100 milionë euro për financuesit e PDK-së?!
Bota Sot
Organizata për Demokraci, Antikorrupsion dhe Dinjitet – ÇOHU, ka prezantuar sot raportet hulumtuese mbi financat që kanë përfituar donatorët e partisë në pushtet, si dhe fshehjen e pasurisë nga 25 zyrtarë të lartë publik.
Hulumtim i “Preportr” – i Qendrës Kosovare për Gazetari Hulumtuese (QKGH) - mbi prokurimet publike nxjerrë të dhëna mbi 100 milionët e shpërndarë nga partia e kryeministrit, për kompanitë që atij ia zgjatën dorën gjatë fushatave zgjedhore.
Nga dokumentet zyrtare ky hulumtim ka gjetur se 43 subjekte të ndryshme, kryesisht kompani ndërtimore që si biznese dhe persona fizik financuan Partinë Demokratike të Kosovës (PDK), në dy fushatat e fundit elektorale kanë përfituar mbi 100 milionë euro nga tenderët publik.
Sipas raportit të auditimit të financave të partive për fushatën e vitit 2009 dhe atij për fushatën e vitit 2010, shuma e donacioneve që këto 43 subjekte dhanë për PDK-në është pak më shumë se 280 mijë euro. Për 11 nga to u shkel edhe ligji dhe u dëmtua buxheti për t’i shpërblyer. Kjo i bie që kompanitë kanë rritur të ardhurat e tyre nga pushteti për mbi 350 herë në krahasim me atë që i dhanë donacion partisë në pushtet.
Pasi “Preportr” ka gjetur këto të dhëna, ka pritur për më shumë se dy javë për një koment nga Partia Demokratike e Kosovës (PDK) dhe nga Zyra e kryeministrit Hashim Thaçi, por as njëra dhe as tjetra nuk janë prononcuar në lidhje me shpërblimin prej 100 milionë eurosh të financuesve të kësaj partie me anë të tenderëve publik.
Sipas hulumtimit, del se së paku 25 zyrtarë të lartë publikë, ndër të cilët një zëvendëskryeministër, dy ministra, katër zëvendësministra, pesë kryetarë të komunave, një sekretar i përgjithshëm, katër drejtorë të prokurimit si dhe tetë anëtarë/drejtorë të bordeve të kompanive publike nuk i kanë deklaruar të gjitha bizneset apo aktivitetet në agjencinë Kundër Korrupsionit.
Këta zyrtarë që nuk e kanë deklaruar një pjesë të pasurisë nuk janë hetuar fare nga AKK dhe nuk figurojnë në raportin vjetor të vitit 2011, i cili është bërë publik me 28 mars të këtij viti.
Vëllai i vogël i Kryeministrit po ndërton kompleks banesash
Blerim Thaçi është hisedar në kompaninë “Iliria Building” që po ngret një kompleks banesor në Prishtinë, ndërtimi i së cilës mund të kushtojë rreth 4 milionë euro. Thaçi dhe ortaku i tij Milaim Cakiqi, i cili është fqinj i Kryeministrit dhe bashkëpronar i Liria FC që kishte qenë e përfshirë në një privatizim të manipuluar, nuk kanë pranuar të tregojnë prejardhjen e fondeve që po i investojnë. Kompania e tyre ishte regjistruar në janar 2009 dhe në faqen e saj në internet nuk figuron se ka kryer ndonjë projekt tjetër.
Blerim Thaçi, i vëllai i vogël i Kryeministrit Hashim Thaçi, është bërë pjesë e tregut të shitjes së patundshmërive. Ai është hisedar në një kompleks milionësh që është duke u ndërtuar në lagjen Mati 1 në Prishtinë.
“Iliria Building”, një kompani e përbashkët e Blerim Thaçit e Milaim Cakiqit, planifikon të ndërtojë 102 banesa në dy objektet e kompleksit “Blloku A 21”, bazamentet e së cilave tashmë janë ngritur.
Blerim Thaçi nuk ka pranuar të japë përgjigje për mënyrën e sigurimit të mjeteve për ndërtimin e këtij kompleksi edhe pse kjo i është kërkuar për dy javë rresht. Ai nuk figuron në Agjencinë për Regjistrimin e Bizneseve në Kosovë (ARBK) që ka pasur ndonjë biznes me qarkullim të madh financiar.
Edhe Kryeministri i vendit Hashim Thaçi, i cili është pyetur nëse e di që i vëllai është i përfshirë në biznesin e patundshmërive, nuk ka kthyer përgjigje për Gazetën Jeta në Kosovë.
Shefi i Kabinetit të Kryeministrit, Abelard Tahiri, fillimisht ka premtuar se do të njoftonte kreun e ekzekutivit për pyetjet, por më vonë nuk pranuar të komentonte për këtë çështje.
Milaim Cakiqi, ortaku i vëllait të Kryeministrit, ka thënë se aksionarët nuk janë të obliguar të flasin për “Iliria Building”.
“Ne jemi privatë dhe nuk japim llogari për punën tonë. Është çështje e jona se çka bëjmë dhe si investojmë”, ka thënë Cakiqi. “Blerimi është vëlla i Kryeministrit por kjo nuk do të thotë që obligohemi të përgjigjemi për biznesin tonë”
Milaim Cakiqi është fqinj i Kryeministrit të vendit Hashim Thaçi në lagjen “Prishtina e Re-Perëndimi” afër Veternikut. Ai gjendet edhe në listën e banorëve të kësaj lagje që kanë marrë pëlqimin urbanistik për të ndërtuar në këtë zonë.
Parcela me numër 28/7, ku është duke u ndërtuar kompleksi “Iliria Building”, ka një hapësirë prej 3 mijë e 729 metra katrorë. Sipërfaqja për ndërtim në këtë hapësirë, sipas shënimeve në faqen zyrtare të kësaj kompanie është mbi 23 mijë e 390 metra katrorë.
“Blloku A 21” është i ndarë në dy objekte në të cilët do të ndërtohen 102 banesa sipërfaqja totale e të cilave është mbi 9 mijë e 700 metra katrorë. Hapësira për ndërtimin e lokaleve afariste ka një sipërfaqe prej 1593 metra katrorë ndërsa sipërfaqja e parkingut ka një hapësirë prej 5 mijë e 269 metra katrorë.
Trotuaret, pllatotë dhe rrugët brenda kompleksit kanë një hapësirë prej 1298 metra katrorë , korridoret kanë 1606 metra katrorë , etazhet teknike kanë një hapësirë prej 836 metrash katrorë ndërsa sipërfaqja e gjelbëruar ka një hapësirë prej 768 metrash katrorë.
Veç banesat e lokalet afariste kanë një hapësirë prej 11 mijë e 200 metrash katrorë.
Kompanitë e ndërtimit - Kompanitë “Al Trade” dhe “Standard” kanë thënë për Gazetën Jeta në Kosovë - se mesatarja e kostos për ndërtimin e një metri katror në Prishtinë sillet prej 350 deri në 400 euro.
Në bazë të kësaj mesatareje, ndërtimi i banesave e lokaleve afariste me sipërfaqe prej mbi 11 mijë e 200 metrash katrorë mund të kushtojë afro 4 milionë euro. Ndërsa mesatarja e shumës që sigurohet nga shitja e tyre mund të shkojë deri në 7-8 milionë euro, që i bie 3-4 milionë euro profit.
Ndërkohë kompania “Iliria Building”, sipas Gazmend Mejzinit, kryeshef në Agjencinë për Regjistrimin e Bizneseve, është regjistruar më 14 janar të vitit 2009.
Në regjistrin e biznesit figuron se ka statusin e Shoqërisë me Përgjegjësi të Kufizuar ku kapitali themelues për regjistrim është 10 mijë euro. Kjo kompani, siç figuron në certifikatën e biznesit, ka vetëm dy punëtorë.
Adresa e saj shënohet se është Çagllavica. Blerim Thaçi është person i autorizuar për Çagllavicë ndërsa Milaim Cakiqi është përgjegjës për Prishtinë.
“Iliria Building” ka për aktivitet kryesor Tregtinë me Pakicë të Karburanteve dhe Lubrifikanteve ndërsa është e regjistruar edhe për aktivitete tjera si ndërtimi i lartë dhe ndërtimi i ulët si dhe aktivitetet që kanë të bëjnë me ndërmjetësim në tregtinë e lëndëve djegëse, xeheve, metaleve dhe produkteve industriale kimike. / JNK
PDK do ta padis Çohu-n
Bota Sot
Pak orë pas publikimit të raportit të Organizatës ÇOHU, e cila ka akuzuar qeverinë se u ka dhënë tenderë në vlerë prej 100 milionë euro kompanive të afërta me të. PDK, kjo parti ka reaguar duke i cilësuar shpifje dhe duke thënë se do ta padisë këtë organizatë.
“Nuk është në shërbim as të demokracisë, as të luftës kundër korrupsionit e as të dinjitetit, aventura e sotme politike e kësaj organizate, e cila nën petkun e shoqërisë civile, pa asnjë fakt dhe pa asnjë kriter profesional hulumtues, merr guximin të nxjerrë konstatime të rrejshme, të pabaza dhe skajshmërisht të njëanshme, si dhe të trillojë e të ndërtojë insinuata të vogla me shpifje të mëdha. Tendencat e këtilla kaq të ulëta janë në shërbim të krijimit të një mjegulle, e cila helmon opinionin publik me trillime, të pavërteta dhe pasaktësi. Partia Demokratike e Kosovës e inkurajon shoqërinë civile që t’i kontribuojë proceseve nëpër të cilat jemi duke kaluar si shtet dhe t’i kontribuojë luftimit të dukurive negative, por këtë duhet ta bëjmë duke u mbështetur në ligje dhe duke i adresuar informacionet që pretendojmë se i kemi tek organet kompetente dhe jo duke fabrikuar shpifje për të zhvatur fonde për vete, transmeton Indeksonline.
Partia Demokratike e Kosovës do t’i ndërmarrë të gjitha hapat dhe veprimet e nevojshme ligjore kundër shpifjeve dhe shpifësve tek institucionet kompetente”, thuhet në komunikatën e PDK-së.
Krijoni Kontakt