Shkruan : Prof. Dr. Rexhep Doçi
Para vitit 1200 u ndërtuan shumë kisha e manastire shqiptare nëpër Kosovë, dhe kursesi nuk mund të quhen sot vetëm kisha serbe, po kisha të uzurpuara nga ata pak serbë, që ishin shqiptarë po nuk u islamizuan, dhe me kohë si shqiptarë ortodoksë përreth kishave të fuqishme mesjetare u bënë serbë.
Për praninë e iliro-shqiptarëve apo dardano-shqiptarëve të ritit katolik dhe ortodoks në Sanxhakun e Nishit flet bindshëm edhe e dhëna se prifti dhe shkrimtari i njohur shqiptar Pjetër Budi, i lindur në Mat të Shqipërisë, merr pjesë në “Kuvendin e mbajtur më 1616 në Prokoplje (Prokupla e sotme-R. D.), dhe që Budi të ketë qenë ndër organizatorët e këtij Kuvendi” (Shih “Historia e letërsisë shqipe”, I-II, Prishtinë, 1968, f. 160). Gjithashtu, në atë pjesë të Sanxhakut të Nishit, ku mori pjesë në luftën e aleatëve evropian Skënderbeu dhe prej andej u kthye në vendlindjen e tij në Krujë (që luftoi kundër Perandorisë Otomane më së një çerek të shek. XV), më vonë Hasan Zyko Kamberi nga fshati Starje i Kolonjës së Shqipërisë Jugore, “më 1789, në moshë të thyer, mori pjesë si mercenar në luftën turko-austriake, në Semender (Smederevë përmbi Nish-R. D.) mbi Danub, i cili vuajti shumë në këtë luftë…” (Shih gjithashtu në librin Hist. letër. shqipe, f. 206).
Të gjitha kishat ortodokse mesjetare në Kosovë dhe në Serbinë e sotmë ishin iliro-shqiptare
Për kontinuitetin iliro-shqiptar apo autoktoninë e shqiptarëve në Serbi flasin edhe shumë vepra të autorëve serbë, kroat dhe shqiptarë (si Fanulla Papazoglut, dr. Milan Shuflajt, Ilarion Ruvarac, Lj. R. Kozheljac etj.), porse këtu nuk po flasim më gjerësisht. Pra, po del qartë se plot nëntë ose trembëdhjetë shekuj para ardhjes së sundimtarëve serbë dhe pushtimit të tokave e uzurpimit të kishave shqiptare të Kosovës, kishte lulëzuar krishtërimi iliro-shqiptar në Dardani-Kosovë, konkludim që vërtetohet edhe me Kartën e Hilindarës të vitit 1200, kur edhe Shtjefen Nemanjidi i parë i kurorëzuar i pushton tokat shqiptare të Kosovës (Shih: A. V. Solovjev, Karta e Hilandarit e zhupanit të madh, Stefanit, të kurorëzuarit të parë, e vitit 1200-1202 , Beograd, 1926, f. 6:”). Kështu, si toka shqiptare duhet kuptuar toka me shqiptarë të konfesionit katolik, kurse si toka greke-toka të banuara me shqiptarë ortodoksë, e, siç po shihet askund në këtë dokument, edhepse sllav-serb nuk përmenden serbët. Prandaj, gjatë kësaj kohe mesjetare parasllave, para vitit 1200 u ndërtuan kishat e manastiret e shumta nëpër fshatra e qytete kosovare si kisha shqiptare, dhe kursesi nuk mund të quhen sot vetëm kisha serbe, po kisha të uzurpuara nga ata pak serbë, që ishin shqiptarë po nuk u islamizuan, dhe me kohë si shqiptarë ortodoksë përreth kishave të fuqishme mesjetare më vonë u përcaktuan etnikisht serbë. Krishtërimi parasllav i iliro-shqiptarëve në Dardani-Kosovë dëshmohet bindshëm edhe me të dhënën se, qysh në fillim të shekullit II të erës sonë, gjatë sundimit të perandorisë romake, është përhapur krishtërimi permes martirëve krishterë dardanë Florit e Laurit (shih vep. e lartcit. të G. Gjinit, f. 23).
Ndërkaq, pra, të dhënat e burimeve shkrimore, e sidomos të terrenit, flasin qartë se serbët vendës të Kosovës, apo si përdoret në traditën shqiptare të Kosovës shkiet rajë, nuk janë me prejardhje sllave-serbë të mirëfilltë, por janë popullatë me origjinë më tepër thrakase se sa ilire, e mbetur si mbeturinë përreth disa kishave të fuqishme mesjetare. Pushtuesit osmano-turq kishat e ritit katolik në Kosovë i shkatërruan (rrëxuan-zhdukën), kurse disa kisha ortodokse s’i prekën, duke pasur një respekt ndaj tempujve fetarë ortodoks me qendër në Stamboll, e përreth tyre mbeti një pjesë e populatës trakase-ilire-shqiptare e paislamizuar, e cila duke e ruajtur me pasion krishtërimin ortodoks iliro-shqiptar, me kohë gjatë shek. XVII-XVIII u përcaktuan edhe si serbë të derisotëm.
Serbët e Kosovës kanë fise sikur edhe shqiptarët
Porse, përreth këtyre kishave mbetën pa u islamizuar edhe disa shqiptarë të ritit katolik të mbrojtur tërthorazi prej këtyre kishave ortodokse, të cilët jetonin dhe jetojnë në të njëjtën lagje apo oborr me serbët dhe kanë shumë elemente të përbashkëta dhe të njëjta të trashëguara brez pas brezi. Këto të dhëna dëshmohen bindshëm edhe sot në terrenin kosovar, si për shembull nëpër fshatrat e Llapushës, përreth kishave në Dollc, Dersnik, Pogragjë, Klinë, si dhe nëpër qytetet Pejë, Perzeren e Prishtinë, e të dhëna të tilla ka përplot në trojet shqiptare, që presin të mblidhen dhe të ndriçohen shkencërisht. Pra, përreth këtyre kishave të fuqishme mesjetare, nëpër këto vendbanime jetojnë banorë të riteve katolike (shqiptarë katolikë), ortodokse (serbë ortodoksë) dhe myslimanë (shqiptarë dhe nëpër qytetet Perzeren e Prishtinë edhe turq?), që i flasin të tri gjuhët).
Mandej, se të parët e serbëve rajë të Kosovës ishin shqiptarë dëshmohet me të dhënat etnografike e etnologjike, se pleqtë e tyre e flitnin, e edhe sot e flasin, shqipen si shqiptarët, që e ruajtën si relikt të gjuhës së të parëve të tyre si gjuhë amtare (kurse pleqtë e shqiptarëve nuk dinin e nuk dine as sot serbisht). Serbët vendës të Kosovës kanë fise si shqiptarët: Gashiç, Shaljiç, Kastratoviç etj. Serbët edhe sot kanë patronime ilire-shqiptare porsi shqiptarët: Baciç, Maziç, Baliç, Luliç, Maletiç, Dashiç, Bardiç etj. Kanë dhe përodorin elemente të përbashkëta apo të njëjta krishtere si shqiptarët e konfesionit katolik, të cilat burojnë nga periudha romake-shqiptare parasllave etj. Kanë dhe përdorin përplot fjalë dhe mikrotoponime e patronime të burimit latin e grek, që i morën gjatë periudhës kohore parasllave. Pllakat e gjetura nëpër disa kisha janë të shkruara në gjuhën latine: si p. sh. në Kishën e Graçanicës, që edhe sot i ka disa shkrime romake në themelet mbi tokë (shih për këtë: M. Gjurgjeviç, Memoare nga Ballkani, 1858-1878, Sarajevë, 1910, f. 54: “Themelet e asaj kishe janë ndërtuar mbi pllakat e varrezave romake.....,prandaj , në to mund të lexohen emra, vite etj., në gjuhën latine”), si dhe në dy pllaka të gjetura në oborrin e Kishës ortodokse, sot serbe të Dersnikut (municipiumit të njohur ilir), të cilat janë të shkruara në gjuhën latine, njëren prej të cilave shqiptarët e kanë marrë dhe e kanë dërguar në kishën e sotme shqiptare të Zallkuqanit (Zllakuqanit). Prandaj, po shihet qartë se themelet e Kishës së Graçanicës dhe të pllakave të Kishës së Dersnikut (për të cilën shqiptarët thoshin se ka qenë e jona, e quajmë Shën Premtja e serbët e uzurpuan dhe e bënë “Sveti Petka”, porsi një kishë të Perzerenit), janë të shkruara në gjuhën latine e jo as bizantine-greke e as sllave-serbe, dmth. janë të zanafillës parasllave romake-shqiptare.http://www.botasot.info/dokumentare/106773/LUuYSUJ/
Krijoni Kontakt