Daçiç: Kosova është Serbi, gënjeshtër
Kryeministri serb Ivica Daçiç
BEOGRAD- Kryeministri i Serbisë, Ivica Daçiç ka deklaruar se për dhjetë vjet me radhë është gënjyer se Kosova është Serbi.
“Ne kemi qenë të gënjyer duke thënë se Kosova është e jona. Një qëndrim i tillë, nuk na ndihmon aspak. Presidenti i Serbisë nuk mund të shkojë në Kosovë, as Kryeministri dhe as ndonjë ministër. Aq më pak policia dhe ushtria serbe”, ka thënë Daçiç në një intervistë për të përjavshmen serbe NIN.
Më tej, kryeministri i Serbisë ka thënë se vendin e tij e pret një punë e pa kryer që ka të bëjë me caktimin e hapësirave të veta dhe ngritjen e kufijve aktualë shtetërorë.
Daçiç ka shtuar se duhen rritur përpjekjet e Beogradit zyrtar që të ruajë çdo gjë që është e mundshme nga Kosova dhe t’ju mundësohet komunitetit serb atje një jetë normale dhe një e ardhme më e qartë.
“Në këtë mënyrë, do të ketë të ardhme edhe për vetë Serbinë”, ka thënë kryeministri serb.
Agjencia e lajmeve Reuters e ka vlerësuar deklaratën e Daçiç si një shenjë që Beogradi është pranë një hapi historik për të siguruar datën e fillimit të bisedimeve me BE-në.
Burimi: Panorama
Krijoni Kontakt