Autori Vesela Manqeva
Origjina e bullgarëve të vjetër është një temë, mbi të cilën ka shumë diskutime dhe kundërshtime, megjithë studimet e shumta, të zhvilluara gjatë viteve. Teoria kryesore dhe zyrtare është lidhur me përkatësinë e tyre turko-altaike. Sipas kësaj teorie protobullgarët kanë ardhur nga rajonet lindore të Azisë së Mesme.
Një prej teorive të tjera të përhapura në fillim të shekullit të XX-të në historiografinë bullgare dhe botërore është se bullgarët janë një grup prej fisesh hune, të cilët kanë populluar brigjet e lumit Ural gjatë gjysmës së parë të shekullit të dytë.
Gjatë viteve 90 të shekullit të XX-të dolën në pah një sërë publikimesh bullgare me hipoteza alternative për prejardhjen e protobullgarëve. Sipas një prej tyre ata janë një fis iranian, i nënshtruar nga hunët në Azinë Qendrore, i cili ka lëvizur me ta në perëndim.
Para disa muajsh e përditshmja bullgare “Monitor” publikoi në faqet e saj artikullin e Svetosllav Pintevit, në të cilin ai paraqet pikëpamjen e docentit Ivo Panov. Shkencëtari studion prejardhjen e bullgarëve të vjetër që prej vitesh dhe gëzon një respekt të madh në rrethet shkencore. Ndoshta pikërisht për këto shkaqe ai është shumë i vëmendshëm sa u përket teorive të ndryshme për prejardhjen e protobullgarëve. Docenti Panov ka qenë në dy ekspedita: Në vitin 2008 ai mori pjesë në ekspeditën e parë interdisiplinare kombëtare, organizuar nga Akademia Bullgare e Shkencave dhe nga Universiteti i Sofjes “Shën Klementi i Ohrit” në Taxhikistan, Uzbekistan dhe Afganistan, ndërsa në vitin 2010 mori pjesë në ekspeditën në Iran, ku u has me fakte shumë kureshtare. Radio Bullgaria
Krijoni Kontakt