Vjenë, 18 janar, 1913 - “Reichspost” jep detaje, të cilat raportojnë për masakrimin e 25 mijë personave që nga fillimi i luftës në Vilajetin e Kosovës, thuhet në shkrimin e botuar më 18 janar të vitit 1913.
Shkrimi mbante titullin “Serbia fajtore për gjakun në Shqipëri”. Ai thotë se 100 nga 132 shqiptarë të plagosur në Shkup u lanë të vdesin nga uria. Ushtarët pranuan se në një fshat, ku pati të shtëna pas ngritjes së flamurit të bardhë, fshatarët u nxorën nga shtëpitë e tyre dhe erdhën duke bërtitur e qarë në rrugë. Serbët qëlluan të rinjtë, shpuan me bajoneta fëmijët dhe dhunuan gratë e vajzat para baballarëve e burrave të tyre.
Serbët, thotë shkrimi, masakruan 1. 200 shqiptarë në Ferizoviq (Ferizaj – sqarim ynë), gjithë popullatën e Gjilanit, dhe 5000 në Prishtinë. Serbët në Prizren hynë në shtëpi, duke vrarë pavarësisht moshës apo gjinisë, dhe vranë 400 persona. Ata shkatërruan tri fshatra afër Prizrenit, duke qëlluar 30 burra, pasi favorizonin Austrinë. Ushtarët lidhën së bashku gratë shqiptare, i detyruan të kërcejnë në rrathë, dhe pastaj i qëlluan me pushkë, duke parë rënien e tyre një nga një. Gjenerali Jankoviq urdhëroi shkatërrimin e 27 fshatrave në distriktin e Lumës, dhe gratë e fëmijët ishin mbuluar me kashtë dhe u dogjën të gjallë, derisa 400 burra, të cilët u dorëzuan, u vranë.
Krijoni Kontakt