisht që po. Kanë qenë këta hetues: Dilaver Bengasi, Dino Leli, Kosta Gazeli, Fari Kraja, Koço Josifi, Kadri Ismailati, Bujar Jezelxhiu. Këta persona i shoh çdo ditë, edhe sot. Edhe tani që po flasim. Më përndjek akoma mizoria e tyre.

    A janë gjallë aktualisht këta ish-hetues dhe a keni marrë guximin të takoni ndonjërin pas lirimit nga burgu, apo edhe ditët e sotshme?

    Me sa di unë, gjallë janë përveç hetuesit Bujar Jezelxhiut. Nuk kam marrë guximin t’i takoj, sepse me këta persona ka dy rrugë: Ose u flitet dhe “u flitet mirë”, ose injorohen. Ata janë kriminelë dhe në rast se do të zgjidhja rrugën e parë, duhet që t’i vrisja. Po ju tregoj diçka: Më janë ofruar njerëz që për 200 mijë lireta ishin gati t’i vrisnin një e nga një. Ndonjë edhe më pak. Në fillim të demokracisë 200 mijë lireta ishin shumë dhe unë i kisha, sepse isha ndër të parët që emigrova në Itali. Kisha shumë e shumë më tepër, mund të vrisja dhjetëra persekutorë me anë të vrasësve me pagesë. Si unë mund të kishin vepruar edhe shumë të tjerë ish-të burgosur politikë, por jemi përmbajtur. Unë jam përmbajtur. Po t’i vrisja, do të bëhesha dhe unë kriminel. Unë nuk isha i tillë, nuk jam i tillë. Tashmë kam një familje të mrekullueshme. Kam një vajzë që nuk dua të ketë një baba kriminel, por një baba fisnik, që di të falë e të shohë jetën përpara. Unë kam bërë burg politik, por nëse do të bëja burg kriminelësh nuk besoj se vajza ime do të ishte aq krenare për mua. Emrat që përmenda më sipër, sa i sheh të detyrojnë të bëjnë krim, por është mirë t’u rrish larg, të ikësh vrap. Janë këta hetues që pushkatuan dy njerëz dhe dhanë dënim një shekull e gjysmë burg për ne të tjerët. Personalisht më dënuan 21 vjet burg.

    Si u ndjetë kur dëgjuat vendimin për 21 vite burg?

    Gjatë vuajtjeve në hetuesi, m’u duk si shpëtim ky dënim. Mësova realitetin ku jetoja, në një sistem që me gjithë mend që dënoheshin njerëz të pafajshëm.

    Po dy personave që iu shqiptua dënimi me vdekje, si reaguan?

    Nuk reaguan, ishin të mpirë. Nuk folën. Sepse pavarësisht se u shqiptua dënimi me vdekje, nuk mund të flisnim pa ua kërkuar. Kur ua kërkuan, atëherë folën. Për të qenë më i saktë, deklarimet e tyre janë në procesverbal, të cilën ju si gazetë e dispnoni tashmë…

    Kur e mësuat pushkatimin e tyre?

    Fati i tyre u duk që aty, u vulos. Ne të tjerëve na nxorrën dhe na çuan në kaush, ndërsa ata jo. Nuk i pashë kurrë më që pas daljes nga gjyqi dhe më vonë mësova nga shokët e Spaçit që ishin ekzekutuar.
    Bengasi nuk ka pranuar në asnjë moment se ju ka dënuar ju apo se ka pushkatuar dy të tjerët nga grupi. Ai thotë se ishte thjesht hetuesi, gjykata vendosi…
    Unë kam qenë i pandehuri i tij dhe di kaq: Se ai është ideatori dhe ekzekutori i këtij akti kriminal për mua dhe të tjerët. Ka dënuar njerëz të pafajshëm, me qindra. Nëse ka ndonjëherë drejtësi, edhe 90 vjeç, edhe 100, edhe në prag të vdekjes ai duhet të dënohet siç dënoheshin e dënohen dhe sot kriminelët nazistë. Bengasi di jo vetëm Baldshkun, por edhe për tunelet e Linzës ku ndodhet Rifati dhe Nuriu. Di edhe për Malin me Gropa, Kodrën e Priftit, Urën e Beshirit dhe në fund, siluetën e tij e kam parë në 2 korrikun e Ambasadave. Është mirë t’u thotë ndonjë fjalë familjarëve, se ka nëna që kërkojnë akoma bijtë e tyre, djemtë kërkojnë baballarët. Bengasi duhet të tregojë varret pa emër, por edhe për varret që nuk kanë asnjë shenjë. Ai ua di varret dhjetra të pushkatuarve, ndaj duhet t’i tregojë se ku ndodhen ato, që familjarët të paktën t’u gjejnë kockat, që të kenë një vend ku t’i qajnë.

    Mendoni se ai e di se ku është varri i Rifat Dajës dhe Nuri Allmuçës?

    Normalisht që i di, Bengasi ka hedhur firmën e tij sa një derr mbi fletë.

    Shpesh të burgosurit tentonin që t’i shkruanin letër sqarimi apo kërkesë për falje Enver Hoxhës. A tentuat edhe ju t’i shkruanit, duke qenë se ndiheshit i pafajshëm?

    Jo. Unë para se të arrestohesha, e dija shumë të mirë sistemin e komunizmit dhe sidomos Enver Hoxhën. Javët e para në hetuesi akoma mendoja se “hëëëë, se akoma nuk e ka marrë vesh Enver Hoxha, se ai është babaxhan, se po ta dijë ai – nuk lejon nga këto gjëra që të pafajshmit të rrinë nëpër burgje”. E fantazi të tjera si këto, mendoja plot. Muaj pas muaji kuptova se komunizmi, Enveri dhe diktatura janë një dhe e vetme. Dukej qartë që edhe hetuesia kishte një udhëzim për çdo çështje. Kuptova që sistemi i komunizmit jetonte me të burgosurit, ata nuk paguheshin, ishin njerëz pa vlerë, skllevër për të mbajtur në këmbë pushtetin. Sigurimi i Shtetit, hetuesi e gjithë aparati shtetëror ishte produkt i Enver Hoxhës. Ai ishte kryekrimineli dhe këta pjella të tij.

    Ku ju çuan pas dënimit?

    Pasi më komunikuan vendimin, më kthyen edhe njëherë në hetuesi. Më mori Kadri Ismailati. Nëndrejtor i drejtorisë së Tiranës, bashkë me lakejtë e tij. Sikur po më merrte me të mira, më tha: “Partia është si nëna, me njërën dorë të hedh dhe me tjetrën të pret. Këto 21 vite burg, kjo nënë t’i bën edhe 21 ditë, në rast se do të sillesh mirë. E ke në dorë ti. Ndryshe do të jesh për 21 vite në galerinë nr.7, në Spac…” Ishte përpjekje për rekrutim, për t’u bërë bashkëpunëtor i tyre. Unë kujtova se me marrjen e dënimit do t’i shpëtoja drurit, por aty jam rrahur paq për herë të fundit. Sepse unë u thashë: “Kjo lloj nëne që të jep 21 vjet burg duke qenë i pafajshëm, kjo nuk është nënë, por kurvë…” Aty m’u lëshuan në grushta e shkelma dhe çfarë gjetën në dhomën e hetuesisë, derisa më lanë shakull pa ndjenja. Kadri Ismailati, dora vetë, më ka rrahur herën e fundit në burgjet e diktaturës, pastaj nuk jam prekur më me dorë. Shpëtova nga druri. Më çuan në kaush, ngjitur me burgun 313.

    vijon…

    Kërkesa për falje dhe ekzekutimi
    . Më 19 shkurt 1977, Gjykata e Lartë la në fuqi vendimin e Gjykatës së Shkallës së Parë. Në përfundim Presidiumi i Kuvendit Popullor refuzoi faljen e jetëve të dy të dënuarve të cilët janë ekzekutuar me vdekje me pushkatim.

    . Më 25 shkurt, sekretari i Presidiumit të Kuvendit Popullor, Telo Mezini, njoftonte Drejtorinë e Zbatim Vendimeve Penale në Ministrinë e Punëve të Brendshme se ky organ kishte refuzuar t’u falte jetën të dënuarve me vdekje Preng Pal Qafa, Haki Murat Veizaj, Rifat Daja dhe Nuri Allmuça duke kërkuar kësisoj zbatimin e vendimeve.

    . Një ditë më vonë, ministri i Punëve të Brendshme urdhëron Drejtorinë e Punëve të Brendshme dhe Prokurorinë e Tiranës që të dënuarit e procesit të Baldushkut të ekzekutoheshin me vdekje më 26 shkurt 1977, ora 24:00 në “Vendin e Caktuar”.

    Emri:  Fjal%C3%ABt-e-fundit-t%C3%AB-tyre-para-ekzekutimit-Faksimile-e-pushkatimit-t%C3%AB-Rifat-Daj%C3%.jpg

Shikime: 1975

Madhësia:  70.6 KB

    Procesverbali i ekzekutimit
    Republika Popullore Socialiste e Shqipërisë
    Ministria e Punëve të Brendshme
    Drejtoria e Punëve të Brendshme
    Dega e hetuesisë… Nr 856/1

    Tiranë, më 2.3.1977

    Ministrisë së Punëve të Brendshme
    Drejtorisë së Hetuesisë

    Në lidhje me nr.41.3, datë 26.2.1977
    Bashkangjitur ju dërgojmë procesverbalin me dy kopje mbi ekzekutimin me vdekje e pushkatim të të dënuarve Refat Daja dhe Nuri Allmuça
    Firmosur: Drejtori i Punëve të Brendshme/ Nysret Dautaj

    Procesverbal
    I mbajtur më datën 26.2.1977, ora 24.00, mbi ekzekutimin e vendimit të Gjykatës së rrethit Tiranë, nr 39 që bën fjalë për dënimin me vdekje e pushkatim të të dënuarit Refat Sali Daja, i datëlindjes 1949, lindur në fshatin Mustafakecaj të rrethit Tiranë dhe i të dënuarit Nuri Iljaz Allmuça, i datëlindjes 1933, lindur në fshatin Mumajes të rrethit Tiranë, vendim ky i lënë në fuqi nga Gjykata e Lartë e R.P.S Shqipërisë, me vendim nr.51, datë 19.2.1977 dhe nga Presidiumi i Kuvendit Popullor me shkresën nr.211/1, datë 25.2.1977, ka refuzuar kërkesën për faljen e jetës të dy të dënuarve. Në bazë të urdhrit të Ministrit të Punëve të Brendshme nr.41/3, datë 26.2.1977, në vendin e caktuar, mbasi Prokurori i rrethit i ngarkuar për të asistuar në zbatimin e ekzekutimit të këtij vendimi i njoftoi të dënuarit se kërkesa e tyre drejtuar Presidiumit të Kuvendit Popullor për faljen e jetës u qe refuzuar, ata fjalën e tyre të fundit thanë:

    I dënuari Refati Daja:
    -Nuk kam bërë asgjë. Për aktin e helmimit të lopëve nuk kam dijeni. Unë vdes i bindur se për një vit apo dy vjet, do të dalë e vërteta dhe do të vërtetohet se unë nuk kam bërë asgjë. Mbasi të dalë kjo, kërkoj që familjes sime t’i hiqet njolla si familje tradhtarësh.
    -Armiku i klasës e bëri punën e vet.
    -Të rrojë Partia dhe shoku Enver. U lulëzoftë Shqipëria Socialiste.

    I dënuari Nuri Allmuça:
    -Nuk kam bërë asgjë. Për helmimin e lopëve nuk kam dijeni.
    Unë pranova fajin dhe mora përsipër helmimin e lopëve.
    Më mashtruan në hetuesi.
    Fëmijët e mi t’i mbrojë Partia
    Të rrojë Partia dhe shoku Enver.

    Konform rregullave, në vendin e ekzekutimit ishte skuadra ekzekutuese, e cila kreu ekzekutimin me pushkatim. Mjeku Bujar Shkaba kontrolloi kufomat dhe mbasi konstatoi vdekjen e tyre, urdhëroi varrimin e tyre.
    Përsa më sipër u përpilua ky procesverbal me tre kopje, dy i dërgohen Ministrisë së Punëve të Brendshme (drejtorisë së hetuesisë) dhe tjetra ngelet në drejtorisë e Punëve të Brendshme.
    Firmosur nga: Prokurori Andon Çerepi, Sali Bundo, Zija Çela, hetuesi Dilaver Bengasi dhe mjeku Bujar Shkaba
    Ndryshuar për herë të fundit nga Albo : 11-07-2013 më 11:14

  3. #3
    Shpirt Shqiptari Maska e Albo
    Anëtarësuar
    16-04-2002
    Vendndodhja
    Philadelphia
    Postime
    30,122
    Postimet në Bllog
    17

    Për: Flet ish-i dënuari: “Helmimi i lopëve në Baldushk, dy të pushkatuar e 115 vite b

    Ngjarja e 1975, rrëfehet ish-i dënuari: “Si u çnderuan dy motrat e Baldushkut pas akuzave të Sigurimit për imoralitet”

    Flet Agim Akcani, ish-i dënuar për ngjarjen e Baldushkut më 1975.

    “Si u çnderuan dy motrat e Baldushkut, akuzat për lidhje intime me 6 meshkuj”

    Njëra nga motrat vdiq në burg. Sigurimi përdorte femrat sipas parullës: Degjenerimi moral çon në degjenerim politik.

    Ish-i burgosuri politik tregon emrat e hetuesve që e torturuan për vdekje.

    “Hetuesi la nusen natën e martesës për të më rrahur”

    Akcani: Erdhi në dy të natës, më goditi derisa më la pa ndjenja.


    Agim Akcani u mbyll në qelitë e hetuesisë në moshën 21-vjeçare. Pas një viti torturash për të pranuar atë që nuk e kishte bërë, u dënua me burg me të njëjtën shifër të moshës sa ishte, 21 vite. Aktualisht Agimi Hakcani është ndër 3 ish-të dënuarit politik të mbijetuar nga ngjarja e vitit 1975, kur u firmosën dy pushkatime dhe gjashtë persona të tjerë iu dhanë 115 vite burg gjithsej.

    U quajtën sabotatorë të sistemit ekonomik, për shkak se “helmuan me dashje” 98 lopë të racës holandeze në Baldushk të Tiranës. Historia bëri shumë bujë asokohe dhe mbahet mend edhe sot e kësaj dite, por edhe nëse u harrua – një nga hetuesit e kësaj çështjeje, Dilaver Bengasi, e riktheu ngjarjen në media me pretendimin se gjithçka është e vërtetë. Deklarimet e tij kanë irritur jashtë mase viktimat e tij, ndër ta edhe Agim Akcanin. Në pjesën e parë të intervistës ai tregoi fillin e ngjarjes, por vijimi i sotshëm është më konkret. Ai citon emrat e hetuesve dhe të burgosurve, ndër ta edhe dy motra, njëra prej të cilave vdiq në burg…
    Gjatë hetimeve, deklaruat se Bengasi ju kërcënoi në qeli me fjalët: “Gjykatat janë formale, ato legalizojnë vendimet tona. Kostumi juaj është i prerë, dy vetë do të ikin nga kjo botë.” A nuk e menduat se njëri nga ata dy persona mund të ishit ju?
    Më pati thënë disa herë Bengasi që nuk je ti ai që duhesh pushkatuar, por me qëndrimin që po mban, do të zësh vendin e ndonjë tjetri.
    A e keni pranuar autorësinë e helmimit të lopëve, siç thotë Bengasi?
    Jemi torturuar që të gjithë, jemi reduktuar në kufoma. Çdo procesverbal është firmosur në mënyrë të dhunshme, të pavetëdijshme. Për një vit rresht nuk kam ditur datën, muajin, vitin. Nuk di se çfarë është firmosur nën torturë, apo në pavetëdijen time. Këto lojërat e firmave në gjendje kome janë histori të përsëritura në qelitë e hetuesisë.
    Bashkim Allmuça, arsimtar, e pranoi krimin e helmimit, duke treguar me detaje madje se ku e kishit gjetur zhivën…
    Ai ishte arsimtar i hequr nga puna, me shkollë të mesme. Nuk e kisha njohur kurrë dhe as jam përlasur ndonjëherë në hetuesi apo në kaush me atë. Ishte disa vite më i madh se unë, siç e mora vesh më vonë, nëpërmjet të dënuarve të tjerë. E vërteta është se ai u përdor keqas nga Sigurimi i Shtetit. Ai ka qenë kyç për të inskenuar tragjedinë e njerëzve të pafajshëm. Mjafton të lexosh dëshminë e tij, është qesharake.
    Hetuesi Bengasi në deklaratat e tij të fundit, edhe pas gati katër dekadash nga ngjarja, është i bindur akoma se helmimi i lopëve ishte i qëllimshëm, u realizua nga një person që organizoi një grup për këtë, vetëm ngaqë ishte ulur në detyrë. E quan kokëshkretë madje. E ka fjalën për ju me këtë epitet, apo për kë tjetër nga grupi juaj?
    E kam idenë për kë e ka fjalën. Nuk jam unë, sepse unë nuk kam patur ndonjëherë detyrë të lartë. Detyrë e ulët apo e lartë për mua ka qenë vetëm ajo e brigadierit. Sepse unë fill pas mbarimit të shkollës së Teknikumit në Shkodër për katër vjet, direkt nisa punë si brigadier i këtij kompleksi blegtoral.
    Por ndryshe mendon Bengasi, ai ka thënë se ju ishit me biografi të keqe dhe se kishit marrë poste “të rëndësishme” për të sabotuar ekonominë…
    Kisha një xhaxha të pushkatuar nga partia. Ekzekutimi i tij ishte bërë kur unë ende nuk kisha lindur, por që nuk na ishte treguar ndonjëherë në familje. Si fis nuk kishim patur ndonjëherë probleme biografie, pasi e dinim që xhaxhai ynë kishte vrarë një oficer, ndaj edhe ishte pushkatuar. Biografinë time e mora vesh në hetuesi. Të kishte qenë aq problem biografia, nuk do të isha emëruar menjëherë brigadier, ndërsa në fisin tim gjithashtu të afërmit ishin krejt në rregull, pa probleme.
    Hetimet e plota dhe gjyqi i bërë për grupin tuaj të të akuzuarve vërtetoi katërcipërisht organizimin prej tetë vetësh, dhe se kishit një program të plotë dhe ambicioz për të sabotuar dhe dëmtuar rëndë ekonominë e zonës. Çfarë ishte ky program?
    Absolutisht jo. Çfarë programi? Sigurimit të Shtetit i leverdiste të sajonte një organizatë kriminale. Ne, 8 persona fshatarë nga zona e Baldushkut, do të minonim pushtetin popullor duke ngordhur lopë!?… Mbi të tilla sajesa ngriheshin në detyrë hetuesit, prokurorët etj., duke bërë karrierë mbi “zbulimet e grupazheve” dhe ekzekutimet. Për të përligjur makabritet e tyre, p. sh. në Baldushk, pas ngjarjes, gjatë natës kishin çuar disa makina rreth e rrotull, duke hedhur dritat e prozhektorëve në një arë, sikur aty bëheshin mbledhje të armiqve të popullit, të sabotatorëve. U arrestuan gati 100 vetë me të tilla sajime.
    Në grupin e të arrestuarve dhe që u dënuan në grupin tuaj ishin edhe dy motra. Pse duhet të akuzoheshin edhe dy femra, bashkë me 6 meshkuj?
    Ah, çfarë kleçke. Ky ishte stili që nisi të përdorej në atë kohë, por edhe më vonë në gjyqe të tjera. Organet e Sigurimit të shtetit nisën të kujdeseshin që në çdo organizatë të kishte një apo dy femra. Arsyeja? Qëllimi ishte që të jepej imazhi se këta persona jo vetëm që kryejnë akte kriminale, por janë edhe të degjeneruar moralisht, merren me femra. Ishte parrulla e famshme që doli qe “degjenerimi moral çon në degjenerim politik”.
    Në fakt, a kishte ndonjë nga të arrestuarit lidhje intime me ato vajza, apo ju vetë?
    Jam i sigurtë që asnjë prej tyre nuk ka patur ndonjë lidhje me ato vajza. Përfshirë veten time. Edhe pse ato të gjorat, nga presioni e dajaku nëpër qeli kanë deklaruar e firmosur sikur kanë pasur lidhje me mua dhe të gjithë pjesëtarët e grupit kriminal. Gjë që nuk ishte absolutisht e vërtetë, por ato i besuan “fjalës” së hetuesve, që po të pranonin diçka të tillë, do të nxirreshin nga hetuesia. Do t’i shpëtonin dënimit. Unë isha djalë i ri asokohe, kisha një lidhje, por me asnjërën prej këtyre dy motrave nuk kam patur ndonjëherë diçka. Madje, njëri nga sadistët më të mëdhenj të Sigurimit të Shtetit që e ka emrin Kadri Ismailati, më tha: “Kjo femër po pranon që ka patur marrëdhënie intime me ty, ndërsa ti e mohon. Pse?”. Iu përgjigja: “Kjo femër pranon, sepse ashtu i thua ti, se do të dalë nga hetuesia, por gjynah ajo…”. Si përfundim të dyja motrat u dënuan me nga 15 e 14 vjet burg. Njëra vdiq atje.
    Sa kohë ndenjët në hetuesi?
    Për një vit rresht. Akt-akuza u formulua më 7 dhjetor 1976 nga hetuesi Kosta Gazeli përfshinte mbi grupin e arrestuar këto pika:
    -Kanë marrë pjesë në organizatë kriminale kundër pushtetit popullor.
    -Kanë zhvilluar agjitacion e propagandë, me qëllim minimin e pushtetit popullor dhe kanë kryer aktin e diversionit duke i shkaktuar një dëm ekonomisë socialiste në shumën 359.983.80 lekë.
    Nga doli emri i Kosta Gazhelit, deri tani keni përmendur vetëm Dilaver Bengasin si hetuesin tuaj. Gazeli ishte hetuesi i Rifat Dajës…?
    Ka qenë edhe Kosta dhe ca hetues të tjerë që do t’i përmend me radhë. Fillimisht Dilaver Bengasi ndenji dy muajt e parë si hetues dhe nuk e di se ku u transferua. U zhduk. Pas tij erdhi hetues Fari Kraja. Ky ka qenë më i rregullt me mua. Vërtet që bënte presion psikologjik, pyeste me tendencë e bënte provokacione, por gjithçka ishte në rregull. Krejt normale për punën e tij, por di të them që është i vetmi person hetues që ka qenë korrekt, që nuk më ka goditur kurrë. Është sjellë profesionalisht me mua. Nuk më ka prekur asnjëherë me dorë. Hetues tjetër kanë qenë Dino Leli, Bujar Jezelxhiu, Niko Paskali dhe Kosta Gazeli siç ju thashë. Megjithatë pas largimit të Dilaver Bengasit, hetuesit e tjerë sikur patën një lloj tërheqje mbrapsht nga procesi. Siç duket e kuptuan qartë se nuk kishin asnjë lloj fakti për të vërtetuar akuzën dhe ia lanë dopio gjashtë Bengasit që të rimerrte çështjen dhe të bënte arrestime të tjera.
    Kush ushtronte më së shumti dhunë mbi ju nga hetuesit?
    Të gjithë të tjerët. Bengasi më ka torturuar në mënyrat nga më mizoret. Hekurat ishin të para, më shtrëngonin dhe më gjuanin me to derisa më binte të fikët dhe zgjimi më bëhej me kova uji të ftohtë mbi fytyrë. Hetuesi tjetër Dino Leli, gjithashtu. Më ka lënë kushedi sa herë pa ndjenja, duke më dhunuar si kafshë, derisa bija pa ndjenja duke pështyrë gjak.
    Këta hetues përdornin duart e tyre për t’ju dhunuar apo gardianët a persona të tjerë?

    Emri:  ish-hetuesi-i-sigurimit-te-enver-hoxhes-dino-leli.jpg

Shikime: 1625

Madhësia:  33.4 KB
    Ish-hetuesi i regjimit komunist Dino Leli, aktualisht avokat
    Me duart e tyre. Ata duar që i kanë jo të lyera me gjak, por të zhytura me gjak. Dërrasat e hekurat i merrnin që mos t’u dhimbin duart e këmbët duke na rënë me grushta e shkelma.
    Në çfarë periudhe të ditës dhunoheshit më tepër?
    Pa orar. Kur t’u tekej hetuesve. Edhe pas mesnate, në rast se do ishin grindur me gratë e tyre apo nuk i zinte gjumi. Vinin dhe shkarkonin nervat e tyre më të këqija duke na u derdhur në dru. Më kujtohet që Dino Leli, në natën e martesës ka ardhur në hetuesi dhe më ka rrahur. Ka qenë ora dy e natës. Nuk e prisja kurrë që natën e martesës të kthehej në hetuesi. Më goditi derisa më la pa ndjenja dhe iku. Ishte sadist safi.
    Ku e dinit ju që ai martohej, kishit aq konfidencë sa për të folur për jetën private me hetuesin?
    Se Dino Leli po bisedonte me hetuesin tjetër Fari Kraja në italisht. E kishin zakon që flisnin në gjuhë të huaj, në mënyrë që të arrestuarit mos kuptonin gjë. Sidomos për mua nuk ia kishin idenë që merrja vesh nga italishtja. Por gjatë muajve të qëndrimit në hetuesi unë ndaja dhomën me Jamarbër Markon, djalin e Petro Markos. Ngaqë nuk kisha se çfarë bëja gjatë kohës që nuk haja dru, ai nisi të më mësonte italishten.
    Pse, Marko nuk hante edhe ai dru si ju?
    Ai ishte djalë intelektual, inteligjent, përgjithësisht pozitiv, por dru nuk hante. Siç duket ai ishte dorëzuar para hetuesve nga dhuna e presioni dhe përdorej prej tyre për të spiunuar. Unë isha puna e radhës për të.
    Nga dolët në këtë konkluzion?
    Sepse atë e merrnin hetuesit fill pasi ikja unë dhe e pyesnim veçmas. Thoshte që nuk e kishte thirrur njeri e nuk kishte dalë nga qelia, por shapkat nuk ishin asnjëherë në të njëjtin vend. Sipas urdhrit të gardianit, ato duhet të ishin gjithnjë në rregull, gati për t’u veshur në rast dalje nga dhoma. Se shapkat i vishnim vetëm kur dilnim nga dhoma… Më vjen keq ta them këtë se ai nuk jeton më, por unë isha fatlum sa kohë qëndrova me Jamarbrin. Mësova prej tij dhe fundja ai nuk kishte se çfarë të spiunonte, nuk kisha ndonjë gjë për të fshehur. E vërteta është se sa herë hapej dera, unë krijoja iluzionin sikur do të dilja, ngaqë nuk kisha bërë gjë… Pas 2 muajsh me Jamarbrin në dhomë ndenja 3 muaj të tjerë me Lefter Sotirin që ishte nga Gjirokastra, i cili ishte një njeri i deklaruar. Dihej. Akuzohej për tentativë arratisje, por e vërteta nuk u mor vesh asnjëherë.
    Si dihej, çfarë ishte një njeri i deklaruar?
    Që ishte agjent i Sigurimit dhe futej nëpër biruca të ndryshme për të spiunuar, madje shkoi deri në burg me këtë mision.
    Ka një tendencë përgjithësisht tek ish-të burgosurit politikë që shpesh bashkëvuajtësit i shohin si spiunë. A nuk ju duket pak si paranojë?
    Asnjë lloj paranoje. Sigurimi i Shtetit ka përdorur manovra nga më të poshtrat për rekrutimin e spiunëve. Me dëshirë apo me dhunë, kush thyhej. Ndaj edhe kemi kaq vjet që këmbëngulim për hapjen e dosjeve. Të dihet e vërteta. Jamarbri dhe Lefteri ishin të tillë. Pas tyre, në dhomë pata Petrit Kadarenë, pse nuk them unë edhe për atë se ishte i infiltruar? Ishte djalë shumë i mirë. Por shih si funksionte Sigurimi? Pasi të fuste shok në qeli të parin dhe të dytin si spiun, pastaj të linin rehat. E kuptonin që nuk del gjë.
    Gjatë kohës që ishit në hetuesi a u takove dot ndonjëherë me familjarët, arrite të kontaktoje me ata?
    Për t’u takuar as që bëhej fjalë sa kohë isha në hetusi. Kam arritur të komunikoj me ata në mënyrë të pabesueshme. Kam arritur të shkruaj një letër, në kushte absurde. Sigurisht që nuk lejoheshin letrat, por ja si ndodhi. Duke qenë se nuk kishe ç’bëje në hetuesi, ndonjëherë bëje veprime koti, instiktive. I kisha kontrolluar kushedi sa herë xhepat e pantallonave dhe ja tek po i kontrolloja sërish. Kur në fund të xhepit më has dora në diçka, por nuk po e kuptoja se çfarë ishte. Kthej xhepin përmbys, kur ç’të shoh? Një majë lapsi, por pa laps. Si brigadier shpesh mbaja lapsa në pantallona, por duke lëvizur këputej maja ndonjëherë. Ashtu kish ndodhur. Pasi mora atë majë lapsi që mezi mbahej në dy gishta, menjëherë nisa të vras trurin se si të gjeja letër. Aty më rrinte mendja. Herë pas here familja më dërgonte ushqim në qese transparente që kontrolloheshin nga gardianët. Që aty arrita të tërheq një letër gjalpi nga ushqimi. Pasi e lava, e thava në batanije duke e fshehur. U ruaja vazhdimisht mos ma shikonin atë copë letër, që më dukej si dhuratë. Pasi u tha, mora majën e lapsit dhe i shkrova familjes. “Mua më akuzojnë për lopët dhe do të dënohem. Jam i sigurtë që do të dënohem, madje rëndë, edhe pse nuk kam bërë asgjë. Të jeni moralisht të qetë se jam i pafajshëm…”.
    Letrat nuk lejoheshin në hetuesi apo jo? Kujt ia dhatë këtë letër për ta dërguar?
    Askujt nuk ia dhashë, por veprova ndryshe. Në qeli çfarë nuk të pillte mendja. E palosa atë copëz letër, derisa u bë një katrore shumë e vogël. Dukej si copë mbeturine e mbetur në fund të qeses. Qeset u ktheheshin sërish familjeve, sepse përdoreshin sërish. Nuk është se ishin si sot njëpërdorimshme. Edhe qeset ishin aq me kursim, sa qepeshin disa herë, derisa nuk mbanin më. Nejse… E lashë ashtu atë letër dhe bashkë me qeset ia dhashë gardianët. Ai nuk e pa. Por për të vërtetuar nëse kjo copë letër do t’u binte në dorë familjarëve, u shkruajta në fund: Nëse do ta merrnin këtë letër, kur të më sillni ushqim herën tjetër, bëni petulla siç dimë t’i bëjmë ne në Baldushk. Për fatin tim të mirë, herën tjetër më erdhën petulla nga shtëpia. Kur dola nga burgu mora vesh që letrën e kishte gjetur nusja e vëllait tim…. (vijon…)

    Anëtarët e “grupit sabotator të Baldushkut”
    Akuzat që vranë dy persona e lanë në burg gjashtë me dënimin 115 vjet


    Emri:  emine-dhe-nadire-shima.jpg

Shikime: 1554

Madhësia:  53.9 KB
    Emine Shima, e dënuar me 15 vite. Vdiq në burg, Nadire Shima, e dënuar me 14 vite burg

    Rifat Daja, Nuri Allmuça, Selman Balla, Bashkim Allmuça, Agim Akçani, Emine Shima, Nadire Shima, Latif Daja. Këta persona u quajtën anëtarë të “grupit sabotator të Baldushkut”. Siç konkluduan hetuesit e çështjes, këta tetë fshatarë të zonës morën pjesë në organizatë kriminale kundër pushtetit popullor, zhvilluan agjitacion e propagandë, me qëllim minimin e pushtetit popullor, si dhe kryen aktin e diversionit duke i shkaktuar një dëm ekonomisë socialiste në shumën 359.983.80 lekë. Të gjitha akuzat u ngritën pas ngordhjes së 98 lopëve të racës holandeze (shumica u therrën për mish), për të cilat u pretendua se janë helmuar me zhivë e lëndë të tjera toksike. Për këtë tragjedi ka folur kohët e fundit në media edhe një nga hetuesit e këtij “grupi sabotatorësh”, Dilaver Bengasi. Asokohe ai ishte hetues i Krimit Ekonomik, por edhe aktualisht ai përligj “sabotatorët” si realë, ashtu si edhe ngjarjen. Megjithatë, ai ka deklaruar se nuk ka qenë dakord me pushkatimet e dy prej të akuzuarve, siç ishin: ndihmësmjeku Rifat Daja dhe infermieri Nuri Allmuça. Që të dy u vranë diku nëpër Shqipëri, por që edhe sot e kësaj dite nuk u dihet varri. Hetuesi dhe formuluesi i akuzës distancohet nga pushkatimi, duke thënë se vendimi ishte i Gjykatës, por Agim Akcani verifikoi firmën e tij mbi dokumentin e ekzekutimit të Dajës dhe Allmuçës, që u botua në numrin e parë të intervistës së tij për gazetën “Panorama”.

    Akuza dhe dënimi:
    Pas hetimeve të nisura më 10 nëntor 1975 për ngordhjen e lopëve, u publikua akt-akuza e formuluar më 7 dhjetor 1976 mbi grupin e arrestuar, me këto pika:- Kanë marrë pjesë në organizatë kriminale kundër pushtetit popullor.- Kanë zhvilluar agjitacion e propagandë, me qëllim minimin e pushtetit popullor dhe kanë kryer aktin e diversionit duke i shkaktuar një dëm ekonomisë socialiste në shumën 359.983.80 lekë

    Elisabeta Ilnica

    Panorama

  4. #4
    Shpirt Shqiptari Maska e Albo
    Anëtarësuar
    16-04-2002
    Vendndodhja
    Philadelphia
    Postime
    30,122
    Postimet në Bllog
    17

    Për: Flet ish-i dënuari: “Helmimi i lopëve në Baldushk, dy të pushkatuar e 115 vite b

    “Dëshmitarët që fundosën Kadri Hazbiun e Feçor Shehun u morën nga burgu i Spaçit”

    Flet Agim Akcani, ish-i dënuar në vitin 1975 me 21 vite burg politik.

    “Njëri prej tyre ishte edhe Telat Agolli. Kur u kthye në kamp, ai e thoshte me krenari që kishte dalë dëshmitar”

    Akcani tregon për Lubonjën, Ngjelën, At Zef Pëllumbin e të tjerë
    “Lubonja tre vjet në izolim, s’pranoi punën në minierë”

    Akcani: Loja e të burgosurve me sjellje të çmenduri, vëllai i një politikani të njohur hëngri jashtëqitjen e vet.

    Agimi Akcani është ndër 3 ish-të dënuarit politikë të mbijetuar nga ngjarja e vitit 1975, kur u firmosën dy pushkatime dhe gjashtë persona të tjerë iu dhanë 115 vite burg gjithsej.
    U quajtën anëtarë të “grupit sabotator të Baldushkut”, që siç konkluduan hetuesit e çështjes, këta tetë fshatarë të zonës morën pjesë në organizatë kriminale kundër pushtetit popullor, zhvilluan agjitacion e propagandë, me qëllim minimin e pushtetit popullor, si dhe kryen aktin e diversionit duke i shkaktuar një dëm ekonomisë socialiste në shumën 359.983.80 lekë. Të gjitha këto akuza u ngritën pas ngordhjes së 98 lopëve të racës holandeze (shumica u therrën për mish), për të cilat u pretendua se janë helmuar me zhivë e lëndë të tjera toksike. Asokohe Akcani ishte brigadier në Baldushk, vetëm 21 vjeç. Po kaq u dënua ai në vitin 1975 – 21 vite burg. Bashkë me atë u dënuan edhe Selman Balla, Bashkim Allmuça, Agim Akcani, Emine Shima, Nadire Shima (motra), Latif Daja, si dhe Rifat Daja e Nuri Allmuça. Këta dy të fundit u pushkatuan në Dajt, për të cilët Akgim Akcani thotë se ish-hetuesi Dilaver Bengasi ua di varret. Familja e viktima edhe sot e kësaj dite nuk ka një vend ku t’i qajë…
    Për 3 numra me radhë, Agim Akcani ka treguar si ndodhi helmimi i lopëve, ditët në hetuesi për më shumë se një vit, çfarë ndodhi në gjyq, emrat e persekutorëve, si dhe detaje të tjera. Sot ai vijon rrëfimin me jetën në burg, miqtë dhe spiunët atje, si flitej për byroistët komunistë, etj. Agim Akcani ndalet edhe te sjellja e disa të burgosurve për të shmangur punën e vështirë të minierën e Spaçit…
    Çfarë ishte kaushi?
    Kaushi ishte një dhomë e madhe, ku mblidhen personat e dënuar dhe që aty shpërndahen nëpër kampe. Qëndrova rreth dy javë në kaush dhe pastaj më dërguan në kampin e Spaçit. Spaçi ishte një burg artificial që sikur edhe natyra kishte punuar për ta bërë burg. As rrezet e diellit nuk kapnin shumë. Natyra e diktatura sikur kishin bashkëpunuar për atë burg, por të paktën kishte ajër. Ajër dhe qiell.
    Në Spaç përfunduat i gjithë grupi sabotator i Baldushkut?
    Dy u pushkatuan menjëherë, siç folëm. Dy vajzat, me sa mora vesh, përfunduan bashkë në burg, diku andej nga Kosova e Lushnjës. Madje këtë e kam marrë vesh pasi jam liruar nga burgu. Me mua në Spaç erdhën Latif Daja dhe Selman Balla, por u transferuan shpejt dhe nuk e di se nga i çuan. Nuk e di as për Bashkim Allmuçën se ku përfundoi.
    Si u sistemuat aty në Spaç?
    Në Spaç ishin dhomat e mëdha, me nga 20-30 vetë brenda. Me krevate druri me 3 kate, me dyshek kashte, bukë gruri. Ajo kashtë nuk ndërrohej asnjëherë dhe as ishte ndërruar ndër vite, ndaj ishte bërë si miell dhe veç pluhur dilte që andej. Punonim me turne në galeri, të piritit dhe të bakrit. Për 12 vjet kam punuar atje. Për të shkuar atje ecnim 1 orë në këmbë, malore. Rrinim të gjithë në rresht për një dhe gjithnjë para dhe pas duhet të kishim të njëjtat persona të burgosur. Për shembull unë kisha Xhafer Agarajn, Fadil Hykën e ca të tjerë.
    A dilte ndonjë nga rreshti?
    Jo, jo, ishim të bindur.
    Cilët ishin pak a shumë personat me të cilët ke ndenjur në dhomë gjatë vuajtjes së dënimit në burgun e Spaçit?
    Për shembull Ngjela, Lubonja, etj. Por do të veçoja Fatos Lubonjën. E kam adhuruar gjithnjë se ai ishte i veçantë. Në periudhën e dytë të ridënimit, ai nuk punoi më kurrë. U tha hapur e qartë: “Unë nuk punoj për ju. Kam vendosur…”. Dhe rezistoi me vite të tëra. Të paktën 3 vjet i ka kaluar në birucë. Për shembull, e mbanin një muaj në izolim dhe ditën e parë sa dilte andej, i jepnin urdhër që të nisej për punë. Por Lubonja sërish refuzonte dhe gardianët e çonin prapë në birucë. Kështu shkonte 30 ditë i izoluar. Ai u kthye në shembull për ne të tjerët. Nuk kam parë njeri më të vendosur dhe që shprehej aq hapur kundër regjimit komunist. Lubonjën e kam njohur si një ndër djemtë më trima të burgut, sigurisht edhe shumë i mençur. Me Lubonjën u bëmë edhe shumë miq dhe kur dilnim për të ecur më thoshte: “Eja të dalim dhe të bëjmë një dorë agjitacion e propogandë.” Fliste hapur kundër regjimit dhe as i bëhej vonë.
    A nuk reagonin gardianët?
    Gardianët ishin të punësuar aty, merrnin një rrogë. Nuk kishin hall çfarë flisnim ne, por vetëm mos të shkelnim rregullat e rregulloren. Se çfarë flisnim ne me njëri-tjetrin nuk u interesonte shumë. Se dihej që aty kishte të burgosur politikë dhe kundër regjimit do të flisnin. Më shumë ruheshim nga njerëzit brenda burgut, nga spiunët se sa nga gardianët. Por çfarë do të na bënin më shumë se sa ishim dënuar? Unë e kisha marrë dënimin tim me 21 vjet. Po ashtu, Lubonja i kishte bërë 7 vjet dhe në vend që të lirohej, u dënua edhe 10 vjet të tjera. Ishte ekspresiv, i shkëlqyer, harroje burgun duke biseduar me Lubonjën.
    Më ka rastisur që të rri edhe me edhe patër Zefin, që e kam patur inspirim. Nga ai pata dhuratë gjuhën italiane, në mënyrë të saktë, edhe pse leksionet kisha nisur që t’i merrja herët nga Jamarbër Markoja që kur isha në hetuesi. Patër Zefi ma mësoi shumë mirë italishten gjatë kohës në burg. Në copëra letrash, kryesisht të letrave të paketave “DS” dhe “Ardiani” i zi, më mësoi ta shkruaja me gramatikë dhe më pas, ta flisja shumë mirë.
    Edhe Zef Pëllumbin e kishit në dhomë?
    Jo, me atë Zefin jam njohur fillimisht në infermierinë e Spaçit. Vuanim nga e njëjta sëmundje në mushkëri, ftohje të rënda. Unë nga galeria dhe ai nga pleqëria. Kishim krevatët ngjitur dhe aty pata njohjen e parë. Pastaj vazhduam komunikimin…
    Si ishte një ditë e juaja në Spaç dhe a kishit ditë pushimi?
    Ditë pushimi vështirë të kishte. Se edhe kur vinte e diela, na e merrnin sërish me punë, se i thonin “e diela është dita e Enverit”. Puna ishte me turne, nga 8 orë. Por puna ishte me normë. Brenda këtij 8-orëshi duhet të nxirrnim 4 vagona me mineral, ku një vagon mbante 1 ton. Por, nëse nuk e realizoje këtë normë, vazhdoje edhe në turnin e radhës. Temperatura brenda galerisë ishte 40 gradë, ndërsa kur dilje jashtë ishte minus 16 gradë. Dhe rrobat tona bëheshin ujë nga djersa e punës e vapa brenda galerisë. Kur dilnim jashtë nga galeria dhe merrnim rrugën drejt kampit, rrobat na ngrinin në trup. Edhe hekur të kishim qenë, do të ishim thyer. E çuditshme, por njeriu qenka më i fortë se sa hekuri…
    A kishte ndonjë lloj mënyre që të mos punoje në minierë?
    Mënyra për të mos shkuar në punë ishte refuzimi dhe refuzim do të thoshte birucë, izolim. Pa dritë dielli. Ose po të ishe invalid ose i çmendur.
    Ose mund të bëje si i çmendur?
    Ka patur si të tillë, por vetëm ordinerët mund të bënin si të çmendur. Të shtireshin. Fatkeqësisht ka patur të burgosur ordinerë edhe në Spaç, që kanë prishur imazhin e të burgosurve politikë. Ishte taktikë e sistemit për të përdhosur inteligjencën. Ka patur njerëz që për t’i shpëtuar ndjekjes penale kanë shkuar në psikiatri, kanë bërë veprime të çmendura, deri edhe të neveritshme.
    Për shembull?
    Kanë ngrënë jashtëqitjen e vet. Një person, që është vëllai i një politikani të njohur, arriti deri aty sa para njerëzve të hante jashtëqitjen e tij, në mënyrë që të tregonte se ishte i çmendur.
    Emri?
    Mos ma kërkoni, emrin nuk e them dot. Dhe nga ana tjetër duhet kuptuar presioni dhe vuajtja që mund të ketë patur ai person, derisa arriti të bënte një veprim të tillë… Është një histori që njihet nga të gjithë të burgosurit politikë të Spaçit, por si bashkëvuajtës asnjeri nuk thotë emrin e tij dhe shumë mirë bëjnë.
    Gjatë rrëfimit për hetuesinë folët për kushtet atje. Po në Spaç si ishin kushtet, po ushqimi?
    Kushtet ishin më mirë se në hetuesi, por sërish mizerje, kuptohet. Ata që punonin në minierë ushqeheshin gjoja pak më mirë se sa ata që nuk punonin, për shkak se u duhej forca për në galeri. Kishte edhe nga ajo kategori që nuk punonin, pasi mund të ishin invalidë etj. Ushqimi i minierës mund të kishte ndonjë gotë qumësht, marmalatë, pastaj pjesa tjetër ishte supë me presh që nuk futej në gojë apo lëng fasule. Ishte e fortë, sepse kur ndonjërit i binte ndonjë kokërr fasuleje në pjatë, bërtiste me të madhe: “E kapaaaa!” Për të marrë pak më shumë ushqim kanë ndodhur ngjarje nga më të pabesueshmet. Për shembull, në disa raste nuk është treguar për vdekjen e shokut të dhomës. Derisa kufoma niste të binte erë, nuk tregohej, në mënyrë që të merrej racioni i tij i ushqimit. Lihej aty te krevati i tij, i mbuluar me batanije dhe rojeve u thuhej se ishte sëmurë. Uria e madhe detyronte shokët që mos të tregonin për vdekjen, derisa kuptohej se nuk mbahej dot e fshehtë për shkak të erës që shponte hundët. Te qelia përballë ka ndodhur diçka e tillë, pasi kërkonin të merrnin racionin e tij të bukës.
    Ndryshe nga hetuesia, këtu kishte ujë në ngrohtë?
    Ndryshe nga hetuesia, në kamp kishte ujë të ngrohtë një herë në javë. Çdo kapanon kishte ditën e larjes me ujë të ngrohtë, çdo javë. Por dy herë në javë s’bëhej fjalë.
    A kishin të drejtë të burgosurit të realizonin takime speciale me gratë?
    Lejohej, por përgjithësisht të burgosurit nuk i realizonin këto takime. Sepse mund të quheshin edhe si të pamoralshëm që lejonin që gratë e tyre të vinin nga ana e anës aty në Spaç, duke udhëtuar mbi kamiona dhe duke u kontrolluar imtësisht nga rojet, para se të mbërrinin në dhomën e takimit special. Quhej si turp…
    A kishte ndonjë mjet argëtimi atje, psh televizor, libra, etj?
    Ishte biblioteka me librat që nuk hynin në punë. Ishte një orë me detyrim për të lexuar veprat e Enverit dhe salla mbushej me roje për të mbajtur zgjuar të burgosurit, se të gjithë e kishin orë gjumi dhe jo orë leximi. Sakaq, kishte vetëm një televizor, që në orën 8 të darkës lejoheshe për të parë lajmet te TVSH. Por ato lajmet ishin të diktuara dhe nuk është se i interesonte kujt. Ndonjëherë lejohej të shihej edhe ndeshjet e futbollit shqiptar. Sakaq ishte një stendë ku vendosej gazeta e hapur dhe mbi të xhami. Ishte Zëri i Popullit” dhe “Bashkimi”. Ato i lexonim, por “kokëposhtë”. Dome-thënë merrnim kuptimin e kundër të atyre çfarë shkruante gazeta. Bënim diskutime dhe parashikime. Dhe në fakt na dilte gjithnjë e kundërta e asaj çfarë shkruhej aty. Mund të kemi gabuar muajt, por jo vitet për të parashikuar nëse x apo y do të binin nga Byroja, apo edhe vrasjet e persekutimet.
    Për shembull, e parashikuat vetëvrasjen e Mehmet Shehut?
    E para, ai është vrarë, jo vetëvrarë. Nuk e parashikuam vrasjen e tij, por arrestuam Kadri Hazbiun.
    Si e arrestuat?
    Ne po shikonim skenarin. Më kujtohet se fill pas vrasjes së Mehmet Shehut, pamë se në festën e Pezës ishte Nexhmie Hoxha dhe Kadri Hazbiu, më 16 shtator. Në momentin që pamë Kadri Hazbiun duke lexuar një letër, thamë: Pas kësaj letre ai nuk jeton më. Sepse ishte një lloj fjalimi, si fjala e fundit. E detyruan që të flasë për të mos ekzistuar më. Që të gjithë atë natë thamë që ky do të arrestohet të nesërmen.
    Si u përjetua në burg vetëvrasja e Mehmet Shehut?
    Vrasja, këmbëngul. Nuk është se na erdhi keq për vrasjen e Mehmet Shehut, se atë e goditi dhe e vrau regjimi që ndërtoi vetë. Me duart e tij. Pas tij qe radha e Kadri Hazbiu e me radhë. Për Kadriun madje morëm vesh edhe diçka tjetër.
    Që ishte?
    Për të fundosur jetën e Kadri Hazbiut dhe Feçor Shehut janë marrë dëshmitarë nga burgu i Spaçit. Njëri prej të cilëve ishte dhe Telat Agolli.
    Nga e keni krijuar këtë ide?
    Nuk është ide, por është informacion i sigurtë. Edhe ai vetë e ka pranuar. Kur u kthye në kamp ai e thoshte me krenari që kishte dalë dëshmitar i Kadri Hazbiut e Feçor Shehut. E ka pranuar vetë Telat Agolli. Ai e quante heroizëm. Pra, në rast se mësoje se si ta lexoje gazetën e partisë, i parashikoje ngjarjet e zhvillimet.
    vijon…

    Dënimet
    1.- Rifat Daja, i vitlindjes 1949, ndihmës mjek, (vëllai i Latif Dajës) dënuar me vdekje me pushkatim, në vitin 1976. (Familjarët nuk e kanë gjetur varrin as sot).
    2.- Nuri Allmuça, i vitlindjes 1939, infermier, dënuar me vdekje me pushkatim në vitin 1976. (Familjarët nuk e kanë gjetur varrin as sot).
    3.- Selman Balla, i vitlindjes 1944, përpunuesi i ushqimit, dënuar me 22 vjet burg. Ka vdekur.
    4.- Bashkim Allmuça, i vitlindjes 1918, arsimtar me shkollë të mesme, dënuar me 18 vjet burg. Ka vdekur.
    5.- Agim Akcani, i vitlindjes 1953, brigadier, dënuar me 21 vjet burg. Rron.
    6.- Emine Shima, e vitlindjes 1955 (mamie), dënuar me 15 vjet burg. Vdiq në burg.
    7.- Nadire Shima, e vitlindjes 1952, mjelësja e lopëve, e motra e Emines, punëtore, dënuar me 14 vjet burg. Rron.
    8.- Latif Daja, ish-përgjegjës i sektorit, në momentin e arrestimit ishte punëtor. U dënua me 25 vjet burg. Rron.


    ELISABETA ILNICA

    Panorama

Regullat e Postimit

  • Ju nuk mund të hapni tema të reja.
  • Ju nuk mund të postoni në tema.
  • Ju nuk mund të bashkëngjitni skedarë.
  • Ju nuk mund të ndryshoni postimet tuaja.
  •