http://www.gazeta55.al/fotolajm/6867...02%20PRILL.jpg
Shkodra përkujton sot demonstratën e 2 prillit, ku regjimi barbar ekzekutoi 4 të rinj
02-04-2011 / Leonard Quku
- Berisha: Gjaku i dëshmorëve i dha dritë demokracisë
- 2 prilli 1991- Urdhri i zi i Gramoz Ruçit për ekzekutimin e 4 studentëve në Shkodër
- Arben Broci, Nazmi Kryeziu, Bujar Bishanakut dhe Besnik Ceka, dhanë jetën për liri dhe demokraci, ata u vranë nga “arma vrasëse në dorën e Gramoz Ruçit dhe e shkrepur nga Ramiz Alia”
Kryeministri Sali Berisha ka qenë sot në Shkodër ku është përkujtuar demonstrata e 2 Prillit 1991, ku dhanë jetën 4 dëshmorë. Berisha ka folur në 20 vjetorin e vrasjes së 4 dëshmorëve për sakrifikimin sublim të tyre si edhe për zgjedhjet e 8 Majit. Në ceremoninë përkujtimore ishin edhe deputetë të Shkodrës, mes tyre edhe kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli. “Gjaku i dëshmorëve skuqi rrugët e Shkodrës. Gjaku i dëshmorëve i dha dritë demokracisë”, ka deklaruar kryeministri Berisha. Ai tha se sot shqiptarët janë më të lirë se kurrë në historinë e tyre dhe se lira e Shqipërisë dhe shqiptarëve është më e garantuar se kurrë. Kryeministri Berisha deklaroi se do bëjmë projekte më të mira në këto dy vite. Kryeministri tha se në 2017, Shkodra do të jetë e zhvilluar. “Vitet në vijim do të jenë vitet e zhvillimeve më të mëdha për Shkodrën. Do ta ngremë qytetin në lartësinë e ëndrrave të fëmijëve tuaj”, tha kreu i qeverisë. Berisha tha se fushata jonë është vetëm qytetarin. “Në 4 vitet e ardhshme projektet më të mira. Aleanca jonë është aleanca për qytetarin. Unë ju garantoj ju se çdo gjë në këtë fushatë, në këtë qeverisë do të jetë vetëm për Ju”, theksoi kryeministri Berisha.
2 prilli- Urdhri i zi i Gramoz Ruçit për ekzekutimin e 4 studentëve në Shkodër
Protestat kundër regjimit diktatorial në 2 prill të vitit 1991, i morën jetën 4 të rinjve studentë në qendër të Shkodrës. Protestat e iniciuara në të gjithë Shqipërinë, arritën kulmin në kryqendrën e veriut, nga ku u demonstrua hapur qëndresa e studentëve dhe popullsisë vendase, për të shembur regjimin e kalbur, i cili mbahej në “këmbë” nga duart e gjakosura të Gramoz Ruçit dhe Ramiz Alisë. Ish ministri i diktaturës dhe krahu i djathtë aktualisht i Edi Ramës, Gramoz Ruçi dha urdhrin e zi, për ekzekutimin e 4 të rinjve, se pse po protestonin kundër hafijeve vrasëse të diktaturës gjakatare të trashëguar nga Enver Hoxha. Vrasja e të rinjve, futi në zi jo vetëm Shkodrën, por të gjithë Shqipërinë, pasi u morën 4 jetë të pafajshme, 4 jetë rinore të cilët u bënë martirë të demokracinë për të çuar në vend nderin e kombit. Vrasja e 4 studentëve në Shkodër, nuk është një vrasje enigmatike dhe e mbushur me mistere, por një ekzekutim i hapur dhe me urdhër të ish ministrit të Brendshëm enveristit Gramoz Ruçi dhe me pajtimin e Ramiz Alisë. Por, e keqja nuk është kapërcyer. Ndonëse kanë kaluar plot 19 vjet nga kjo vrasje makabër, e keqja është përsëri përballë nesh dhe vazhdojmë të ndjehemi të rrezikuar. Gjakpirësit e enverit, vazhdojnë të selektojnë të tjera krime kundër shqiptarëve dhe rendit shtetëror në tërësi. Vrasësi i studentëve të 2 prillit kapardiset në Kuvendin e Shqipërisë sa herë t’i teket qejfi dhe ta përdorë atë si shtojnë të interesave megalomane bashkë me Edvinin. Së fundmi ai është zgjedhur edhe kryetar i grupit parlamentar socialist, për të përcjellë kështu zërin e kërcënimeve, pse jo edhe për “ekzekutime” të mëtejshme, këtë radhë jo në njerëz, se ndonëse do jetë ngopur me gjakun e shqiptarëve, por “vrasjen” e vendit dhe të shqiptarëve në tërësi. Kursi që po ndiqet nga Gramoz Ruçi dhe Edvin Rama, është tipi ai i firmëtarëve të së keqes së kombit, të bllokojë me çdo kusht integrimin e Shqipërisë dhe hapjen e dyerve drejt evropës për shqiptarët. Vrasësi i 4 studentëve, nuk ka asnjë interes për rininë shqiptare, interesi i tij i vetëm është inkorporimi i politikës së bllokimit dhe “vrasjes” masive të çdo hapi apo progresi të hedhur nga qeveria “Berisha” për 5 vjet me radhë.
Topi: Dëshmorët e 2 Prillit, pjesë e pashlyeshme e qëndresës antikomuniste
Presidenti i vendit, Bamir Topi ka qenë sot në Shkodër në 20 vjetorin e demonstratës antikomuniste të 2 Prillit. “Në 20 vjetorin e demonstratës antikomuniste të 2 Prillit në Shkodër, mendimi ynë shkon në nderim e respekt të kujtimit të katër dëshmorëve të demokracisë që u vranë pabesisht gjatë asaj proteste, studentit të dhjetorit Arben Broci dhe tre bijve të tjerë të Shkodrës Nazmi Kryeziu, Bujar Bishanaku dhe Besnik Ceka. Ata janë tashmë pjesë e pashlyeshme e qëndresës antikomuniste, e shpirtit shkodran që nuk pranoi kompromis për demokracinë e shumëpritur, por edhe e shpirtit shqiptar në përgjithësi që për lirinë ka luftuar e sakrifikuar në shekuj.”, tha Topi. Presidenti theksoi se 20 vjet nga ajo demonstratë që pati si protagonistë kryesorë studentë e gjimnazistë të Shkodrës, rruga për ndërtimin e demokracisë në Shqipëri vazhdon të jetë me sfida të rëndësishme, të cilat kërkojnë impenjimin e gjithsecilit. Përpjekjet e të gjithëve duhet të bashkohen për ta konsoliduar demokracinë tonë të re, si një garanci se po ecet në drejtimin e duhur, atë drejt familjes së madhe euroatlantike. “Nderim dhe respekt për katër dëshmorët e demokracisë dhe për të gjithë ata ish nxënës, studentë e qytetarë të Shkodrës, që 20 vite më parë demonstruan duke kërkuar siguri për të ardhmen e pluralizmit dhe sistemit demokratik të fituar në dhjetor 1990. I paharruar qoftë kujtimi i Arben Brocit, Nazmi Kryeziut, Bujar Bishanakut dhe Besnik Cekës!”, tha Presidenti Bamir Topi.
Krijoni Kontakt