Close
Duke shfaqur rezultatin -9 deri 0 prej 6
  1. #1
    i/e regjistruar Maska e Sharri-Liburna
    Anëtarësuar
    13-09-2009
    Vendndodhja
    ne toke
    Postime
    2,171

    Çamëria në axhendën studimore të albanologut Robert Elsie (Shkrim nga Ervin Fetahu)

    Çamëria në axhendën studimore të albanologut Robert Elsie (Shkrim nga Ervin Fetahu)
    nga Çamëri dita po afron... më 2012-02-10 në orën 5:48.MD ·

    Dr. Robert Elsie, një emër që më tepër i flet puna e vyer dhe e paçmueshme prej vitesh me radhë, me një përkushtim e dëshirë, saqë do habiste çdo shqiptar, për nga eleganca e studimeve të tij në lëmin e shqipes, sikur mos mjaftonte me kaq, ky njeri i madh e flet shqipen me aq dashuri e frymëzim ku natyrshëm lind pyetja, vallë ç’e mirë e solli në malet e thepisura arbërore?! Sigurisht dëshira e paepur për të studiuar e njohur në rrënjë këtë popull të lashtë e fisnik. Ndonëse për shumë studiues, pasuria linguistike dhe folklorike e Shqipërisë dhe shqiptarëve, përngjan me një oaz studimor, ku çdo i interesuar, ndalet e më pas shuan etjen në burimet e pashtershme historike të kombit tonë. Diku në një nga artikujt e mi të mëparshëm mbi dialektologjinë e krahinës së Çamërisë, theksoja se mirënjohja nuk do mjaftonte për një mori albanologësh dhe nga më të spikaturit e kohës ku jetojmë, pra Robert Elsie i cili shëtiti në çdo skaj ku kishte shqiptarë dhe regjistroi në qindra kolona zanore gjithë dialektet e nëndialektet e shqipes nga Kroacia deri në Itali, Greqi, Ukrainë, Bullgari, Turqi e gjetkë, e pra kjo sakrificë e pashoq, është vepër e mikut të kombit tonë, z. Elsie. Ndërsa për shqiptarët e Çamërisë ai shprehet: në Greqi, Shqipja që flitet këtu është mjaft konservatore si dialekt, ku ka ngulime të vjetra të dialektit çam në Epir (Pargë dhe Gumenicë). Me gjithë luhatjet e kufirit dhe shpërnguljet për në Shqipëri, mund të ketë ende deri 100.000 shqiptarë në këtë rajon, megjithëse ndihen format e represionit dhe greqizmit në masë të madhe, për këta shqiptar (ortodoks) të mbetur ende atje. Në Greqinë qendrore, gjuha shqipe, e njohur këtu si arbërisht dhe në greqisht si arvanitiká, mbijeton në rreth 320 fshatra, kryesisht në Viotía (Boiotía), veçanërisht rreth Levadhiasë, në jug të ishullit Évia (Euboia), Atikë, Korinth, dhe në veri të ishullit Andros. Por në këtë artikull indicia ime qëndron gjetkë, këto ditë, ky personalitet ka vizituar Shqipërine dhe ka qenë pjesë e opinionit të shkruar dhe atij viziv. Duke e ndjekur me kureshtje intervistën e z. Elsie i ftuar në emisionin “Shqip” të znj. Xhunga, më bëri përshtypje, ndërkohë që pyetej nga moderatorja e emisionit, se kush ishin planet e botimeve në vijim, dhe ai me një buzëqeshje të lehtë i thotë, jam duke bashkëpunuar me një shkrimtar tjetër të madh si Noel Malkolm, dhe jemi duke shfletuar arkivat e vjetra Britanike për botimin e një libri të detajuar për historinë e Çamërisë. Të dashur lexues dhe bashkëpatriot të mi çamë, kjo nuk është pak…! Madje, të lobosh për kauzën fisnike çame, në këtë standard kaq të lartë, ku bëjnë pjesë këto dy figura me famë botërore, si Noel Malkolm, autor i librit “Kosova”, ku faktet brenda tij, bënë presidentin e SHBA-së, Bill Klinton të ndikohej, dhe asnjë çast mos vonohej ti dilte në krahë popullsisë pafajshme shqiptare të Kosovës, kundër makinerisë gjakatare të Millosheviçit.Pra, drita ne fund të tunelit po duket, çështja dhe kauza Çame nuk ndihet më e izoluar, ajo po merr një përmasë ndërkombëtare dhe sot njihet si pjese e axhendave studimore, politike, e diplomatike, ndaj besoj, se dëshira e dy autorëve të mësipërm për të botuar historinë e shqiptarëve te Çamërisë, do mishëroj vlera të veçanta, në publikimin e përkthimin në disa gjuhë të ndryshme. Dedikimi i këtej artikulli është shenjë falenderimi i kësaj figure modeste në pamje, por ne brendi shumë fisnike, duke u qasur më nga afër medoemos do kuptonim se sa peshon puna dhe mundi i këtij kolosi të albanologjisë. Veç tjerash ai njihet si shkrimtar, përkthyes, interpret, specialist në studimet shqiptare”albanologjike”, ky personalitet i shquar merret me albanologjinë prej më shumë se tridhjetë viteve, veçanërisht me kulturën, letërsinë dhe historinë e shqiptarëve. Shumica e botimeve të tij përqendrohen rreth fushave të historisë, gjuhës shqipe, letërsisë dhe të fotografisë së hershme. Lindur më 29 qershor, 1950 në Vancouver, Kanada. Elsie studioi në universitetin e Columbias, ku u diplomua në vitin 1972 në studime klasike dhe gjuhësi. Më pas, ai vazhdoi studimet post-diplomike në Universitetin e Berlinit, në Etudes Kapiteneria Ecole des Hautes dhe në Universitetin e Paris IV: Paris-Sorbonës. Nga viti 1978 e tutje, Elsie tentoi për të vizituar Shqipërinë disa herë me një grup të studentëve dhe profesorëve në Universitetin e Bonit. Për disa vite, ai gjithashtu mori pjesë në Seminarin Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare, të mbajtur në Prishtinë. Ai u shqua si përkthyes ne disa konferenca të pavarura, kryesisht për gjuhën shqipe dhe gjermane, dhe tani punon për Organizatën e Kombeve të Bashkuara. Robert Elsie ia ofron shikuesit disa koleksione të hershme fotografike, kryesisht nga fundi i shekullit të nëntëmbëdhjetë dhe fillimi i shekullit të njëzetë. Këto koleksione, deri tani kryesisht të panjohura, janë mjaft domethënëse për të kaluarën e popullit shqiptar dhe janë objekte të një interesi të veçantë. Dhe në përfundim dëshiroj të përmendë një mori botimesh të rreth 40 librave në gjuhën angleze, shqipe apo gjermane, si psh: * Robert Elsie, (2006). Balkan Beauty, Balkan Blood: Tregime moderne shqiptare. * Robert Elsie (2006). Letërsia shqiptare: Një histori e shkurtër. I. B. Tauris. * Robert Elsie dhe Janice Mathie-Heck, (2004).Këngë Kreshnikesh – Epika shqiptare. * Visar Zhiti, Robert Elsie (2004). Poezi të zgjedhura, botim dygjuhësh. * Robert Elsie (2004). Fjalor historik i Kosovës (Tema Historike evropiane) * Robert Elsie (2003). Fjalor historik i Shqipërisë (Tema Historike evropiane)



    Botuar ne Gazeten Tirana Observer
    Zhduku nga tokat Arbrore, qelbesira Aziatike

  2. #2
    Alter ego Moderatus Maska e yllbardh
    Anëtarësuar
    18-08-2007
    Vendndodhja
    as vetë se di.... :)
    Postime
    808
    Robert Elsie është një nga albanologët e vyer që kurrë s'pushon. Për të interesuarit këtu më poshtë keni linkun e faqes së tij ku mundë të gjeni shumë nga punimet e tij të mirë-dokumentuara:

    Robert Elsie
    Shqiptari që derdhë gjak shqiptari nuk meriton të quhet shqiptarë

  3. #3
    Mire ështe puna mire Maska e PLAKU
    Anëtarësuar
    19-05-2002
    Postime
    2,443
    Ja si i porosit enveri komandantat partizan ne lidhje me Camerine;



    porosia e enver hoxhes dhe spiro moisiut beni greket te kuptojne qe cameria eshte rrezik per greqine


    http://www.standard.al/index.php/dos...ik-per-greqine
    Pa Kosovë e Çamëri nuk ka Shqipëri

  4. #4
    Mire ështe puna mire Maska e PLAKU
    Anëtarësuar
    19-05-2002
    Postime
    2,443
    Beqir Meta: Enver Hoxha mbështeti gjenocidin çam
    Lajmi shqip

    Historia e Çamërisë është e cunguar në tekstet shkollore. Madje mungon edhe në botimin e akademisë së Shkencave. Beqir Meta, drejtori i Institutit të Historisë i tërheq vëmendjen Ministrisë së Arsimit për pasurimin e teksteve shkollore me historinë e çështjes çame.Ai thotë se “kjo ka qenë një çështje tabu në kohën e monizmit”. Por pse nuk përfshihej asgjë nga historia, kur edhe në shkallë ndërkombëtare ishte bërë aq e njohur çështja e gjenocidit të grekëve ndaj çamëve? Si u trajtuan çamët në atdheun e origjinës gjatë diktaturës dhe si qeveria e Enver Hoxhës u bë bashkëpunëtore e grekëve për pasojat dhe për fshehjen e gjurmëve të këtij gjenocidi. Si u persekutuan nga regjimi ata çamë që kërkuan kthimin në vendbanimet e tyre dhe si u bë zhdukja e menjëhershme e pasaportave greke nga shteti komunist shqiptar. Urdhri nga qeveria komuniste e Shqipërisë për kthimin e menjëhershëm në shtetas shqiptarë dhe probleme të tjera të trajtimit të çamëve të Shqipërisë nga grekët pas Konferencës së Ambasadorëve në Londër, përshkruhen nga Prof. Dr. Beqir Meta. Intervista me të na bën më të qartë sesi territori ku banonin çamët kaloi në pronësi të Greqisë. Gjenocidi ndaj çamëve myslimanë dhe asimilimi në grekë i çamëve ortodoksë sipas Metës ka vijuar e vazhdon edhe sot e kësaj dite, mes një procesi arbitrar të asimilimit të çamëve që janë në Greqi. Prof.Dr. Meta tha se, jo vetëm në shkolla, por dhe në tekstin akademik të “Historisë Kombëtare” flitet shumë pak për Çamërinë.


    Zoti Meta, pse është injoruar historia e çamëve ne tekstet shkollore?

    Është bërë për qëllime dhe arsye politike. Në radhë të parë regjimi i E. Hoxhës ishte i përzier në çështjen politike çame. Ka ndihmuar vendosjen e procesit të spastrimit etnik. Kjo politikë nisi me përpjekjen që çamët t’i mobilizonte në luftën civile në Greqi dhe ka dokumente për këtë. Dështoi në këtë ndërmarrje të shumë të rrezikshme për vetë popullsinë çame dhe për Shqipërinë. Kështu vijoi ndaj popullsisë çame një proces të goditje politike dhe persekutimit politik, pasi kishte dështuar shteti komunist në këtë ndërmarrje. Sigurisht deshi ta mbyllte çështjen çame me dhënien e shtetësisë së detyrueshme shqiptare dhe me grekët e kishte mbyllur fare diskutimin. Çamët ishin shtetas grekë, ishin dëbuar nga pronat e tyre dhe ishin të pajisur me pasaporta greke. Në Shqipëri ua morën të gjitha pasaportat dhe u dhanë menjëherë shtetësinë shqiptare. Ua bënë të pavlefshme pasaportat.

    Protestuan ata?

    Një pjesë po, por regjimi mori masa të rrepta që të mos ndodhte kjo. Kthimi i tyre nuk u lejua, sepse regjimi ishte i përzier në këtë proces. Atij i interesonte të heshtej për gjenocidin që kryen grekët mbi shqiptarët çamë, edhe pse regjimi thoshte që monarko-fashistët grekë janë agjentë të imperializmit etj, etj. Nuk donte ta acaronte Greqinë, sepse kishte dëshirë të kishte marrëdhënie sa më të qeta me të, për arsye të dobësisë së tij brenda vendit dhe të izolimit ndërkombëtar. Kështu që gjitha këto arsye bënë që nga regjimi i kohës të heshtej ndaj çështjes çame.

    Kjo ka qenë arsyeja e mirëqenies së minoritetit grek në Shqipëri?

    PO. sigurisht. Por kjo bëhej edhe nga karakteri ideologjik i elitës politike. Në Shqipëri, grupi drejtues politik përcaktonte gjithçka: që të heshtej në mënyrë kriminale për tragjedinë çame, për fatkeqësinë e saj. Kjo heshtje, gjithsesi, u pasqyrua edhe në tekste shkollore, ku nuk shkruanin asnjë fjalë për këtë gjë. Heshtja vazhdon ende sot që shteti grek po bënë përpjekje për të mos e përfshirë çështjen çame. Shteti grek është përgjegjës për atë që ka ndodhur me çamët, për krimin etnik ndaj Çamërisë. Pavarësisht se nga kush u krye dhe si u krye, shteti dhe qeveritë greke kanë qenë vetë ideatorë dhe zbatues të gjenocidit.

    Cilat veprimtari historike e argumentojnë që qeveria greke ka qene ideatore dhe zbatuese e gjenocidit ndaj Çamërisë?

    Kjo ka filluar që me aneksimin e Çamërisë dhe ka vazhduar si proces që ka shkuar në kreshendo dhe vijoi si proces në vitet ’23-’26 me shkëmbimin e detyrueshëm të çamëve me popullsitë greke që vinin nga Turqia. U bë spastrimi i pjesshëm etnik i Çamërisë, dhe më pas edhe spastrimi i plotë etnik i fshatrave shqiptare të Follorinës e Kosturit, pastaj territoret shqiptare që ishin jashtë zonës së Çamërisë dhe vijon procesi kur vjen Lufta e Dytë Botërore ku Zerva, drejtuesi i forcave ultra-nacionaliste greke gjeti rastin dhe bëri spastrim të plotë të shqiptarëve myslimanë. Qeveria greke pas luftës bënë “arritje” të nacionalizmit grek. Nuk i lejoi më çamët në shtëpinë e tyre.

    Pra, ishte një përpjekje e dyanshme: zhdukje e çdo gjurme të identitetit për çamët myslimanë dhe asimilim i atyre ortodoks?

    Po, dhe asimilimi i shqiptarëve ortodoks vazhdoi dhe gjatë dekadave. Ndaj qeveria greke nuk është e interesuar që kjo histori të trajtohet në tekstet shkollore. Ndërgjegjja djeg në politikat greke dhe në veprimet e shtetit grek.

    Çfarë kapitujsh të historisë çame duhet të hyjnë në tekste shkollore, si më imediate?

    Ne historianët po bëjmë përpjekje për të futur të plotë e të saktë historinë çame. Që në vitin 1994 është bërë përpjekje që u fut një pjesë e çështjes çame në tekste shkollore nga Instituti i Historisë. Përfaqësues të kësaj nisme ka? Sigurisht. Ishte drejtori i atëhershëm i këtij instituti profesor Kasëm Biçoku, profesor Myslim Myzyri dhe një grup studiuesish, që kërkuan që çështja çame të trajtohej në tekstet shkollore dhe që të saktësohen të dhënat në to. Cilat fragmente historike të kësaj historie janë përfshirë? -Që nga momenti i parë që Çamëria pushtohet nga forcat greke, nga perandoria Osmane kalon në pushtimin grek, edhe deri tek spastrimi i plotë etnik që ka ndjekur shteti grek. Po tani cilat fragmente historike duhen plotësuar? -Tekstet shkollore duke u lehtësuar nga informacionet e kanë të vështirë zgjerimin. Por kjo histori është domosdoshme të futet, sepse njihet pak akoma, dhe duhet të jetë edhe integrale me Historinë e Shqipërisë. Nuk bëhet fjalë vetëm në tekste, por edhe në materialet jashtëshkollore; si tekste ndihmëse të nxënësve dhe mësuesve, me materiale formuese specifike për këtë temë.

    Ku t’i gjejnë materialet?

    Sigurisht duhen përgatitur nga Ministria e Arsimit. Ata që janë përgjegjës për këtë punë. Ne historianët e kemi bërë detyrën tonë një farë niveli. Kemi bërë kërkime serioze. Janë libra në dispozicion. Çështja është se mësuesit tek ne nuk e kanë formimin dhe nuk lexojnë literaturën e re historiografike. Kanë mbetur te tekstet dhe një pjesë e madhe e mësuesve deri në vitet ’90 nuk kanë mësuar asgjë në shkollë vetë. Ata e kanë këtë mangësi. Ata që merren me shkollën duhet ta kenë parasysh këtë fenomen që Historia e Çamërisë të trajtohet dhe të jepet me kompetencë.

    Mund të specifikoni një nga shqetësimet tuaja si historian për rishkrimin akademik të Historisë Kombëtare?

    Specifike është çështja që: periudha nga 1912 deri në fillim të viteve 1920 mungon, për arsye se nuk ka pasur një bazë burimore shumë solide. Burimet greke nuk kemi si t’i marrin. Dokumentet shqiptare janë të varfra, sepse shteti në një fazë të paorganizuar mirë u përball me dy luftërat botërore.

    Pra kjo histori është e patrajtuar edhe nga akademikët?

    Jo tamam, por kërkon një informacion më të plotë dhe sigurisht do investime. Edhe në botimin aktual të Akademisë që është libri i madh “Historia e Shqipërisë”, në vëllimin e dytë dhe të tretë e të katërt ku jam dhe vetë autor nuk u është dhënë hapësira e duhur trajtimeve historike të çështjes çame. Atëherë kaq na është dhënë mundësia e atij projekti. Unë kam qenë i pakënaqur më këtë dimension. Duhet shtuar informacioni i detajuar dhe pritet një botim i madh akademik “Historia Shqiptare në shekullin e 20-të” me dimensione të mëdha. Profesor Marenglen Verli p.sh. ka ngritur çështjen e pasqyrimit të kësaj çështjeje në fjalorin enciklopedik të akademisë së shkencave. Fjalori ’84- ’85 nuk ka pasur shënime për historinë e çamëve. Në fjalorin enciklopedik duhet të ketë një vend shumë të madh
    Pa Kosovë e Çamëri nuk ka Shqipëri

  5. #5
    Mjedisor Maska e Edvin83
    Anëtarësuar
    20-03-2006
    Vendndodhja
    Tallinn
    Postime
    4,670

    Çamët-Robert Elsie

    Vështrim mbi shqiptarët çamë të Greqisë
    Shqiptarët çamë të Greqisë sipas dokumenteve të panjohura.


    Albanologu Robert Elsie dhe studiuesi Bejtullah Destani promovojnë sot në Tiranë, ora 11:00 në hotel “Sheraton” librin dokumentar në anglisht, “The Cham Albanians of Greece” me mbështetjen e Institutit të Studimeve për Çamërinë. Libri bazohet në arkivat më të pasur me dokumente domethënëse mbi Çamërinë, ato të Lidhjes së Kombeve dhe Misioneve Britanike, si dhe dokumentet e mbledhura nga misionet e tjera diplomatike midis viteve 1913 dhe 1960

    Robert Elsie

    Çamët, të njohur greqisht si Tsamides, janë shqiptarë, të cilët banojnë në pjesën më jugore të trevave shqipfolëse. Krahina e tyre, Çamëria, është një zonë malore në kufirin greko-shqiptar. Pjesa më e madhe e Çamërisë ndodhet në rajonin e Epirit grek, i cili përfshin pak a shumë prefekturat e Thesprotisë dhe të Prevezës, por Çamëria përfshin edhe pjesën më jugore të Shqipërisë, d.m.th. zonën e Konispolit. Kur forcat greke morën Çamërinë dhe Epirin gjatë Luftës Ballkanike të vitit 1912, çamët përfunduan papritmas në Greqi, të shkëputur nga pjesa tjetër e Shqipërisë. Kufiri i ri midis Greqisë në zgjerim dhe Shqipërisë së sapolindur mbeti i pacaktuar për një kohë dhe kjo shkaktoi paqëndrueshmëri politike afatgjatë në rajon. Ngacmime të vogla tradicionale mes të krishterëve dhe myslimanëve, mes grekëve dhe shqiptarëve, u shndërruan në një kërdi të llahtarshme. Kaosi mbretëroi në jug të Shqipërisë dhe në Epir, dhe u derdh shumë gjak. Në memorandumin e tij “Çështja e Epirit – flijimi i një populli” Mid’hat bej Frashëri (1880-1949) denoncoi karakterin çnjerëzor të sulmeve greke mbi jugun e Shqipërisë, por sigurisht që u kryen krime të rënda nga të gjitha palët. Mijëra refugjatë shqiptarë u dyndën për në Vlorë ku mbetën të pastrehë në kushte të mjerueshme. Shumë njerëz vdiqën nga tifoja apo thjesht nga mungesa e ushqimit. Gjatë Konferencës së Ambasadorëve në Londër në pranverë të vitit 1913, përfaqësuesit e Fuqive të Mëdha (Britania e Madhe, Franca, Gjermania, Italia, Austro-Hungaria dhe Rusia) nuk arritën të merreshin vesh për çështjen nëse Epiri t’i jepej Shqipërisë apo Greqisë dhe, nëse të ndahej, se ku do të caktohej kufiri. Për këtë arsye, në gusht 1913, Konferenca ngriti një Komision Ndërkombëtar Kufiri (International Border Commission) i cili u dërgua në rajon në vjeshtë të atij viti për të ndarë të Pandashmen. Roli vendimtar në caktimin e kufirit duhej të ishte identiteti etnik i popullsisë, por u morën parasysh edhe faktorë të tjerë. Rezultatet e punës së Komisionit u shpallën në Protokollin e Firences, të nënshkruar në dhjetor 1913, i cili e la Çamërinë, me popullatën e saj shumice shqiptare, në anën greke të kufirit. Protokolli i Firences la gjithashtu një pakicë të dukshme greke në anën shqiptare. Qeveria e re shqiptare nuk ishte në gjendje për të ushtruar ndikimin e saj në jug të vendit dhe, me gjithë Protokollin e Korfuzit të majit 1914, i cili konfirmoi statuskuonë, kontrollin në pjesën më të madhe të jugut të Shqipërisë e kishin de facto forcat greke, në rajonin që tanimë quhej Vorioepiri. Pas sulmit të vitit 1913, Çamëria në anën jugore të kufirit u përfshi drejtpërsëdrejti në shtetin grek. Në verë të vitit 1914, gjatë fillimit të Luftës së Parë Botërore, shteti i ri shqiptar pushoi së ekzistuari kështu që askush nuk mendonte më për kthimin e Çamërisë Shqipërisë. U vendos një administratë e re greke, për të cilën popullata ortodokse greke u gëzua shumë. Por që prej fillimit, veprimet e saj armiqësuan banorët shqiptarë myslimanë, mbase qëllimisht. Gradualisht u bë e qartë se synimi ishte asimilimi i shqiptarëve ortodoksë dhe dëbimi i shqiptarëve myslimanë. Gjatë viteve në vijim, përfshirë periudhën e Luftës së Parë Botërore dhe menjëherë pas asaj, u ushtrua presion në mënyra të ndryshme, si i padukshëm, po ashtu edhe i dhunshëm, për të inkurajuar, edhe madje për të detyruar shqiptarët myslimanë të largoheshin nga Çamëria. Çeta paramilitare, si ajo e Deli Janakis, sulmuan fshatra shqiptare, frikësuan banorët dhe qindra të rinj u dëbuan për në kampet në ishujt e Detit Egje. Treva të mëdha u konfiskuan me pretekst të një reforme agrare dhe ish-pronarëve, kryesisht familjeve të pasura shqiptare myslimane iu pagua shumë pak ose aspak kompensim, të cilat nuk shihnin mundësi tjetër përveç emigrimit. Në janar 1917, trupa italiane pushtuan për një kohë Konicën, Delvinakin dhe Sajadën dhe zëvendësuan administratën greke me një administratë vendore shqiptare. Pas viteve të shtypjes, situata u përmbys, dhe shqiptarët morën hak mbi fshatra greke, të cilat u plaçkitën dhe u dërrmuan. Pas Luftës së Parë Botërore erdhi lufta greko-turke e viteve 1919-1922, po aq e përgjakshme, rezultati i të cilës ishte një shkëmbin i madh popullate. Sipas Konventës për shkëmbimin e popullsive greke dhe turke, nënshkruar në Lozanë më 30 janar 1923, të krishterët ortodoksë në Turqi, më shumë se një milion sish, duhej të rivendoseshin/dëboheshin për në Greqi, kursi myslimanët me banim në Greqi duhej të rivendoseshin/dëboheshin en masse për në Turqi. Përjashtime u lejuan vetëm për banorët grekë të Stambollit dhe për turqit e Trakisë perëndimore. Popullata myslimane shqiptare e Çamërisë dhe të Epirit nuk u përmend fare në Konventë. Në Çamëri u përhapën shumë shpejt thashetheme dhe frikë derisa më 19 janar 1923 qeveria greke deklaroi se myslimanët shqiptarë do të përjashtoheshin nga shkëmbimi i parashikuar. Në rajon u dërgua një komision i përzier i Lidhjes së Kombeve, pa përfaqësim shqiptar, për të përcaktuar prejardhjen e popullatës myslimane. Detyra e komisionit ishte mjaft i ndërlikuar sepse, për shkak të diskriminimit dhe të përndjekjes zyrtare dhe jozyrtare që kishin pësuar, shumë çamë donin të përfshiheshin në shkëmbim, të largoheshin pa kusht. Me gjithë deklaratën e qeverisë greke, shumë të tjerë u detyruan të përgatisnin çantat dhe të iknin për në Turqi. Në tokën e tyre dhe në shtëpitë e tyre u vendosën refugjatët e shumëvuajtur grekë nga Anatolia. Vitet ’30 panë një përmirësim të marrëdhënieve midis çamëve shqiptarë dhe shtetit grek, veçanërisht gjatë viteve të fundit të administratës së Kryeministrit Elefthérios Venizélos (1864-1936), por gjendja u përkeqësua dukshëm nga viti 1936 me vendosjen e diktaturës së Ioánnis Metaksás (1871-1941) kur u morën masa të hapëta shtypëse. U ndalua përdorimi i gjuhës shqipe publikisht dhe privatisht, dhe nuk u lejuan më libra dhe gazeta në gjuhën shqipe. Arsimi shqip kishte qenë rreptësisht i ndaluar në Çamëri që prej vitit 1913. Me pretekstin e kërkimit të armëve, policët rregullisht bastisën shtëpi shqiptare dhe rrahën banorët, shpesh duke i arrestuar pa shkak. Edhe gjatë periudhave kur situata ishte më e qetë, shqiptarëve të Çamërisë iu dha të kuptohej se nuk ishin të mirëpritur në Greqi. Në prill 1939, forcat italiane të diktatorit fashist, Benito Mussolini (1883-1945) pushtuan Shqipërinë dhe, brenda pesë ditësh, morën tërë vendin, duke e detyruar Mbretin Zog të arratisej. Me këtë pushtim, Shqipëria humbi pavarësinë e saj dhe u përfshi në Perandorinë e re Romake të Mussolini-t. Pak kohë pas kësaj, italianët e drejtuan vëmendjen ndaj Greqisë. Gjatë përgatitjes së fushatës për pushtimin e Greqisë, mëkëmbësi italian i Shqipërisë, Francesco Jacomoni di San Savino (1893-1973), përhapi propagandë për keqtrajtimin e pakicës çame dhe la të kuptohej se, me sundimin italian, gjendja do të ndryshohej, madje se Çamëria mund të ribashkohej me Shqipërinë.

    Zbulimi i trupit pa kokë të prijësit rebel, Daut Hoxha (1895-1940) ishte një pikë kthesë. Koka e Hoxhës, e prerë siç thoshin nga agjentët grekë, qarkulloi nëpër fshatra të rajonit për të frikësuar banorët dhe për t’i detyruar të largoheshin. Në gusht 1940, ministri italian i Punëve të Jashtme, Konte Galeazzo Ciano (1903-1944), përdori rastin e vrasjes së Daut Hoxhës për të krijuar një incident të madh diplomatik midis të dy vendeve dhe për të bindur Mussolini-n për nevojën e pushtimit italian të Greqisë. Është e kuptueshme se çamët, pas një çerekshekulli të trajtimit si qytetarë të dorës së dytë në Greqi, nuk kishin pse të kundërshtonin përmbysjen e regjimit grek. Shumë prej tyre ishin të bindur se pushtimi italian do të përmirësonte gjendjen e tyre, dhe, në një farë mase, dëshira e tyre u realizua. Me pushtimin italian të Çamërisë dhe të Epirit në fund të tetorit 1940, situata ndryshoi përsëri për ortodoksët grekë të rajonit, të cilët iu nënshtruan autoritetit, kontrollit dhe persekutimit çam. Në verë të vitit 1942, administrata civile çame me këshillat e saj vendorë kishte zëvendësuar pothuajse tërësisht strukturat e mëparshme greke. Për të mbajtur pushtetin në rajon, autoritetet italiane në Çamëri, dhe gjermanët që pasuan në shtator 1943, bënë çmos për të theksuar dhe për të përforcuar armiqësitë tradicionale etnike midis shqiptarëve, grekëve dhe vllehëve. Shqiptarët dhe vllehët, më parë të nënshtruar dhe kokulur, u ngritën, dhe u krijuan njësi policore çame për të sunduar mbi popullatën greke. Gjatë pushtimit gjerman, erdhi fshehurazi një mision ushtarak britanik për të bindur udhëheqësit çamë të luftonin kundër Gjermanisë, por çamët refuzuan, jo pse donin Gjermaninë naziste, por thjesht, sepse e vetmja gjë që u ofronin britanikët ishte kthimi i sundimit grek. Me tërheqjen e forcave gjermane në verë dhe në fillim të vjeshtës të vitit 1944, Greqia ndodhej në fazën e parë të një lufte të përgjakshme civile. Për të siguruar bregdetin jonian për furnizimet e tyre ushtarake, forcat britanike lejuan që njësitë e një komandanti vendas grek, gjenerali Napoleon Zervas (1891-1957), të pushtonin rajonin. Zervasi, themeluesi dhe udhëheqësi i Lidhjes Kombëtare Republikane Greke (Ethnikós Demokratikós Ellenikós Sýndesmos – EDES) u bë i njohur për spastrimin brutal etnik të shqiptarëve të Çamërisë nga qershori 1944 deri në mars 1945. Njerëzit e tij i shikonin çamët si bashkëpunëtorë të italianëve dhe të gjermanëve, dhe kërkonin të merrnin hak. Gjatë sulmeve të tyre, gjetën vdekjen disa mijëra burra, gra dhe fëmijë në Çamëri.

    Më 27 qershor 1944, forcat e Zervasit hynë në qytetin e Paramithisë dhe vranë rreth 600 çamë myslimanë – burra, gra, dhe fëmijë – në një kërdi të paparë. Shumë viktima u përdhunuan dhe u torturuan para se të thereshin. Një batalion tjetër i EDES-it pushtoi Pargën të nesërmen ku u vranë 52 shqiptarë. Me 23 shtator 1944, fshati i Spatarit të Filatit u plaçkit dhe 157 persona u vranë. Shumë gra dhe vajza u përdhunuan, dhe u kryen shumë krime të tjera të llahtarshme. Sipas përllogaritjes së shoqatës çame të Tiranës gjatë sulmeve të viteve 1944-1945, u vranë gjithsej 2771 civilë shqiptarë. Menjëherë pas këtyre ngjarjeve, tërë popullata çame, e pambrojtur dhe e tmerruar, mori arratinë dhe iku për në Shqipëri për të shpëtuar. Këtu dëshiroj të përmend faktin se në vitin 1947, pas Luftës së Dytë Botërore, me gjithë përgjegjësinë për krime lufte dhe me gjithë faktin se ishte vetë i dyshuar për bashkëpunim me nazistët, Napoleon Zervas u emërua ministër i Rendit Publik në qeverinë greke! Spastrimi i çamëve myslimanë të Greqisë në fund të Luftës së Dytë Botërore shënoi përfundimin e një kapitulli të dhimbshëm të historisë çame dhe fillimin e një tjetri. Vendi ku arritën çamët e rraskapitur dhe të uritur, pra Shqipëria, ishte pushtuar pak kohë para ardhjes së tyre, nga Enver Hoxha (1908-1985) dhe forcat e tij komuniste. Udhëheqësit e rinj marksistë nuk u treguan shumë mikpritës apo tërësisht të predispozuar për të ndihmuar bashkatdhetarët e tyre çamë sepse, edhe ata i konsideronin si bashkëpunëtorë me fashistët. Megjithatë, çamëve u dhanë status si refugjatë dhe u lejuan të qëndronin në Shqipëri. Çamët morën ndihmë jo nga regjimi i Enver Hoxhës, por nga administrata e Kombeve të Bashkuara për Ndihmë dhe Rehabilitim (United Nations Relief and Rehabilitation Administration, UNRRA), e cila shpërndau çadra, ushqime dhe ilaçe në kampet e mjeruara çame në Vlorë, Fier, Durrës, Kavajë, Delvinë dhe Tiranë. Refugjatët çamë u inkuadruan fillimisht në të ashtuquajturin Komiteti Antifashist i Emigrantëve Çamë, krijuar në vitin 1944 si pjesë e Frontit Antifashist Nacionalçlirimtar, udhëhequr nga komunistët. Gjatë viteve pas Luftës së Dytë Botërore, Komiteti Antifashist i Emigrantëve Çamë bëri fushatë për kthimin e çamëve në vendlindjen e tyre. Duhet theksuar se shumica e tyre nuk donin të rrinin në Shqipëri, veçanërisht duke marrë parasysh spastrimet e tipit stalinist që po zhvilloheshin aty. Komiteti mbajti dy kongrese në vitin 1945, një në Konispol dhe tjetri në Vlorë. Komiteti hartoi memorandume dhe dërgoi telegrame në mbështetjen e qëllimeve të tij. Në vitin 1946, përfaqësuesi i Shqipërisë ngriti çështjen çame në Konferencën e Paqes të Parisit, por të gjitha veprimet rezultuan të pafrytshme. Përpjekjet për të internacionalizuar çështjen çame ranë kryesisht në vesh të shurdhër. Për vite më radhë, çamët vazhduan të shpresonin se situata politike do të qetësohej dhe se ata do të mund të ktheheshin në Greqi. Por kjo nuk u bë. Edhe sot, në shekullin e 21-të, çamët e moshuar që kërkojnë të hyjnë në Greqi për një vizitë kthehen në kufi nga zyrtarët kufitarë grekë. Pasaportat e tyre stampohen me persona non grata ose madje grisen para syve të tyre. Në fillim të viteve ’50, çështja çame u konsiderua e mbyllur. Qeveria shqiptare u dha çamëve nënshtetësinë e detyruar shqiptare dhe e shpërndau komitetin. Në vitet 1953 dhe 1954, qeveria greke miratoi ligje sipas të cilëve, prona çame konsiderohej e braktisur dhe kështu ligjërisht e konfiskuar. Nuk kishte për të pasur kthim. Që prej ngjarjeve tragjike të Luftës së Dytë Botërore kanë kaluar shumë dhjetëvjeçarë. Megjithatë, ndër çamët mbetet një ndjenjë padrejtësie dhe viktimizimi. Me gjithë marrëdhëniet shumë të mira midis Greqisë dhe Shqipërisë dhe me të gjitha marrëdhëniet përgjithësisht miqësore midis popullit grek dhe popullit shqiptar, është pikërisht kjo, arsyeja pse çështja çame nuk zhduket. Sot nuk ka pretendime serioze për ndryshimin e kufirit apo për kthimin e rajonit çam Shqipërisë. Pas një shekulli, kufiri i sotëm është botërisht i pranuar si realitet. Atëherë, çfarë duan çamët? Pas Luftës së Dytë Botërore, çamëve iu mohua kolektivisht nënshtetësia greke. Humbën pronën dhe u dëbuan nga vendlindja e tyre. Atë që kërkojnë është njohja e padrejtësisë së kryer. Ata duan gjithashtu kthimin e pronës apo të paktën një kompensim për humbjet, dhe shumë prej tyre duan të kthehen në atdheun e tyre çam, pra kthimin e nënshtetësisë greke. Pengesa kryesore në arritjen e këtyre qëllimeve modeste mbetet ligji grek i luftës i vitit 1940, i cili faktikisht është ende në fuqi. Për dhjetëvjeçarë me radhë, autoritetet greke kanë futur kokën si struci në rërë dhe kanë refuzuar të diskutonin problemet. Ata thjesht mohojnë ekzistencën e çështjes çame, madje edhe ekzistencën e një pakice shqiptare në Greqi.

    Në një perspektivë afatgjatë, Europa duhet të kontribuojë në gjetjen e një zgjidhjeje të çështjes çame. Shpresoj se në të ardhmen, sipas shembullit të Europës Perëndimore, kufiri midis Greqisë dhe Shqipërisë do të fshihet dhe bëhet i padukshëm dhe se popujt e të dyja vendeve do të mund të vijnë dhe të shkojnë si duan, duke lënë pas hijet e së shkuarës.

  6. #6
    i/e regjistruar Maska e safinator
    Anëtarësuar
    29-06-2011
    Postime
    711
    Shume interesante, do me pelqente te isha ne promovimin a ketij librit.

Regullat e Postimit

  • Ju nuk mund të hapni tema të reja.
  • Ju nuk mund të postoni në tema.
  • Ju nuk mund të bashkëngjitni skedarë.
  • Ju nuk mund të ndryshoni postimet tuaja.
  •